back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Shtypi dhe Intelektuali – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Artan Kafexhiu ne National Gallery of Victoria.
Artan Kafexhiu ne National Gallery of Victoria

Shtypi dhe Intelektuali

nga Artan Kafexhiu

Edhe ky postim i mëposhtëm, si pjesa e parë e një shkrimi tim më të hershëm,
është po ashtu, një risjellje e një artikulli të botuar
rreth dy dekada më parë në shtypin e Tiranës.
I.
Në dekadat post-komuniste, Shqipëria ende përpiqet të mësojë si të heqë vallen e demokracisë. Kontribuesit e shtypit, apo mas-medias në përgjithësi, përditë ndeshën me dilemën e madhe: për hir të të qenurit objektiv duhet të marxhinalizojnë në maksimum çdo shtysë, apo përkatësi politike-ideologjike, apo te bejne gazetari avokatore, qoftë kjo, në të djathtë apo ne te majte, duke anetaresuar kështu veten në korin predikues të përkatësisë së tyre politike. Të gjithë pohojnë se gazetaria që bëjnë ka një mision; por bëhet pyetja: cili është misioni i kontributit te tyre?
Funksioni kryesor i dikujt që e vesh veten me petkat e gazetarit është “të gërmojë” atje ku “heshtja”, nuk ka folur akoma. Gazetari duhet të thotë atë që të tjerët e mbajnë brenda vetes të pathënë, apo e pëshpërisin nën zë; ai duhet të bëjë pyetje të që ndoshta mund t’i shkaktojnë të intervistuarit humbjen e rehatisë e qetësisë. Një gazetar, para sëgjithash është një reporter, që është i vendosur t’i bindet instinktit të tij për ta drejtuar nga e vërteta që pritet t’i zbulohet publikut të gjerë. Deri këtu gazetarit i kërkohet të jetë thjeshtë i saktë, hulumtues, konseguent, dhe i paanshëm. Ky është zakonisht kostumi, që vesh gazetari i pavarur, dhe vetëm kështu shtypi apo media konsolidohet si “institucioni (pushteti) autoritar i katërt”, i pavarur.
Për sa kohë, që ky “institucion autoritar i katërt” përpiqet të mos krijojë një atmosferë mediatike, ku i apelohet vetëm një lloj publiku, që i ofrohet e njehsohet vetëm një lloj fizionomie, perspektive, qoftë kjo e një gazetari, intelektuali, apo figure publike, ky lloj institucioni mbetet i pavarur. Çdo rrjet mediatik ka gazetarët e vet “gjeneralë”, të rrethuar nga “ushtarët” brohoritës, e stafin administrativ mbështetës.
Nëse publicistika dhe gazetaria nëpërmjet figurave autoritare të saj, ka për qëllim t’i drejtohet vetëm një lloj publiku, apo përpiqet të tjetërsojë politikisht-ideologjikisht, spektrin e opinionit publik në favor vetëm të këtij lloj publiku, atëhere nuk bëhet gjë tjetër, veçse shkaktohet një ndarje intelektuale, që e mënjanon debatin. E parë në perspektivë, kjo gjë rrezikon të krijojë, “xhepa” në publikun e gjerë, ku njerëzit “e asfiksuar” nga atmosfera segregacioniste e përkatësisë mediatike të tyre, nuk dëshirojnë të komunikojnë fare me njëri-tjetrin. Ai që e ka përcaktuar veten se i përket “të djathtës” apo “të majtës”, nuk do t’ia dijë aspak se çfarë shkruhet e thuhet në kampin “kundërshtar”; as nuk merr mundimin për të parë mundësinë për t’u hapur drejt komunikimit apo dialogut.
.
Noam Chomsky në 1977, si profesor universiteti në MIT dhe eminence e lingustikes
Noam Chomsky në 1977, si profesor universiteti në MIT dhe eminence e lingustikes
Një numër i madh specialistësh të fushave të ndryshme, publicistë, figura të njohura të letrave, krijues apo kritikë, akademikë, profesorë nga rradhët e asaj, që ne jemi mësuar ta quajmë inteligjencia, kanë dalur në media, duke krijuar e përfaqësuar intelektualin që nuk ekzistonte më parë, intelektualin si figurë publike, intelektualin që kërkon t’ia komunikojë idetë, opinionet e tij, publikut të gjerë.
