back to top
4.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Si armiqësohet populli brënda vehtes! – nga Genc K. Hoti

Gazeta

Genc Hoti
Genc Hoti

Si armiqësohet populli brënda vehtes!

nga Genc K. Hoti

(refleksione mbi një libër “të fshehtë” thellësisht antishqiptar)

Kohët e fundit ka filluar shpërndarja e një libri në Shqipëri, nëpërmjet internetit, me autor Agim Hamiti mbi rrugën tepër të vështirë të një kategorie të veçantë të punonjësve të sigurimit të shtetit shqiptar (konkretisht të një grupi punonjësisht në Drejtorinë e Sigurimit të Jashtëm, DSJ, të emërtuar si dedektivë) me titull: “Odiseja e një dedektivi” në thelb të të cilit qëndron ideja që Enver Hoxha ishte njeri i anglezëve. Deri këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme dhe të re në këtë ide, pasi ajo është e shprehur shumë më qartë deri në rrugëformimin e figurës së Enver Hoxhës nga ana e propagandës komuniste (për këtë shih artikullin: “Kush e masakroi historinë e popullit shqiptar” – gazeta “Republika”, 12 maj 1991 dhe artikullin “Enver Hoxha” në internet albanovaonline.com, genchoti.com e www.hotig.info). E ndryshmja fillon tek elementët përbërës jo vetëm të figurës së Enver Hoxhës, por të të gjithë përmbajtes filozofiko-historike të librit për të cilin, me sa kam kuptuar, është shkruar dhe tentohet të publikohet kinse me vështirësi të jashtëzakonshme, i cili ka një qëllim të fshehtë propagandistik, të lidhur me shume fusha të albanologjisë mbi ç’bazë ka lindur klubi i të Marrëve të madhështisë shqiptare dhe me ç’po kuptoj kjo sëmundje po shtrihet edhe në letërsinë politike.
Libri karakterizohet nga tre përshkrime hapsinore të jetës sociale, në adresë të politikës që sundonte mbi popullin shqiptar duke i bashkuar të tre vektorët shoqërorë në një pikë të koncentruar dhe të aftë për të drejtuar politikën shqiptare sot (2011) për paaftësi të klasës politike shqiptare të të gjithë spektrit politik dhe të lidhur me elementët “antidiktatorialë” të një segmenti të DSJ. Nuk e di a e ka seriozisht apo me shaka autori këtë pretendim, por, duke e ditur se kush është, e ndjej për detyrë t’ja tjetërsoj përmbajtjen, pasi, duke qenë nip e stërnip i atyre që kanë vuajtur në mënyrë të skajshme në burgjet politike të regjimit të Enver Hoxhës, baraz me gjakun e tij, konstatoj se nuk mund të vihet kurrsesi shenja e barazisë midis një të burgosuri politik të viteve 1945-1991 të dënuar dhe pushkatuar për shkaqe thellësisht antishqiptare me ato të viteve 1973-1991 të dënuar për shkaqe thjesht politike, apo ordinere, duke pasë qenë pjesë e makinës shtypëse shtetërore komuniste shqiptare. Këtu qëndron dënimi për herë të dytë me vdekje të atyre që u pushkatuan me emrin e Shqipnisë në gojë përpara se të jepnin shpirt. Nuk mund të pajtohet kurrsesi figura e Klerikëve Katolikë Shqiptarë dhe të atyre Burrave të shtetit shqiptar, ku përfshihet edhe babai i autorit, që ndërtuan e drejtuan shtetin e parë shqiptar në historinë e tij në gjysmën e parë të shekullit të XX-të, të masakruar nga politika komuniste antishqiptare e Enver Hoxhës, me të gjithë figurat komuniste të kthyera të antienverizëm të marrë së bashku; të parët përbëjnë armatën gjigande të edukatorëve shumëpërmasor të popullit shqiptar duke e transformuar në popull europian, kur të dytët përbëjnë armatën monopërmasore të shpartallimit njerëzor të popullit shqiptar dhe të kthyer në antipopull. Autori dashur pa dashur tenton të manipulojë historinë dhe atë çfarë ka ndodhur realisht përgjat periudhës 1943-1991 në Shqipëri dhe të paraqesë një segment të sigurimit të shtetit më human se pjesa tjetër (a e ka pyetur vallë Gjakun e babait kur u kujtua të shkruajë këto rreshta). Pikërisht e kundërta e kësaj është e vërteta e kulluar dhe ajo që kërkon të ndryshojë Agim Hamiti, por dhe ta fshehë nga kujtesa e popullit shqiptar (autori kërkon t’i mbushë mëndjen popullit shqiptar se në burgjet politike komuniste janë futur të gjithë kundërshtarët e komunizmit dhe Enver Hoxhës, duke fshehur faktin se pas 1973, të paktën, në burgjet politike u futën edhe miqtë e Enver Hoxhës, dhe ata nuk kanë qenë për asnjë çast kundërshtarët e tij politikë, por, më së paku, bashkëpunëtorët e veprës së tij antishqiptare).
Fillimisht i hodha një sy të shpejtë librit përgjatë formatimit dhe kalimit nga pdf në ëord duke arritur në përfundimin e parë dhe të shpejtë se ky libër ishte shkruar nga tre kategori njerëzish: i burgosur politik, pjesmarrës në organet e sigurimit të shtetit dhe njeri i letrave. Kjo më detyroi ta rilexoj për së dyti dhe me shumë kujdes duke nxjerrë në pah pretendimet e mia. Gjëja e parë që më ra në sy ishte mospërputhja e citateve me brendinë e kapitujve, pastaj më ra në sy një bosht filozofik tepër jo konçiz dhe pa përmbajtje ku, së fundi, ngjarjet në brendësi në DSJ më konkludojnë tepër artificiale dhe tepër të dyshimta. Përfundimisht arrita në përfundimin se ky libër është shkruar për të tjera qëllime nga ato që shkruan një i revoltuar politik i dënuar nëpër burgjet e diktaturës komuniste.
.
Agim Hamiti - Odiseja e nje dedektivi
Agim Hamiti – Odiseja e nje dedektivi
Duhet pranuar se përshkrimi jetës në burgjet politike komuniste shqiptare është realizuar në mënyrë perfekte dhe autori nuk ka shtuar asgjë nga realiteti. Prandaj pretendoj se të gjithë kapitujt ku përfshihet jeta në to është shkruajtur nga një i burgosur real. Kam pasur fatin t’i vizitoj me imtësi të gjithë burgjet e punës nëpër miniera (Batër, Bulqizë (zona “D”), Spaç dhe Qafë e Barit (në atë kohë kjo minierë po përgatitej për t’u kthyer në burg) përgjat viteve 1977-1982 pasi punoja në Repartin e Inspektim-Shpëtim Miniera në Tiranë dhe dy herë në vit kontrollonim këto miniera në drejtim të zbatimit të rregullores së sigurimit teknik. Unë mbuloja sektori energo-mekanik dhe gjithmonë jam habitur se si ma patën besuar atë punë pasi unë, në atë kohë, isha thjesht një teknik elektronik që merresha me mirëmbajtjen dhe kontrollin e aparaturave të përdorura për mbarëvajtjen e punës nëpër miniera duke përfshirë dhe kontrollin e kavove të çelikut të të gjithë ashensorëve të minierave, por duke pasur një moshe tepër të re për atë punë (jam i datëlindjes 1954). Pa dyshim që kontrolli në Spaç ishte më i vështiri dhe shoqëroheshim gjithmonë, gjatë gjithë punës dhe ditës, nga policia e burgut; ndërsa në minierat e tjera kontrolli ishte shumë më i lehtë dhe të jepej mundësia për të biseduar me të burgosurit ordinerë. Jam i detyruar t’i them të gjitha këto për të përgëzuar autorin për vërtetësinë që e karakterizon në të gjithë librin e tij për këtë temë; në këtë drejtim ai ka bërë një punë të lavdërueshme, të cilën nuk mund ta bëjë kushdo pa e hequr në kurriz.
