back to top
0.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Si e kam njohur Faslli Halitin – nga Lek Pervizi

Gazeta

Leonard Pervizi - Lushnja e viteve '80
Leonard Pervizi – Lushnja e viteve ’80

Si e kam njohur Faslli Halitin

nga Lek Pervizi

Lajmi erdhi i papritur dhe ma dha një mik i imi, i cili e dinte se unë e kam pasë njohur, dhe isha miqsuar me Faslliun që në moshë të re, kur dolëm nga kampet e Tepelenës e të Kuçit. Them se për disa rrethana askush nuk e njihte ma mirë se unë. Që më 1954, kur ishim të internuar në Pluk dhe më kishte dalë nami si piktor, vëllai i tij i madh, Dilaveri, me sjell disa vizatime të Faslliut, atëherë 14 vjeç, nëse ia vlente që ta çonin në liceun artistik në Tiranë. Nga vizatimet, e kuptova se ai mund ta fitonte konkursin. E sigurova Dilaverin për këtë punë… dhe kështu ndodhi. Faslliu e kreu liceun, por nuk vazhdoi Institutin e Lartë. E caktuen mësues vizatimi në një shkollë të Lushnjes.
.
Faslli Haliti - vizatim nga Helidon Haliti
Faslli Haliti – vizatim nga Helidon Haliti
Më vonë, nga viti 1964 njihemi, mbasi na kishin caktuar të bënim disa pllakate që s’i bënin dot ata të sektorit të pikturës së Lushnjes. Kështu vazhduam të shoqëroheshim. Ai vazhdonte universitetin me korrespondencë për letërsi dhe merrej me shkrime letrare, të cilat m’i kishte tregue. Kishte talent. Dy tregime i ishin botuar në gazetën “Drita”.
Konsultohej me mua për italishten, që kishte nisur ta studionte vetë.
Ishte njeri këmbëngulës. Pra, shoqëria jonë ishte mjaft e mirë. Më e bukura është se me ardhjen e Ḉu En Lait, ne të internuarit na ishte ndaluar të dilnim nga sektorët. Mbas dy ditësh, diku afër mesnate, më vijnë e më marrin me xhipsin e Degës, pa më thënë asgjë!! Me çuan drejt e në Komitetin Ekzekutiv, që të mos guxoja të dilja prej aty. Pse?! Aty gjeta Faslliu që më priste. Duhej bërë një portret i zmadhuar i Mao Ce Dunit, i cili do të vihej në mëngjes në ballkonin e Komitetit.
Ishte Faslliu që më kishte kërkuar, sepse unë kisha eksperiencë në ato lloj punësh. Portreti doli mirë. Mue më rikthyen në Pluk përsëri me xhips…
Ne të internuarit, qëndruem të izoluar për 10 ditë, derisa kinezi u largue. Kështu më ra të punoja me Faslliun edhe për punë të tjera, urgjente, sepse ata të sektorit të pikturës e kishin shmangur këtë përgjegjsi, mbasi punonin vetëm si dizenjatorë, për parulla dhe shkrime. Ndërkaq, Faslliu vazhdonte të m’i tregonte shkrimet e tij dhe poezitë. Ai kishte talent poetik të theksuem dhe unë e inkurajoja në atë drejtim.
Në poezitë e tij, ai nuk trajtonte tema politike, por i kushtohej me tepër natyrës me aspektet e saj të ndryshme. Kishte fantazi të një poeti të mirëfilltë.
.
Faslli Haliti - dhe libri më i mirë i tij "Sot" - 1969
Faslli Haliti – dhe libri më i mirë i tij “Sot” – 1969
Tashti ç’ndodh?
Bëhet një mbledhje e organizuar nga komiteti i partisë për kulturën. Aty dikush ngrihet dhe e akuzon Faslliun pse shoqërohet dhe kishte lidhur miqësi me të internuarin Lek Pervizi!! Faslliu mbeti keq, por pati kurajo të përgjigjet. Është e vërtetë se ai kishte punuar me mua, por jo me kokën e tij! E kishte bërë me urdhër të shokëve të partisë, të pranishëm në atë mbledhje. Për portretin e Maos nuk isha unë që e solla, ishte përgjigjur Faslliu. Kjo ndërhyrje e tij e shfajësoi, se ata të partisë i dhanë të drejtë, meqë ai kishte punuar me Lek Pervizin me urdhër të komitetit të partisë. Faslliu u tregua në lartësinë e duhur, e vazhdoi të shoqërohej me mue. Papritur, për shkak se nuk i kishin dhënë një apartament, ndodhi që ai shkroi një pjesë satirike, “Dielli dhe rrëketë”, që ma lexoi edhe mua. Ishte shtyrë keqas dhe kërkonte ta botonte. “Mos e bëj atë gabim ta botosh, se do të gjesh belanë!” – i thashë… Në fakt, shkrimi ishte i goditur për padrejtësinë që i ishte bërë. Por aty sulmohej komiteti i partisë dhe Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë, Rrapi Gjermeni, figurë partiake me peshë, anëtar i Komitetit Qendror, i cili gëzonte simpatinë e popullit lushnjar. Vjersha u botua dhe Faslliu rrezikohej të dilte para gjyqit për agjitacion e propagande, po edhe për fyrje ndaj partisë e udhëheqësve të saj. Ai më dha të drejtë, po puna ishte si të shpëtonte? Shkoi e takoi Ismail Kadarenë, i cili e kishte vlerësue dhe e përkrahu. Por këtë s’duhet ta kishte bërë. Ismaili ndërhyri te Ramiz Alia dhe Faslliu shpëtoi. Por e hoqën nga puna dhe e çuan në kooperativën e Fier-Sheganit si punëtor. Ata të kooperativës, që e njihinin, e lanë si dizenjator për emulacionin socialist dhe e paguanin si punëtor krahu.
.
Lushnja e viteve '80 - skice nga Leonard Pervizi
Lushnja e viteve ’80 – skice nga Leonard Pervizi
Kështu Faslliu vinte herë pas here tek unë në Pluk për bojëra, kartona e parrulla të gatshme. I mërzitur sa s’bën, më thoshte: “Pse nuk e ndoqa këshillën tënde, ç’mu desh mua ajo punë…!” Aty në kooperativë qëndroi më shumë se dy vjet dhe e rikthyen përsëri si mësues. E mori prap veten dhe tashti s’e çante fare kokën se takohej më shpesh me mua dhe ia shtronim edhe në kafe Myzeqeja. Merrej me pasion me letërsinë, kryesisht me poezinë që e lëvronte mirë e bukur. Kështu nuk pati andralla të tjera; me mua përsëri i takonte të punonte si përpara: gjithnjë me urdhër të Komitetit të Partisë! Vazhdoi të jetonte për bukuri dhe merrte pjesë në aktivitete kulturore, ekspozita pikture e në të tjera aktivitete. Kështu ajo çka thuhet se ai ka qenë i përndjekur nga regjimi, bie poshtë. Përveç atij incidenti me Komitetin e Partisë, ai i gëzoi gjithë kohën te drejtat e punës sipas profesionit e shkollave që kishte kryer. Më duhet të shtoj se në sektorin e pikturës në Lushnjë punonin dy të klasës sonë të përndjekur: Vanko Lezo, me të atin të pushkatuar, dhe Seit Selfo, me vëllanë e pushkatuar, me të cilët Faslliu mbante miqësi, sepse ata nuk ishin të internuar dhe ishin zyrtarisht qytetarë të lirë me “triska fronti”. Edhe shoqëria ma ta i vlejti se ishin njerëz me kulturë dhe njihnin mirë frëngjishten e italishten.
Pastaj erdhi koha e izolimit të plotë të të internuarve, që nuk guxonim të dilnim as 100 metra nga sektori.
Mbasi unë me familje u larguem nga Shqipëria, nuk kemi pasë ma lidhje. Rasti i vdekjes më shtyni që t’i kushtoj këtë shkrim të shkurtë, ashtu siç e kam njohur unë. Në këtë vështrim, askush tjetër s’e njeh më mirë. E lashë me kaq, thjesht për të nderuar kujtimin e tij, që mbetet i mirë për të. Por kisha edhe të tjera për të thënë, por mendoj se s’asht e nevojshme të përmenden.
.
Faslli Haliti & Nasho Jorgaqi
Faslli Haliti & Nasho Jorgaqi
Lexuesi mund ta kuptojë mirë se jeta e vërtetë e Faslliut, ajo kryesorja e asaj periudhe, asht kjo çka u tregue prej meje, për të ndjerin Faslli Haliti, në kuptimin më të mirë për një njeri që ka dhënë kontribute në lëmin e letërsisë. Dhe më vjen mirë që është vlerësuar e nderuar në shkallën më të lartë si shkrimtar e poet. Por nga ana tjetër, mospërmendja e emrit tim në biografinë që i bëhet atij, ose edhe ajo çka ka shkruar ai vetë, me duket si një mungesë mirënjohjeje ndaj meje, meqë me mua ka kaluar një pjesë jete, aq më tepër, që jam treguar me të gjithmonë mik e dashamirës, me aq sa më lejonin kushtet e mia si i internuar i përjetshëm.
.
Faslli Haliti (1935-2020)
Faslli Haliti (1935-2020)

