![Artur Shkurti - Drejtor i shkollës "Udha e Shkronjave" - Tiranë](https://www.radiandradi.com/wp-content/uploads/2021/04/640-0-5b8f8ce5e10dd-247x300.jpg)
Shteti Bektashi tradhëti e lartë ndaj Rilindjes Kombëtare
nga Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”
Autor i librit “Besa, feja ime, e fëmijëve të mi dhe e bujarëve shqiptarë”
Sot, Edi Rama, propagandoi krizën e bektashinjve, me mendimin për t’i dhënë një dorë me Shtetin Sovran. Në të njëjtën mënyrë kriza e Universiteteve Shqiptare sipas tij do t’u zgjidhka me ndonjë Shtet Sovran të Universitetit Shqiptar, apo kriza e KESH-it, me ndonjë shtet sovran të KESH-it etj.
Bektashinjtë janë në krizë morali dhe shenjtërie. Ata që po u servirin Shtetin Sovran, e kanë shtet privat të vetin dhe aspak për synime fetare. Janë ata që duan Shtetin Sovran Bektashi që ia kanë bërë hysmetin krizës së tyre, njëlloj si një shkollë të vjetër që degradohet dhe digjet (siç u dogj shkolla “Kosova”) që ta merrnin të tjerët.
Shkrirja Kryegjyshatës Botërore, apo dorëheqja masive e baballarëve, do të ishte akti më i fuqishëm kombëtar. Le t’i thonë besimtarëve të tyre qartë pastër e bukur: “Nuk është nevoja të na keni ne. Nuk jemi aq të frytshëm në edukim. Keni tashmë shkollat shqipe, keni mësuesit shqiptarë, keni universitete, profesorë, media, botues, biblioteka, dhe tashmë keni një kulturë e traditë shqiptare të mjaftueshme. Ne, si kryegjyshatë, nuk kemi detyrime ndaj të tjerëve të huaj jashtë atdheut, ndaj pronat tona ua falim shkollave shqipe, bashkive, gjimnazeve, universiteteve, bibliotekave, jetimoreve etj. dhe le të na kujtojnë çfarë mund të kemi bërë mirë më parë. Por misioni ynë këtu mbaron. S’kemi pse të zvarritemi e të biem prè e skemave të tilla që qartësisht janë kundër vlerave të Rilindjes Kombëtare, kundër sovranitetit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, që duan të përçajnë, që duan të shpronësojnë kulturën shqiptare dhe të varfërojnë më shumë Shqipërinë dhe shqiptarët”.
Kryegjyshata Botërore, në fakt është Kryegjyshatë Shqiptare dhe ajo është konceptuar në funksion të besimtarëve shqiptarëve dhe jo botërorë, duke qenë një institucion besimi autoqefal dhe që ishte në vijim të linjës së Rilindjes Kombëtare për autoqefali fetare.
Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, ishte sot (25.01.2025) në Mbledhjen Jubilare të 95-vjetorit të Kryegjyshatës Bektashiane (Linku). Nuk duam të themi asnjë urim në çastin që ky institucion po bën një tradhëti të hapur të lartë kombëtare dhe kërkon të zhvasë Shqipërinë, shqiptarët, historinë dhe kulturën shqiptare. Mund të jetë më e madhja e çdo kohe. Thonë se i yti mishin ta ha por kockën ta ruan, por në qoftë shumë i lig, i yti të bluan me gjithë kocka dhe rasti i bektashinjve është saktësisht ajo që po ndodh, po bluan me gjithë kocka Shqipërinë dhe Kulturën Shqiptare.
Do të vijoj me disa komente rreth fjalimit të Edi Ramës:
Ai tha: “Për mua është një privilegj të marr fjalën në këtë përvjetor jubilar të krijimit të Qendrës Botërore të Bektashizmit në Shqipëri dhe të përcjell, qoftë shprehjen e admirimit për rolin e bektashinjve shqiptarë në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe në përpjekjen shqiptare për pavarësi, qoftë edhe shprehjen e solidaritetit për vështirësitë gjithnjë e më të mëdha unikale në llojin e tyre me të cilat përballen në ditët tona ata që sot e gjithë ditën mbajnë ndezur flakën e këtij besimi.”
Dy janë pikat për diskutim: “Roli i bektashinjve në punë kombëtare” dhe “vështirësitë që po kalojnë”. Të dyja janë spekulime të nivelit më të lartë.
Çdo gjë që kanë bërë shqiptarët për Shqipërinë e kanë bërë si shqiptarë dhe jo si fetarë. Kjo është e padiskutueshme dhe është arsyeja e vërtetë pse shqiptarët qëndrojnë bashkë. Të ishte feja kryesore dhe shqiptaria dytësore, ne do të kishim ndërruar kombin dhe jo fenë, por në fakt, kemi ndërruar fenë dhe jo kombin. Në këtë kuptim, çdo gjë që kemi bërë e kemi bërë si shqiptarë. Edhe në rastet kur disa prej nesh e kanë ndërruar fenë, dhe disa të tjerë nuk e kanë ndërruar, përsëri kanë vepruar si shqiptarë, pra me mendjen e tyre. Ndaj feja në këtë këndvështrim nuk përfaqëson asnjë autoritet më të lartë ndaj ndjesive kombëtare.
