back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Shuhet njeriu që përjetësoi burrin e gjallë të vdekur…

Gazeta

Burri i gjallë i vdekur...
Burri i gjallë i vdekur… Gjama e Burrave

Shuhet njeriu që përjetësoi burrin e gjallë të vdekur…

Ritet mortore shqiptare

Është shuar në moshën 92-vjeçare personazhi i një fotoje të rrallë që domosdo duhet të mbetet në fototekën historike shqiptare. Nikollë Gjinali, personazhi që u bë i njohur përmes faqeve të gazetës Shekulli para 7 viteve dhe një emisioni special tek A1-TV, ka ndërruar jetë në këtë mesdimri në shtëpinë e tij në qytetin e Rrëshenit, duke u përcjellë me nderime nga qytetarët e shumtë, por dhe studiues e njerëz të letrave të kësaj krahine.
Duke pasur një histori fotoje të rrallë në biografinë e tij, padyshim mbetet protagonisti i një soji të veçantë që historia e fototekës shqiptare duhet ta shënojë si të fundmin fokusues në celuloid të një prej riteve më të rralla mortore në Mirditë dhe gjithë malësitë shqiptare. Bëhet fjalë për ceremoniale mortore që u kushtoheshin njerëzve të përmendur ndër katundet e malësisë nga ata burra dheu që kishin emër nam dhe ndikim të madh popullor si në punë gjyqe e kuvende ndërmjetësimi, etj. Por Nikollë Gjinali mbetet emblematik për nga mënyra sesi e ka sjellë në celuloid pikërisht ritin mortor të burrit të gjallë të vdekur që ishte bash ati i tij vdekur nga plumbi hasmënor në kallndur të vitit 1944. Asokohe student i seminarit jezuit në Shkodër, nxënës i Ndre Mjedës dhe një pasionant i fotografisë i nxitur nga vizitat e shpeshta në studion Marubi e famshme në Shkodër mundi që të përmbante emocionet kur e ka parë në atë gjendje të vdekur babanë e tij, për të shkrepur plot 12 poza aq sa kishte aparati duke na dhënë dhe dëshminë e fundit të një riti të tillë të jashtëzakonshëm mortor në malësitë e Veriut të Shqipërisë.

Nikoll Gjinali (1920-2012)
Nikoll Gjinali (1920-2012)

Më poshtë po risjellim në kujtesë shkrimin e bërë para disa viteve në gazetën Shekulli kur Nikollë Gjinali ishte gjallë.
Mirditasit i kanë kushtuar vëmendje të veçantë pos dasmave dhe ceremonive të gëzimit edhe mortit madje hera-herës duke i dhënë ngjyresa monumentale. Në studimin e tij “Vajet dhe Vajtimoret e Mirditës” studiuesi i njohur vendas Ndue Dedaj i mëshon faktit të përmendur në hulumtimet e kahmoçme të studiuesve më të zëshëm të vendit dhe të huaj se vajet e Mirditës janë aq karakteristike sa janë përfshirë në një masë të madhe në korpusin e “Visareve të Kombit”. Mirditorja qan thekshëm, – shënohet aty, – që të ban me kujtue disi poetët e motshëm elegjinat e Tribulit e ma mirë të grekëve të vjetër me të bërtitmen e saj mbi të dekunin më nji za të thekshëm që e ka prej natyre me i dhanë vajit të vet at poezi të dhimbshme. Vajtimoret e Mirditës kanë qenë përmendë ashtu si dhe Burrat e Dheut. Ata kanë krijuar një opus të shkëlqyer të folkut elegjiak që vijon edhe sot e kësaj dite të mbijetojë në kohët moderne…”
Studiuesi Dedaj thotë se: “…nëse në mjaft vaje të zonave jugore i vdekuri burrë zakonisht portretizohet si trim, në vajet e Mirditës burri i këtyre anëve përgjithësisht është gjyqtar i venue, çka do të thotë se zanati kryesor i malsorit të kësaj ane nuk ka qenë pushka e trimnia, pa e zbehur këtë cilësi, por gjykimi i çeshtjeve, kuvendi, urtësia dhe mençuria. Trimëria mund t’i lypej njiherë malsorit, kurse mençuria, gjyqtaria i duhej dita me ditë. Kjo përmasë që e përcjell dukshëm kënga duket se është e ndërlikuar me praninë e kanunit pleqësisë kuvendit vetëqeverisjes…