Por në lidhje me platformën filozofiko-historike të librit kam shumë pretendime dhe në këtë drejtim autori paraqitet me defekte serioze dhe i paaftë për t’i bërë oponencën asaj që i kanë treguar të tjerët dhe që e paraqet si një të vërtetë absolute të mbështetur në dokumenta, kur në realitet ato janë fund e krye mashtrime dhe tentojnë të tjetërsojnë të vërtetat që përmbysin karakterin pozitiv të komunizmit dhe Enver Hoxhës.
Analiza e librit nxjerr në pah pikërisht këto defekte dhe unë po ja përcjell lexuesit sipas rradhës, në funksion të kapitujve:
Kapitullin e IX, të pjesës së parë, autori e ka mbyllur me pretendimin se: “Ky ishte një argument bindës se diktatura fuste skllevër miniere në atë kamp, më shumë se kundërshtarë politikë”. Nuk e di a i ka vajtur ndërmënd autorit se pranimi i kësaj teze, që pa dyshim është e drejtë dhe e saktë, e hedh në erë të gjithë pretendimin se në Shqipëri ka pasur luftë klasash duke e nxjerrë të gjithë propagandën pas 1991, mbi atë çka ka ndodhur në Shqipëri përgjatë periudhës 1943-1991 mashtruese, por dhe vetë autorin të paaftë për të evidentuar se gjithçka e ndodhur ka qenë një luftë klanesh në nivelin më të lartë të politikës, por dy shkallë poshtë karrikes së diktatorit. Kanë qenë këto klane që duke luftuar midis tyre, sidomos pas 1956, i dhanë pamjen e luftës së klasave zhvillimit të shoqërisë shqiptare dhe kjo përbën të gjithë thelbin e diktaturës në Shqipëri përgjatë viteve të mësipërme. Është plotësisht e vërtetë që diktatura tentoi dhe realizoi skllavërimin modern të popullit shqiptar me metoda dhe aplikime primitive të denja për një Neron, gjë plotësisht e argumentuar me paraqitjen e jetës nëpër burgjet e punës. Por i gjithë ky argument i autorit nuk mund ta mbyllë kaq thjeshtë këtë problem dhe thjeshtimi i tij përbën një ndër defektet kryesore, për të mos thënë më kryesori, të politikës postenveriste. Kapërcimi i skllavërimit të popullit shqiptar, sipas një piramide të përmbysur, u kapërcye me formulën e bashkëfajësisë dhe gjithçka u kalua në harresë. Kryesorja e të gjithë procesit social 45 vjeçar përmblidhet në rezultanten ekonomike dhe në vendin se ku shkoi i gjithë ai produkt shoqëror. Kjo përbën anën praktike të veprimtarisë antienveriste dhe deri më sot kërkush nuk e ka marrë përgjegjësinë. Përsëri autori hesht për këtë problem edhe pse ajo që ka përshkruar për përmbajtjen e burgjeve të punës e përligjte këtë kostatim.
Kapitulli XVII, i pjesës së parë, fillon me një deduksion të Xh. Eduards: “Asgjë nuk ndodh kurrë pa shkak”. Në fakt këtu fshihet një ndër defektet më kryesore të mendimit filozofik helen dhe gabimet e njëpasnjëshme të mendimit shkencor botëror prej 2400 vjetësh, kështu që nuk pres ndonjë kundërshtim oponent nga ana e autorit. Por në këtë pikë fshihet thelbi i asaj që ka ndodhur në Shqipëri pas 1943, pasi e kundërta e këtij deduksioni tregon se Enver Hoxha ishte njëra anë e tragjedisë shqiptare dhe jo më kryesorja. Akoma më tej diktatori shqiptar ishte produkti më karakteristik i një shkolle politike që sundonte njerëzimin prej 200 vjetësh duke arritur majën e zhvillimit kapitalist e para. Dualiteti shkakësor i ngjarjes, sidomos të atyre shqiptare, tregon se mbi popullin shqiptar politika ka vepruar sipas dy vektorëve, por që nuk mund të zbërthehen dot jashtë figurës së Enver Hoxhës. Karakteri shtazarak i atyre që zbatuan diktaturën komuniste përgjatë periudhës 1943-1992 përbën anën e dukshme të shkakut thelbësor, në pamje të parë, hapësirë e cila nuk është tentuar të zbërthehet kurrë saktë, sidomos pas 1992-shit dhe kjo përbën fajin kryesor të demokracisë shqiptare. Duke mos u zbërthyer saktë aplikimi i diktaturës nuk ka se si të zbërthehet terësia e asaj që çoi në vendosjen e komunizmit shtazarak në drejtimin e vëndit. Xh. Eduards nuk ka pasur se si ta dijë se çdo ngjarje ka si fillesë minimumi dy shkaqe fillestare. Nuk është i mjafueshëm pranimi i shkakut në procesin e aplikimit të diktaturës komuniste, pasi në këtë rast formula mbi bashkëfajësinë mbarëkombëtare rezulton e drejtë. Pikërisht pse është e kundërta, rezulton se vuajtjet e popullit shqiptar janë të lidhura me shumë shkaqe sociale ku DSJ dhe njerëzit e saj përbëjnë njërin segment të aplikimit të diktaturës. Nuk ka asnjë mundësi, qoftë dhe teorike, që pjesmarrësit e diktaturës të jenë të kundërt me thelbin e saj. Pranimi i të kundërtës është thjesht një mashtrim politik i përdorur për të fshehur një krim dhe për të evidentuar një fajtor pa faj si arsyen e krimit të ndodhur. Riaktivizimi i dedektivit nuk ka lidhje me të ardhmen politike shqiptare, por me të kaluarën dhe kjo përbën dyshkakësinë e ngjarjes. Autori është munduar ta paraqesë këtë të kaluar sa më humane në adresë të dedektivit duke harruar se ai ishte thjeshtë një vegël i kësaj diktature jo vetëm si veprim i saj, por dhe në aspektin krijues të krimit kundra shqiptarëve. Për të qenë të saktë punonjësit e sigurimit të shtetit, pa asnjë dallim, përbënin anën më të keqe të diktaturës komuniste duke fshehur anën më të padukshme të saj.
