back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Si e kam njohur unë Selman Rizën nga Uran Butka

Gazeta

Profesor Selman Riza (1909-1988)
Profesor Selman Riza (1909-1988)

Si e kam njohur unë Selman Rizën

nga Uran Butka

(Me rastin e përvjetorit të vdekjes)

“Puna që paguhet,
nuk mund të quhet fisnike”.
Selman Riza

Kur kisha shansin të takoja profesor Selman Rizën apo të lexoja punimet e tij më të rëndësishme në fushe të shqipes, më mundonte ngaherë brenda vetes pyetja: Kur e pati ai atë mundësi kohore dhe atë qetësi të domosdoshme për të krijuar veprën e tij, ndërkohë që gati gjithë jetën ka qenë i privuar lirie: i internuar, i burgosur dhe i përndjekur politik?
Sepse “pauzat” jetësore kur ka marrë frymë lirisht, kanë qenë aq të pakta, aq të shkurtra e të tensionuara, sa të duket paradoksale dhe e pabesueshme që gjatë asaj kohe të jetë realizuar një vepër shkencore me vlera të shquara albanologjike.
Shpjegimi: Kjo vepër është produkt i një gjenialiteti dhe njëherësh, i një pune jashtëzakonisht intensive në momentet relativisht të qeta të jetës së tij; është rezultante e një misioni e paracaktuar që ai vetë e kish ndier dhe kuptuar e gjithsesi, këmbëngulte ta arrinte.
Mendoj që është ky shkaku që Selman Riza i vogël, i ri apo i moshuar përpiqej të fitonte kohë, luftonte që të mos humbte asnjë çast nga jeta e tij tmerrësisht mizore.
Kështu, qysh në moshën 13 vjeçare kapërceu kufirin shqiptaro-jugosllav dhe brenda 6 vjetësh mbaroi shkëlqyeshëm 9 klasat e Liceut të Korçës.
Brenda 3 vjetësh kreu në Francë dy fakultete njëherësh, atë të Letërsisë dhe të Drejtësisë. Përvetësoi rrufeshëm gjuhët kryesore të Perëndimit e të Lindjes. Studioi në mënyrë kritike e rroku tërë përvojën e vendit dhe atë të huaj në lëmë të shqipes.
Nxitonte të fitonte kohë e të materializonte atë. Nxitonte… por armiqtë e tij, që ishin dhe armiqtë e Shqipërisë, ia prisnin rrugën, ia këpusnin fillin e veprës dhe ia rrezikonin jetën. Për këtë, bëhej shkak vetë veprimtaria e Selman Rizës. Se puna e tij si shkencëtar, nuk u nda asnjëherë nga ajo e luftëtarit të lirisë dhe e misionarit të çështjes sonë kombëtare.
E priti me indinjatë pushtimin fashist të Shqipërisë dhe bashkë me profesorë të tjerë të Liceut të Korçës organizuan protesta e demonstrata me studentët. Për këtë, e transferuan (internuan) nga Korça në Ventotene të Italisë. Duçja dhe fashistët ishin armiqtë e parë të mëdhenj me të cilët u ndesh Selman Riza.
Në vitin 1942-1943, veproi haptazi në Kosovë si përfaqësues i inteligjencies shqiptare në luftë kundër fashizmit dhe kundër rikthimit të pushtimit serb në Kosovë.

Profesor Selman Riza dhe Poeti Lasgush Poradeci
Profesor Selman Riza dhe Poeti Lasgush Poradeci

