back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Si e jetova Stambollin në tri ditë… (2011) – reportazh nga Fatmira Allmuça

Gazeta

Me nipin tim në Stamboll
Me nipin tim në Stamboll
Si e jetova Stambollin në tri ditë… (2011)
reportazh nga Fatmira Allmuça

…mëngjes qershori i qetë, nga ato ditë kur ti më së fundi punon pa u trazuar nga askush dhe papritur të vjen një telefonatë dhe të pyesin: “…e hape e-mailin? Është urgjente, ngjitu lart…!”. Në fakt e kisha lexuar e-mailin, por nuk i kisha dhënë rëndësi. E dija që më “sulmonin” dhe nuk i merrja më seriozisht ftesat… Nuk ktheja as përgjigje. Biles, sapo isha shprehur në një zyrë drejtori, ku rrinin të gjithë “grup”, si në kafenè: “…Ju më sulmoni në grup se “tek e tek”… “ju thyej brinjët…”, duke i lënë me “gojën hapur” dhe u largova pa pritur të merrja një përgjigje…
Kishte të drejtë një miku im G. M. kur më thoshte: “Ti je e drejpërdrejtë… duhet të mbetesh shumë e fortë dhe… prit pasojat, sidomos në përballjet me meshkujt në pozita drejtuese. Në përgjithësi meshkujt i kanë “frikë” femrat “e forta” se nuk i menaxhojnë dot!” Nuk i heq as edhe një presje, kësaj thënieje.
Ngjitem lart dhe dikush nga Kabineti më thotë se duhet të nisesha me urgjencë në takimin e COI-t (Këshilli Ndërkombëtar i Ullirit), që këtë herë do të mbahej në Stamboll. Në fakt e dija një gjë të tillë, që nga Nëntori i vitit të kaluar, kur në takimin e përvitshëm të COI-t, delegacioni Turk kishte shprehur dëshirën që Turqia të ishte vendi pritës i takimit të radhës.
Pasi nuk mori asnjë përgjigje nga unë, më thotë: “Kanë telefonuar nga Madridi dhe duan një përfaqësues që e njeh fushën. Ndër të tjera përmenden emrin tënd, duke shtuar se ke që nga 2009 që përfaqëson Shqipërinë në këtë organizatë”. “Është e vërtetë i them por, po aq e vërtetë sa më kanë zëvendësuar, pasi duhet “pozicion i lartë” përfaqësimi… Pak rëndësi ka nëse e njohin fushën përkatëse apo jo. Edhe në rastin konkret, më duket sikur jeni Ju përfaqësuesi”. Këtë herë ishte heshtje nga ana tjetër. Duke mos dashur të vazhdoj me këtë situatë të nderë, shtoj: “Për më tepër, mua nuk më lejon drejtori të merrem me aktivitete se ka “konflikt interesi” me pozicionin e punës”. Përgjigja ishte e menjëhershme: “Ku është konflikti këtu? A nuk je ti përgjegjëse e sektorit dhe eksperte e fushës? A nuk ke marrë pjesë rregullisht në çdo takim të COI-t?! Gjithsesi, ti bëj gati shkresat se me të tjerat merrem unë”. Kaq ishte.
Në fillim të Korrikut duhej të isha në Stamboll. Puna e parë që bëj ishte telefonata me nipin tim ErHat… që jeton prej vitesh në Stamboll, për ta pyetur nëse do të ishte aty në ditët e qëndrimit tim. U gëzova shumë kur më tha që do të ishte. Kisha vendosur që pasditet do t’i kaloja me të dhe kështu do të kisha mundësi që pas takimeve të gjata të paradites, të mund të vizitoja Stambollin e vërtetë.

Në Muzetë e Stambollit
Në Muzetë e Stambollit
Dita e parë…

Sapo zbrita nga avioni nisem direkt për tek taksitë, meqë ErHat më kishte sugjeruar të merrja një taksi deri në hotel, pasi do të më priste aty. Duke ecur e shkujdesur, sytë me hasin një siluetë të gjatë që më bëri të kthej kokën. Ishte ErHat. Duke mos e pritur ta takoja në aeroport vrapoj drejt tij dhe i them: “Ke kohë që pret?” Ai qeshi i surprizuar dhe më tha se rastësia është e çuditëshme. Kishte ardhur edhe pse e dinte që në atë aeroport gjigand edhe mund të mos takoheshim, duke shtuar: “Sapo erdha. Në momentin e fundit vendosa të vij në aeroport. Isha vonë dhe meqenëse nuk të kisha thënë, i thashë vetes se po të ishte e thënë që do të takoheshim në aeroport, do të ndodhte dhe nëse jo, do të kthehesha me taksi në hotelin ku do të rrije”. Kjo ishte surpriza e parë e Stambollit.