Këto foto të rralla…
Nikolle Gjinali një i moshuar i nderuar 85-vjeçar banues në Rrëshen, dhe ka sjellë për Shekullin një foto të rrallë të një riti të rrallë vdekjesh, duke pranuar të zbërthehet më në imtësi për të sjellë në kujtesë tërë detajet e atij momenti të jashtëzakonshëm para 62 viteve. Shkrepjet e aparatit nga ai kur ishte student në Seminarin e Jezuitëve të Shkodrës, janë bërë në janar (kallnduer) të vitit 1944. Thuhet se një foto e tillë është realizuar në një vdekje edhe në Orosh po në Mirditë, në shtëpinë e përmendur të Gjomarkajve, aty rreth vitit 1946, ky duhet të ketë qenë dhe riti i fundit i një rituali mortor ne këtë mënyrë.
Fotoja sjell me imazhin e saj të veçantë një nga ritet më të rralla në malësitë e Veriut. Nikolla është djali i të vrarit për gjakmarrje, asokohe një burrë në zë i krahinës, i paraqitur në celuloidin bardhezi si një shtatore ulur në një karrige të stilizuar. Seminaristi, fotograf amator, vizitor e mik i Foto Marubit, para se të nisej për në vendlindje kur i kanë lajmëruar vdekjen e të atit, nuk ka harruar të marrë me vete aparatin fotografik, i cili mbante 12 poza, kaq sa dhe ka realizuar para 62 viteve në atë rit të rrallë. Janë foto që të sjellin në imazh burrin e gjallë të vdekur…

Gjama e Burrave
Gjama e Burrave – ritet e mortit

Po ç’ishte burri i gjallë i vdekur…?
Le ta shohim këtë foto. Aty në karrige është vendosur i vdekuri N.N, po si të ishte gjallë, kur ndante gjyqe e ligjëronte në kuvende. Ishte babai i Nikollit nga Shëngjergji i Kaçinarit nga ata burra të dheut që shënohen në katund a krahinë. Ai ishte shënuar për t’u vrarë si burrë i squet i shtëpisë së Gjinalajve nga hasmi i vet dhe kjo ishte realizuar në një pusi atë ditë të zezë kallndueri…
Mirëpo burra të tillë krejt të veçantë nderoheshin edhe për së vdekuri me një rit të rrallë. Studiuesi Ndue Dedaj e ka përshkruar si një rit të jashtëzakonshëm që shuhet si i tillë aty nga mesi i shekullit të kaluar. Riti zbatohej rrallë, dhe i vdekuri duket se është i veshur mirë, si të jetë një dhëndër a të nisej dikund për krushk dasme me rroben karakteristike krahinore. Armatosej si në të gjallë me livore (revole) në brez e pushkë të gjatë në krah dhe ashtu i stolisur vendosej në një karrige me krahë të gdhendur me ornamente. Këmbë mbi këmbë me kësulën e bardhë në njerin sy, mustakët e përdredhur, sytë çelë dhe cigaren në dorë e vesh, ai paraqitej krejt si i gjallë. Fliste me ata që kishin ardhur ta përcillnin për në varr, dhe u shtrinte kutinë e duhanit…
Vajtimoret si duket të pakënaqura nga qëndrimi ndenjur i tij gjatë natës së rojes aty pranë vatrës i kërkonin përmes vargjeve poetike të tyre, që t’i jepte paksa shtatit dhe të ngrihej në këmbë pasi atë e prisnin punët e gjyqet që do të ndante në katund e krahinë, pra ato punë që ai i kishte lënë përgjysmë…
Pas një nate mes miqsh të zemrës, dashamirësh e shokësh aty brenda, në mëngjes burri i gjallë i vdekur, do të dilte në oborr po në karrigen e mbështetur pranë murit i rrethuar nga kori i vajtimoreve. Pikërisht kët moment ka fokusuar Nikolla asokohe seminaristi 21-vjeçar. Ashtu i ngrirë ai do të pozonte për të gjithë derisa do të vinte çasti të ngjitej në vigj. Tashmë mund të thuhej se ai kishte vdekur me të vërtetë pasi rrinte shtrirë si gjithë të vdekurit.

