back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Shumë njerëz kanë zgjedhur të reagojnë… Fjala e Giorgia Meloni-t në CPAC – Florida

Gazeta

Giorgia Meloni ne CPAC - Orlando - Florida, 26 Shkurt 2022
Giorgia Meloni ne CPAC – Orlando – Florida, 26 Shkurt 2022

Shumë njerëz kanë zgjedhur të reagojnë…

Fjala e Giorgia Meloni-t në CPAC

Çfarë është CPAC? Conservative Political Action Conference
(Konferenca e Unionit Politik Konservator) është një konferencë e përvitshme
që mbahet dhe ndiqet nga aktivistët konservatorë në Amerikë e më gjerë.
Kjo konferencë organizohet nga Unioni Konservativ Amerikan.
Më poshtë po paraqes fjalën e kryetares së partisë konservatore italiane
“Fratelli d’Italia” Giorgia Meloni, mbajtur në këtë konferencë,
në Florida, Orlando, në datë 26 Shkurt 2022.
E sjell për ju duke dashur t’ju ftoj në mendim e analizë se përse bota sot është kjo që është.
A mund të bëjë secili nga ne diçka për të mirën e përbashkët, duke filluar me vendin tonë.
Cila mund të jetë detyra e secilit prej nesh,
përveç ankesave e pësimeve në kurriz gjithë kohën?
Ervina Toptani

Giorgia Meloni - Presidente dei "Fratelli d'Italia"
Giorgia Meloni – Presidente dei “Fratelli d’Italia”

Të dashur miq të Cpac, të dashur konservatorë amerikanë,
U nisa nga Italia për të ardhur këtu vetëm pas pak orësh që filluan bombardimet ruse mbi Ukrainë dhe më duhet të pranoj se provova një ndjenjë të përzier, kundërshtuese në vetvete nëse duhet të qëndroja apo të vija këtu midis të gjithëve ju në CPAC. Në fund vendosa të vij këtu sepse përballë këtij sulmi të papranueshëm, qenia këtu mes jush është mënyra më e mirë për të sqaruar pozicionin dhe qëndrimin tonë në lidhje me këtë konflikt.
Ne jemi në anën e të drejtës ndërkombëtare, në anën e lirisë dhe në mënyrë definitive jemi në anën e një kombi krenar që po i mëson botës çfarë do të thotë të luftosh për lirinë. Sigurisht, siç dhe shumica prej jush do të jenë dakord, askush nuk më heq dot nga mendja se nëse nuk do të kishim parë tërheqjen skandaloze të trupave nga Kabuli dje, nuk do të kishim parë kurrë as sulmin mbi Kiev sot dhe me siguri askush nuk do të përgatitet të shohë dhe Tajvanin të pushtuar nesër.
Sepse në politikën e jashtme, kur bëhet fjalë për të mbrojtur interesat strategjike dhe vlerat thelbësore, demonstrimi i dobësive nuk është kurrsesi një opsion. Romanët antikë thonin: “Si vis pacem, para bellum” (Nëse dëshiron paqen, përgatitu për luftë). Megjithatë besoj do të kemi kohë të flasim dhe për gabimet por sot është është momenti të jemi të bashkuar e të mbajmë një qëndrim. Dhe ne e dimë shumë mirë që qëndrimi ynë, vendi ynë është krah botës perëndimore.

