back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shteti i “Bektashinjëve” brenda Shqipërisë?! – nga Mal Berisha

Gazeta

Ambasadori Mal Berisha
Mal Berisha
Shteti i “Bektashinjëve” brenda Shqipërisë?!
nga Mal Berisha

Një farë egjre anti-kombëtare e mbjellur në Stamboll në vitin 1993,
duket se na mbiu tani, në vitin 2024

Të dashur miq!
Tek po dëgjoj dhe po lexoj idenë e një shteti shqiptar bektashian, brenda territorit të Shtetit Shqiptar, vendosa t’i kthehem një ngjarje që ka pikërisht këtë subjekt, dëshmitar i së cilës u bëra në vjeshtën e vitit 1993, në Hotel Marmara, në Stamboll.
Ja ngjarja e plotë siç e kam përjetuar dhe botuar në librin tim “Amabasador i pushtetit të butë”, në faqen 73.

Takimi i feve monoteiste në Stamboll, vjeshtë, 1993
Në vjeshtën e vitit 1993, në Stamboll u organizua një takim i krerëve të feve monoteiste. Aty do të merrnin pjesë drejtuesit e feve abrahamike, që nga Kreu i Rabinatit të Izraelit, pastaj Bartolomeu I, Kreu i Kishës Ortodokse të Stambollit, Kryemyftiu i Turqisë, ndërsa nga Selia e Shenjtë kishte ardhur Sekretari i Përgjithshëm i Vatikanit. Nga Shqipëria merrnin pjesë personalitetet kryesore të këtyre feve:

Pjesmarrësit nga Shqipëria:
I pari ishte Hafiz Sabri Koçi, Kryemyftiu i Shqipërisë. Pastaj vinte Imzot Rrok Mirdita, kreu i fesë Katolike shqiptare dhe Anastasios Janullatos, kreu i Kishës Ortodokse shqiptare. Bashkë me ta kishte ardhur edhe kreu i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Dede Reshat Bardhi.

Takimi i Besmitarëve
Takimin e përshkoi një frymë e zymtë e natyrës fetare me shumë qetësi dhe përunjësi. Krerët e feve të vendeve të ndryshme takoheshin me njëri-tjetrin, sidomos brenda feve të veta, por edhe në ndërveprim. Fetë e shqiptarëve ishin si të plagosura pas një periudhe të gjatë që kishin kaluar në ateizëm, në shtetin e parë dhe të vetëm në botë, që ishte shpallur i tillë. Hafiz Sabri Koçi, 72-vjeçar, vinte nga jeta e tij e gjatë prej 23 vitesh në burgim për shkak të besimit fetar. Ai ishte teolog, martir i fesë, burrë shumë i ditur, i shtruar, i kulturuar, shumë i urtë dhe i përunjur. Dede Reshat Bardhi po ashtu kishte kaluar një kalvar vuajtjesh për shkak të besimit dhe e kishte ushtruar fenë tërësisht në mënyrë të fshehtë, por pa e lënë asnjëherë, pavarësisht nga rrjedhojat që pësonte. Imzot Rrok Mirdita ishte drejtuesi i Dioqezës së Durrësit dhe Tiranës, i konsakruar nga Papa Gjon Pali II. Ai e kishte filluar shërbimin ndaj Kishës Katolike në moshën 25-vjeçare. Shumë vite ai i kishte kaluar duke shërbyer në Kishën Katolike në Bronx në New York. Ai është nismëtari i ndërtimit të Katedrales së Shën Palit në Tiranë. Sipas idesë së tij, ajo ka tri kënde, të cilat simbolizojnë bashkëjetesën midis tri feve në Shqipëri, fesë islame, ortodokse dhe katolike.
Kryepeshkopi Anastasios Janullatos, i lindur në vitin 1929, ishte Krypeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë dhe Kreu i Sinodit të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Ai mbante edhe shumë tituj si anëtar i disa akademive. Emri i tij përmendej me shumë skepticizëm si uzurpator i fronit të kreut të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, që dikur e pati themeluar Fan Noli dhe e mbajti gjallë Visarion Xhuvani. Në atë takim u diskutuan shumë çështje që kishin të bënin me paqen fetare dhe mbarëvajtjen midis feve të ndryshme. Në këtë rast u hap një diskutim, i cili e vlen të jetë i shënuar në këtë rrëfim.

Krerët fetarë në Shqipëri
Krerët fetarë në Shqipëri

Propozimi për fenë e katërt monoteiste Bektashiane Shqiptare i Kryepeshkopit Anastasios Janullatos
Krerët e feve shqiptare, edhe pse ato janë vetëm tri të tilla, na dilte se “ishin” katër. Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare tha se në Shqipëri ekzistojnë katër fë të ndryshme. Pas shumë diskutimesh duhej të nënshkruhej një rezolutë e përbashkët e feve monotesite. Sipas disa drejtuesve aty, shqiptarët duhej të nënshkruanin të katërt. Por në të vërtetë ne kishim tri fë, jo katër, pavarësisht se Dede Reshat Bardhi përfaqësonte një sekt liberal të islamit – pra bektashizmin. Dikujt i interesonte të shtohej një fë te shqiptarët. Kjo ishte një strategji që u binte për shtat atyre që përherë shqiptarët i kanë dashur të përçarë. Ky ishte rast i mirë për t’i konsideruar ata të ndarë në katër fë.

Imzot Rrok Mirdita – Patriot i Palëkundur Shqiptar
Imzot Rrok Mirdita kërkoi pushim për një konsultim. Ai na mblodhi, Hafiz Sabriun, Dede Reshatin dhe neve të dy të Konsullatës, Orhan Zarshatin dhe mua. Ishte e vështirë situata, pasi kishim shumë merak se mos Dede Reshatit do t’i mbetej hatri, po të mos futej bektashizmi si fë më vete. Imzot Rrok Mirdita e shpjegoi shumë bukur dhe me një frymë të vërtetë kombëtare dhe patriotike. Pastaj Orhan Zarshati u ndal te historia e Kryegjyshatës dhe përse ajo, në vitin 1924, u zhvendos nga Stambolli në Shqipëri. Tek e fundit – tha ai, ndarja fetare midis shqiptarëve u shkon në favor armiqve të Shqipërisë. Dede Reshati menjëherë kërceu dhe tha:

Baba Reshat Bardhi: Bektashizimi nuk është fe e veçantë në Shqipëri…
“Ju jeni njerëz të mençëm të atdheut tim. Ju e dini këtë punë më mirë se unë. Unë kurrë nuk pranoj të bëhem pjesë e një veprimi, që e dëmton sadopak vendin tim. Unë jam bektashi, jam besimtar i fesë islame, por para së gjithash jam shqiptar!”
Kështu u shmang përmendja në Rezolutën e Stambollit të Shqipërisë si vend me katër fë. Aty u shënua se Shqipëria ka tri fë monoteiste. “Dikush” ishte nismëtar i asaj teze antishqiptare në konferencë. Pas kësaj ai u largua kokëulur.

Shënim: Ajo farë e keqe egjre e asaj kohe duket se nuk ka qene rastësi. Të paktën le ta themi sepse për ta ndalur rrokullimën e kombit tonë, duket se nuk do ta ndalim dot. Por të paktën të mos heshtim!
Mal Berisha, Tiranë, 23 Shtator 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.