Mbërrijmë në “Grand Cevair Hotel”. Ishte hotel me 5 yje. Holli ishte plot me të ftuarit e takimit. Ishin përfaqësues nga rreth shtatëmbëdhjetë shtete, shumicën e të cilëve i njihja më herët. Kjo për faktin e thjeshtë që ishin përfaqësues pothuaj “të përhershëm” të shteteve të tyre respektive në takimet e përvitshme të COI-t. Në takimin e nesërm, pashë që kishin ardhur edhe përfaqësues nga kompanitë private të shumicës prej shteteve prodhuese/eksportuese të ullirit dhe vajit të ullirit si dhe ato nga vende importuese, siç ishte dhe çifti japonez, miq të mirë të mitë që nga takimet e Madridit. Në të tilla takime, ku prania e njerëzve është e madhe dhe interesat të mirpërcaktuara dhe ku sejcili krijon “lob-in” e vet, është shumë e rëndësishme të kesh njohje, përndryshe mbetesh i mënjanuar dhe takimet kthehen në të mërzitëshme. Në këtë drejtim isha me fat. Kisha njohje të mjaftueshme dhe me interesa të përbashkëta që shërbenin në votimet për vendim’marrjen e politikave të fushës.
Delegacioni Turk i kishte marrë të gjitha masat që pritja të ishte e një niveli të admirueshëm. Përshtypja e të gjithë pjesmarrësve ishte më shumë se pozitive. Çfarë promovimi i rëndësishëm për Turqinë! Shumica vinin për herë të parë dhe ishin të mahnitur nga pritja dhe “niveli ekonomik” i Turqisë. Ky veprim i delegacionit Turk, përveç të tjerash, tregon dashuri për vendin.
“Ja arrite qëllimit” – i them Ahmetit, një prodhuesi turk që ishte ndër më aktivët e delegacionit Turk. Qeshi i kënaqur dhe më tha: “Të kujtohet që të kam thënë që në 2009 se një ditë takimi do të ishte në Stamboll? Ja ku jemi! Jam më shumë se i kënaqur.”. Ahmeti ishte i palodhur dhe i kudogjendur në çdo tavolinë. Me sy të qeshur “rekomandonte” ushqimet turke “për të lëpirë gishtat”… Dhe kishte të drejtë. Filloi në masë “lëpirja e gishtave”. Ahmeti që insistonte për të provuar gjithçka servirej. “Nuk mundem më, i them. Jam e ngopur dhe në darkë dua të dal me nipin dhe të provoj ushqimin në restorant”.
Në orën e caktuar, ErHat më priste në holl dhe morëm bashkë rrugën drejt qendrës së Stambollit. Nuk kishim zgjedhur restorant. Do të ndalonim ku të na mbushej mendja. Ishte ditë e bukur me diell dhe ju luta të ecnim në këmbë sado që të zgjaste rruga dhe ashtu bëmë. Rrugës ErHat më tregonte detaje që i shoqëronte me faktet historike. Ndeshëm në një mur të lartë dhe ErHat më thotë: “Aty mbrapa murit janë varrezat e armenëve të vrarë gjatë Luftës së viteve 1920. Janë shumë varre, më thotë, dhe me sa di janë mbi njëmijë. Turqia është shtet tolerant dhe i respektueshëm. Kjo varrezë ze një sipërfaqe të konsiderueshme dhe asnjëherë nuk kanë menduar për ta “eliminuar…”. Vite më vonë, Turqia do të akuzohej për genocid ndaj armenëve…
“Kthjeje kokën djathtas”, më thotë ErHat, pasi kishim bërë një copë të mirë rruge. “E sheh atë shtëpinë me fasadë me ngjyrë rozë dhe që ka një pllakat të vogël?”, “Po” i them. “Është shtëpia ku ka jetuar për një kohë Ataturku. Është shtëpi e zakonshme, por e kanë ruajtur me fanatizëm, si çdo gjë që lidhet me të…”, vazhdoi ErHat.