Rrëfimi i Nikollë Gjinalit për momentet e fotografimit
Nikolla bashkëstudent me Loro Boriçin, nxënës i Mjedës dhe i Fishtës, rrëfen në detaje ngjarjen dhe momentet e pozimit…
Shkollën e fillova në vitin 1932, kur isha fare fëmijë dhe gjatë 12 viteve nuk kisha qenë në shtëpi siç ishte rregulli i kohës. Baba vdiq nga janari i 1944-s dhe me lajmëroi djali i motrës së Gjon Markagjonit. U nisa sapo e mora vesh. Kemi kaluar peripeci të tëra rrugës për në Vaun e Dejës me një makinë që në vend të naftës digjte dru për të prodhuar energji shtytëse për makinën-taksi, që kishim marrë me vete. Pastaj kaluam në besë fshat me fshat të Malsisë së Shkodrës, të Lezhës dhe të Mirditës derisa mbrrita te shtëpia. Aparatin e kisha marrë me vete. Thjesht meqë kisha 12 vite që nuk e kisha parë babën të paktën ta fotografoja për së vdekuri. Fillimisht qeshë shumë i tronditur. Ishte 22 a 23 kallnduer i vjetit 1944. Kisha mbërrit atje tek shtëpia në mbramje vonë. Xhenazen fillimisht e kishin vënë në dhomën e pritjes brenda. Atje hyra duke qarë dhe u përshëndosha me babën… Qe një dritë e zbehtë pishash në atë odë ku kishte plot gra vajtimore përreth ulur në shkaminj. Sapo e pashë babën tem, nuk ishte vënë si të dekunit e zakonshëm në kësi rastesh në ndonji shtroje a vig, por në karrige me veshjen ma t’mirë të tij, armatosë me pushkë e nagant, një kuti duhani, me duhanin në vesh dhe dukej se po kuvendonte me njerëzinë aty. Vërtet ishte baba em, por m’u duk diçka monumentale, ndaj mora menjiherë aparatin dhe e shkrepa disa herë…

Gjama e Burrave..
Gjama e Burrave..

85-vjeçari Nikoll Gjinali:

Ju rrëfej historinë dhe momentet e fotografimit

85-vjecari Nikollë Gjinali edhe pse mbahet me vështirësi rrëfen si të ishte para 62 viteve, atë ditë kallndueri 1944, kur shkrepi aparatin për të fiksuar këtë rit të rrallë të vdekjes pavarsisht se i takoi të ishte i ati, një baba i shkëlqyer sipas tij dhe një gjyqtar e azgan i krahinës, siç janë të shënuara vargjet e poezive të vajtimoreve të asaj kohe. Nikolla bashkëstudent me Loro Boriçin, nxënës i Mjedës dhe i Fishtës, rrëfen në detaje ngjarjen dhe momentet e pozimit…