Padyshim, ky është një ogur i mirë për të gjithë ne, e në vështrim të parë, ngjan që shtypi shqiptar, ka fituar një zë të ri cilësor, atë të intelektualit, specialistit, me cilësinë e figurës publike të gazetarit, në shumicën e rasteve të komentuesit editorialist. Por, po ta shohim pak më thellë këtë lloj kontributi gazetaresk të specialistit-intelektual, do të shohim se kjo na përcjell edhe një problematikë të re.
Mendova ta shtjelloj më tej komentin tim duke sjellë një shembull perëndimor, ku që në fillim merret si i mirëqënë fakti, që traditat e shtypit të lirë e kontributi i intelektualëve si figura publike, është padyshim shumë më i hershëm, e më solid. Një figurë e spikatur është ajo e Noam Chomsky-it, që para se ta rreshtojmë në rradhët e intelektualëve, mbi të gjitha njihet si një eminencë amerikane e mbarëbotërore në fushën e linguistikës, filozof i lingustikës. Ndërkohë, Chomsky mund të shërbejë si shembull i llojit të akademikut, që i përdor dijet që ai zotëron në rolin e intelektualit publik, dhe metamorfoza që pëson specialisti-intelektual, përgjat odisesë së tij si figurë publike.
.
II.
Chomsky arriti eminencën, duke u renditur në rradhët e njerëzve të famshëm, me punimin e tij: “Strukturat Sintaksore”, Idetë e tij janë tepër origjinale, duke i dhënë një shtysë vendimtare debatit të motshëm se si njerëzit fitojnë njohuritë brenda një kohe relativisht të shkurtë e në sasi të konsiderueshme. Studimi i Chomsky-t mbi sintaksën, çoi në konceptimin “e faktorëve sintaksore universale në lingustike”; gjuhët e botës janë shumë më pak të ndryshme nga njëra-tjetra se sa duken në një veshtrim të parë sipërfaqsor, për arsye se ato kanë elemente sintaksore universale të përbashkët që përcaktojnë strukturën hierarkike të fjalisë.
Shpjegimi që jep Chomsky: rregullat e pandryshushmërisë së sintaksës të rrënjosura në ndërgjegjen njerëzore, aq sa mund të shihen si rezultat i trashëgimisë gjenetike. Aftësia për të mësuar e përdorur gjuhën, është më shumë një aftësi e lindur se sa e fituar. Ky shpjegim mund të mos jetë plotësisht korrekt, por sot për sot është më i pranueshmi. Chomsky u shndërrua në një eminencë lingustike, ashtu siç i kishte ndodhur Betrand Russell-it për principet matematike, apo Sartre-it, i reveruar si babai i ekzistencializmit, etj.
Joshja që pësuan celebritete si Chomsky, Russell, Sartre, etj, në ndryshim nga kategoria e eminencave të tjera në disiplinat e veçanta, është se ata e përdorin në publik kapitalin intelektual të krijuar nëpërmjet kontributit të jashtëzakonshëm në fushat e tyre, për t’i dhënë një fizionomi publike, platformës së pikëpamjeve që ato kanë si individë rreth aspekteve shoqërore e politike që ndeshet njerëzimi përditë. Chomsky, ashtu si dy të tjerët, u bë pre e një joshje të tillë.