Naim Frashëri dhe Vëllezërit Frashëri kanë punuar nga shpirti shqiptar për kombin shqiptar. Si të tillë ata kanë punuar “mbi fenë bektashiane” pra nga “shqiptarja tek bektashija” dhe “bektashinjtë kanë pësuar” dhe nuk kanë “drejtuar” Vëllezërit Frashëri. Ndaj bektashinjtë nëse kuptojmë ngushtësisht fenë dhe jo pjesën shqiptare që ka secili që ka edhe besim bektashi, janë të nënshtruar shqiptarizmit. Nuk ekziston asnjë provë që të thotë se është “bektashizmi” apo çdo fe tjetër që u ndriçon rrugën shqiptarëve për të ditur se kombi ka rëndësi. Kjo është diçka që nuk varet fare nga feja. Shqiptarë kemi qenë edhe pa qenë bektashinj, shqiptarë kemi qenë edhe para lindjes së feve, pra është më e lashtë gjeneza jonë, sesa lindja e feve.
Deklarime të tilla “mbi rolin e bektashinjve në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare” janë të qëllimta për të “shpronësuar kombëtarizmin” dhe për të pronësuar “fenë dhe besimin fetar”. Pse nuk krenohen bektashinjtë dhe fetarët e tjerë me pohime të tilla “bektashinjtë nuk vjedhin, bektashinjtë nuk gënjejnë, bektashinjtë nuk janë dinakë, etj.” sepse e dinë fare mirë që këto janë pohime që nuk mund të provohen për të gjithë por vetëm për një pjesë. Mirëpo kur i hyjnë “meritave kombëtare” ata nuk e kanë problem të thonë “bektashinjtë kanë zgjuar ndërgjegjen kombëtare” …sepse janë në mall pa zot dhe e dinë që këto merita janë kryesisht të një grupi jo aq të madh njerëzish të ndritur, që qëlluan të jenë edhe bektashinj, siç qëlloi Pashko Vasa të jetë katolik, apo Gjergj Fishta, apo Fan Noli ortodoks, apo Hafiz Ali Korça musliman etj. Për kombin punojnë “kombëtarët” dhe nuk punojnë fetarët. Disa fetarë punojnë për kombin e të tjerë punojnë kundër kombit. Ta zemë bektashinjtë e sotëm që po merren me Shtetin Bektashi qartësisht po punojnë kundër kombit shqiptar, ata fetarë ortodoksë që punuan kundër autoqefalisë së Kishës Ortodokse, megjithëse shqiptarë punuan kundër kombit, siç punuan të tjerë në favor të tij. Pra sidoqoftë, për kombin punojnë kombëtarët dhe kundër tij punojnë antikombëtarët.
Feja është e ndarë nga kombi dhe aq më tepër nuk është tipar i kombit shqiptar. Tipar i kombit është diversiteti, harmonia fetare, toleranca.
Lidhur me çështjen e dytë: atë të vështirësive gjithnjë e më unikale. Shteti është i ndarë nga feja dhe ai nuk monitoron si “inflacionin” se çfarë bëjnë fetë apo dobësohen apo rriten. Ka shumë arsye që bektashizmi ka qenë në rënie dhe autor i rënies janë pikërisht ata që sot duan Shtetin Bektashi. Një besim fetar monitoron edukimin e popullsisë apo bashkësisë fetare. Asnjë monitorim nuk ka patur bektashizmi. Vetëm merru me menaxhim pronash, që është ana turpshme e çdo besimi fetar. Ka një lidhje shumë të ngushtë ndërmjet “rënies” dhe Shtetit Bektashi. Kur diçka kërkohet të “privatizohet” siç është edhe koncepti Shtet Sovran Bektashi, i ulet qëllimisht vlera.
Edi Rama u këshilloi librin e Robert Elsie njerëzve që do të duan të shprehen për idenë e dhënies së një statusi sovraniteti selisë së kryegjyshatës.
“t’i hedhin një sy të gjithë që do të duan të shprehen për idenë e dhënies së një statusi sovraniteti Selisë së Kryegjyshatës Botërore të bektashinjve sepse këtu në këtë përmbledhje shumë të detajuar të kësaj historie shqiptare do të gjejnë të gjitha arsyet e shëndetshme për psenë e kësaj ideje!”
Shteti Sovran Bektashi është eksportim i Shqipërisë, i shqiptarëve dhe i kulturës shqiptare nga Shteti Shqiptar, diku tjetër. Arsyetimi është paradoksal.
Meqë keni disa merita kombëtare, e meritoni të shkëputeni nga kombi. Atëherë t’u japim “shtet më vete” edhe dibranëve, shkodranëve, korçarëve, vlonjatëve sepse ata kanë më shumë merita. Pra, meqë keni merita “për të qenë bashkë” po “ju shkëpusim veç nga shqiptarët e tjerë”. E njëjtë edhe për fetë e tjera. Të thuash se bektashinjtë kanë merita në çështjen kombëtare, përveç që është një gënjeshtër e madhe (sepse nuk janë bektashinjtë që kanë bërë për kombin, por kombësia shqiptare për bektashinjtë) është përçarëse, devijuese, sepse do të pranohet si shpërblim paradoks “meqë keni dhënë për shqiptarinë” e meritoni të mos jeni më shqiptarë. Kjo është fyerje më e rëndë për vetë shqiptarët. Pra, ata që kanë bërë për shqiptarët, po i shkëpusim nga shqiptarët, sepse shqiptarët nuk i meritojnë ata që kanë bërë për shqiptarët. Çfarë mund të ketë më fyese dhe më alogjike sesa kaq?