Nikoll Gjinali djalosh i ri
Nikoll Gjinali djalosh i ri

Zoti Gjinali ju keni qenë student në Seminarin e Jezuitëve të Shkodrës? Pothuajse isha në traditen e familjes kur nga dera jonë kishim njerëz të përmendur në shërbesat kishtare me emër në krahinë e më tej.
Kur e filluat shkollën? E fillova në vitin 1932 kur isha fare fëmijë.
Gjatë këtyre viteve keni qenë në shtëpi në Kaçinar? Jo, përgjat krejt këtyre viteve nuk erdha në vendlindje, se rregulli qe i tillë.
E mbani mend babanë? Natyrisht e mbaj mend, por për 12 vite nuk e pata parë vetëm për së vdekuri.
Kur vdiq babai? Aty nga janari i 1944-s.
Të lajmëruan? Po djali i motrës së Gjon Markagjonit.
Dhe u nisët menjëherë? Po sapo e mora vesh. Madje kemi kaluar peripeci të tëra rrugës për në Vaun e Dejës, me një makinë që në vend të naftës digjte dru për të prodhuar energji shtytëse për makinën-taksi, që kishim marrë me vete. Pastaj kaluam në besë fshat me fshat të Malsisë së Shkodrës, të Lezhës dhe të Mirditës derisa mbrrita te shtëpia…
Kishit marrë me vete dhe aparatin fotografik… të ra ndermend? Po e kisha marrë me vete pasi shpeshherë shkoja tek Foto Marubi, isha si i shtëpise atje, më pëlqente të merresha me pozime ndaj gjithnjë aparatin e merrja me vete edhe në këtë rast nuk e harrova.
E dinit se do te fotografonit një rit të rrallë dhe të fundit në Shqipëri? Jo këtë nuk mund ta them. Unë u nisa thjesht meqë kisha 12 vite që nuk e kisha parë babanë, të paktën ta fotografoja për së vdekuri.
Si e mban mend takimin me babanë në at janar 1944? Fillimisht qeshë shumë i tronditur. Ishte 22 a 23 kallnduer i vjetit 1944. Kisha mbërritë atje te shtëpia në mbramje vonë…
Ku e kishin venë babanë e vdekur? Xhenazen fillimisht e kishin vënë në dhomën e pritjes brenda. Atje hyra duke qarë dhe u përshëndosha me babën. Qe një dritë e zbehtë pishash në atë odë ku kishte plot gra vajtimore përreth ulur në shkaminj.
Të shkoi mendja të bëjë fotografi? Po. Sapo e pashë babën tem nuk ishte vënë si të dekunit e zakonshëm në kësi rastesh në ndonjë shtroje a vig, por në karrige me veshjen ma t’mire të tij, armatosë me pushkë e nagant, nji kuti duhani e me duhanin në vesh… dhe dukej sikur po kuvendonte me njerëzinë aty. Vërtet ishte baba em, por m’u duk diçka monumentale, ndaj mora menjiherë aparatin dhe e shkrepa disa herë.
Po pastaj? E kaluam atë natë dhe po pritsha të agonte dita. Tuj le dielli u hangër buka e rojes ma pas e qitën babën e dekun në oborr të shpisë. Afër tij i vunë petkat rrobat në dërrasë: fistan, brez, tallagan, çorape, pushkë, rryp fisheksh e te kësula fotografinë e tij. U banë gati teshat, para se të nisej i dekuni. Kam pa tuj qa s’pakut 1000 vetë, kur erdhën njerëzit që pak orë më parë u kishte da gjyqin në kuvend, qanë aq fort sa mue që t’u m’ra t’fikët. Qajshin fmi, të rij, burra e pleq.
Qëndrova sa qëndrova e ma pas nuk mujta ma… s’mbrami u largova për nga kopshtnajet e arat, por prapseprap ajo pamje… trupi i babës mbi karrige m’tërhiqte fort për syrin e fotografit. Ktheva rishtas vendosa ta fotografoj… Ishte nji pamje që nuk përsëritej ma.
