back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Shtjefën Gjeçovi (1874-1929) nga Karl Gurakuqi

Gazeta

Statuja e At Shtjefën Gjeçovit në Zym
Statuja e At Shtjefën Gjeçovit në Zym

Shtjefën Gjeçovi (1874-1929) nga Karl Gurakuqi

Jetëshkrimi e veprimtaria

Ja dhe nji fytyrë tjetër e ndritur atdhetari të flakët dhe shqiptari të pastër, qi – si shoqi i tij i jugut Negovani – ra dëshmuer i çashtjes shqiptare nga dora e anmiqvet të Shqipnis…
At Shtjefni lindi në Janjevë të Kosovës, me 12 Korrik 1874, dhe mësimet fillore i kreun e vendlindjen e vet, kurse ato gjymnazjare i bani në Kolegjen Françeskane të Troshanit. Në 1888, Gjeçovi shkoi në Bosnje ku muer udhën e meshtaris n’Urdhnin françeskan. Mësimet lyceale dhe të filozofisë i kreun e Banjalukë dhe ato të teologjisë në Kreshevë, ku n’atë kohë i kryejshin studimet françeskanët e rij shqiptare, e ku ai pat rasën me u njoftun me epikun kroat Gege Martiq-in.
Në vjetin 1896, ktheu në Shqipni dhe shërbeu si famullitar në Pejë, në Laç të Kurbinit, në Vlonë, në Gomsiqe, ku u dallue gjithmonë për zell dhe për përhapjen e ndiesivet atdhetare, dhe ku me nji kujdes të jashtëzakonshëm mblodhi nga goja e popullit fjalë, fraza, kangë, zakone e sidomos Kanunin e Malevet t’ona. Mbas At Pashk Bardhit, qe mësues i gjuhës shqipe në Borgo Erizzo, ku la përshtypje të mira në popullsinë e vendit, e cila e çmoi dhe e nderoi.
Veprimtarija e Gjeçovit shtrihet sidomos në fushën atdhetare: nuk u lodh kurrë së punuemi për fatet e atdheut. Sa qe në Durrës mblodh rreth vehtes shqiptarë nga viset e Shqipnis së Mesme, tue i mësum e tue i këshilluem për bashkimin kombëtar, qi ishte i vetmi shpëtim i tokavet t’ona.
Kërkoi me dorë të kujdeseshme visaret e paçmueshme të nentokës së vjetër shqiptare; kështu mujti të bashkonte me nji shije ndër kolekcjonet ma të bukurat arheologjike dhe shkroi nëpër të përkoheshmet t’ona shumë artikuj me nji vleftë të rrallë mbi zakonet dhe mbi mbeturinat e kohvet historike shqiptare. Në këtë fushë asht për t’u theksuem në nji mënyrë të posaçme radha e studimit të tij me titullin “Trashigime thrako-ilirjane”, i cili qe filluem të botohej në fletoren “Populli” të Shkodrës me pseudonymin “Komen Kanina” e qi ma vonë qe vijuem rregullisht në “Hylli i Dritës”. Ndoshta aty-këtu shkencatari gjen shka të kritikojë në këto studime por, po të mirret parasysh shka mund t’ishte bibljotheka e njij famulltari të vorfën malsije, i hjedhun tash në nji vend, e tash me nji vleftë shumë të rrallë.

Karl Gurakuqi (1895-1971)
Karl Gurakuqi (1895-1971)

Si rrëmues i vjetërsivet shqiptare qe çmuem dhe njoftun prej arheologëvet të huej, si nga Prof. Marucchi n’ekspozitën e Vatikanit, prej Dr. Ugolinit, drejtuer i misjonit arheologjik italjan në Shqipni, prej Nopçes, etj. Gjithnji e pa pushim botoi shkrime tjera të randsishme historije, arheologjike dhe folklore nëpër fletore dhe të përkohshme gjithfaresh dhe bashkëpunoi rregullisht n’Albania me pseudonimin “Lkeni i Hasit”.
Gjeçovi botoi në Shkodër në vjetin 1910, vëllimin e bukur me titullin “Agimi i Gjytetnis” kushtuem A. Fishtës, ndër fletët e të cilit fryn gjithkund nji erë e pastër ndiesish të flakta atdhetare. Asht për t’u shënuem në këtë vepër nji studim i hollë mbi fjalorin e gjuhës shqipe, ku rrihet çashtja e pastrimit të fjalëve të hueja, të kujdesit në të folum pa gabime dhe të mënyrës së mbledhjes së fjalvet nga goja e popullit. Përveç këtij libri, kemi nga penda e tij edhe përkthimin e dramit tri pamjesh të Pjetër Metastasit “Atil Reguli” (1912); “Shna Ndou i Padues” mbas Dal-Gal (1912); “Vajza e Arleans-it a Joana d’Ark” (1915) etj.
Por mbi të gjitha veprat e Gjeçovit naltohet dhe mbetet përmendore e pavdekshme “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, rreshtuem ma parë në “Hylli i Dritës” dhe mbas vdekjes shtypë në vehte (1933) në nji vëllim madhështuer e me nji parathanjë të gjatë e të peshueme mirë të Fishtës mbi randsin e folklores kombtare, të ligjvet dokësore dhe sidomos mbi vleftën juridike të Kanunit. Në këtë vepër janë përmbledhë ndër 12 libra dhe nji shtojcë parimet gjyqsore, me anën e të cilavet rregullohej ndër male shqiptare administrata dhe tagri ndëshkimuer. Ky monument ligjuer u ven përpara të huejvet malsorin jurist dhe shlyen me dishmi të gjallë në dorë, paragjykimet e kundërshtarvet t’emnit t’onë, tue i bam të kapërdijnë titujt e lëshuem falas, se populli shqiptar asht barbar dhe i egër. Këta sidomos n’ato pjesë qi i përkasin së drejtës familjare e civile dhe statutit të fisit ku ndrit nji drejtpeshim e nji shpirti dishipline i bashkuem me nji nderim të madh për të drejtat e personalitetit qi i kujtojnë pjesët e kohët ma të bukura të së drejtës romake. Zotsija e Gjeçovit ndër ligjet kanunore asht e dallueshme; “Askush – thotë F. Konica – nuk mund t’i afrohet At Gjeçovit në diturinë e këtij kanuni, që ësht nji studim i palodhur dhe i hollë ku ka mbledhur, radhitur dhe ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë së Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shumë përtej Kohës së Mesme…”.
Përgjithësisht shkrimet e Gjeçovit nuk kanë vleftë të përsosun letrare: nuk asht artist i ambël i fjalës, dhe stylin shpesh herë e ka të vrazhdë për arsye të pastrimit të tepruem të fjalorit. Porse nji fuqi skulptorike vigane ngrehet prej periudhavet të tija lakonike e të rrebta. Ai i ngjan Salustit.
At Gjeçovi ashtu nji ndër ata kreshnikë, qi fushën e luftimit dhe flamurin shqiptar e njomën me gjakun e vet: 13 Tetuer 1929, mbasi qe thirrë trathtisht nga auktoritet slave në Prizrend, ndërsa kthente në Zymb, ku vepronte si famullitar dhe si mësues i gjuhës shqipe, qe vramë prej Serbvet, të cilët shifshin në të nji ndër ma të rrezikshmit përhapës të bashkimit të Kosovës me nanën Shqipni.
Për të gjitha këto, atdheu e deshti dhe rinija adhuroi mbas tij.
(Marrë nga Shkrimtarë Shqiptarë – 1941)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.