Është karakteristike e llojit të intelektualëve si Chomsky, që nuk e shohin aspak si problematike, mospërputhëse, kapërcimin prej disiplinave të tyre, ku ato janë njohur si mjeshtërit e mëdhenj, në aspektet shoqërore e në jetën publike, e ku me plot të drejtë presupozohet, se nuk kanë ndonjë privilegj, apo të drejtë me tepër për t’u dëgjuar se çdokush tjetër. Pretendimi i tyre është se duke qënë se kanë dije të veçanta e më të thella në disiplinat e tyre, janë pikërisht këto dije, që japin mundësi atyre përëe kuptuar më thellë se të tjerët njerëzimin. Chomsky beson totalisht e verbërisht, se aftësitë e tij filozofike, bëjnë që këshillat që i jep ai shoqërisë në aspekte të ndryshme, të jenë të dobishme e të vlefshme.
Intelektualet perëndimore si Chomsky, shprehen revoltën e tyre, karshi politikës e ndërhyrjes ushtarake violente amerikane gjithnjë e në rritje në Vietnam. ëe rastin specifik të Chomsky-t, ai arriti në konkluzionin se pikërisht kontributi i tij në aspektet universale të lingusitikës, është dëshmia më bindëse e imoralitetit të politikës amerikane në Vietnam. Sipas Chomsky-t, për të arritur në këtë konkluzion, kjo varet se cilën teori të fitimit të njohurive e dijeve, ne pranojmë si të mirëqënë e të cilës i referohemi. Nëse do të mendonim mendjen e njeriut që në lindje si një “tabula rasa”, trurin e njeriut si një pjesë prej plasteline, që mund të marrin çfarëdo forme që dëshirohet, atëhere, njerëzit mund t’i konsiderojmë si subjekte të përshtatshme për t’i dhënë formë sjelljeve e mendimeve të tyre nga ana e shtetit, prej drejtuesit të një korporate, teknokratit, profesorit, gazetarit, intelektualit publik, apo nje udhëheqësit partiak ideologjik.
Por nga ana tjetër, nëse njerëzit zotërojnë struktura të lindura, të trashëguara të mendjes, që kanë nevoja të brendëshme për shembuj, modele kulturore e sociale të trashëguara, që ato i konsiderojnë si “natyrale”, përpjekjet e shtetit, apo kujdo tjetër qoftë, duhet patjetër të dështojnë, duke qënë se janë të padrejta. Përgjat këtij procesi të imponimit të kulturës së re (pra në rastin tonë amerikane-perëndimore), do të pengohet progresi “natyral” i njerëzimit.
.
Noam Chomsky
Noam Chomsky
Për rrjedhojë, edhe përpjekja e Amerikës për të imponuar kulturën e vet në aspektet shoqërore, kulturore, politike mbi popullsinë aziatike ishte kriminale (përseri sipas Chomsky-t). Arsyetimi i Chomsky-t tregon për një farë selektiviteti pervers. Duke e konsideruar teorinë e tij mbi aftësinë e lindur gjuhësore të njeriut si të vlefshme, mund të thuhet pa mëdyshje, se teoria e tij përbën argumentin më universal, gjithëpërfshirës, kundër asaj që quhej “social engineering”, term i përdorur nga Stalini, ku intelektualët, shkrimtarët, artistët, janë inxhinierë të shpirtrave, ndërgjegjes shoqërore. “Social engineering” ishte produkt i intelektualëve e filozofëve milenarë si Rousseau, Marksi, Lenini, që besonin se ato mund të ridizenjonin shoqërinë vetëm nëpërmjet arsyes, duke u bërë kështu pikënisja e traditave totalitariste.
Chomsky, nuk dëshiron të aplikojë teorinë e tij, aftësinë e lindur të njeriut për të marrë dije, asimiluar kulturë, në rastin e studimit të totalitarizmit; totalitarizmi përpiqet me të gjitha metodat më mizore të shtypë apo të ndryshojë karakteristikat e lindura të njeriut. Sipas Chomsky-t demokracitë liberale perëndimore, nga natyra e tyre, janë po aq për t’u kritikuar sa edhe totalitarizmi. Sipas Chomsky-t, kapitalizmi, ashtu si edhe tirania totalitare, përdorin të gjitha mjetet shtrënguese të dhunës, për të penguar njeriu të realizojë vetveten; të ruajë e të zhvillojë me vullnetin e tij të lirë, në mënyrë natyrale, karakteristikat e trashëguara që në lindje.