Në të dy anët e rrugës, plot me dyqane dhe restorante të vegjël familjare… vetëm burra pashë të pastronin dhe servirnin. Macet flinin të patrazuara “si për shtate palë qejfe”. Sikur të më lexonte mendimet ErHat. më thotë: “Turqit i duan shumë macet dhe kujdesen për to. Nuk sheh mace të pista apo të uritura në rrugë”. “Po, pse ka vetëm burra që pastrojnë dhe shërbejnë?”, i them. “Thjesht se respektojnë gratë, – më tha ErHat. – Këtu pothuajse nuk sheh kurrë gra që pastrojnë dhe shërbejnë në rrugë” shtoi ai. Si për të vërtetuar këtë, del nga një restorant një burrë që me fshesë dhe detergjent, pastronte rrugën përpara restorantit. “Turqit janë shumë të pastër” me thotë përsëri ErHat dhe vazhdoi, “Mua më pëlqen ushqimi i detit që servirin në rrugë, e konsumoj pa frikë se është i fresket, i gatuar si “specialitet” dhe pastër. Meqë jam “klient” i rregullt, kam patur privilegjin të shoh dhe vendin dhe mënyrën e gatimit”. Më vonë i dhashë të drejtë për këtë, kur në Sheshin “Taksim”, provuam këto specialitete deti…
E besoj ErHat pasi në pamje, meqë është rreth dy metra, të jep përshtypjen e një “hamësi” të madh. Në fakt është nazeli në të ngrënë dhe i pëlqejnë gjërat “fine”. Çdo dhuratë e vogël e sjellë për gjyshen, do të ishte kafe dhe ëmbëlsira tipike nga “markat” më të hershme dhe më në zë të Stambollit. Edhe shija në të veshur është disi e veçantë… Kishte veshur një palë pantallona lino me ngjyre blu në gri, aq të gjata sa pothuajse i mbulonin mokasinat prej lëkure në ngjyre ulliri të errët. Më vonë mora vesh që mokasinat ishin bërë enkas me porosi dhe ishin punim artizanal. Mbi pantallona, një bluzë e gjatë po prej linoje me ngjyrë të bardhë si në qumësht me dy xhepa të mëdha dhe që ndahej me trastën prej bezeje që i varej shkujdesshëm nga qafa… Me flokët e gjata të kapura bisht dhe me mjekërr, tërhiqte vëmendjen. Nuk do e kisha vënë re veshjen, sikur të mos shihja shumë vajza që ta shihnin në “kokërdhok të syrit” pa ju “dridhë qerpiku”
“Ej, i dashur, nuk i sheh këto goca të bukura që të shohin me interes? “Hudhu, pra… dhe po qeshja me zë. ErHat u skuq dhe m’a ktheu: “Pse si i konsideron turket? Si të prapambetura? dhe vazhduam të qeshnim të dy kësaj here… Kjo ishte surpriza e dytë e Stambollit, që përsëri e kisha falë ErHat.
Kishim ecur goxha rrugë dhe ndiheshim paksa të lodhur. Ishim pranë “Xhamisë Blu” dhe kishte rënë muzgu. Përreth dëgjohej muzikë live dhe vendosëm të darkojmë aty në një vend të hapur me kërcimtar “sufi”. Muzikë dhe ritëm vallzimi të mrekullueshëm. Kërcimtari “sufi” ishte një djalë i ri që rrotullohej më kokën e përkulur anash, në veshjen tipike që i ngjasonte një çadre gjigande në lëvizje. Aq shumë ishim dhënë pas shijimit të kësaj bukurie, saqë harruam të porositnim. Kamarieri priste me durim. ErHat i foli në turqisht dhe atij i qeshën sytë. Më pas ErHat më thotë: “Porosita të sillte ushqimin më tipik të Stambollit dhe të sillte pak nga të gjitha… Tani e dinë vetë këta se janë mjeshtra si në servirje ashtu edhe “për të ta hedhur…” Në fakt, nuk u zhgënjyem. Pafundësi pjatash. Porcione të vogla por të shumëllojshme. Salcat nga më të ndryshmet dhe japraku ishin në mesin e tavolinës. Mishi qebab dhe qofte të servirura me sallaturina deri në mëlçi dhe shpretka të mbushura. Zarzavate të gatuara mrekullueshëm dhe birra pa alkol! Embëlsirat ishin të lehta dhe në porcione shumë