Në kapitullin e XIX, të pjesës së parë, autori ka paraqitur Nexhmije Hoxhën si një figurë të lidhur me sigurimin sekret. Unë e kuptoj që autori kërkon të krijojë një alibi për të lidhur bashkëshorten e diktatorit me Inteligjens Servisin, por nuk ka asnjë mundësi që inteligjenca britanike të binte pre e një dedektivi shqiptar. Lidhja e Enver Hoxhës me anglezët në studimin tim mbi figurën e diktatorit është zbuluar me anë të përmbysjes të të gjithë filozofisë që mbante emrin marksizëm-leninizëm. Studimi i revolucionit bolshevik sipas veprës së V. I. Leninit më çoi në përfundimin se ai e kishte përmbysur marksizmin e proletarëve për hesape jashtë Rusisë së asaj kohe dhe akti më i parë i sulmit të Leninit mbi teorinë e Marksit kishte ndodhur më 1905, kur ai botoi artikullin: “Mbi shtetet e bashkuara të Europës” në një gazetë të botuar në Zyrih me ndihmën e anglezëve të asaj kohe. Ai ka qenë filli drejtues i zbulimit të njëpasnjëshëm të hallkave të revolucionit bolshevik mbi ç’bazë kam qenë i detyruar t’i hyj një zbërthimi të thellë marksizmit të proletarëve duke shkruar studimin: “Marksizmi, leninizmi dhe revolucioni social”. Përfundimi i atij studimi më çoi në dy zbulime interesante: Së pari, projektuesit e revolucionit bolshevik kishin qenë anglezët dhe e gjitha kjo për t’i rrëmbyer Carit pasuritë e ruajtura në Bankat Britanike. Së dyti, shkaku i fshehtë i shpërthimit të revolucionit bolshevik ishte krejt i barabartë me shkakun e fshehtë të vendosjes së komunizmit në Shqipëri. Kjo do të thonte se të ashtëquajturit revolucione socialiste në botë kishin një madhësi gjigande, Rusinë e Carit, dhe një madhësi minore, Shqipërinë e Mbretit Zogu i I-rë, por që të dy ekstremet e revolucioneve socialiste kishin një pikë të përbashkët: projektuesi i tyre ishte Britania e Madhe (përrallat mbi masonët, templarët apo iluminatorët dhe sikur Enver Hoxha ishte pjestar i atyre sekteve është një tentativë për të fshehur thelbin e problemit dhe për të nxjerrë jashtë lojës Mbretërinë e Bashkuar në drejtim të përgjegjësisë politike); por dhe një subjekt moral: vjedhjen e kombeve dhe popujve (në realitet ky ka qenë thelbi i revolucioneve socialiste kudo në botë përgjat shekullit të XX-të, të tjerat janë përralla). Është banalizim i historisë zbulimi i lidhjes së Enver Hoxhës me britanikët nga ana e dedektivit shqiptar për shkaqe ordinere dhe kjo përbën një ndër pikat më të dyshimta të veprës që po analizojmë. Faji i diktaturës komuniste shqiptare, në lidhje me anglezët, është varfërimi i tejskajshëm i popullit shqiptar dhe kjo është realizuar pikërisht me segmentet e diktaturës, ku DSJ ka qenë pjesë e saj. Atëhere çfarë mund të presësh nga pjesmarrësit e saj, pavarësisht nga morali, përgatitja dhe kapaciteti intelektual i tyre? Më e pakta krimet e kryera nga ata do të ishin më të sofistikuara, gjë që ka ndodhur realisht në vitet 1990-1991, por që kanë pushtuar dhe drejtësinë shqiptare sot (2011) në të gjithë segmentet duke tentuar asfiksinë e demokracisë së re shqiptare në emër të hakmarrjes komuniste. Dhe e gjitha kjo për të fshehur krimin e kryer nga segmentet e diktaturës ku dhe DSJ nuk ka se si të bëjë përjashtim në asnjë përmasë.
Kapitulli XLVII, i pjesës së parë, fillon me një deduksion të Viktor Hygoit, sipas të cilit “Dashuria që kanë anglezët për lirinë nuk i pengon ata të pranojnë skllavërinë e të tjerëve”. Nuk e di se ku e ka thënë Hygoi këtë, por, në këtë mënyrë të shprehur për rastin shqiptar, kjo është e pavlefshme, pasi anglezët nuk na kanë skllavëruar kurrë në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Dhe kjo përbën kufizimin botëkuptimor të autorit jo vetëm në planin filozofik, por dhe në atë historik. Anglezët, në planin politik, kanë një veçori në raport me vendet e tjera kapitaliste bashkëkohore, pavarësisht nga diferenca hapsinore ekonomike: është i vetmi popull në botë që ka një shtet që ka grabitur njerëzimin me anë të bankave duke realizuar mashtrime politike me përmasa botërore. Kështu që shprehja e Hygoit, për rastin shqiptar, duhet modifikuar: “Dashuria që kanë anglezët për lirinë nuk i pengon ata të pranojnë vjedhjen që shteti i tyre realizon në dëm të njerëzimit”. Në këtë formë ne gjejmë se çfarë përfaqëson lidhja e Enver Hoxhës me anglezët në vitin 1932 e këtej. Në këtë mënyrë ne gjejmë se çfarë përfaqëson politika e Enver Hoxhës nga viti 1943 deri më 1992. Nuk është i mjaftueshëm pranimi i skllavërimit të popullit shqiptar përgjat gjysmës së dytë të shekullit të XX-të nga ana e rendit të Enver Hoxhës dhe lënia në heshtje e grabitjes gjigande të thesareve të popullit shqiptar (rreth 300 ton monedha floriri) dhe dhurimi i tyre urdhëruesve të Enver Hoxhës. Kjo përbën të fshehtën e madhe të Enverit dhe aspak skllavërimi i popullit shqiptar. A nuk tregon kjo se autori kërkon të fshehë gjënë më të rëndësishme të rendit komunist shqiptar dhe evidentimin e gjësë më të parëndësishme si kryesoren e atij rendi edhe pse ai mund të mos dijë asgjë në këtë drejtim?
Në kapitullin VI, të pjesës së dytë, autori krijon një replikë me temë mbi formimin e PKSh nga ana e Miladin Popoviçit dhe qenien e sekretarit të parë të saj për mbi katër dekada një agjent i Inteligjent Servisit. Tentativa për të banalizuar lindjen e PKSh ka qenë një dëshirë e vjetër e Enver Hoxhës pasi në këtë mënyrë populli shqiptar nuk do ta merrte vesh të vërtetën kurrë edhe pse nën zë flitej prej kohësh se anglezët ishin ata që e kishin vënë Enverin në krye të shtetit shqiptar; por asnjëherë nuk ishte thënë se anglezët ishin krijuesit realë të PKSh. Agim Hamiti ka dëgjuar përrallat mbi këtë temë dhe nuk ka se si ta dijë që formimi i PKSh ishte gjysma e punës dhe e gjithë kjo përbën atë që di sot populli shqiptar në mënyrë të gënjeshtërt, ndërsa gjysma e dytë që ishte marrë vesh me kohë u harrua dhe kërkon shumë punë të zbulohet. Autori nuk ka qenë i aftë të zbulojë gjysmën e parë dhe më të fshehtën e komunizmit shqiptar. Ishte kjo e fshehtë që i hëngri kokën Zef Malës (është qesharake dhe tallse përmbajtja e librit “Vox Popull” sikur autor është Zef Mala; ajo që kam lexuar në mbrojtjen e avokat Dr. Vasil Dilo në gjyqin e shkurtit të 1939 (për këtë shih artikullin “Sekreti Qemal Stafa”, publikuar në gazetën 55, dt. 8-12 korrik 2008, dhe internet: albanovaonline.com dt 7 korrik 2008, logoreci.com nëndor 2008) tregon se Zef Mala kishte tjetër kapacitet intelektual nga ajo që përshkruhet në atë libër) dhe Tuk Jakovës. Masakrimi i anëtarëve të Partisë Komuniste të Shkodrës, me degë në të gjithë Shqipërinë të quajtura më vonë si grupe