back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shtëpia me dy çati, si shtëpi e kulmeve të reja në kufijtë e vlerave universale të njeriut nga Agron Shele

Gazeta

Rezart Palluqi, Roman "Shtepia me dy çati"
Rezart Palluqi, Roman “Shtepia me dy çati”

Shtëpia me dy çati, si shtëpi e kulmeve të reja

në kufijtë e vlerave universale të njeriut.

nga Agron Shele

 
Romani “Shtëpia me dy çati”
është vepra letrare më e fundit e autorit Rezart Palluqi,
i cili vjen nën redaktimin e Pëllumb Zekthit
dhe Shtëpisë Botuese “2 Lindje & 2 Perëndime”.
 
Agron Shele
Agron Shele

Qysh në fillim ky roman të tërheq me vete dhe të shëtit në atë fanfarë botëkuptimesh, që kap rrafsh dhe gamë shumë më të gjerë kulturash (nga ato të orientit – deri tek perëndimi), të cilat kapërcejnë nëpër qerthulle dhe mistizmin kohë, gjithmonë në paralelizëm me zanafillat shtrirje, duke filluar nga antika dhe mitologjia, bizanti dhe më pas ajo bashkëkohore. Narrativiteti përshkrues dhe struktura e ngritur përqasin atë frymë, e cila në vijimësi paraqet kontraditat shoqërore përbrenda një mentaliteti të krijuar (mentaliteti grek) gjithmonë në përballje me mentalitet dhe traditën e Ballkanit (hapësirë më e gjerë kjo) dhe gjithmonë në krahasim me vlerat etike dhe shoqërore të krijuara në perëndim. Në thelb, radikalizimi i mbrujtur nga fanatizmi fetar ka prodhuar karaktere bizante, që e shikojnë me frikë liberalizimin e jetës dhe ndikimin e jashtëm, të cilët me format e ulëta dhe mënyrat e tyre agravojnë në ngjarje dramatike.

Narrativiteti i këtij romani është vendosur jo pa qëllim në qytezën e Pargës, qytezë me një bukuri mahnitëse, rrethuar nga kodrat dhe shtrirë në bregun e detit Jon, i cili daton që në kohët më të lashta, në kohën e zotave dhe legjendave antike, për të ardhur më pas nën ndikimin e venecianëve, anglezëve, francezëve, Ali Pashë Tepelenës, osmanëve dhe së fundmi grekëve, të cilët shpërngulën forcërisht popullsinë shqiptare çame, tragjizëm ky që zë një vend të gjerë dhe përmbyll bashkë me romanin dhe fatin e kryepersonazhit të gjithë librit: “Kur mërdhin e ardhmja, ajo vesh rrobat e gjakosura të kufomave të së kaluarës”. Manifestimi i një shpirti të lirë e human, pa komplekse dhe tabu, referimi i vlerave universale dhe indeksimi një me frymën më moderne, përbëjnë dhe qëllimin kryesor të gjithë veprës. Paralelizmat midis tragjedive të ndodhura, ato të masakrave dhe shpërnguljes së çamëve nga shtëpitë e tyre me forcë me ato të grekëve në Izmir dhe ndërlidhja midis kulmeve çati, të banuara nga bujtës të rinj shpreh më së miri tematikën historike, të pranuar dhe reflektuar nga logjikat e shëndosha, por kurrsesi nga mentalitetet dhe kultet e ngritura të vendeve ballkanike. Bisturia e hollë dhe sarkazma fshikullon urrejtjen, godet muret e ngritura të botkuptimeve shoqërore dhe realitetet e grishta të tyre që kanë depërtuar në çdo qelizë, patriakalizmin që është shndërruar në ideologji dhe frymë e sëmurë, e cila për rrjedhojë nuk njeh as kufij e as limite, por riciklon të shkuarën duke përsëritur pa reshtur dhimbje njerëzore dhe trauma.
 