të vogla, por të shumëllojshme. Nuk mbaj mend sa kohë kaloi kur, papritur, u errësua edhe më shumë ngaqë retë mbuluan tërësisht qiellin. Njerëzit filluan të largohen me shpejtësi sapo ca pika të mëdha shiu filluan të bien zhurmshëm. Në më pak se dy minuta pjatat u mbushën me ujë shiu dhe vendi u boshatis. Ne të dy u futëm brenda në restorant dhe kërkuam me sy kamarierin që na priste me llogarinë “gati”… Kërcimtari vazhdonte ritmin e tij edhe nën pikat e shiut. Mos nxito, me tha ErHat: “I sheh ato shitësit ambulantë që shesin shalqinj dhe tranguj? Poshtë tezgës kanë çadra. Shiko tani kur të “ulin” trangujt dhe shalqinjtë dhe të nxjerrin çadrat. Janë mësuar me kohën e paqëndrueshme të Stambollit dhe dinë si të përfitojnë…”. Ashtu ndodhi. Blemë dy çadra dhe u drejtuam drejt sheshit “Taksim”, aty ku banonte ErHat. Pa e kuptuar ora kishte kaluar dhjetë e mbrëmjes dhe kështuqë i nxjerrim dorën taksisë më të parë dhe direkt në Hotel. I thamë natën e mirë njeri-tjetrit dhe e lamë të takoheshim të nesërmen në “Taksim”, sapo të mbylleshin takimet zyrtare të mëngjesit…

Stambolli me pamje nga deti
Stambolli me pamje nga deti
Dita e dytë…

Mbledhja e radhës e mëngjesit ishte intensive. Diskutime dhe vendimmarrje për t’i lënë vend votimit të marrëveshjes nen për nen. Takimi përfundoi më parë seç ishte parashikuar, pasi dreka do të servirej në anije. Në holl po bisedoja me Mercedesin, një përkthyese nga Madridi, e martuar në Stamboll. Grua e këndshme dhe me botë. Ishte e dashuruar me burrin dhe me Stambollin, siç më thoshte me shaka. Në fakt, telefonoi të shoqin dhe e ftoi të vinte me ne në drekë. Pas rreth njëzet minuta, ndërsa ishim në pritje të autobuzit që do të na çonte në port, i shoqi i Mercedesit mbërriti në holl. “Hajde të të prezantoj me “Turkun tim” më thotë Mercedesi lirshëm dhe menjëherë u gjendëm përballë një burri të zeshkët me mustaqe. Kishte sy të qeshur dhe shumë miqësorë. Më shtërngoi dorën fuqishëm, sikur të njiheshim prej vitesh dhe të tre u drejtuam për nga autobuzi, të ndjekur nga çifti japonez dhe si gjithmonë “turqit” e delegacionit.
Dreka në anije ishte e thjeshtë. Peshk, zarzavate, ëmbëlsirë, fruta dhe verë. Asnjë nuk po i kushtonte rëndësi të ngrënës. Pamja ishte befasuese. Shtëpitë e stërmëdha me arkitekturë të veçantë që shtriheshin hijerënda përgjat gjithë bregut na kishin lënë “me gojë hapur”. Isha afër me çiftin japonez dhe gruaja, Hidemi, e entuziazmuar që në çdo moment më thoshte: “Fatmira, e sheh atë shtëpinë aty… kushton pesëdhjetë milion… e sheh atë tjetrën është mbi tetëdhjetë milion… Ohoooooo, ajo tjetra vlen më shumë se njëqint milion… Kush na ka gënjyer që Turqia është e prapambetur?!” Qeshje pa fund… Si gjithnjë nuk mungonte Ahmeti “triumfator” dhe që gëzonte si fëmijë me entuziazmin tonë. Sikur të na kishte kuptuar, pasi me çiftin japonez flisja në italisht, meqë kishin mbi dyzet vite që jetonin në Romë, Ahmeti na thotë: “Këto shtëpi janë rindërtuar disa herë, pasi janë djegur në vite nga zjarret e shumta që kanë shkrumbuar Stambollin…” Megjithëse nuk e vumë në dyshim atë çka na tha Ahmeti, dukej e pabesueshme të ishte e vërtetë… Bukuria dhe madhështia e këtyre vilave, nuk linte të dukej asnjë gjurmë e tillë…