Ky ka qenë dhe momenti i shkrepjes së rrallë të aparatit? Po ishte pamje e papërsëritshme ndonëse nuk e dija se do të ishte shkrepja e fundit e një riti të tillë e të rrallë që bëhej në malsitë tona.
Por, pos të tjerash keni fotografuar dhe vajtojcat përreth si erdhi ai moment? Ishte diçka madhështore, kur u ba popull i madh aty. Fillimisht babën po e qanin të bijat e të afërmit. Ndërkaq filluen me ardh miqsija e largët. Jehonte shpati andej dhe këndej prej brimës së burrave me xhurdi dhe vajit të grave. Ishin tuj ardhë udhësh të ndryshme katundet që nga Simoni, Kushneni, Kashnjeti, Gazulli, Kalori, Munega, Ungrej, etj. Kur vijshin në oborr vajtojshin pak e mandej burrat hyjshin në kullë ku pishin kafen e lejshin në vend të kiles së kafes, kush nji napolon, kush dy, e njashtu… Granija pare nuk jepnin. Njashtu bane deri sa erdh koha me nisë të dekunin te vorret. Ishte ba gati vorri…
Si e nisën babën ashtu nga karrigia te varrezat? Jo qe e vështirë, por kishte specialistë të fshatit që aty nga ora 11 e paradites e ulen prej karrikes për ta lidh në vigj.
Qanë pafund. Sa u ba gati vigu baba em u nis prej të dashtunës banesë ku kaloi tanë jetën, u da prej së vetësh ju dha të mbramen lamtumirë djelmve kushërinjve, u dha të mbramen lamtumirë gjasë së gjallë, arave e pyjeve që kishte punue me aq cene. U da prej sosh për mos me i pa ma kurrë. Atë moment e kam fotografue nja dy herë.
Ka një moment kur duke shkuar te varrezat njerëzit e mortit e shikojnë dhe vendin e vrasjes? Po në nji shej vendit në majë njaj mali duket nji panorame fantastike… kodrina të bukura, Shkalla e Shtufit, Hurdha e Elikut ku u vra i mjeri. Gjithë sa qenë shikuen andej. Kaluem afër shpisë ku kishte le, e së mbrami iu afruem kishës.
Po ritualin në kishë a mund ta përshkruani me sa e mbani mend? I vdekuni u la në oborr të kishës nën roje të 50 vetëve, të tjerët hynë në meshë, famullitari mbajti fjalimin e përmortshëm ku ceku sidomos kobin e zi të shqiptarit… vllavrasjen! Ju bane solikimet, ndërsa kisha ushtoj prej gjamve të 500 a ma vetëve. Mandej trupi i të vramit u qit ndër vorre ku për dy orë u qajt prej granisë e gjamaës së burrave. Mbas dy orësh ishte qitë n’arkë të vorrit, u salikue vorri prind e kushërinj e dashamirë i dhanë të mbramen lamtumirë me nji të puthun në ballë. Në kët çast vajin s’mujt me e ndalë kush, deri dhe ata që nuk e deshën, qajtën.
Iu vue çarçafi i dekës, u mbyll kapaku i arkës e u ndienë të mbrapmet e rrahuna të çekiçit e baba em i dekun u zhduk në vorr. U zhduk prej faqes së botës. Pushofsh në paqe…!!
Dhe duke u kthyer në shtëpi vijonte riti? Mbasi u kthejshim në shtëpi dhe faleshim me miqsinë e njerzinë, qahej për të mbramen herë. Ky vajtim ishte vërtet i pikllueshëm, randojshin fjalët e vajtimoreve se “…kur të vijmë këtu, s’kena me të gjetun ma, ti që na pritshe me buzën në gaz, s’ke me na folë me gojtarinë e mësueme tanden…” Gjithë ditën vijonte vaji mbi teshat e dekunit. Ma pas vazhdon riti i faljes së teshave të dekunit për fukaranë që vinte me lypë.
Natën e vorrit duhej me ba shumë lëmoshë që shpirti i të dekunit të shpëtojë sa ma parë prej purgatorit…
06 Shkurt 2012
Marrë nga Gazeta Shekulli

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.