komuniste, tradhëtisht, dhe të bërë Heronj të Popullit Shqiptar, nga ana e dy jugosllavëve përbën të fshehtën e madhe që autori nuk ka qenë i aftë të marrë vesh në burgjet politike dhe e gjitha kjo pasi kërkonte një informacion jo vetëm më të kualifikuar, por dhe një përmbysje totale të mendimit filozofik marksist-leninist, gjë e parealizueshme në burgjet shqiptare. E vërteta e themelimit të PKSh nuk ka dalë akoma në shesh që të pranohet sipas idesë të artikullit: “Mbi aktet e formimit të PKSh” të publikuar në gazetën 55 (dt. 18-19 nëndor 2008) dhe internet: albanovaonline.com (16 nëndor 2008), genchoti.com (nëndor 2008), por unë pretendoj se autori i jep pamjen e talljes për të zvogëluar rëndësinë e madhe që ka historia reale e PKSh dhe PPSh për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur me popullin shqiptar. Fakti që pas 1991-shit dualën libra mbi historinë e komunizmit shqiptar (kam parasysh librin e Kristo Frashërit: Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe themelimi i PKSh, Tiranë 2006, apo librin e Agim Mustës: Libri i zi i komunizmit shqiptar, Tiranë 2007) me të njëjtën përmbajtje si ato të botuara para 1991-shit, tregon jo tendencën për të zbuluar të vërtetën, por për ta fshehur sa më thellë. Dhe kur faktin e themelimit të PKSh, sipas përmbajtjes së vjetër, e përmënd autori ynë në mënyre krejt empirike tregon se ai nuk po nxjerr në dritë ndonjë gjë të re, por kërkon t’i imponojë lexuesit shqiptar mendimin e vjetër të Enver Hoxhës me metoda moderne. Problemi i themelimit dhe punës të PKSh-PPSh është dhe i gjithë problemi i fshehtë i diktatorit shqiptar dhe nyja lidhëse midis antishqiptarizmit të tij dhe politikës së Mbretërisë së Bashkuar në dëm të popullit shqiptar (së shpejti do t’i jap lexuesit autorësinë e fshehtë të masakrave antishqiptare në Çamëri, Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë në vitet 1944-1945, të cilat fshihen pas “Masakrës së Tivarit”). Prandaj dhe bastardimi i qëllimishëm i kësaj historie tregon dhe qëllimin e fshehtë të publikimit të librit “Odiseja e një dedektivi”. Autori ka rënë viktimë e pasaktësive propagandistike të komunizmit shqiptar dhe mungesës së parimeve njerëzore që karakterizonte botën e diktatorit, ku përfshihen dhe të gjithë bashkëfshatarët e tij që i shërbyen diktaturës me zell kulminant.
Në kapitullin e XI, të pjesës së dytë, autori ka vënë në dukje një zënkë midis pronarit grek dhe punëtorit shqiptar për problemin e librave, duke i krijuar të dytit një aureolë intelekti dhe poshtëruar të parin. Që kjo ngjarje nuk ka asnjë vlerë në përmbajtjen e librit as të mos vihet në dyshim, por të tentosh të krijosh antivlera për një popull me anë të veprimtarive të individëve të tij nuk është as letërsi, as filozofi dhe as shprehje urrejtje, por më së paku nxjerrja krye e karakterit politik të librit dhe njëra prej arsyeve të publikimit të tij. Përgjat 45 vjetëve të zbatimit të politikës komuniste në Shqipëri është servirur një propagandë antigreke e qëllimshme që u mbyll me një libër të Enver Hoxhës “Dy popuj miq”, si për t’i kërkuar falje popullit grek për urrejtjen e kultivuar në Shqipëri përgjatë diktaturës së tij. Por kjo nuk e pengoi popullin shqiptar ta ripushtonte për të tretën herë territorin e paraardhësve të largët të tij pas 1991-shit duke treguar jo vetëm mungesë karakteri, padije politike, por mbi të gjitha mungesë dinjiteti njerëzor. Shqiptarët asnjëherë nuk e kanë marrë vesh rezultanten e politikës greke ndaj popullit shqiptar, por janë mbështetur mbi dy mashtrime komuniste të fshehura pas termave: “Protokolli i Korfuzit” dhe “Provokacionet e gushtit 1949” (për termin e parë shih artikullin me të njëjtin titull në albanovaonline.com, logoreci.comdhe www.hotig.info). Populli shqiptar asnjëherë nuk e ka marrë vesh rezultanten e ndikimit të popullit grek dhe paragrek mbi të dhe paraardhësve të tij, por gjithmonë është tentuar të paraqitej situata historike si e veçuar dhe pa ndikim grek edhe pse shqiptarët e sotëm kanë një dozë të konsiderueshme të trashëgimisë helene që përcakton mirëfilli ekzistencën e tyre në histori pa të cilën ata do të ishin akoma nëpër pemë duke filluar nga gjuha e shkruar (përputhja e gjuhës së shkruar me atë të folur tek iliro-shqiptarët është rezultat i botës së relacioneve të ilirëve me parahelenët, dhe më vonë me helenët, mbi çbazë të parët u transformuan në epirotë, çka përbën prejardhjen me të afërt gjenetike të shqiptarëve të sotëm; –më hollësisht për këtë problem lexoni studimin: “Interpretimi materialist i filozofisë së gjuhës shqipe”, publikuar në albanovaonline.com, genchoti.com dhe www.hotig.info, pasi në realitet kërkush nuk e di se çfarë gjuhe kanë folur paraardhësit e largët të shqiptarëve përpara se ata të binin në kontakt me pellazgët), ndarja e punës dhe mbrojtja nga otomanizimi absolut i tyre, sidomos i jugut të Shqipërisë. Është kjo e fundit që ka krijuar keqdashjen e politikës greke ndaj banorëve të jugut të Shqipërisë pas Protokollit të Korfuzit dhe arësyen përse propaganda greke e sotme e përmënd vend e pa vënd Vorio Epirin. Shtrëmbërimi i historisë të atyre anëve është një vepër e filluar nga të ashtuquajturit rilindas dhe të vazhduar me tendencë nga propaganda komuniste mbi çbazë u krijua një hendek në marrëdhëniet greko-shqiptare. Kjo nuk e pengoi qeverinë greke të pranonte me qindramijëra shqiptarë pas 1991-shit (flitet për një milion) dhe ta shpëtonte popullin tonë nga bataku ku ishte zhytur për faj të një politike thellësisht antishqiptare. Kjo duhej marrë parasysh nga Agim Hamiti dhe jo të vihej në pah urrejtja patologjike e komunizmit për dijen njerëzore. Nuk i takon popullit shqiptar, dhe krijuesve të tij, aq më tepër autorit dhe rrethit të tij, të paragjykojnë popullin grek të sotëm në drejtim të nivelit kulturor të tij pasi trajtesa politike që Europa po i bën sot popullit grek nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga trajtesa që i ka bërë popullit shqiptar përpara një e më shumë shekulli. Nuk është mirë të nëpërkëmbet historia në mënyrë të paragjykuar politike, pasi kjo do të manifestonte karakterin e keq të popullit shqiptar, gjë të cilën autori i librit tonë nuk e ka marrë parasysh. Paraqitja e figurës të një pronari grek në atë mënyrë është shprehje e këtij paragjykimi dhe aspak një realitet. Koha kur dhe populli shqiptar do të tranformohet në një përdorues formalist të kulturës njerëzore po afron me shpejtësi dhe pjesa më e madhe e tij është futur me kohë në dyert e padijes, proces i cili e ka zanafillën tek politika që krijoi figurën e Diksit dhe të Melit.