Pasdite, takohem me ErHat, që më fton të shetisim në pjesën tjetër të qytetit dhe me këtë rast mund të shikoja metronë e Stambollit. Mozaikët e metrosë më befasuan. Metroja, ndër më të vjetrat në botë, ndërtuar që në kohën e Perandorisë Osmane, ishte rinovuar jo shumë kohë më parë me standarde dhe parametra më shumë se cilësorë. Pastërti absolute. Kur ke “guidë” dhe jo orare të fiksuara takimi, nuk të intersojnë stacionet… Ke mjaftueshëm kohë të vëzhgosh atë që të intereson. Pasi përshkruam urën, kaluam në pjesën e vjetër historike të qytetit që ishte në distancë të konsiderueshme nga “Taksim”. ErHat me sigurinë dhe njohjet si të një vendasi të vërtetë më ndaloi përpara një shtëpie të stërmadhe me fasadë të bardhë, ku gërshetohej druri me pjesët e suvatura dhe me ballkon tipik të ngjitur si vazhdim/dalje e katit të dytë. M’u duk sikur isha para shtëpive të Beratit… “Në këtë ndërtesë, – më tha ErHat, – ka punuar Hoxha Tahsin. Turqit ja dinë vlerën si dhe janë të kujdesshëm për historinë. Ja ku e ke dhe bustin e tij në cep të shtëpisë që është e mbrojtur si monument kulture, për vlerat e ndërtimit dhe ato historike…” Sikur të mos mjaftonte kjo, pemët hijerënda përreth, ishin aq të vjetra sa dhe koha që flitej… U përlota. Ne vetëm sa kemi mësuar diçka nga aktiviteti i tij në historinë shkollore. Është një shkollë dhe rrugë me emrin e tij, por nuk di të kemi bust… megjithëse, ai ka qenë themeluesi i Komitetit për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Stamboll, përveç të tjerave…
Në kthim, kur po ripëshkronim urën, në distancë dukeshin anije të ankoruara. ErHat më tha se ai ishte pikërisht vendi ku Kemal Ataturk, i bëri qëndresë të hekurt aleancës së shteteve në luftën për pavarësinë e Turqisë, gjatë procesit të “mbylljes” së Luftës së Parë Botërore…” “Si ka mundësi që Ai (Kemal Ataturk) nuk ka pranuar kurrë origjinën shqiptare?” i them unë, aty për aty. “Shumë e thjeshtë, më tha ErHat, kur Kemal Ataturk mori komandën dhe i bëri thirrje trupave turke për rezistencë, nëqoftëse turqit do të kishin “fijen” më të vogël të dyshimit se ai nuk mund të ishte Turk, rrezikonte të mos ndiqej prej tyre. Turqit janë fanatikë të origjinës së tyre… Mendoj që edhe më pas, nuk pati vlerë të deklaronte nëse ishte apo jo shqiptar. Ai, megjithëse nuk e ka deklaruar, nuk e ka mohuar një fakt të tillë…” Argumenti i ErHat m’u duk bindës. Ky fakt m’u kujtua, kur në vizitën e parë në Stamboll, i kishim bërë një pyetje të tillë ciceronit, në Dollmabahçe Palace, në pavionin kushtuar Kemal Ataturkut, pikërisht aty ku dhe kaloi vitet e fundit të jetës së tij dhe ai na u përgjigj se nuk është konfirmuar kurrë një fakt i tillë rreth origjinës…
Duhej të ktheheshim shpejt në Hotel, pasi ishte programuar darka në një restorant që ErHat me tha se ishte luksoz. Rrezikova. Nuk do të kthehem në hotel i them ErHat Do të vazhdojmë “turin” dhe unë do të shkoj direkt në restorant. Nuk më duket vetja e veshur keq, shtoj duke qeshur. Ashtu bëmë. Do të takoheshim përsëri pas mbarimit të darkës, për të vijuar me “vizitën” e plotë të “Taksim”…
