back to top
21.5 C
Tirana
E martë, 5 Nëntor, 2024

Shum’ po dergjet Tepelena…(1951) vargje nga Gjosho Vasija

Gazeta

Tmerri i Kampit të Tepelenës (skica Lek Pervizi)
Tmerri i Kampit të Tepelenës (skica Lek Pervizi)

Shum’ po dergjet Tepelena… (1951)

vargje nga Gjosho Vasija

Gjosho Vasija përmes kësaj dëshmie tragjike në vargje
na lë të kuptojmë se e vërteta makabre e Kampit të Tepelenës
është e ngulitur më së thelli se shpirtrat e atyre njerëzve që e vuajtën
këtë masakër të ulët të pushtetit komunist
mbi krijesat më të pafajme e më të pambrojtura: fëmijët, gratë dhe pleqtë…
Një dëshmi ku realiteti dhe letrarja
gdhendin kujtesën historike të një kombi qëndrestar,
që edhe mbas 70 vitesh vazhdon të dëshmojë pa ndalur
tmerret e kësaj tragjedie që kaloi mbi të…
.
Të internuar, Valentin Pervizi e Gjosho Vasija, Corovodë, 1954
Të internuar, Valentin Pervizi e Gjosho Vasija, Corovodë, 1954
Ç’po vështron shqipja mbi shkrepa?
Vështron fmijtë që kjajnë ndër djepa,
e sheh nanat që me zor
po çajnë rrugët mal me borë.
-Po këto gra e burra t’vjetër
s’paskan gjetë bre nji natë tjetër,
pse s’kanë pritë me pë prandverën,
por kanë dalë pa mbyllë as derën
e karvan janë vue me natë,
nën këtë borë e kët shtrëngatë?
A mos dreqi i ka plasë n’mend
me braktisë sot tokë e dhen,
me shue zjarrmin e oxhakut,
me ia sjellë shpindën konakut,
e me rraqe me u vue n’varg,
tue ça borë e tue hecë zharg,
mbi ket rrugë mana shum larg
që po duket s’ka t’mbarue,
po në ç’darsëm janë tue shkue?!
-Po çfarë dasme mor budallë,
mos t’kanë plasë dy sytë në ballë?
Shih nji herë rreth këtij karvani
sa dushmani e sa tirani,
sa hajvani e partizani
që po i vijnë turmës vërdallë
herë në fund e herë në ballë,
pushkën n’krah, kamxhikun n’dorë
e tue britë n’për ças e orë:
Rroftë pushteti popullor…
Shih at plakën ka i jep t’shtymen,
shih pashë bukën si ja hjedh pshtymën,
shikoj fmijtë kah merren rrshanë,
a i ndigjon ka i shajnë me nanë?
-Po më thuej more njeri
po ç’punë kanë me qeveri?!
Kush janë kta pashë qiell e dhè,
a mos janë bre turq a shkje,
a kanë Zot mor a kanë Fè?
-Paj mana t’tanë janë shqiptarë,
asht tosknija e keqe n’farë,
komunista shum trathtarë…
Porsa u ngjiten në veri,
edhe shkelën mbi malsì,
ndoqën fill kush asht parì,
kush ka forcë e bujarì
edhe i ngulën n’mjedis t’fshatit
tue mbledhë popull atij shpatit
edhe i ranë me plumba shtatit..
Masandej nisën me i pshtye,
e për s’deknit i shpuen sy
deri arra iu thyen mbi krye.
Burrat t’tjerë porsa i panë
që po vret shqiptàri t’vllanë,
me trathti po vret malsinë
e n’priftnì po bajnë kërrdinë
tue e quejtë Zotin gogol,
shtrënguen brezin nën krahol
e mbi sup çelikun vunë,
me fishekë u vizatuen,
morën shtigjet e n’përpjetë
i zgjuen malet që kjenë fjetë
e ndër shpellat me zik-zak
aty mbrendë hapën konak…
U ngjit Lleshi, Prenga, Doda,
doli Kola e Gjergj Vojvoda,
me ta Ndreca, Marka Gjini,
Zefi, Coli e Ndue Kufini,
Biba, Alushi, Toma, Leka
pa pasë frigë asnji nga deka,
edhe qinda tjerë n’kto ana..
U mbush mali n’harushana
që n’përleshje me dushmanin
shum kanë nisë me dridhë vatanin…

.

Holokausti i Foshnjave - Tepelenë (skica Lek Pervizi)
Holokausti i Foshnjave – Tepelenë (skica Lek Pervizi)

.

Prandej sot kjo e zezë tosknì,
ka mbledhè plaka, gra e fmijë
sa rob patën njerzt e malit
e me urdhnin e vandalit
n’shtjelma i nxorën jashta shpisë,
e po i nisin prej malsisë,
tue lanë qiellin, tue lanë dhenë,
tue lanë miq e tue lanë Fenë
me i thye qafën n’Tepelenë.
Prandej shqipja përmbi shkrepa
vështron fmijtë që kjajnë ndër djepa…
Tepelena mbyllë me shula
ndër tortura i njihet vula.
Burg i madh ku mbajnë të ndrymë
mija fmijë e pleq të shtymë.
Ba skelet ndër zhele pshtjellë,
ùja e zezë e ngulun thellë
detyron këto bark-golle
me iu ngjitë rrapit si rrodhe
e me mbledhë ndër degë njomsinë
sa me hjekë paksa urinë,
e pra dijmë se gjetht e rrapit
s’i përtypë as goja e sqapit.
Sot mbi kto krijesa t’njoma
gjak e qelb tue rrjedhun kroma,
sillen morrat i pijnë gjak
mana dru i ka mbetë pak..
Ditë për ditë mbi kto trimijë
sillet vdekja më i përpijë,
shum po korrë e po groposë,
me i shfarosë dru ka vendosë,
vajtojnë nanat ditë e natë
Oh! Ç’na mbeti prehni thatë…
Sillen rojet për dekik,
rrahin t’mjerët me kamxhik…
Puntorija del ç’me natë,
tri lugë lang e bukën thatë.
Mbushen malet me mundqarë,
mbushen pyjet me druvarë,
e te stomi ditë për ditë
hapen gropa, “Paçin dritë”,
hidhen t’mjer’t që vdiqën mbramë
pa u percjellë me vàj’e as gjamë
Shum po dergjet Tepelena:
-Njerz’t e malit s’dijmë ku i kena,
s’dijmë asgja për trimat tonë
der ku i ban pushka jehonë…
Thonë se vrasin, por dhe vriten,
n’ballë t’gjaksorit shum aviten,
derdhet gjak sa herë çajnë pritën
e don Zoti e nuk koriten!
Tepelena rrin tue fshà –
-Për ne burrat s’dijnë asgja.
I vdiq djal’i Palë Martinit,
nana e Lleshit, baba i Gjinit
e dy fmijtë e Ndue Sokolit,
i atij trimit, taravolit
që si burrat rà dëshmorë
tue luftue me ato gjaksorë,
tri ditë rresht me pushkë n’dorë…
Shum kanë vdekë, por s’janë harrue,
lotët n’zemër janë ba krue…
Tepelenë, Mars 1951
.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.