Ndërkohë, kur në njerën anë, ata si Chomsky justifikonin përdorimin e dhunës për të arritur barazi raciale, apo çlirim kolonial, apo justifikon terrorizmin marksist; nga ana tjetër, revoltoheshin kur dhuna përdorej nga një demokraci perëndimore, siç është qeveria amerikane, për të mbrojtur territoret e Azisë juglindore nga uzurpimi marksist e totalitar. Shpjegimi i intelektualëve si Chomsky është se lloji i parë i dhunës ishte individual, personal, kundra-violence, kundra-kulture, kurse lloji i dytë ishte dhunë e institucionalizuar.
Pra, kemi një kapërcim nga dhënia e një shpjegimi plauzibël se si i fitojnë njerëzit njohuritë, në intelektualë që kërkojnë të këshillojnë një qeveri e shtet demokratik se si ta ndërtojë e zhvillojë, gjeopolitikën e tyre. Intelektualë si Chomsky, patën padyshim efektin e tyre, duke ndikuar opinionin publik, e detyruar Amerikën të tërhiqet nga Azia juglindore. Vendosmëria e Amerikës për të instaluar demokracira të ngjashme me ato perëndimoret në ato vende dështoi, duke ia lënë vendin “social engineering” të marksistëve filo-kinezë. Shembuj të tillë, rreth protestes social-politike të këtyre lloj intelektualësh, mund të jepen me tonelata, dhe më e fundit është reagimet opozitare të shumicës të intelektualëve pacifistë europianë në lidhje me ndërhyrjen ushtarake amerikane në Irak.
Tani, po t’i referohemi rastit të Shqipërisë, publiku shqiptar është tepër skeptik kur intelektualët publikë shqiptarë të porsa inauguruar në dhjetë vitet e fundit, pa dashur të përmend ndonjerin me emër, i predikon atyre e “shtetit shqiptar”, se si të sillen e të menaxhojnë jetët, aktivitetin, e punën e tyre të përditëshme. Nga rrjedh ky skepticizëm e bindje? Nga perceptimi gjithnjë e më i dukshëm, se “intelektualiteti” i tyre, nuk i bën këto lloj intelektualësh më të zgjuar, më të aftë, për të dhënë këshilla, ose më të vlefshëm e ekzemplarë në virtyte e cilësira njerëzore. Mjafton të ndalosh në rrugë njerëz çfarëdo, të të gjitha kategorive, e të shohësh se ata janë në gjendje të ofrojnë pikëpamjet e sensibilitetin e tyre në aspekte morale, qytetare, shoqërore, politike të njejta, apo të ngjashme me pjesën më të madhe të këtij lloji intelektuali të ekspozuar në shtyp e mas-media. Ndërkohë, është krejt e pritëshme, që ata mund të mos kenë lexuar e dëgjuar, asnjë artikull apo kontribut të intelektualëve të tillë.
Në shumicën e rasteve duhet të skarcosh menjëherë “gjykimin intelektual” të këtyre intelektualëve. Kjo në veçanti, kur vjen puna për të dhënë verdiktin e tyre për udhëheqës shteti apo politikanë; po ashtu për evenimente të rëndësishme historike, shoqërore e politike. Kur i konsideron, i merr ata si grup, fare mirë mund të shëndrrohen në sytë tanë në ultrakonformistë, sidomos brenda atyre rretheve të formuar nga njerëz, prej të cilëve këta lloj intelektualësh publikë kërkojnë aprovimin e vlerësimin.
Kur kthehen në “en masse”, atëherë, ata bëhen edhe më të rrezikshëm; kjo “masë intelektuale”, mund të kthehet në “masë kritike”, duke krijuar një klimë ortodoksie e mbizotëruese ideshë. Intelektualët, lëvizin e jetojnë në botën e ideve e koncepteve, e frymorët, shumica e njerëzve, mundet fare mirë të mbytet nën tiraninë e pashpirt të ideve të tyre.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.