Restoranti ishte me të vërtetë luksoz. Që në hyrje varej nga katet e sipërme një lampadar i stërmadh prej kristalesh. Tavolina në dukje antike, me ornamente të gdhendura me ngjyrë ari të praruar, mbante një vazo të madhe kristali me lule shumëngjyrëshe. Më pas na thanë se tavolina ishte e larë me flori “të vërtetë”. Ndriçimi anësor, po me “veshje” kristali, i jepte ngrohtësi ambjentit. Në hyrje na priti menaxheri kryesor, mjaft elegant që me buzëqeshje n’a drejtoi tek tavolinat e rezervuara. Pasi zumë vendet tona, filluam të “studionim” arredimet e restorantit. Tavolina, ku isha ulur, ishte në katin e dytë dhe faqja anësore ishte mur prej xhami nga ku “varej” lirshëm një tapet i “gjallë” bari jeshil me lule natyrale “po të gjalla” shumë delikate. Ndarja e tavolinës nga kjo faqe muri ishte me “parmakë” metalike duke të mundësuar hapsirën dhe soditjen. Shërbimi ekselent. Në çdo servirje, kamarierët “mbikqyreshin” nga menaxheri elegant i kudondodhur me buzëqeshjen e tij të ëmbël. Në një moment i them Hidemit që nuk më “shqitej”, për shkak të komunikimt në italisht: “Jam e bindur që menaxheri është “arnaut”, pa e vënë re që ishte mbrapa meje dhe shërbente verën. “Po, jam shqiptar nga Prizreni” dhe quhem Ramadan. Më dha dorën “ala” shqiptarçe duke dalë jashtë “protokollit” të shërbimit. Ka shumë shqiptarë në Stamboll, më tha. Do të ishte pikërisht Ramadani që sapo mbaroi darka, na u vu në dispozicion të na tregonte detajet e arredimit të restorantit. Ramadani ishte surpriza e tretë e Stambollit…
Pas darkës, u takova me ErHat dhe vazhduam “turin” tonë në sheshin “Taksim”. Pasi u “zhytëm” në rrugicat e Taksim me aroma të mrekullueshme gatimesh në rrugë, u drejtuam për tek Galata Tower. Nuk lamë dyqan “me emër” pa vizituar… që nga kafeja e deri tek ëmbëlsirat e frutat e thata… Marka të njohura që para viteve 1900, disa syresh edhe më të hershëm. Në një moment ErHat më thotë: “E sheh atë kishën prapa kangjellave të hekurit? Është kisha katolike e Sant Antonios. Është në funksion dhe në “zemër” të Stambollit”. “Ndoshta është kjo arsyeja, i them, që me tolerancën e vet, arritën të “bindin” Vatikanin dhe të ndërtojnë xhaminë e tyre në Romë”. Pak para mbërritjes, kur në sfond dukej kulla, shohim një grumbull njerëzish që kërcenin në ritmin e një muzike të mrekullueshme. U afruam dhe para turmës, fare pranë orkestrantëve, pamë një vajzë të bukur, ulur me këmbë të mbedhura kryq, që kërcente vetëm me lëvizje të shpatullave dhe kokës sipas ritmit. Lëvizjet ishin aq elegante sa nuk mund t’ja shqisje sytë…
“Ky është një ndër “grupet e rrugës” më të mira në Stamboll”, më tha ErHat “Së fundmi kanë dhënë intervistë në një nga kanalet më të njohura të Stambollit dhe u shprehën se kanë refuzuar ftesën të jenë grup i ftuar në emisione, apo të marrin pjesë në koncerte muzikore të organizuara, pasi nuk mund të “tradhtonin” fansat e rrugës… Janë grup dinjitoz, pasi inçizojne dhe shesin vetëm këngët e tyre”. Ishin katër të rinj me instrumenta dhe vetëm njëri ishte solist. Zë i mrekullueshëm. Njerëzit përreth kërcenin dhe duartokisnin pambarim pas çdo kënge. Paguaj dhjetë euro dhe marr një kasetë me inçizimet e tyre. “ErHat i them, po të turpërohesh nga unë, ktheje kokën në anën tjetër dhe bëj sikur nuk je me mua. Nuk rezisoj dot dhe do të kërcej…” dhe ashtu bëra. Kërceva në qejfin tim pa u trazuar nga askush. Sejcili ishte i “zënë” me shijimin e tingujve dhe zërit të magjishëm dhe vetëm njerëzit, që nga trami që kalonte përmes “Taksim-it”, na shihnin qetësisht… Nuk mbaj mend sa kohë kaloi, por ishte plotësisht natë kur u afruam tek Galata Tower që me ndriçimin përreth saj, të bënte të besoje se kishte ende kohë të ngjiteshe në brendësi. Thjesht kisha humbur shansin të ngjitesha lart… “Kthehemi nesër, nëse do të jetë e mundur” – më thaErHat.