Të nderuar miq,
kjo është hera e dytë që unë ngjitem mbi këtë foltore. Herën e parë isha e ftuar këtu si lider i një partie të vogël por krenarë konservatore italiane. Sot ju drejtohem si Presidente e Partive Konservatore Europiane, parti që numërojnë 44 të tilla patriotike e konservatore të Europës, por edhe më gjerë, duke përfshirë këtu dhe Partinë Republikane Amerikane. Unë ju drejtohem ju sot si lideri i Patisë “Fratelli d’Italia” që qysh prej asaj dite është rritur duke u bërë partia kryesore e qendrës së djathtë e sipas shumë të dhënave e sondazheve, është dhe partia më e madhe në vend. E them këtë jo vetëm sepse jam krenare për atë që ne të gjithë kemi arritur së bashku por e them këtë sepse kjo tregon se e vërteta e ideve tona është ajo që njerëzit kërkojnë.
Jetojmë në një epokë ku gjithçka që ne përfaqësojmë është në shënjestër të sulmit. Liria jonë individuale është në shënjestër të sulmit, të drejtat tona, sovraniteti i kombeve tona është në shënjestër të vazhdueshme të sulmit, prosperiteti dhe mirëqenia e familjeve tona janë nën shënjestër të sulmit, edukimi i fëmijëve tanë po ashtu. Përballë gjithë kësaj, njerëzit e kuptojnë që në këtë epokë e vetmja mënyrë për të ruajtur fort atë që jemi e për t’u kundërvënë, e vetmja mënyrë për t’u rebeluar është të jesh konservator. Do ta themi me zë të lartë, nuk na interesojnë etiketat që na vënë. Jemi të lodhur me një të majtë që guxon të na japë leksione edhe për atë sesi duhet të jetë e djathta, çfarë duhet të bëjë, si duhet të sillet e deri dhe sesi e djathta duhet të përkufizohet. E majta do të bënte më mirë të rekuperonte identitetin e saj. Ne të djathtët e dimë mirë kush jemi dhe çfarë përfaqësojmë.
Është e njëjta gjë me ta në të gjithë botën. Të ashtuquajturët “progresistë” përdorin pushtetin dhe arrogancën e mediave të tyre të përditshme për të detyruar kundërshtarët të ndërrojnë ide e të bëhen pjesë e cirkut të tyre të brendshëm. Vetëm se një herë që burrat dhe gratë e së djathtës bëhen pjesë e cirkut të tyre do të kenë ndryshuar kaq shumë sa konservatorët nuk do i njohin më ata e sigurisht as nuk do i mbështesin më. Dhe kjo është pikërisht ajo çka e majta kërkon, një të djathtë të kapur me litar në fyt, e bindur dhe e ushtruar të sillet si majmun. Por e dini çfarë? Ne nuk jemi majmunë dhe as rinocerontë nuk jemi, nuk do të jemi pjesë e kopshtit tuaj zoologjik sepse ne preferojmë sheshet publike dhe nuk do të jemi as pjesë e mainstream-it të mediave të tyre sepse ne jemi në anën e njerëzve, të popujve. Ju të gjithë në Amerikë, ne në Europë dhe miqtë tanë në kontinente të tjera, ne jemi të gjithë krenarë për identitetin tonë, për atë çka përfaqësojmë. Dhe e dimë se kundërshtari ynë po vepron në nivel global duke aplikuar të njëjtat taktika dhe të njëjtën ideologji për të shkatërruar identitetin tonë, atë çka ne jemi në të vërtetë.
Shoh fanatikët e “cancel culture” (anuluesve të kulturës) jo vetëm nëpër sheshe por edhe nëpër institucione që heqin statujat, modifikojnë librat deri dhe kartonat e filmat e animuar për fëmijë, ndryshojnë emrat e rrugëve, akuzojnë si fajtorë për një histori të përbashkët të cilën duan ta rishkruajnë sipas versionit të tyre. Duhet të dorëzohemi përpara gjithë kësaj? Jo nuk do të dorëzohemi, por do ta luftojmë me kokën lart. Shoh “ideologjinë e zgjimit” (është një frazë që përdoret e tillë “woke ideology” që përkufizon ideologjinë politike majtiste me në qendër teorinë mbi politikën e drejtësisë sociale. Kolumnisti David Brooks shkruajti në 2017: “të jesh “woke” është të jeshë radikalisht i ndërgjegjshëm dhe paranojak i justifikueshëm”. Shënimi sqarues këtu është i imi për të kuptuar drejt kujt i referohet znj. Meloni në këtë paragraf), që dëshiron të shkatërrojë bazat e familjes natyrale, që dëshiron të sulmojë jetën në gjenezë, që fyejnë fenë, që ndryshojnë fjalët e madje deri aty sa imponojnë futjen e shenjave të reja grafike.
Vetëm pak muaj më parë, burokratët e Bashkimit Europian kanë përpiluar një dokument prej qindra faqesh duke na thënë ne, se për të qenë pjesë e tyre duhet të përjashtonim gjithçka që ka lidhje me Krishtëlindjet. Jesusi, Maria e të gjithë emrat e tjerë kristianë duhet të hiqen nga çdolloj komunikimi zyrtar. A duhet të dorëzohemi përballë kësaj? Jo, ne do ta luftojmë këtë me kokën lart.
Secili nga ne ka një rol të për të luajtur në mbrojtjen e të gjithë këtyre vlerave. Lajmi i mirë është që këtu, sikurse dhe në Europë shumë njerëz kanë zgjedhur të reagojnë përballë kësaj. Njerëzit po reagojnë kundër modelit kinez, kundër “fake-news-ve” të mediave të tyre, kundër diktaturës së tyre “politikisht korrekte”. Europa e vërtetë nuk do të dorëzohet, Amerika e vërtetë nuk do të dorëzohet. Do të zgjojmë shumë të tjerë si ne dhe do të jemi gjithnjë e më shumë. Ata do të përpiqen të na heqin gjithçka kemi, por nuk mund të na heqin atë çka jemi. Dhe e dini çfarë? Duke pasur në zemër pikërisht këtë çka jemi, duke ditur çfarë përfaqësojmë është gjithçka për të cilën kemi nevojë për t’u përballur me këtë sfidë. Mos kini frikë nga e vërteta miqtë e mi, asnjëherë.
Siç ka shkruar një autor i madh konservator, Gilbert Keith Chesterton: Zjarre do të ndizen për të treguar se dy plus dy bëjnë katër, shpata do të zhvishen për të treguar se gjethet lindin të gjelbra në pranverë…” Koha e kësaj beteje ka mbërritur, por ata do të na gjejnë gati.

Përktheu: Ervina Toptani

.

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.