Në kapitujt XXX dhe XXXI, të pjesës së dytë, autori ngre në lartësinë maksimale Ilir Hoxhën si drejtues të DSJ, duke i bashkangjitur thelbin e krimit të realizuar nga kjo drejtori, duke përfshirë dhe ngjarjen në ishujt Malvine në Argjentinë. Se si mund të jetë e vërteta natyrisht unë nuk kam se si ta di, por e njëjta arësye vlen dhe për autorin; dmth se ato ose janë të sajuara, ose janë thashetheme burgu. Unë e njoh Ilir Hoxhën, nëpërmjet shkrimeve dhe studimeve të botuara duke mos e pranuar dot si drejtuesin e një segmenti të diktaturës. Të paktën librat e poshtëshënuar mbajnë emrin e tij dhe do të ishte më e saktë që mendimin për figurën e Ilir Hoxhës ta japnin pikërisht bashkëautorët e atyre librave pasi nuk mund të përputhet dot figura e një studiesi me atë të një krimineli çka do të thotë se personazhi ynë ose u ja ka grabitur, duke qenë realisht drejtues i DSJ, ose, në të kundërtën, figura e krijuar nga Agim Hamiti është ireale. Më 1987, Ilir Hoxha boton, me bashkëautorësi të J. Misjes librin: “Mikroskopia elektronike me tufë rrëshqitëse dhe mikroanaliza me rreze X”; më1992 boton, me bashkëautorësi të B. Bahollit librin: “Reduktimi i ngurtë i mineraleve Fe”; më 1998, boton librin: “Babai im Enver Hoxha” (të paktën këto libra ndodhen në bibliotekën time). Nëqoftëse do të bashkojmë përmbajtjen e këtyre librave me veprimtarinë e realizuar në DSJ sipas idesë së Agim Hamitit rezulton qe Iliri Hoxha përbën një kapacitet intelektual përtej gjenisë njerëzore, gjë e cila e zvogëlon jashtë mase figurën e Enver Hoxhës. Nëqoftëse kjo e fundit ka qenë qëllimi i autorit është tjetër punë, por me këto që kam lexuar është pak si e pamundur që Ilir Hoxha të ketë qenë drejtuesi i DSJ, në të kundërtën ai është hajduti i autorësisë së atyre librave, por që gjithsesi shërbejnë për të treguar dinamikën e familjes Hoxha me të këqijat dhe të mirat e saj.
Kapitulli XXXII, i pjesës së dytë, ka një përmbajtje interesante të lidhur me fundin e jetës së diktatorit, por që shërben për të justifikuar pretendimin e Liliana Hoxhës, të dhënë në një emision televiziv mbi vrasjen e Enver Hoxhës nga ana e së shoqes. Mospëputhja pikë për pikë e pretendimeve të nuses së Enver Hoxhës me idenë e hedhur në këtë kapitull është një formalizëm që është shpikur me një keqligësi të dyanshme duke njohur karakterin e shqiptarëve të sotëm. Nëqoftëse autori mendon se propagandimi i mënyrës së vdekjes së diktatorit në këtë mënyrë do ta ulë ndopak urrejtjen e popullit shqiptar ndaj tij e ka gabim pasi në këtë rast ngatërron urrejtjen kolektive me atë individuale. Populli shqiptar mund të jetë i vetmi popull në Europë që nuk e njeh urrejtjen kolektive për shkak të shkallës së ulët të zhvillimit social të tij dhe kjo bën që ai të mos ta urrejë kurrë Enver Hoxhën dhe familjen e tij. Kalimi i ndikimit të brezit të gjysmës së parë të shekullit të XX-të në veprimtarinë sociale të popullit shqiptar do të shënojë dhe fundin e shprehjes së urrejtjes individuale kundrejt figurës së udhëheqësit të dikurshëm të partisë. Të paktën kjo duket nga disa libra të shkruar kundra apo pro diktatorit shqiptar ku e vërteta është e vështirë të dalë në dritë sipas atyre përmbajtjeve; çka tregon mungesën e theksuar të urrejtjes kolektive në karakterin e popullit shqiptar. Kam parasysh librat e Shefqet Peçit: “Komandant na dogji malli”, Tiranë 1986; Ramiz Alia: “Enveri yne”, Tiranë 1988; Agim Musta, Mexhit Kokalari: “Kush ishte Enver Hoxha”, Tiranë 1996; Muharrem Xhafa: “Udhëheqësi që bëri epokë”, Tiranë 2008; Beqir Ajazi; “Kush ishte Enver Hoxha”, Tiranë 2007; Kastriot Myftaraj: “Jeta e fshehtë e Enver Hoxhës 1908-1944”, Tiranë 2008, dhe “Enigma e sundimit të Enver Hoxhës 1944-1961”, Tiranë 2009, Sami Gega: “Enver Hoxha, heroi që bëri epokë, Tiranë 2008; apo librin e Fahri Balliut: “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha”, Tiranë 2005 bashkësia e të cilëve është tepër-tepër larg të vërtetave historike të përjetuara nga diktatori. Autorët e mësipërm vetëm të vërtetat mbi jetën e Enver Hoxhës nuk kanë thënë në asnjë element. A nuk do të thotë kjo se urrejtja individuale është thjeshtë formale dhe pa asnjë ndikim mbi popullin shqiptar?
Në po këtë kapitull autori ka vënë në gojën e Nexhmije Hoxhës një frazë “të mallkuar” që përbën të gjithë misterin e mendimit filozofik botëror për të gjithë kohërat: “Është natyra që ka vendosur shenjën e barazimit midis gjithë krijesave të saj…”, – natyrisht dhe nivelin e botëkuptimit të tij. Unë e kuptoj shumë mirë që kjo frazë e ka burimin tek vitet e burgut që ka përjetuar autori, gjë që më frenon jashtë mase për të shprehur atë që ndjej kur shoh albumin e Fahri Shaskës mbi krimin komunist në rrethin e Vlorës me emërtim: “Të quajtur armiq të popullit” ku lexoj që familja Hamiti, nga Dukati, paska pasur të pushkatuar më 01.04.1950, të arratisur më 1949, dhe të burgosur politikë ku përfshihet edhe autori ynë (f. 143), por përgjithësimi i formulës së mësipërme është gjëja më e pamundur në natyrë dhe ajo që nuk ka asnjë mundësi të ekzistojë dot. Zbërthimi i saj nuk bëhet në funksion të kritikës ndaj autorit, por të kritikës së mashtrimit komunist të realizuar në Shqipëri, të cilën gjë autori nuk e ka bërë dot. Barazia është një nocion relativ i shpikur nga njeriu, pasi ajo nuk ekziston në natyrë në asnjë përmasë jo më në botën e njeriut (bota e njeriut ka edhe disa nocione të tjera që nuk ekzistojnë, por që shërbejnë për ilustrim, si psh: zero, përsëritje, boshllëk). Rëndësia e përdorimit të barazisë ka qenë tulla më e parë e politikës së Enver Hoxhës dhe ajo që vendosi elementin e parë të diktaturës komuniste. Kundrejt krimit politik të diktatorit të gjithë shqiptarët kanë qenë të barabartë, por kundrejt zhvillimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve këta të fundit kanë pasur diferencime të mëdha midis tyre dhe është ky diferencim që përbën shkallën e lartë të zhvillimit të shoqërisë shqiptare përpara 1945, dhe eleminimi i saj përgjatë viteve 1943-1961 përbën llumin social ku u zhyt shoqëria shqiptare, që u manifestua në thelb të saj me ngjarjet e 2 korrikut 1990 dhe të atyre të vitit 1997. Të paktën prejardhja sociale e familjes së autorit e përligj këtë diferencë të jashtëzakonshme nga të gjitha familjet komuniste vlonjate të marra së bashku, por që nuk përligjet më përmbajtjen e këtij libri. Kërkesa për të pajtuar shqiptarët me antishqiptarët është krejt e barabartë me pajtimin e vuajtësit me kriminelin, e njeriut me antinjeriun dhe në këtë drejtim ajo nuk vlen pasi në të kundërtën kërkush nuk duhej dënuar për krimet që kryen. Unë e kuptoj shumë mirë që në situatën që jeton sot populli shqiptar dikush duhet të falë për të arrirë unitetin kombëtar të përçarë në mënyrë të pariparueshme nga politika antishqiptare e regjimit të Enver Hoxhës, por kurrsesi nga pozitat e bashkëfajtorëve dhe aq më tepër nga produkti intelektual i komunizmit shqiptar. Pikërisht kjo përbën të pamundurën e realizimit të barazisë sociale në Shqipëri, të paktën sot, dhe ideja që përçon autori jo vetëm nuk realizon këtë pajtim, por ajo kryesisht armiqëson popullin shqiptar brenda vehtes. Ngjarjet e 1997, ishin treguesi me sinjifikativ se si nuk duhet drejtuar populli shqiptar dhe pse ai nuk mund të pajtohet me produktin intelektual të të “rinovuarve” komunistë në demokratë të majtë apo të kuq. Ja përse është e nevojshme të zbulohen ligjet e zhvillimit social në funksion të pabarazisë sociale dhe të diferencohen nga padrejtësitë sociale që mbretërojnë sot në Shqipëri ku dora kriminale e produktit komunist e ka kapur popullin shqiptar prej fyti duke tentuar mbytjen e tij. E keqja më e madhe qëndron në pajtimin inkoshient me të pa e kuptuar pasojën.