Pse ky titull i përzgjedhur nga autori?
Shtëpia me dy çati nuk është një godinë e thjeshtë, por në kuptimin metafizik është një shtjellë që ndan kohët dhe vlerat, ndan krenarinë e antikës dhe filozofëve të mëdhenj grekë me traditën dhe tabunë bizante të realitetit, ndan ilumizmin dhe mendjet e ndritura bashkohore greke (historianë, nobelistët) me mefshtësinë dhe paragjykimin e thjeshtëzuar të turmës së endur gjithmonë pas lakmive dhe qëllimeve dritëshkurtra që afron momenti. Shtëpia me dy çati është dhe një kufi i madh që ndan kulturat, atë të realitetit mental me frymën e lirë të perëndimit, dy fryma këto që janë larg njëra-tjetrës dhe që ndajnë pikëpamje të thella botëkuptimesh. Shtëpia me dy çati nuk ka themelet e sotmes, por rrënjët e gjenezave të shkuara, të cilat rrjedhin damarëve gjakun e jetëve të pafajshme, gjak që asnjë e sotme apo dhe e nesërme nuk do arrijë dot as ta fshehë dhe as ta mbulojë.
Shtëpia me dy çati është dhe një ëndërr e autorit, i cili si referim i individualitetit pa kufij, pa nocione vendos në të përfaqësues të gjithë etnive, të cilët çdo mëngjes rinisin jetën e lirë përbrenda lirisë dhe respektit të pakufi për diversitetin kulturor të tjetrit.
Për të dhënë një konfiguracion më të plotë për këtë prurje sa intriguese për lexuesin po kaq dhe interesante e deshifruse të mesazhit të madh që kërkon të përcjellë autori le të ndalemi pak tek aspekti karakterial i gjithë kësaj fabule, kryesisht tek dy protaganonistët e veprës letrare:
Panajoti është kryepersonazhi i gjithë librit dhe rreth tij vërtitet e gjithë ngjarja. Profesioni i tij si historian nuk është i paqëllimtë, por një gjetje që autori të shprehë idetë dhe vizionin e tij për modalitetet dhe koherencat e reja që duhet të krijohen. Me fleksibilitetin që e karakterizon autori e përshkruan personazhin e vet gjer në detaj, duke filluar nga ideja e ndërtimit të çatisë së dytë (ndarjes përfundimtare nga botëkuptimet e kohës së atdheut të tij) deri në peripecitë që kalon përgjat gjithë jetës, prapaskena të ngritura nga arkitetkti dhe restauruesi i kishave e gjer tek vëllai i tij (duke e klasifikuar si heretik e të pa fe). Mendësia e Panajotit shkon një me studimet dhe gjurmët e pamohushme të shqiptarëve, të cilat kush më shumë se Aristidh Kola i nxorri në pah, me argumente të sakta dhe vërtetësi të pamohueshme, natyrshmëri kjo që thyen konceptet dhe alarmon jo vetëm mjedisin përreth, por deri qendrën më të lartë intelektuale e instuticionale të Athinës. Dhe kështu i endur mes tabuve dhe të vërtetës lakuriq, historiani jeton si dishepujt e tij, kolosët e filozofisë së lashtë dhe pragmatizmit të botës rrethuese (bizantë, si i quante dhe vetë) dhe një jete që do e lidhte figurativisht me fatin e tre grave (Kristinës, gruas së tij, që përfaqëson dhe vetë moralin e kohës, joshjen pas jetës së luksit dhe amoralitetit shoqëror, Maries, të shoqes së kundërshtarit më të egër të tij, e cila vinte si përfaqësuese e bashkëshortes së virtytshme dhe besimtares denjë, si dhe Roos, gruas perëndimore, pa paragjykime dhe të lirë në shpirt). Marrëdhënia me të birin është më shumë se një kuptim dhe mendësi brezash, ku ky i fundit është thjeshtë një marionetë e kohës, i cili e kupton dhe vlerëson drtitëthënien e vërtetë, por që kërkon të lëvizë sipas integralit të ingranazhit kohë.
Zhvillimet që pasojnë i ndërlidhin dhe ndajnë karakteret në mijëra fije të dukshme e të padukshme, aq sa vetë kryepersonazhi vendoset në qendër të kompleksitetit trekëndësh (Greqi, Turqi dhe Shqipëri), trekëndësh që identifikohet me vetë truallin ku banon, e cila plekset e shplekset nëpër gjëmat dhe barbarizmat mes Turqisë e Greqisë. Së fundi kemi një ritual të përsëritur, me zanafillë po nga gjeneza, nga Sokrati, të cilin personazhi nuk e përsërit deri në vetmohimin e tij (pirjen e kupës së helmit), por stoicizmit për të qëndruar pas hekurave, krejt i qetë në qelinë e errët.
…dhe çatitë tashmë të braktisura, por që ringrejnë kulme të reja drejt qiellit më të lartë duke rrezatuar edhe më shumë të vërtetën lakuriqe, trembin dhe makthojnë hijet e endura rreth saj, një mjedis të tërë kaotik, i cili e shikonte dhe shikon si kështjellën e vetme që duhet të bastiset, asimilohet, mundësisht të digjet dhe flakët e saj të përpijnë çdo frymë, çdo formë, çdo imazh, çdo ngjyrë, por harrojnë që rrënjët shkojnë shumë më poshtë, atje ku e shkuara kish filluar jetë dhe do të vazdonte gjer në përjetësi.
Andoni është personazhi dytësor, përfaqësuesi i konservatorizmit të një shoqërie dhe tipizuesi i ndërgjegjes dhe shpirtit të kohës. Pavarësisht amoralitetit të tij, natyrës kriminale apo aferave korruptive ai mbetet në atë mjedis të vakët, si modeli por dhe mbrojtësi më i mirë i traditës së krijuar. Si kundërshtari më i egër i pranimit të së vërtetës historike, ai do përballej dhe do bëhej promotorri kryesor i gjithë kalvarit përvuajtës të kryepersonazhit, gjer dhe në burgosjen përfundimtare të tij. Gjithë rrugëtimi i tij në këtë vepër letrare dhe pse kalon përmes skandalesh dhe dhunës, racizmi të shfrenuar dhe urrejtjes gjen mishërim dhe njehsohet një me mentalitetin e popullit të tij, madje gjer në sferat më të larta, qoftë laike, qoftë dhe ato fetare.
“Shtëpia me dy çati” është vepër letrare që kalon përmes hapësirës dhe një mendësie të hapur, i cili vjen natyrshëm dhe me narrativitet magjepës përshkrimi, qoftë në planin ideo-artistik, qoftë tematikës që ka kapur, qoftë mesazhit të përcjellur, strukturës së ngritur, apo dhe shtjellimit psikologjik e filozofik.
E gjithë kjo prurje letrare e sjellur nga autori Rezart Palluqi do mbetet gjatë në kujtesën e lexuesit, si ideim universal por dhe laburim idesh e vlerash, të cilat do vazhdojnë të thyejë tabutë dhe muret e ngritura në kokë tek vetë njerëzit, për të përafruar modele dhe koncepte të reja, pa kufij, jashtë prognozave të shkuara dhe drejt një të nesërme të denjë e të lirë…
Bruksel, shkurt, 2017
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.