Pese Poezi nga Faslli Haliti

Qerosi

Unë jam Qerosi:
Qerosi
Që vëllezërit
E mbytën tinëzisht në pus,
Qerosi që ra poshtë në botën e përtejme:
Qerosi që i preu kokën gjarprit,
Gjarprit që po ngjitej në lis
Drejt folesë së shqiponjës që t’i hante zogjtë,
Qerosi që e bëri gjarprin copë-copë, çikë-çikë,
Qerosi që ra e fjeti, mbështetur në trungun e lisit,
Qerosi që zogjtë e shqiponjës e vunë në gjumë me cicërima,
Qerosi që shqiponja desh t’i qorronte sytë me sqep,
Qerosi që zogjtë shpëtuan duke i folur mëmës me gjuhë shqiponje,
Qerosi që shqiponja për mirënjohje e mori mbi kurriz,
E ngjiti Qerosin lart, e çoi në botën e sipërme;
Qerosi shkoi në shtëpinë e tij,
Mbetën gojëhapur dy vëllezërit,
Të pabesët që të dy
U zunë
Befasi…
5 dhjetor 2005
.

Përjetësia

Vdiq plaku,
Lindi fëmija.
Lind edhe vdis,
Vdis edhe lind
qenka përjetësia…
31 dhjetor 2005
.

Ka

Ka të “vegjël”
Nën hije të ftohta,
Të zeza.
Hijet po ftohin dritën.
2006
.
S’ma dhe
S’ma dhe
zjarrin e zemrës.
Më jep së paku
Hirin.
Të ushqej lulet e shpirtit!
2007
.

Qepja

Ai qëndis.
Nuk qep.
Vjen
Dimri.
Nisin shirat, stuhitë
Dhe ne na duhen palltot, pardesytë…
.
Marrë nga numri 159, i Revistës “Kuqezi” që botohet në Belgjikë.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.