Në kapitullin XLIV autori nxjerr në pah “një të fshehtë” dhe këtë kërkon ta bëjë strumbullarin e të gjithë veprës së tij, sipas së cilës (po e citoj fjalë për fjalë): “Honi i harresës e përpiu veprimtarinë tonë antidiktatoriale në Shqipëri”. Sipas kësaj ideje rezulton që në brëndësi të DSJ na paska ekzistuar nje segment i kundërt me thelbin e veprimtarisë së atij institucioni që realisht përbënte hallkën lidhëse të diktaturës enveriste me institucionet internacionale antishqiptare të atyre kohërave. Por autori e ka krijuar të gjithë këtë fasadë propagandistike në mënyrë artificiale duke pajtuar elementë kontradiktorë sipas kategorisë shkak-pasojë dhe kjo për shumë e shumë arësye. Kryesorja qëndron në faktin e mos njohjes të tërësisë së krimeve të realizuar në territorin shqiptar nga ana e politikës komuniste përgjatë viteve 1943-1991. Mungesa e këtij informacioni mund ta çojë autorin në fantazira të tilla, por vepra kriminale praktike e anëtarëve të DSJ, pavarësisht se në favor të kujt ka qenë veprimtaria, tregon se është e pamundur që në brëndësi të saj ka pasur veprimtari të tillë. Ajo lindi, formalisht, pas vrasjes së Mehmet Shehut ku nostalgjikët e tij u zbuluan dhe spastruan, dikush pretendon se jo plotësisht (Ylli Polovina, Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia, f. 16). Në fakt në këtë pikë qëndron e gjithë tragjedia e mëvonshme e popullit shqiptar të cilën autori i librit tonë e ka anashkaluar me paramendim dhe e gjitha kjo për të mos bërë të nevojshme publikimin e krimeve të kryera nga DSJ të lidhur me veprimtarinë e ishkryeministrit. Është pika që ka përcaktuar përmasën e mungesës së unitetit të popullit shqiptar përgjat viteve të mësipërme dhe shkakun e armiqësisë së popullit shqiptar brënda vehtes, por që anashkalohet edhe nga autori i dytë pa na treguar se si është formuar bota e simpatizantëve krahinorë dhe bashkëpartizanët e Mehmet Shehut (po aty, f. 44) përgjat periudhës më gjakatare të diktaturës. Pra ne duhet të pranojmë se pamja antidiktatoriale e një segmenti të DSJ ka lindur pas 1981, atëhere kur u vra krahu i djathtë i diktatorit në krimet e kryera dhe masha me kryesore e vrasjes së 250.000 shqiptare përgjat diktaturës. Mos kujtoni se vrasja e Mehmet Shehut është e lidhur thjesht me luftën brënda llojit në brëndësi të PPSh; krimi i ndodhur mesnatën e 17 dhjetorit 1981 është sinjali më i parë se diktaturës komuniste në Shqipëri po i vinte fundi. Mehmet Shehu u vra për të mbuluar krimet gjigande të realizuara përgjat gjysmës së dytë të shekullit të XX-të të realizuar nga partia gjakatare. Është e njëjta arësye edhe vrasja e Kadri Hazbiut apo Feçor Shehut një vit më vonë dhe të gjitha këto nuk mund ta justifikojnë mundësinë e ekzistencës së një segmenti në brëndësi të organeve të diktaturës të kundërt me të. Ky është një iluzion politik që kërkon te rihabilitojë baballarët e krimit në Shqipëri dhe ta paraqesë situatën si luftë brenda llojit në brendësi të PPSh. Të gjithë komunistët, pa asnjë përjashtim, janë përgjegjës përpara popullit shqiptar për tragjedinë e ndodhur. Është tjetër punë që populli shqiptar nuk e di përmasën reale të kësaj tragjedie duke qënë i detyruar të pranojë pendesat hipokrite të shërbëtorëve të komunizmit. E kundërta e kësaj duhet të kishte çuar në një luftë civile të tmershme ku më tepër se gjysma e popullit shqiptar duhej të ishte zhdukur. Mos ndodhja e kësaj tregon se dikush ka menduar ndryshe duke llogaritur edhe armiqësinë në brendësi të popullit shqiptar që në vend të shpërthente më 1991, tentoi të realizohej më 1997. Ngjarjet e vitit ’97 patën përmasën e ndodhur vetëm për një arsye të thjeshtë: nuk u lanë hesapet me komunizmin që në 1991. A i duhet dhënë merita njeriut për të dy ato vite nuk e di, por gjithsesi të bëhen llogaritë 1991 është në unitet me 1997 dhe të lidhur si mishi me thoin.
Kufizimi i botëkuptimit të autorit kuptohet kryesisht nga citimet qe ka realizuar në krye të kapitujve ku në vazhdim vlen të përmëndet një ide e I. Krilovit: “Kush i jep kohës, jep dy herë”. Unë nuk e di se çfarë mund të mësojë njeriu prej këtij postulati, por problemi i kohës është problemi më i rëndësishëm për mendimin shkencor botëror dhe problemi më i pazgjidhur. Asnjeri deri më sot nuk ka dhënë një finicion në këtë drejtim dhe të gjitha përfundimet mbi relativitetin e kohës kanë qenë dhe janë spekullime të pafundme duke treguar përmasën reale të kapaciteteve intelektuale që pretendojnë se merren me të. Koha nuk merr, ajo vetëm jep; kërkush nuk mund t’i japë kohës jo dy herë, por as dhe një herë të vetme, sepse në të kundërtën ajo do të kthehej mbrapsht. Ajo çka ndodh me marrëdhëniet e njerëzve midis tyre në funksion të kohës është problemi themelor i shkencës së historisë dhe kërkush nuk ka qenë i aftë deri më sot ta zgjidhë saktë atë. Shprehjet tendecioze me karakter filozofik tregojnë nivelin e dijeve njerëzore në këtë drejtim ku autori ynë bie prè e padijes njerëzore duke e idealizuar historinë e popullit shqiptar nga një gjendje reale në funksion të kategorisë domosdoshmëri-liri në një gjendje ireale abstrakte në fuksion të kategorisë shkak-pasojë pa ditur asnjë përmasë. Koha e eksperimenteve me popullin shqiptar ka marrë fund; tashmë shqiptarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm se e vetmja lidhje që ata mund të krijojnë me Europën politike është faktori kohë, por pa i dhënë asgjë asaj; shqiptarët mund dhe duhet të ndryshojnë kohën europiane si e vetmja mundësi për t’u pajtuar me të në favor të tyre, në të kundërtën ata do të jenë gjithmonë nje qelizë kanceroze me ndikim negativ mbi kontinent.