Në dhjetor të vitit 1943, botoi një trakt me një përmbajtje programatike, që mund të quhet Manifest i Irredentizmit dhe i luftës për bashkimin e shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjerë nën Jugosllavi me popullin e me shtetin shqiptar. Është kjo arsyeja që Selman Riza përshëndeti “Dekalogun” e Ballit Kombëtar si një program ku çështja e Kosovës dhe e bashkimit kombëtar zinte vendin kryesore. I angazhuar tërësisht në çështjen kosovare, ai përgatiti për botim një punim prej 2000 faqesh me titullin “dokumentar i kundërtezës Shqiptare”, për të rrëzuar tezën serbomadhe rreth çështjes nacionale në Kosovë. Ndërkohë shihte dritën e botimit në Tiranë vepra e parë e mirënjohur “Tri monografina albanologjike”.
Por çështja kosovare u tradhëtua poshtërisht nga udhëheqësit e PKSH dhe të Kosmetit, vegla të PKJ.
“Vendin e Ballit këtu te ne, – informon Komiteti Krahinor i Kosmetit Komitetin Qendror të PKSH, – po e zë iredentizmi që s’asht gja tjetër veçse nji dega e Ballit. Iredentizmi drejtohet këtu prej Selman Rizës, mikut e shokut të Safet Butkës. Këta kanë botue dhe një fare broshure ku kallzojnë karakterin e cilësitë e tyne si edhe rrugën qi do të ndjekin.
Në broshure direkt nuk na atakojnë, por lënë me kuptue se do të na atakojnë edhe me shkrim, mbasi me gojë s’ka pushue se atakuemi, po te thuesh qysh se Selman Riza ka ardhë në Kosovë. Të fala shoqnore komuniste – Për Komitetin Krahinor të PKJ për Kosovë e Dukagjin – Blini 9.2.1944”.
Eshte më se i qartë dhe i dokumentuar bashkëpunimi ndërmjet Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Kosovës me udhëheqësit e PKSH për të goditur nacionalizmin shqiptar dhe figurat e shquara të tij në të dy anët e kufirit, sidomos Selman Rizën, i cili luftonte në frontin më të vështirë.
Do të shtoj edhe një element tjetër kuptimplotë. Kur Safet Butka u vetëflijua për të ndaluar vëllavrasjen pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, e shoqja e tij gjeti në xhepin e brendshëm të xhaketës së tij të përgjakur, të vetmen gjë: fotografinë e Selman Rizës!
Në një dokument të arkivit të shtetit 10.05.1955, fondi 35, d. 138 që përmban një mesazh të Mid’hat Frashërit drejtuar Dhimitër Falos për një projekt-marrëveshje me të djathtën greke për t’i bërë ballë rrezikut komunist që kërcënonte të dy vendet, Selman Riza figuronte si përfaqësues i Kosovës. Ajo që e lidhte nacionalistin S. Riza me këtë angazhim si përfaqësues i Kosovës ishte kërkesa e të djathtës shqiptare që pala greke të mbështeste rivendikimet e drejta shqiptare për Kosovën dhe anën e Dibrës.
Që t’i shpëtonte ndjekjes se egër në Kosovë, ai u kthye në Tiranë. Banoj në shtëpinë tonë atë kohë. Nuk vonoi dhe erdhën për ta arrestuar me urdhër të Koçi Xoxes dhe po me urdhër të tij e nisën për në Jugosllavi. Kështu shkëmbehej ndërmjet bashkëpunëtorësh malli “tru” dhe vritej kultura e kombit.
Kështu e kishin më të lehtë injorantët e xhahilët komunistë, si E. Hoxha, Koci Xoxe, Kristo Themelku (Shulja) si edhe padronët e tyre të Beogradit, që të përjetësonin pushtetin e tyre, pushtimin e Kosovës e të trojeve të tjera shqiptare. Në këtë rrugë, Selman Riza ishte armiku nr. 1 i tyre. Ndaj e nisën për në Jugosllavi dhe e kthyen përsëri në burgun e Tiranës, ku e torturuan për 3 vjet me radhë.
Në janar të vitit 1948, Enver Hoxha ia dorëzoi përsëri S. Rizën Jugosllavisë. U burgos në Prishtinë deri më 1951. Do të vdiste aty, po të mos ishte sëmurur nga skorbuti dhe, pothuajse pa shpresa, kockë e lëkurë e nxorën nga burgu për ta internuar në Sarajevë.
Po Selman Riza mbijetoi.
Në dhjetor të vitit 1955, pala jugosllave i kërkoi të bënte nënshtetësinë jugosllave, por ai nuk pranoi. Këmbënguli të kthehej në Shqipëri, ku kishte familjen, të cilën pushtetmbajtësit e kishin përndjekur nga Tirana dhe e kishin internuar në Sukth.
S. Riza u kthye nga Kosova në Tiranë, ndërsa familja e tij u bashkua me të në një dhomëz përdhese tiranase pas kaq vitesh ndarjeje e vuajtjeje.