![Pushteti dhe Bektashizmi në kërkim të Shtetit 197](https://www.radiandradi.com/wp-content/uploads/2025/01/maxresdefault-2-300x169.webp)
Edi Rama: “Bektashizmi është një monument i gjallë kulture, që duhet të mbrohet me deomos nga shteti dhe nga populli shqiptar!”
Sipas Edi Ramës të ndihmosh bektashizmin, është që të lejosh që bektashizmi të shpronësojë Shqipërinë, shqiptarët dhe Kulturën Shqiptare, të mbushë valixhet dhe të eksportojë tokë shqiptare, kulturë shqiptare, pasuri, njerëz jashtë Shqipërisë. Nëse bektashizmi kërkon t’i bëjë varrin identitetit shqiptar, koherencën shqiptare, dhe të shkëputet, shqiptarët nuk duhet ta ndihmojnë por përkundrazi ta groposin për fare. Asnjë lidhje nuk kanë bektashinjtë e sotëm që udhëheqin këtë nismë me patriotizmin, asnjë lidhje nuk kanë me Rilindasit. Deviza e Naim Frashërit ka qenë:
“Tregomu dhe shqipëtarëve/ Udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër,/ Edhe thjeshtë shqiptarë”
Bektashinjtë që mendojnë për Shtet të Vetin, do të thotë që nuk duan të rrinë me shqiptarët por me “bektashinjtë e botës” në fakt, do të jetë një makinacion i rëndë korruptiv.
Bektashinjtë e Shtetit Bektashi do të ndikojnë të zhveshin shqiptarët nga kultura e tyre, sepse veprën e Vëllezërve Frashëri do ta quajnë si vepër bektashie, kur kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse vepra e tyre ishte vepër shqiptare nga e cila përfituan edhe bektashinjtë, dhe jo anasjelltas. Pra Shteti Bektashi do të zhveshë masivisht shkollat nga Vëllezërit Frashëri dhe rilindasit e tjerë, sepse sapo të bëhet Shteti i Tyre ata do të nxitin investime krejt të shpërpjesëtuara me Shqipërinë dhe Shqipëria e korruptuar do t’jua lejojë këtë, me nënkuptimin “Ne le të jemi ta zemë katolikë apo të krishterë, sepse ata vëllezërit Frashëri i ka shteti bektashi”. Kjo është ajo që do të ndodhë me kulturën shqiptare dhe shkollat shqiptare. Ka shumë në këtë drejtim. Ndaj të mos na bëjnë për budallenj se nuk është ndonjë gjë e madhe sepse vërtetë ka për të qenë bela shumë e madhe për Shqipërinë. Shqipëria do të prostituohet në këtë mënyrë dhe do të ketë turp për çfarë ka bërë në jetë të jetëve nëse e lë Shtetin Bektashi të bëhet.
Ka një paralelizëm ndërmjet “bektashinjve” dhe “hebrenjve” dhe ky është: “hebrenjtë” thonë “Na keni ndihmuar, ndaj po ju vjedhim kulturën”, po ashtu edhe “bektashinjtë” thonë “na keni sjellë këtu para 95 vjetëve ndaj e meritojmë t’u fusim shkelmin tani”. Kjo është turpërim i jashtëzakonshëm. Hebrenjtë po marrin konceptin “Besa” si emërtim të Muzeut Hebraik në mes të Tiranës. Bektashinjtë do të marrin edhe më shumë dhe së bashku do ta shqyejnë Shqipërinë. Bashkohu edhe me të tjerët që synojnë Kishën Ortodokse, apo sektet e tjera fetare bëhet një sallatë shumë e madhe.
Shqiptarët duhet të mos tunden nga koncepti i Rilindjes Kombëtare. Të lexojnë më shumë dhe të frymëzohen më shumë dhe të mos jepen ndaj tronditjeve të tilla.
Edi Rama e citoi jo pa qëllim Naim Frashërin dy herë, por ai nuk i përgjigjet pyetjes: “I kujt është Naim Frashëri? I bektashinjve apo i Shqipërisë”. Nëse ai e citon si bektashi është i bektashinjve dhe jo i shqiptarëve. Në fakt, Naim Frashëri është shqiptar dhe kontributi i tij ndaj bektashinjve, do të konceptohet si kontribut i shqiptarit për sektin e vet, dhe jo anasjelltas, sikur “bektashinjtë” investuan në “Shqiptarizim”. Nuk ishte natyra “bektashie” që e çoi Naim Frashërin dhe Vëllezërit Frashëri të konceptonin parimet e Rilindjes Kombëtare, për afetarizmi (në kuptimin e punëve kombëtare), në respektimin e krahinave, në respektimin e klasave. Harmoninë fetare nuk ia desh “bektashizmi” por ia desh shqiptarizmi. Ndaj është abuzim i rëndë logjik, që të thuash se Naim Frashëri si bektashi ishte kombëtar. Po ashtu nuk mund të thuhet se “si kombëtar ishte bektashi”. Këto janë fakte të pavarura nga njëra-tjetra dhe punojnë me “mekanizëm tjetër” ideor. Kombëtarizmi punon me gjuhën e përbashkët, me historinë e përbashkët me jetesën e përbashkët, me lidhjet dhe psikologjinë e përbashkët.