Piramida njerëzore e shfrytëzimit
Piramida njerëzore e shfrytëzimit
Në kapitullin e XLVI autori vë në dukje faktin se shqiptarët ishin drejtuar nga një njeri cinik me horizont kulturor të kufizuar dhe me gjithë fatin e mbarë ai nuk arriti dot kurrë të kishte një diplomë në jetë. Nuk është e vështirë të kuptohet se fjala bëhet për Enver Hoxhën, por më habit kurajo e autorit për të paraqitur si të vërteta thashethemet e përhapura në popull nga vetë diktatori. Fakti që në këtë drejtim ai asnjëherë nuk tha dy herë njësoj tregon se në këtë pikë fshihet diçka më tepër dhe më komplekse se mos pasja e diplomës, që, në këtë rast, duhet të ishte gjysma e së keqes për mirë. Karakteri antishqiptar dhe antinjerëzor e politikës enveriste nuk është çështje mosarsimimi dhe karakteri individual, ajo është shumë më e thellë dhe duhet të kesh informacion një shekullor që të mund të kuptosh se në çfarë shkolle studioi dhe çfarë konkretisht Enver Hoxha për dy vjet në Paris dhe dy vjet në Bruksel (Monpeljeja dhe konsullata në Bruksel janë shpikje të Enverit për të fshehur se çfarë studioi ai realisht). Është e pamundur të pranosh qënien e diktatorit shqiptar njeri të anglezëve dhe, nga ana tjetër, të pretendohet se ai ka qenë i paarsimuar. Më së paku Enver Hoxha ka mbaruar një shkollë angleze për drejtim shteti nga viti 1932 deri më 1936, adresën e së cilës kërkush nuk mund ta thotë, sepse në të kundërtën ai nuk do të ishte i askujt. Të paktën këtë gjë autori i librit tonë nuk duhet ta kishte survejuar në këtë mënyrë, sepse në këtë rast përmasa e fajit është vetëm e popullit shqiptar, por që shërben për të treguar dhe përmasën e zhvillimit të tij social kur qënka sunduar nga një njeri i paarsimuar, injorant dhe kriminel. Ideja e lidhjes së Enver Hoxhës me anglezët e përjashton mosarsimimin e të parit sipas një shkolle mjeshtërisht speciale.
Në po të njëjtin kapitull autori analizon goditjen e desidencës shqiptare dhe lindjen e inteligjencës së re komuniste, por e gjitha kjo në funksion të vetëlavdërimit të veprës së tij (kjo përbën çfaqjen e rishikimit të domosdoshëm të veprës së tij me dylbi kritikë). Në një faqe a4 autori ndërton pothuajse të gjithë panoramën e krimit komunist kundra popullit shqiptar në planin propagandistik pa qenë i aftë të tregojë shkaqet e persekutimit dhe asgjësimit të gjithseicilit, detyrë të cilët epoka postkomuniste as që e ka filluar, por që bijtë e të pushkatuarve nuk dinë ta bëjnë edhe pse në rrembat e tyre rrjedh gjak i pastër qytetarie, civilizimi dhe atdhedashurie. Autori i librit tonë i ka rrëshqitur këtyre karakteristikave dhe, dashur pa dashur, bëhet pre pikërisht të atyre që i kanë pushkatuar babanë duke harruar detyrën që historia i ka caktuar botës qytetare. Pikërisht difektin më kryesor të rendit komunist autori mundohet ta anashkalojë në pasojën e vet dhe ta paraqesë si virtytin e së ardhmes. Është absolutisht e papranueshme që në një frazë letrare të përmëndet Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta, Mitrush Kuteli, Padër Anton Harapi, Martin Camaj, Lasgush Poradeci, Petro Marko dhe përballë Tyre të vendoset veprimtaria aplikative e komunizmit enverist kur shqiptarët e sotëm, të ushqyer për 50 vjet me idiotizmin e një bote inekzistente, nuk dinë se çfarë të mire i ka bërë kombit shqiptar Poeti ynë Kombëtar At Gjergj Fishta; kur shqiptarët e sotëm të ushqyer me një letërsi antikombëtare për 50 vjet nuk dinë se cila cila ishte bota shqirtërore e Mitrush Kutelit kur nisi dhe mblodhi tregimet e moçme shqiptare e përse populli shqiptar kishte nevojë për to (botimi i veprës së tij më 1991 në pesë vëllime ishte një falje hipokrite që pushteti komunist i bëri emrit të Mitrush Kutelit); kur shqiptarët e sotëm të ushqyer për 50 vjet me një propagandë thellësisht antinjerëzore as që e njohin veprën brilante të Padër Anton Harapit në asnjë përmasë, por, akoma më keq, shqiptarët e sotëm as që e dinë se plumbat që i muarën jetën klerikut patriot tentuan të mbulonin veprën madhore për unitet kombëtar që kleriku realizoi për sa kohë ishte anëtar i regjencës më 1943-1944 duke qenë shumë më gjurmëlënëse se të 50 vitet e regjimit antishqiptar të Enver Hoxhës, çka dhe i hëngri kokën; kur shqiptarët e sotëm të ushqyer për 50 vjet me një pseudoletërsi as që ja kanë haberin se kush është Martin Camaj, çfarë përfaqëson ai në lëmin e letërsisë së popullit shqiptar dhe përse vepra e tij është e lidhur me vëndlindjen vend të cilin bandat komuniste e masakruan në bashkëpunim me armiqtë e kombit shqiptar në vitet 1944-1948; kur shqiptarët e sotëm të ushqyer për 50 vjet me përrallat e letërsisë bolshevike nuk e dinë se Lasgush Poradeci ishte poeti lirik më i madh europian i shekullit të XX-të dhe përbuzja që rendi komunist e Enver Hoxhës i bëri veprës së Tij ishte në të njëjtën kohë përbuzja që ai rend i bëri letërsisë së Kombit Shqiptar; kur shqiptarët e sotëm të ushqyer për 50 vjet me mashtrime e gënjeshtra të pafundme nuk e dinë se një ndër shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë të shekullit të XX-të Petro Marko mori me vete në varr një ndër sekretet më të mëdha të komunizmit shqiptar të lidhur me luftën në Spanjë, të cilin ja pati trasmetuar edhe të birit, mbi çbazë u persekutuan gjithë jetën babë e bir (lidhjen e Luftës së Spanjë më 1936 me figurën e Mehmet Shehut). Zbërthimi i veprës së këtyre personaliteteve kombëtare kërkon fakultete të tëra dijesh, që universitetet shqiptare nuk janë të aftë ta realizojnë në asnjë përmasë. Ja përse të gjitha këto probleme nuk mund të anashkalohen me një faqe dhe autori nuk ka të drejtë të vazhdojë përbuzjen e regjimit komunist me metoda të tjera ndaj lavdisë së Kombit Shqiptar.