Profesor Selman Riza ne hetuesi
Profesor Selman Riza ne hetuesi

Profesorin s’e kishin lënë të bashkëjetonte me gruan e tij e dy fëmijët e vegjël as në kohën e okupacionit fashist e nazist, as në atë komunist.
Si punonjës shkencor në Institutin e Historisë e Gjuhësisë, S. Riza shkroi punimet më të rëndësishme, që u përmblodhën nga studiuesit kosovarë në botimin “Studime albanistike I” në Prishtinë, 1979. me rastin e 70 vjetorit të lindjes së autorit. Në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, të raprezaljeve e të vrasjeve masive të ushtruara nga qeveria jugosllave në Kosovë, studiuesit kosovarë kanë arritur të botojnë edhe dy volumet e para të veprës së plotë të S. Rizës. Ndërkohë në dorëshkrim, “Sistemi foljor i shqipes”.
Selmani ishte shkencëtar skrupuloz, por edhe bashkëbisedues eksigjent. Sa herë që bisedoja me të, kisha kujdesin që t’i zgjidhja fjalët, jo vetëm që të ishin të burimit të shqipes, por edhe të ishin në funksion të përdorimit të saktë semantik e gramatikor. Sepse profesori të ndiqte dhe të korrigjonte.
Këtë e bënte dhe me Sabirenë, gruan e tij të mrekullueshme, e bënte dhe me mysafirët e afërm.
Më kujtohet kur një Vit të ri i dërgova nga fshati Verri i Fierit, ku isha mësues, një kartolinë ku ndër të tjera i uroja suksese në punën e tij fisnike. Ai iu përgjegj urimit tim me ngrohtësi, por nuk harroi të më ndëshkonte kësisoj: “Puna që paguhet nuk mund të quhet fisnike”.
Punimet e shquara të S. Rizës si “Nyjet e shqipes”, “Pronorët e shqipes” etj., zgjuan zilinë dhe mërinë e të paaftëve, karrieristëve të institutit, të cilët e gjenin përfaqësimin më të plotë te drejtori, Androkli Kostallari.
Këto vepra dhe kritika e drejtpërdrejtë, rigorozisht shkencore, lufta kryengritëse kundër diktatit nga lart, papajtueshmëria me padrejtësinë, oportunitetin, diletantizmin, politizimin e ideologjizimin e gjuhës e të kritikës gjuhësore etj. u bënin hije, irritonin e cënonin Perënditë shterpë të Olimpit komunist shqiptar, bile dhe vetë Zeusin e ndërkryer, që në shkretëtirën shpirtërore ku jetonte, kishte etje, etje të ethshme e kriminale për lavdi. Ata projektuan kryqëzimin e egër të S. Rizës, që u realizua nga veglat e tyre të zellshme e arriviste, si F. Paçrami e A. Kostallari. U rihap dosja e S. Rizës. U rishpall lufta kundër tij. Tirani i vogël, por i paskrupullt, A. Kostallari, e drejtoi kryqëzatën kundër personalitetit të pambrojtur të S. Rizës me parullën e turpshme të tipit fashist “t’i presim kokën Selman Rizës!” Mandej, mbledhjet e stërgjatura, të manipuluara – në fakt, gjyqe të tipit të inkuizicionit dhe, më në fund, dëbimi i dhunshëm nga qendra për në provincë, në stilin kinez të revolucionit kulturor, S. Riza u internua në Berat, u mënjanua nga puna shkencore, u izolua e u përndoq. Shkencëtari përfundoi ciceron në muzeun e Beratit, i survejuar dhe i ndjekur këmbë këmbës nga Sigurimi i Shtetit – Nuk u lejua më të botohej asgjë nga Selman Riza.
Vitet e fundit, profesor S. Rizën e rrethoi heshtja dhe e mundoi sëmundja e rëndë. Pashallarët e kuq, të dehur nga deliri i madhështisë e i konfortit modern, ata që për një trill kozmetik dilnin sa herë të donin jashtë shtetit, nuk u kujtuan për S. Rizën që vuante e s’gjente dot shërim. Askush nga ata nuk u kujtua që të botohej vepra e S. Rizës, një trashëgim aq i vlefshëm në fushën e kulturës sonë kombëtare. (Këtë e bënë vëllezërit kosovarë në kushtet e rënda të pushtetit serb). Askush nga ata s’u kujtua për atë; as kur ishte gjallë, e as kur vdiq. Bile, as drejtori i Institutit të Gjuhësisë e Letërsisë Androkli Kostallari nuk denjoi të vinte në ceremoninë e varrimit. Askush nga Instituti nuk tha, qoftë edhe një fjalë, mbi varrin e mjeshtërit të madh të gjuhësisë shqiptare.
Po folën e qanë zemrat e mijëra shqiptarëve, që e përcollën me nderim profesorin në banesën e fundit.
Foli vetë pavdekësia.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.