back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Si e kam përjetuar fëmijë, skenën e arrestimit të Bardh Kupit nga Hakik Mena

Gazeta

Fatbardh dhe Abaz Kupi
Fatbardh Abaz Kupi

Si e kam përjetuar fëmijë, skenën e arrestimit të Bardh Kupit

nga Hakik Mena*

Me datë 23 Shkurt 2016,
mbasdite, nga nji telefonatë e shokut tim të fëmijërisë,
Sokolit, me të cilin jemi rritur bashkë në kampin e internimit të Gradishtës,
mora lajmin e hidhur që babai i tij Fatbardh Abaz Kupi,
ose Xhaxh Bardhi, siç i drejtoheshim ne fëmijët,
kishte ndrruar jetë!
Nuk e di, po për një moment u shtanga,
e më kapi nji trishtim i kuptueshëm
dhe m’u rikujtua ajo skena e tmerrshme
e arrestimit të dytë të Xhaxh Bardhit.
Një skenë që kurrë s’më del nga mendja;
sidomos mënyra e të ecurit me pranga në duar
e Xhaxh Bardhit ditën e arrestimit!

Hakik Mena
Hakik Mena

Krejt i qetë, tepër kryenaltë, me një figurë dhe hapa gjithë dinjitet. A thua po i bënin ndonji nderim apo dekorim, ndërkohë ende pa u bërë gjyqi, dihej se do ta dërgonin në burgjet e llahtarshme të komunizmit!
Ky gjest dinjiteti njerëzor, për të gjithë ata që nuk kanë shumë dijeni se çfarë ka qenë komunizmi, duket si një akt personal, por në fakt nuk ishte thjesht një qendrim personal i një burri trim e krenar, pse Xhaxh Bardhi kishte edhe ai nji familje, të cilës fatkeqësisht po i kthente shpinën! Ai po braktiste tashmë 4 fëmijët e tij të parritur, Lisën, Sokolin, Jonën dhe Buçin si dhe bashkëshorten fisnike, teta Lirien, e cila gjithashtu u largua para pak kohësh prej kësaj bote!
Fati i fëmijëve, grave e familjarëve ishin sprova dhe tortura më e tmerrshme për ata burra, të cilëve u ra pjesa e mundimshme e përballimit të dhunës dhe padrejtësive të komunizmit! Asnjiherë s’duhet të harrojmë se komunizmi nuk dënonte persona, por dënonte familje, fise, madje edhe krahina të tëra!
Ajo skenë e arrestimit të Xhaxh Bardhit, ishte shfaqur shpesh nëpër sektorët e internimeve, në atë kapërcyell të viteve ’70-‘80, me burrat e shtresës sonë, të cilët kishin nisur të arrestoheshin në seri, me të njëjtën akuzë stereotipe: “Agjitacion e propagandë kundra Partisë”. Skenarët e arrestimeve ishin të njejtët dhe veç ndëshkimit të individëve synonin terrorizimin e gjithë asaj shtrese që ishte përcaktuar si armike si dhe ngulitjen e psikozës se të gjithë të rinjtë e asaj kohe, shpejt a vonë do t’u vinte radha të mbushnin burgjet. Ka fakte dhe dëshmi të “pafundme” të këtij skenari, që synonte të prodhonte fajtorë të pafajshëm, me qëllim dënimin e viktimës së radhës.
Dhe nën atë torturë psiqike, gjeste të tilla kurajoze si qëndrimi i Xhaxh Bardhit para xhelatëve të Sigurimit, ishin si një dritë orientuese për sytë, mendjet dhe zemrat tona. Ai qendrim ishte si një mesazh i qartë se komunizmi, sado të mundohej, nuk mund të na nëpërkëmbte dinjitetin tonë si njerëz! Vetëdija e origjinës, krenaria për patriotizmin e të parëve tanë dhe shpërfillja e frikës përballë sadizmit komunist ishin praktikisht nji formë e kundërshtimit të regjimit, të cilën ata e ndienin dhe kuptonin fare mirë. Zyrtarët e ndryshëm komunistë përmendnin shpesh herë atë shprehjen: “Nuk vjen më koha juaj!” a thua se kërkonin të bindnin veten për frikën që u shkaktonte ajo ditë. E pikërisht, qendrimet dinjitoze të prindërve tanë, sfida si ajo e Xhaxh Bardhit dhe shume të tjerëve që ende i kam parasyve, mbetën nji burim force dhe ngushllimi jo vetëm për mua po për gjithë të rinjtë e djemtë e brezit tim.
Nga ana tjetër duke kujtuar atë ditë, përtej trishtimit dhe keqardhjes për lajmin e ndarjes përgjithmonë me njeriun tonë të dashur, u ndjeva disi i çliruar e i lehtësuar nga fakti që Bardh Kupi ka qenë dhe do të mbahet mend si një ikonë e qëndresës dhe e dinjitetit përballë dhunës së shkaktuar nga sistemi sllavo-komunist. Pikërisht kjo forcë morale që ai ka demonstruar ndaj veglave qorre të sistemit, na bëjnë krenarë sot e sa të jetë jeta, se pavarësisht vuajtjes gati gjysëm-shekullore, emri i Xhaxh Bardhit, do të jetë i shkruar gjithmonë me germa të arta në librin e nderit të këtij kombi. Figura e tij ishte në harmoni të plotë me emrin, i pastër dhe i bardhë si kristal, pavarësisht helmit, llumit e dhunës së pandërprerë me anë burgjesh, internimesh e përndjekjesh të pareshtura.