Edi Rama vijon të thotë: “Por mbi të gjitha, ai (bektashizmi) ka ndikuar pazëvendësueshmërisht në mbrojtjen e identitetit tonë kombëtar, në mësimin e gjuhës shqipe dhe në themelet e rezistencës për pavarësi kombëtare të Shqipëtarëve, natyrisht jo në mënyrë eksluzive, por krah për krah me komunitetin musliman dhe krah për krah edhe me përfaqësues legjendarë të komunitetit ortodoks apo edhe atij katolik…!”
Kjo është një tallje me logjikën. Feja punon në sferë tjetër. Identitetin kombëtar nuk e prodhon feja. Feja prodhon “natyrën globale universale” të njeriut dhe i përgjigjet pyetjes “Çfarë do të bëhet me njeriun si i tillë?”
Edi Rama thotë: “Nëse sot flasim shqip dhe nëse sot alfabeti ynë është latin nuk është grek, nuk është sllav, por është latin, kjo i detyrohet ndër të tjera dhe të tjerëve në mënyrë shumë të posaçme teqeve ku baballarët krijuan një rrjet të tërë të përcjelljes së alfabetit dhe të mësimit dhe të shkrimit dhe të këndimit në gjuhën shqipe dhe ku u farkëtua një pjesë e mirë e shpirtit tonë kombëtar, i cili iu bë pastaj bartësi i idesë dhe i forcës për shpalljen e pavarësisë dhe mos e harrojmë e të mos harrojë askush kur flasin pa ditur se çfarë flasin që Shqipëria është jo vetëm i vetmi vend në botë ku bektashinjtë njihen zyrtarisht falë përpjekjeve të kohëve të fundit të Baba Mondit ka njohje edhe në Kosovë edhe në Maqedoninë e Veriut ndër shqiptarët, por Shqipëria është vendi i përcaktuar prej tyre dhe e përsëris, kush flet duhet t’i marrë disa informacione nga historia.”
Shkronjat latine nuk janë ndonjë karakteri i madh kombëtar, derisa janë latine dhe jo shqiptare. Kjo punë ishte një mënyrë se si shqiptarët të lidheshin më fortë me një literaturë të caktuar, pra shtypi i gjuhës së tyre t’i ndihmonte të lexonin më shpejt gjuhët e tjera, por në fakt, gjuha shqipe nuk do të varej fare nga alfabeti, sepse mjafton parimi fonetik një tingull – një shkronjë, që do ta bënte unik në përmbatje siç është. Sidoqoftë bektashinjtë janë plotësisht jashtë detyrës fetare nëse janë marrë me këtë, si bektashinj. Në fakt, nuk janë “bektashinjtë” që janë marrë, por janë gjuhëtarët, dijetarët disa prej të të cilëve kanë qëlluar të jenë edhe bektashinj. Kjo nuk është fare punë fetare për të cilën ne mund t’i jemi mirënjohës besimit fetar, cilido qoftë, katolike, ortodoks, apo mulsiman. Kjo punë është kombëtare dhe aty ligjet janë të tjera. Feja është jashtë kësaj pune.
Edi Rama thotë: “Robert Elsie në këtë libër të jashtëzakonshëm e përshkruan bektashizmin si thesar shpirtëror të shqiptarëve dhe ashtu është. Është një thesar shpirtëror jo vetëm për bektashinjtë. Është thesar shpirtëror edhe për myslimanët, edhe për katolikët, edhe për ortodoksët, edhe për protestantët, edhe për çdo kënd tjetër, pavarësisht se s’beson fare në zot, por që i thotë vetes shqiptar.“ Çfarë lidhje ka argumenti i raporteve të shqiptarëve me fenë, me shfrytëzimin e argumentit për të shpronësuar shqiptarët? Nëse shqiptarët paskan kaq merita ndaj bektashinjve (dhe kanë) kjo nuk duhet të jetë shkak që ata të persekutohen me shkëputjen e bektashinjve, dhe të lejohet që “bektashinjtë finokë” të vjedhin pasuritë e Shqipërisë që janë toka, faltoret, kultura, financat, arshivat, njerëzit etj. Ky argument që sjell është një arsye më shumë se pse bektashinjve nuk u duhet dhënë shkëputje. Nëse ata shkëputen, atëherë ata nuk do t’i jenë fare mirënjohës Shqipërisë, sepse shumë shpejt do ta mbushin “me bektashinj botërorë” dhe shqiptarët e Shqipërisë do të rrinë si “bufi” duke parë se si u shpërbëhet shteti, kombi, kultura, sistemi edukativ.