Asnjëri nga ne nuk u kujtua për orën. Aroma e tezgave të çponte hundët dhe ErHat pa hezitim më thotë: “Është momenti i midhjeve të “tezgës”…

Një drekë me kolegë, specialistë të ullirit...
Një drekë me kolegë, specialistë të ullirit…
Dita e tretë…

Sapo u hap takimi i mëngjesit, na bënë me dije që pas votimit do të bënim një vizitë në pjesën “aziatike”, Bursa. Do të vizitonim një fabrikë përpunimi të ullirit të tavolinës dhe që ishte ndër më të mëdhatë në Turqi. Ishte kohe e bukur dhe udhëtimin me anije për kalimin në anën ‘”tjetër” e bëmë nën një diell përvëlues. Sapo zbritëm na priste autobuzi që do të na çonte në fabrikë. Në të dy anët e rrugës shtriheshin ndërtesa të një stili disi të çuditshëm. Ndërsa shihja nga dritarja, më thotë njëri nga grupi turk: “Në fakt kjo sipërfaqe që shikon, rreth njëzet vite më parë ishte thjesht sipërfaqe bujqësore e lirë dhe e gjelbëruar. Njerëzit filluan të ndërtojnë pa leje dhe në njëzet vjet nuk mundëm jo vetëm t’i ndalojmë, por bëmë gabimin e pafalshëm që i “legalizuam” dhe më pas urbanizuam. Rezultati: Qeveria u “dorëzua” dhe tani kemi kaos urbanistik dhe pamje jo tërheqëse. Mbi të gjitha fitoi “anarshia” dhe humbi bujqësia, sidomos agroturizmi, që do të ishte mundësi ideale zhvillimi për këtë zonë. Tani edhe vetë ata që kanë ndërtuar e ëndërrojnë që ky vend të ishte si më parë”. Qesha dhe thashë me vete: “As këtu nuk m’u nda çështja e pronës dhe e ndërtimeve pa leje…” Me zë i përgjigjem: “Fatkeqësisht, nuk i shmangesh dot procesit demografik…”
Fabrika ishte gjigande. Hapsira pa fund ku ishin instaluar çisternat e nëndheshme me ullinj të përpunuar të disa varieteteve. Na u tha që pjesa më e madhe e prodhimit eksportohej.
Të veshur me përparëset dhe kapuçin transperent në respekt të rregullave higjenosanitare, bënim shaka me njëri tjetrin. Disa dukeshin qesharakë nën këtë veshje dhe e kishin humbur “prezencën” me kostum dhe kollare. Sejcili mundohej të “kapte” pa mendje njëri-tjetrin në shkrepjet e aparateve. Pas vizitës dhe pyetjeve të rastit, pritja ishte organizuar në hollin e fabrikës. Ambjente me arredim klasik dhe në faqen më të dukshme varej portreti i punuar në mëndafsh i Kemal Ataturkut.
Tavolinat ishin “stiluar” aq bukur me ushqime nga më të ndryshmet dhe ëmbëlsira, saqë për një moment, nuk doje të zgjasje dorën të prishje harmoninë. Kot nuk thonë, stomaku është i ngopur po u “ngop” syri. Po rrotulloja sytë të gjeja ndonjë kafe “turke”, por më kot. Kafeja që servirej ishte ekspres. “Kave turkce, yok?” u mundova të pyes me turqishten time të improvizuar. Gruaja që shërbente, më kapi nga dora dhe më futi në një kthinë të vogël që shërbente si kuzhinë dhe mori xhezven. “Seker, yok… sade” i them. Më shërbeu kafenë pa sheqer dhe priste në këmbë derisa unë ta rrufisja të tërën. E kuptova se përse priste vetëm kur mori filxhanin dhe e “ktheu”. Të dyja qeshëm. Kishte menduar se e kisha kërkuar kafen turke ngaqë doja të shihja filxhanin…
Organizatorët na thanë se kishim kohë të vizitonim xhaminë e madhe dhe pazarin e vjetër ose Çarshinë, siç i thonin turqit. Xhaminë e vizituam në moment lutjeje. Lëviznim me kujdes për të mos shqetësuar besimtarët.