Fatbardh Kupi dhe shokë të tij i internuar në Kuç-1956
Fatbardh Kupi dhe shokë të tij i internuar në Kuç-1956

***
Me këtë rast, më lejoni të përshkruaj fare shkurt, disa momente kulmore në pikëpamjen time, nga jeta e këtij burri, prindi e antikomunisti të pamposhtur!
Së pari, Fatbardh Abas Kupi është “ilustrim manuali” se si nji sistem do të sterroste për 45 vjet, duke e persekutuar në mënyrë konstante dhe të pa mëshirshme, të birin për shkak të të atit! Pa bërë asnjë faj, pa asnjë shkelje ligji, pa asgjë me të cilën mund të dënohej dikush. Thjesht një farë “trashgimi” të dënimit! Paradoksi më i madh qëndron në faktin se i ati, ishte arkitekti i rezistencës së parë kombëtare, institucionale të 7 prillit 1939, ndaj pushtimit fashist italian. Pikërisht këtu nis dhe odiseja e vuajtjeve të Bardhit, të cilat fatkeqësisht nuk do t’i ndahen, deri në rënien e Murit të Berlinit. Bardhi, jo vetëm që nuk do ta jepte veten për vuajtjet e tij, të cilat do vazhdonin zinxhir duke filluar me internimin prej fashizmit në Himarë dhe më vonë në Itali e deri tek internimi i fundit në Gradishtë, por nuk kishte as më të voglin pendim.
Se dyti, me instalimin e diktaturës sllavo-komuniste, do të niste edhe kalvari i vuajtjeve të papërshkrueshme të tij, duke provuar burgun e parë, duke vazhduar me internimin në Tepelenë, Berat, Kuç, Porto Palermo, Çorovodë, Savër, Gjazë, Grabian, Gradishtë.!… Më tej me burgun e dytë në Ballsh e Qafë Bari, ku ai do të shprehej: “gjithçka e kam bërë me vetëdije se ia vlen të vuaj për një babë hero!” Dmth ishte nder që po vuante për babën e tij, emri i të cilit i jepte frymëzim, forcë, shpresë, kurajo, vetëbesim për të përballuar gjithçka, pavarësisht vështirësive. Ne fakt, kjo është një nga karakteristikat më të spikatura të Bardhit: – gatishmëria për vetësakrifikim për hir të emrit të të atit, të cilin e kishte idhull!
Së treti, Fatbardhi, përveç personalitetit të papërkulshëm që rrezatonte dhe krenarisë së të qenit bir i Abaz Kupit, nji arsye tjetër qe do të forconte karakterin të tij, ishte edhe betimi që i kishte bërë babës, për t’u kujdesur për nënën dhe motrat e tij e për të mos i lënë kurrë vetëm! Porosi që ai e konsideroi të shenjtë dhe që e kreu përsosmërisht, bash si djalë hallalli! Fati nuk i buzëqeshi ta takonte të atin që t’ia thonte gojarisht: “Babë, porosinë ta kam kry!” dhe ky ishte nji peng për Bardhin sa ishte në këtë botë! Dashtë i madhi Zot dhe i bashkon në atë dynja me njëri-tjetrin…
Së katërti, dëshiroj të kujtoj se kam pasë fatin të takohem e bisedoj shpesh me Bardhin sidomos mbas viteve ’90. Kujtoj se ai ishte i zhgënjyer me rrjedhën e ngjarjeve politike në Shqipëri, e sidomos me fatin e së djathtës së vërtetë. E kishte brengë faktin që klasa jonë nuk arriti ta gjejë vetveten në këto 25 vite vorbullash politike. Me atë urtësinë dhe qetësinë e tij të jashtëzakonhme dhe me forcën e argumentit, përherë na nxiste ne të rinjve, për të qenë më aktivë në drejtim të forcimit të së djathtës. Gjithashtu jetonte me problemet e Kosovës, dhe në optikën e tij, ajo nuk kishte dallim nga pjesa “zyrtare” e shtetit shqiptar.
Së fundi, Fatbardh Kupi, ishte i pashok për sa i përket thjeshtësisë. Ai i urrente njerëzit që vuanin prej delirit të madhështisë. Ai ishte nji njeri i përkryer e me zemër të madhe. Atë kurrë nuk e dëgjoje të fliste për veten, apo të ankohej, pavarësisht se kishte kalu vuajtje të tmerrshme. Ai do të mbahet mend si njeriu model për sa i përket, qendresës, urtësisë e bujarisë dhe pa frikë e them që është mishërimi më i plotë i fisnikërisë shqiptare.
Marrë me pak shkurtime nga http://gazetadielli.com 28 shkurt 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.