Edi Rama thotë: “Bektashinjtë janë vetëm dhe, nëse erdhën këtu, 95 vjet më parë si jetimë të një perandorie që u tregoi derën, bektashizmi këtu nuk mund të vdesi si një jetim që shqiptarët i tregojnë rrugën, sepse do të ishte vrasja me duart tona dhe të gjithëve ne e një vlere shpirtërore që siç është brenda nesh sot duhet t’i përcillet brezave jo në emër të një komuniteti fetar e përsëris, por në emër të një historie shqiptare dhe Robert Elsie thotë bektashizmi është një fenomen unik që i ka ndihmuar shqiptarët të ruajnë identitetin e tyre në një botë të ndarë dhe kjo është mëse e vërtetë dhe të shumtë janë studiuesit…”
Në fakt, me këto që bëjnë bektashinjtë e kryegjyshatës, i bie t’i lutemi Turqisë t’i marrë prapë mbrapsht. I bie pak a shumë: “Ne i morëm në Shqipëri, u dhamë status, dhe është gjynah të mos i lëmë të plaçkisin Shqipërinë dhe kulturën, të mos marrin çfarë të munden nga Shqipëria përmes statusit “jetim” shtet bektashi”, pra të marrin me vete të gjithë “mirënjohësit”. Në fakt, po gënjehet rëndë. Shqipëria nuk ka marrë asgjë nga Turqia. Ne ofruam kryesisht Autoqefalinë e Bektashinjve Shqiptarë, seli për baktashinjtë shqiptarë, por selia në fakt ishte me shqiptarë dhe jo me turq apo të huaj, pavarësisht se këta nuk mund të përjashtohen nëse kanë simpati apo tërheqje nga bektashizmi në Shqipëri. Pra, nuk kemi marrë “bektashinjtë”e botës, por “u kemi dhënë pavarësinë bektashinjve shqiptarë”, pra kanë patur autoqefali, pra i kemi shkëputur nga Turqia dhe nuk kemi marrë bektashinj turq apo të tjerë. Turqit bektashinj janë në Turqi dhe ata fare nuk ia varin këtij “bektashizmit botëror” shqiptar nëse nisemi nga çfarë thonë studiuesit. Është manipulim i pastër, derisa të bëhet një shtet privat bektashi.
Edi Rama thotë: “Këto dhe miliona fjalë të tjera të mbledhura me respekt dhe me dashuri të madhe për bektashinjtë shqiptarë nga Robert Elsie, nuk janë poezi, nuk janë letërsi, nuk janë as thjesht histori; janë thirrje, janë thirrje për ta shpëtuar këtë thesar të gjallë që kërcënohet nga zhdukja.”
Në fakt, ajo që po zhduket realisht nga shkollat që i ka në dorë qeveria e Shqipërisë është Edukimi Kombëtar dhe maja e kësaj veprimtarie qeveritare e ka emrin Mbyllje e Mësonjëtores së Parë Shqipe, heqje nga detyrat e muzeut Korçë të trashëgojë “Mësonjëtoren e Parë Shqipe”, heqja e statusit muze kombëtar, vënia e Muzeut të Arsimit Korçë nën drejtimin e Muzeut të Ikonave, që do të thotë me fjalë të tjera, dhe nënkuptim, vënie nën administrimin e Kishës Ortodokse (pjesës grekofile), heqja e mundësisë që 7 marsi 1887, të jetë Festë Kombëtare dhe vendosja qëllimisht për këtë e 22 nëntorit 1908, shkombëtarizimi i Korçës e plot të tjera. Ky është rreziku që i kanoset Shqipërisë. Është detyra kushtetuese e Qeverisë Shqiptare që të interesohet për këtë dhe është detyrë kushtetuese të mos shohë “biznesin” e faltoreve, dhe të respektojë ndarjen e fesë nga shteti. Bektashinjtë nuk kanë patur Shtet Sovran që t’u kthehet, ndaj është krejt logjikë antikombëtare të lodhësh popullin me sofizma.
Edi Rama thotë: “Ne sot jemi këtu në 95-vjetorin e Kryegjyshatës Botërore. Numërojini dhe baballarët e teqeve sa janë, numërojini sa janë. Pse janë kaq pak? Dhe pyetja nuk është pse janë kaq pak sot. Pyetja është me çfarë verbërie dhe me çfarë pashpirtësie ne do të qëndrojmë duarkryq dëshmitarë kur në 100-vjetorin të jenë më pak, në 105-vjetorin të kenë mbetur fare pak dhe në 110-vjetorin të jetë histori e të shkuarës dhe ai odeoni atje të kthehet në një muze të një komuniteti që na ishte seç na ishte, kur ishte, por s’është më.”
Meqë janë pak, meqë nuk punojnë mirë, meqë nuk e kanë mendjen tek sistemi edukativ kombëtar, por tek biznesi ndërkombëtar dhe tek marrëveshjet ndërkombëtare, atëherë t’i ngjallim duke u dhënë Shqipërinë. Ky është sofizëm.
Bektashinjtë nuk duhen hequr si varfanjakë. Edhe nëse shkrihen nuk është ndonjë humbje e madhe. Mbrojtës i edukimit kombëtar është Shkolla Shqipe dhe Sistemi Edukativ Kombëtar. Madje do të bënin mirë të shkriheshin tani që u kalojnë në kokë mendime të tilla shkëputjeje nga kombi shqiptar, nga Shteti Shqiptar. Shkëputja e tyre qartësisht do t’i vinte damkën Shqipërisë “Po shkëputemi nga zdromsat shqiptarë, ata nuk na meritojnë…” Unë mendoj se pronat e tyre duhet t’u dhurohen masivisht bashkive, ose të kalojnë në menaxhim lokal të komuniteteve fetare lokale.