Në kapitullin e fundit, në vend të pasthënies, autori ka evidentuar një fakt të shtrëmbër, që diktatori shqiptar e kishte mjaft për zemër, të cilin po e citoj të plotë: “Por ç’ndodh në Shqipërinë e shek. XXI, e cila ka intelektualë aq sa kishte banorë monarkia?”. Autori nuk ka kuptuar një gjë nga e gjitha ajo që ka shkruar: një frazë e vogël e përmbys të gjithë veprën sado e madhe që të jetë ajo. Në këtë pikë qëndron i gjithë mashtrimi që Enver Hoxha realizoi me anë të dialektikës ku ligji i kalimit të sasisë në cilësi jo vetëm që u keqinterpretua, por ai u bë promotori i të gjithë politikës komuniste dhe është subjekti me të cilin krenohen komunistët e vjetër dhe postkomunistët e rinj. Tentativa për të paraqitur si arritje në zhvillimin social të popullit shqiptar numurin e madh të intelektualëve të krijuar nga regjimi komunist është e dështuar me ngjarjet e zhvillimit ekonomik në brëndësi të popullit shqiptar përgjatë viteve 1992-1996 ku u dalluan mirëfilli dy tërësi ngjarjesh të lidhur pikërisht me botën intelektuale post komuniste. Nga njëra anë dualën në pah forcat e vërteta zhvilluese të popullit shqiptar, të cilët me anë të punës krijuan të mira materiale sa kishte krijuar populli shqiptar për 45 vjet me anë të diktaturës (ato vite kanë qenë vitet më të mrekullueshme të jetës sociale të popullit shqiptar pas 1945, aspak si refleksione dialektike të diktaturës). Nga ana tjetër ato vite treguan se çfarë kapaciteti kishte intelektuali shqiptar i të gjitha fushave ku klasa e tyre u zhyt e gjitha në skamje pikërisht për paaftësi intelektuale. Ky fakt ka qenë një ndër shtytjet më kryesore të ngjarjeve të 1997, ku mund të dallojmë grabitjen shumë përmasore që klasa e intelektualëve realizoi përgjat atij viti e në vazhdim. Të paktën kjo ka qenë gjëja më e dukshme e veprës së intelektualëve të Enver Hoxhës në ngjarjet e 1997 e në vazhdim (për ta thënë më saktë kjo klasë vodhi pikërisht atë që krijuan njerëzit punëtorë (jo klasa punëtore) të Shqipërisë në periudhën 1992-1996). E nëqoftëse ne do të analizojmë tërësinë e intelektualëve sipas ligjeve të dialektikës do të dallojmë se pikërisht sasia tepër e madhe e tyre ka çuar në cilësinë tepër të keqe të klasës së intelektualëve të epokës komuniste mbi të cilët bie i gjithë faji i tragjedisë së popullit shqiptar në vitet 1997. Për këtë problem ideja e autorit është e pasaktë dhe kjo vjen jo thjeshtë nga përgatitja e tij botëkuptimore, por nga qëllimi për ta vënë në dukje. Analiza e përmbajtjes njerëzore të klasës së intelektualëve të epokës komuniste është e lidhur pikërisht me krahinën nga e ka prejardhjen autori ynë dhe ai me këtë kërkon të krijojë një aureolë lavdie të asaj klase a thua se populli shqiptar nuk e di se ai segment i inteligjencës shqiptare është i lidhur me krimin kundra popullit shqiptar. Nuk ka qenë e rastit që gjeneralët e kolonelët e luftës civile 1943-1948 e kishin prejardhjen e afërt nga Zona e Parë Operative dhe nga familjet e tyre lindën intelektualët e shumtë që suprimuan, nga ana sasiore, inteligjencën e para 1945-sës. Por autori nuk e thotë se këta intelektualë, që ishin më të shumtë se popullata shqiptare e kohës së monarkisë, nuk ishte e aftë të luante as levën e Arkimedit e jo më të krahasohej me intelektualët e kohës mbreterore. Është njësoj si të krahasohet nata me ditën, apo vdekja me lindjen. Një Ismail Kadare nuk është i aftë ta përmbysë realitetin historik dhe kjo përbën në realitet tragjedinë reale të popullit shqiptar në fillimet e mijëvjeçarit të tretë.
Por libri i autorit Agim Hamiti “Odiseja e një dedektivi” ka shërbyer si trampolin për të krijuar një libër tjetër me antihistorik se i pari me autor Ylli Polovina: “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”. Autori kërkon t’i mbushë mendjen popullit shqiptar se vrasja e Mehmet Shehut e të tjerëve, më vonë, ishte luftë brënda llojit dhe triumfi i Ramiz Alisë tregonte se ai kishte gisht në aktin e 17 dhjetorit. Unë e kuptoj shumë mirë se Ylli Polovina kërkon të luajë rolin e të paditurit duke kujtuar se historia e Popullit Shqiptar fillon me komunizmin e Enver Hoxhës dhe këtë kërkon t’ja imponojë lexuesit si një të vërtetë absolute. Kush e ka studiuar historinë e partisë përgjatë periudhës 1943-1985 nuk e ka të vështirë të kuptojë se mbi popullin shqiptar kanë vepruar dy vektorë të diktaturës njëri prej të cilëve ka qenë i Enver Hoxhës dhe tjetri i Mehmet Shehut. I pari ka qenë mëndja e diktaturës, por i dyti ka qenë dora e saj dhe vrasja e tij më 17 dhjetor 1981, ka qenë një lehtësim për familjarët e 250.000 viktimave të komunizmit. Nuk ka të drejtë asnjë njeri në Shqipëri të flasë me entuziazëm për pjestarët e komunizmit shqiptar, anëtarët e së cilës kanë qenë nga i pari deri tek i fundit keqdashësit e popullit tonë. Në këtë pikë duhet parë përse kthesa politike e 1992, u bë pa gjak dhe e kaluara u harrua me kaq lehtësi. Unë ndoshta dhe mund të gaboj, por roli i Ramiz Alisë duhet konsideruar kryesor dhe me këtë ai ka larë një pjesë të fajit si pjestar i piramidës komuniste, rol të cilin nuk mund ta kryente asnjë prej nolastalgjikëve të Mehmet Shehut dhe shokëve të tij të armëve. Libri i Ylli Polovinës kërkon të fshehë botën e krimit komunist dhe ta paraqesë atë si pasojë e luftës së klaneve brenda partisë. Është një pamje e gënjeshtërt, pasi Zeusi shqiptar i përkiste një kapaciteti të tillë intelektual sa nuk do të lejonte asnjë klan të drejtonte Shqipërinë përveç atij dhe familjes së tij. Enver Hoxha ka luajtur me të gjithë vartësit e vet si macja me miun dhe lexuesi duhet ta marrë me mënd se sa minj duhet për të mposhtur një maçok.
Nga e gjithë përmbajtja e librave të mësipërm unë konkludoj se libri i Agim Hamitit shërben për të argumentuar se si është armiqësuar populli shqiptar brënda vetes dhe çfarë duhet të bëjmë sot për të riparuar antishqiptarizmin politik të komunizmit. Ka ardhur koha të shpaloset parimi i krishterë: Dikush duhet të falë! Këtë nuk mund ta bëjnë kurrsesi shpellarët, por Qytetarët e Vjetër ndoshta po (jo qytetarët e epokës komuniste), është detyra e tyre për të ndrequr historinë.
.
Albanovaonline·E Diele, 14 qershor 2020
(26 qershor 2011)
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.