back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Si e njof unë Agustin Kolën – nga Murat Basha

Gazeta

Sport Klub Tirana e viteve '80 (agustin Kola me rreth të kuq)
Sport Klub Tirana e viteve ’80 (agustin Kola me rreth të kuq)

Si e njof unë Agustin Kolën

nga Murat Basha

Deri në 22 Prill të vitit 1982, takoheshim në drekë te mensa e klubit Tironës, ku më shumë sportistët e kategorisë parë konsumonin ushqimin sipas profileve sportive.
Agustini sapo pat riardhë ke Tirona, sepse deri atë kohë, lunte me Shkëndinë e Institutit të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” – Tiranë. Detyrim për çdo sportist student të asaj kohe.
Nuk kishim shumë muhabet. Përshëndeteshim e shkëmbenim ndonji batutë dhe kaq. Më shumë muhabet kisha me Mirelin, Ner Hodjen, Bedriun, Sulën, Ben Mingën, Nest Stojën, Tushen, Nard Litin, Florin, Tos Dajën e mbi të gjithë me Millanin, ndërsa miqsi vllaznore me Tit Ramadonin.
Mbas 22 Prillit, takoheshim rrugëve. Ai ndalonte, sepse ndjente keqardhje për fatin tim sportiv e flisnim gjatë…
Në 1984, u arratis nga Shqipnia Lorenc Kola, djali xhajës i Agustinit. Ikja spektakolare e Encit me vllanë e Nehat Kullës, Bashkimin, bëri bujë në Tironë.
Agustini u vu në shënjestër!

Agustin Kola. midis Arben Mingës dhe Lirim Zallës
Agustin Kola. midis Arben Mingës dhe Lirim Zallës

Federata e Futbollit bëri një rregullore të re: Me tre kartona të kuq, dënoheshe me: “Një vit të mos luaje futboll…”
Agustini ishte tip impulsiv, me gjak e sedër si pakkush, ndoshta i veçantë! I ngrinte peshë tifozët, e ndizte ekipin dhe atmosferën e stadiumit.
Gjyqtarët e porositë e kishin gati dorën në xhep, sepse ashtu ishte urdhri i gjeneralëve dhe drejtuesve të pushtetshëm.
Agustini e kishte nji karton të kuq.
Në derbin me Partizanin, humbet një penallti, topi godet shtyllën. Ndërhyrjet ndaj tij, ishin gjithmonë të forta, të egra, të porositura…
Një faull i rëndë karshi tij, dhe gjyqtari bëri me shenjë që “vazhdo”, në atë moment Agustini reagon fort ndaj gjyqtarit, i cili përnjiherë i nxorri kartonin e kuq. Reagime nga tribuna. Lojtarët e Tironës dhe mbi të gjithë nga Agustini.
Teksa dilte nga fusha, me kokën ulur dhe me lot në sy, po ecte anash pistës ngjitur me rradhën e parë të tribunës portative. Në hapësirën mes tribunave portative ishin i biri Myslym Pezës dhe djali E. Hoxhës. Djali Myslymit e provokon Agustinin dhe i thotë: “Ti do var…!”
Agustini e dëgjon, dhe ashtu si ishte, me lot në sy, kapërcen parmakun e hekurit të portatives dhe i vërsulet djalit Myslymit, e kap për fyti dhe i thotë: “Kë të varësh ti mër legen…!”
Djali E. Hoxhës që ishte aty, ndërhyn dhe shtyn Agustinin, i cili i kthehet dhe shtyn fort djalin e kriminelit…
Kaq u desh. Ndërhynë policë e civilë, e rrethun Agustinin dhe e dërguan në dhomën zhveshjes.
Mbas dy javësh, në Fier i dhanë edhe kartonin e tretë, të kuq. 1 vit përjashtim!!!
Agustini në lot.
Unë, mbas dy viteve i përjashtuar, kisha fillu të notojsha apo edhe vraposha ke liqeni. Takohemi te pylli teksa vraponim të dy dhe flasim. Ishte i mërzitur dhe poshtë moralisht.
-Më vranë…! – më tha
-Mos u dorëzo! Unë jam përjashtu ka dy vjet dhe prap ushtrohem, ti do ja dalësh!
Folëm gjatë atë ditë, dhe vendosëm të stërviteshim bashkarisht. Nji stërvitje të veçantë fiziko-atletike duke u konsultu shpesh edhe me mikun e përbashkët, djalin e mrekullueshëm, sportistin e jashtëzakonshëm, mjeshtrin e madh: Pavllo Mihali.

Agustin Kola (Tirona) Ilir Perrnaska (Dinamo) Vitet '80
Agustin Kola (Tirona) Ilir Perrnaska (Dinamo) Vitet ’80

O Zot, nuk kisha pa deri atëhere, sportist më të disiplinum dhe më këmbëngulës se Agustin Kola. Impresionues.
Kam njoftë Gim Fagun që ishte i veçantë, por edhe Agustini nuk mbetej pas. Bazohej te puna, e aspak ke talenti. Nuk kishte shumë talent, por kishte cilësi fizike dhe atletike shumë të mira, por mbi gjithshka shpirt gare, grintë dhe kurajo mahnitëse, trim i veçantë. Punuam shumë atletikë, sidomos ngjitjet në malore. Nga fillimi orës ke stadiumi deri ke Juvenilja sot. Shumë vrapime në natyrë, por mbi gjithçka shtangë dhe kërcime.
Në Shqipëri nuk aplikoheshin këto lloj stërvitje asokohe.
Agustini arriti shifra të jashtëzakonshme për nji futbollist.
Kishte pak javë që ishte rikthy ke ekipi dhe unë fillova të shkoj ta shof në stërvitje, ke qyteti nxënësave, sot fusha “Skënder Halili”
Vinte nji orë para shokve, zhvishej shkonte me vrap deri te lapidari në Arbanë dhe kthehej 10 minuta para stërvitjes. Në stërvitje vraponte si i “çmendun” mbas stërvitjes me ekipin, rrinte për 30 minuta të tjera bashkë me Li Memën, duke punu për goditjet me kokë dhe elementë të tjerë.
Ndeshja e parë me Vllazninë: Finale e Kupës së Republikës. Agustini kundër të madhit Zmijani. E kalonte dhe triblonte lehtësisht. Shënoi dy gola dhe Tirona fitoi 3-1.
Erdhi te tribuna dhe më dërgoi puthje me dorë e pastaj nxori krahun muskuloz dhe këmbën, të ndryshuara.
U përlota.
Në tribuna, veç thirrjeve të zjarrta Tirona-Tirona, mbas nji viti heshtje, nga gjokset e zjarrta të tifozëve të mrekullueshëm të Tironës, shpërtheu përsëri edhe thirrja “Agustin – Agustin ti je bota…!”
Sepse Tini u rikthy! Ëndërra do të vazhdonte….
Kemi ndejtë shumë bashkë në ato vite, derisa 1990 na ndau.
Ka shumë gjëra të mrekullueshme…
Mendova se kaq ia vlen për brezat e rinj, që duan sportin dhe kanë ëndrra të mëdha, kanë një model pune, djerse, ndershmërie, këmbëngulje, sakrifice dhe dashurie pa fund për sportin, si Agustin Kola.
Respekt Tin!

Marrë nga Muri i FB Murat Basha, 12 prill 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.