Edi Rama vijon me sofizmat: “Një emblemë e tillë i jep Shqipërisë edhe më shumë dritë, dritë të vëmendjes dhe të respektit si shembull i asaj harmonie aq shumë të bekura dhe aq shumë të kërkuar sot në mbarë botën të cilën kur Papa Francesku, kur erdhi këtu, dhe e pa me sytë e tij e pagëzoi si shembullin e një vëllazërie fetare për mbarë botën…”
Në fakt, është e kundërta dhe paradoks, Shteti Bektashi e zhvesh Shqipërinë nga “harmonia”, se si të mos ketë lidhje me Shqipërinë me çfarë do të ketë lidhje harmonia. Thonë “jemi harmonikë” dhe “harmonikën do ta bëjmë shtet sovran”, pra nuk do të jetë i Shqipërisë, por i Shtetit Harmonik Bektashi, i cili i bie që nuk duronka dot “harmoninë e Shqipërisë” por do “homogjenitetin fetar në shtetin e vet”. Kjo është e kundërta e dëshirës për harmoni fetare, me stilin “Secili për vete, Zoti për të gjithë!”.
Edi Rama thotë: “E pra, nëse ne jemi një shembull i një vëllazërie për mbarë botën, a ka gjë më të mirëseardhur për të gjitha komunitetet fetare sesa bektashinjtë të kenë këtë emblemë që do të thithë këtu shumë më tepër njerëz nga mbarë bota dhe kur të vijnë do të shohin se si jetojnë së bashku në harmoni kishat dhe xhamiat…”
E qysh na u bënka “harmonia” diçka që u shinka nga vizitorët tek Shteti Bektashi. Është e kundërta. Ata do të shohin të kundërtën e harmonisë.
Naim Frashëri thotë:
“Paskëtaj o shokë kurrë,/ Mos kërkoni perëndinë
Nëpër murë e nëpër gurë,/ Por shihni mirë njerinë”
Bektashinjtë grabitës të Sovranitetit dhe të Kulturës së Shqipërisë nuk duan njeriun, por duan “gurët e muret” t’ia heqin Shqipërisë dhe të kenë sovranitetin e tyre aty. Jo! Janë të Shqipërisë dhe jo të tyret. Nëse nuk i menaxhojnë dot në të tilla kushte të dorëzohen. Ka të tjerë që e bëjnë këtë punë.
Edi Rama thotë: “Shqipëria duhet ta mbrojnë dhe ta forcojnë vetveten në kushtet e një bote ku dalja menç po bëhet sëmundje kronike në grup e këtij shekulli. Luajnë mendsh grupe, luajnë mendsh tufa njerëzish, luajnë mendsh shtete, por ne nuk kem luksin të luajmë mendsh, sepse jemi shumë pak…”
Në fakt, ajo që po del mendsh është Kryegjyshata Botërore, sepse në vend të forcojë unitetin kombëtar shqiptar, po bën tradhëti kombëtare dhe është duke u thënë shqiptarëve, “ne do të shohim biznesin tonë fetar, ju bëni çfarë të doni”. Të tillë punë që po bën me bektashinjtë, më parë Edi Rama e ka bërë me “sektin okult të drejtorëve” duke ia hequr Sovranitetin Ministrisë së Arsimit e duke lejuar një organizatë private të huaj të bëjë licensimin e drejtorëve.
Është e njëjta teknikë e eksportimit jashtë sovranitetit të Shqipërisë, pra mbush lopatën në Shqipëri e nxirr nga Shqipëria, nxirr të drejta, nxirr popull, nxirr kulturë, nxirr fenë.
Edi Rama bën reklamën e konceptit të vet në këtë mënyrë: “…ku njerëzit e çdo feje, e kombësie ndër plot nga ata që vijnë e do të vijnë gjithmonë e më shumë në Shqipëri, të mund të hyjnë në portën e hapur të një shteti simbolik, pa mure, pa polici, pa ushtri, pa taksa, apo atribute të tjera, por një seli një shtet shpirtëror që e pret çdo vizitor me devizën: “Ne nuk jemi këtu për të ndarë, ne jemi këtu për të bashkuar” (duartrokitje)
Është e kundërta ajo që do të mendojnë njerëzit që do të vijnë këtu: “Këta janë njerëz të ulët dhe tradhëtarë” dhe ata që i kanë lënë ta bëjnë janë “leshko”. Çfarë bëjnë sot vizitorët? Sipas deklarimeve të vetë Edi Ramës, papa Francesku qenka mrekulluar nga harmonia. dhe meqë qenka mrekulluar nga “harmonia” i bie që zemra e “harmonisë” na qenka “bektashizmi”. Në fakt, bektashizmi në popull është qendra “e indiferencës” ndaj fesë dhe pikërisht se janë kaq indiferentë dhe të palidhur me institucionet, ata që ia bëjnë hysmetin, thonë “Meqë nuk e doni ju, po e marrim ne dhe ja tek po e bëjmë Shtet privat Sovran dhe provoni të na kërkoni të drejta pastaj”. Shteti Bektashi tregon pikërisht lidhjet e dobta të qendrës pra të Kryegjyshatës me bazën bektashije, ose që janë në atë natyrë që krerët partiakë mbajnë me bazën.