Në Çarshi, që ishte pothuajse si “old bazar” i Stambollit, por shumë herë më i vogël, po ecja shkujdesur pa ndonjë synim të caktuar. Kishim vetëm pak kohë dhe nuk doja të humbisja autobuzin për t’u kthyer në traget. Nga një dyqan i vogël del një mesoburrë dhe më bën shenjë të futem në dyqan. Nuk e di se çmërmërita, kur ai ma kthen në shqip: “Edhe po nuk bleve hajde të pish një çaj”. Nuk e mbajta dot të qeshurën. “E paskemi pushtuar ne Turqinë, më duket”, i them. “Mos ki dyshim për këtë” më thotë duke më ofruar çajin në gotat e vogla tipike turke. “Ne tregtojmë flori si familje. Me mua është vëllai dhe djali. Po të futesh në brendësi të Çarshisë ka shumë tregtarë shqiptarë”. E falenderova për çajin dhe mora rrugën drejt vendit ku na priste autobuzi. Sa e vogël është bota. Nuk kisha as njëzet minuta që endesha në Çarshi dhe kisha takuar tre shqiptarë.
Kthimi ishte i shpejtë dhe interesi nuk ishte më ai i pari. Sejcili ishte i “zënë” me biseda dhe padyshim prisnim të shlodheshim për darkën që ishte e lirë.

Duke shijuar darkat karakteristike me muzikë orientale
Duke shijuar darkat karakteristike me muzikë orientale

Grupi turk na sugjeroi të shkonim në një restorant buzë detit. Ashtu bëmë. Pamja ishte e mrekullueshme dhe ushqimi po ashtu. Kafja do të ishte në një tjetër lokal dhe padyshim ishte shisha, aq e preferuar për turqit të mësuar me të. Lokali ishte arreduar me objekte të vjetra bakri dhe aty filloi “praktikimi” i turqishtes, duke i lënë turqit me “gojën hapur”. E filluam me objektet si “çajnik”, “ibrik”, “xhezve”, “filxhan”, “tepsi”, “kusi”, për të vazhduar me “oda”, “penxhere”, “raft”, “karjoll”, “dyshek”, “jorgan”, “çarçaf”, “anè”, “halla”, “teze” “daja”... apo ushqime si, “japrak/dollma´”, “imam-bajalldi’, “bamje”, “domate”, ‘trangull”, “byrek” dhe natyrisht, sipas rastit me “tebdil-hava”, “hajvan”, “brak”, “sakën”, “medemek”, “hazër xhevap”… Sa shumë fjalë kemi në fjalorin tonë, aq sa të qeshnim pa fund gjatë gjithë darkës. Rrugën në kthim vendosëm ta bëjmë në këmbë. Rrugë të gjera me pemë gjigande në të dy anët. Qetësi absolute ku dëgjoheshin vetëm zërat tanë dhe tek tuk ndonjë polic apo taksi. Ishte vonë kur mbërritëm në hotel. I thamë natën e mirë njëri-tjetrit dhe gati për të përgatitur valixhet për ditën e nesërme.
Në shëtitjen e mëngjesit, para se të niseshim në aeroport, duke ecur, në një moment i them E.H. “Përse ke zgjedhur Stambollin dhe jo një qytet tjetër diku në Evropë?”. Përgjigja ishte e menjëhershme: “Stambolli e ka Evropën brenda, ndërsa Evropa nuk e ka Stambollin…!” I dhashë të drejtë. M’u kujtua thënia e famshme e Napoleonit: “Nëse toka do të ishte një shtet i vetëm, padyshim që kryeqytet do të ishte Kostandinopoja/ Stambolli”. Për këdo që nuk beson dhe kërkon të “bindet” për fjalët e Napoleonit, mjafton të fluturojë për pak më shumë se një orë dhe të gjindet në Stamboll. Të zhytet nëpër “labirinthet” e Taksimit magjepës plot me histori dhe legjenda, të paktën që nga koha e Perandorisë Osmane. Stambolli është metropoli që, në ndryshim nga qytetet e shteteve të Evropës, ka arritur të ndërthurë natyrshëm civilizimin lindor dhe perëndimor, nëpërmjet epokave dhe qytetërimeve të së kaluarës dhe që e bëjnë atë qytet madhështor, me stil magjepës, të ndërtuar mbi dy perandori dhe që shtrihet paqësisht përgjatë dy kontinenteve…
Udhëtim të mbarë Miq….

Marrë nga Muri i FB, Fatmira Allmuça, 3 prill 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.