Edi Rama: “Prandaj të dashur miq, do të ishte komplet e pakuptimtë këtu sot që të mos i premtonin e njëri-tjetrit shpëtimin, mbrojtjen dhe promovimin të gjithë bashkë të kësaj trashëgimie të vyer kombëtare…”
Edhe Universiteti i Tiranës duhet shpëtuar. Bëjeni Shtet Sovran se mbase shpëton. Sovraniteti nuk do ta shpëtojë bektashizmin. Përkundrazi do ta varrosë dhe ata që duan të bëjnë Shtetin Bektashi, nuk duan Bektashizmin, por duan një Shtet Privat. Feja qëndron në lidhjen me popullin. Nëse bektashinjtë shkëputen nga Shqipëria është krejt e sigurt që do të vdesin si sekt, por atyre që e miratojnë aq u bënë.
Kjo është luftë fetare për të marrë “bazën bektashie poshtë për ta konvertuar” në fe tjetër (ta zemë të krishterë), duke ia këputur kokën Bektashizmit e duke ia vënë në sininë Shtet Bektashi.
Edi Rama thotë: “çka e bën unikal në llojin e vet është se brenda këtij mesazhi, në mënyrë të paekuivoktë tek largpamësia, bektashizmi ka edhe atdhedashurinë!”
Ky konstatim nuk është mirë për Shqipërinë por ogurzi, sepse do të thotë që pikërisht “atdhedashuria” do të eksportohet nga Shqipëria tek Shteti Bektashi. Pra nëse “qenka unikale” të ketë “adhedashurinë” është një mënyrë për të thënë që Edi Rama dhe Baba Mondi ia kanë vënë synë Vëllezërve Frashëri dhe synimi është që të forcojnë Shtetin privat Bektashi dhe të shpronësojnë Shqipërinë, shqiptarët dhe të vënë shkelmin kuptimit të vërtetë të Rilindjes Kombëtare dhe kështu t’i marrin frymën kulturës kombëtare shqiptare. Që është kështu, ne e kemi provuar me monitorimin që i kemi bërë çështjes së heqjes së emrit të Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë, heqjes së Statusit Muze Kombëtar, heqjes së 7 marsit 1887 si mundësi për Festë Kombëtare (u zëvendësua qëllimisht me ngjarje dytësore si 22 nëntori i Alfabetit 1908), e luftës ndaj figurës së Vëllezërve Frashëri (me libra 800 e ca faqe) etj.
Edi Rama thotë: “Bektashizmi nuk erdhi në Shqipëri me ushtarë, nuk erdhi të futet mes shqiptarëve me forcën e shpatës. Bektashizmi me zemër, me dashuri, me një mesazh që është rrënqethës për nga thjeshtësia e vet. Zoti nuk është në xhami, nuk është në kishë, zoti nuk është në teqe, zoti është në zemër!”
Kjo është e tepër të thuhet siç mund të thuhet se “rryma letrare nuk ka ardhur me forcën e shpatës”. Jemi të vetëdijshëm që edhe pa ardhur forca e shpatës, nuk do të vinin disa nënprodukte të saj. Me këtë nuk duam të themi se bektashizmi nuk ka vlerat e veta, por nuk është e saktë të thuash që nuk ka qenë nën produkt i pushtimit.
Edi Rama citoi Ismail Kadarenë të ketë thënë “Bektashizmi, – shkruan ai, – ka qenë ura mes tokës dhe qiellit për shqiptarët. Ai ka qenë vendi ku identeti ynë kombëtar ka mbijetuar përmes filozofisë së dashurisë dhe të bashkimit.”
![Projekti i Shtetit Bektashi](https://www.radiandradi.com/wp-content/uploads/2025/01/AlbanianBektashi8-300x212.webp)
Ne po i citojmë se është pikërisht Kadareja që ia hedh poshtë konceptin se bektashinjtë nuk kanë ardhur me pushtuesin. Citojmë romanin “Kështjella” ku ushtria osmane ishte e mbushur me jeniçierë dhe dervishë (kapelanë të jeniçerëve). Aktin më makabër ndaj një ushtari të Skënderbeut Ismail Kadareja ia lë një dervishi, që merr nga bedenat një kështjellar të plagosur, e ul nëpër shkallë, dhe ia çon mjekut të kampit osman, i cili e sakaton për të kuptuar sesa ujë pihet në kështjellë.
Është Kadareja që po tek “Kështjella” thotë se kalit i ngordhur për të gjetur ujësjellësin e Kështjellëës do të quhet i shenjtë dhe për të duhet bërë një turbe.
Është Kadareja që tek “Kështjella” tallet me “Fjalët e Qiririt”.
“Shumë azapë, që kishin marrë flakë, vraponin si pishtarë të mëdhenj me duar të ngritura. Disa përplaseshin në tokë që të shuheshin. Të tjerët vraponin si të çmendur, duke tmerruar turmë që hapej sa andej këndej për t’u bërë udhë gjersa binin përdhe të vdekur. Mevla Çelebiut kish kohë që i vërtitej në kokë ideja për t’i krahasuar ushtarët që digjeshin me diçka. Ai po mendonte, që në kronikën e tij, t’i krahasonte ata me “fluturat” që vërtiteshin rreth zjarrit, megjithëse fjala “flutur” nuk i pëlqente në këtë rast, sepse nuk e jepte dot mundimin dhe heroizimin e ushtarit. Por ai nuk po gjente dot një krahasim tjetër dhe, veç kësaj, në qoftë se zjarrin e luftës së shenjtë do ta krahasonte me qiririn e Islamit, ashtu siç kishte lexuar në kronikat e vjetra, atëherë fjala “flutur” mund të ishte e përshtatshme. Ai mund t’i quante ushtarët “flutura të qiririt të Islamit” dhe kjo do t’i pëlqente me siguri kryekomandantit”.
Janë të Kadaresë këto: “Ne do t’u mësojmë këtyre rebelëve të mallkuar kuranin e shenjtë.(…) Në tokën e tyre brigje-brigje si kurrizi i shejtanit, ne do të ngremë minaretë e bekuara nga allahu. Nga lartësitë e minareve, në orën e muzgut, zëri i i myezinit do të bjerë mbi kokët e tyre të pagdhendura si një hashash që të qetëson shpirtin. Ne do të bëjmë që ata të mallëkuar, pesë herë në ditë të bien përmbys në drejtim të Mekës. Kokët e tyre të sëmura dhe rebele ne do t’i mbështjellim me çallmën qetësuese të Islamit”.
Janë të Kadaresë: “Disa referenca sa për të kuptuar kontekstin (mund të kaloni më poshtë për komentet):
(fq. 42) “Qindra hoxhallarë me kuranë në duar vërtiteshin nga të gjitha anët. Dervishët bëheshin gati për kërcime”. (fq. 45) “Ne do t’ju mësojmë këtyre rebelëve të mallëkuar kuranin e shenjtë… ne do të ngremë minaretë e bekuara nga allahu” (fq. 49) “grave dhe vajzave të tyre do t’u heqim veshjet e bardha e të turpshme dhe do t’u veshim rroben e zezë dhe fisnike, të bekuar nga feja” (fq. 51) “Lutje hoxhallarësh që binin përmbys, veteranë që mbanin fjalime, britma dervishësh, të cilët kërcenin pa pushim një valle që ka dalë kohët e fundit, gjithëfarë sokëllimash, thirrjesh “allah”, “padishah”, vjershash, copash të kuranit, përziheshin me oshëtimën e paprerë të daulleve”. (fq. 59” “Myftiu, ai kishte në dorë një kuran me kapakë të artë.”; “Në faqen që u hap ishte shkruar: “fitorja është me ushtarët e Islamit” Në faqen 64, Kadare ka aludimin për Naimin “flutura e qiririt të Islamit” (sqaruar më poshtë në poster dhe në një artikull të djeshëm) fq. 162 “Me dhjetëra hoxhallarë dhe dervishë filluan të faleshin duke bashkuar pëllëmbët e duarve para gojës dhe duke rënë përmbys”. fq. 167, Kadare evokon saktësisht një ngjarje të qëllimshme në kohën që u mbyllën teqetë e tyrbet në kohën e PPSH-së. fq.167 për një kalë që e lanë pa ujë që të zbulonte ku ishte ujësjellësi. “- Është kal i shenjtë. – Sipër do t’i ngremë një tyrbe. Dëgjova me veshët e mi urdhërin e pashait. – Tyrbe? Sa mirë e kanë menduar”. fq. 173 “Shumë kohë para se të fillonte lufta, nëpër të gjitha rrugët, fshatrat dhe qytetet tona, filloi të shfaqet gjithmonë e më shumë një numër i madh dervishësh të leckosur që shtegtonin ditë e natë”. fq. 188 “Nuk kaloi shumë kohë dhe ai pa një grup të vogël dervishësh të armatosur që po vraponin drejt mureve”; “Porta e madhe po shkallmohej nën goditjet e vazhdueshme të dervishëve të hekurt”. fq. 189 “…një grup dervishësh, kishin një copë herë që po përlesheshin bashkë me një grumbull jeniçerësh”. Faqe 190, dervishi merr nga bedenat e kështjellës një mbrojtës të plagosur shqiptar, me synimin t’ia çojë mjekut turk që të kuptojë “a kanë pirë apo jo ujë kështjellarët, sa kanë pirë” (për këtë mjeku duhet ta masakrojë). “Herën e tretë një nga dervishët u duk vërtetë tek bedenat me një trup në krahë. I shkathët si një mace e egër, ai u var tek shkallët, pa e lëshuar trupin dhe filloi të zbriste. Jeniçerët, që po ngjiteshin, qëndronin në vend dhe i hapnin udhë. Siç duket, dervishi bërtiste se po sillte një rob me urdhër të pashait. Shkalla në dy-tri vende kish marrë flakë dhe në vend të saj azapët po afronin një të re, por dervishi arriti të zbriste pa u rrëzuar nga shkalla.” Pashai pasi dervishi pret “shpërblejeni”. …
25 January 2025