back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Si e njoha Nerudën tonë, Fatos Arapin! – nga Nokë Sinishtaj

Gazeta

Fatos Arapi (1929-2018)
Fatos Arapi (1929-2018)

Si e njoha Nerudën tonë, Fatos Arapin!

nga Nokë Sinishtaj

Qoftë emri yt, qoftë zëri yt, qofshin veprat tua
frymzim për gjeneratat që e duan bukurinë e fjalës,
që e kultivojnë artin e lirikës, që këndojnë për dashurinë,
që lëviz diellin e të gjithë hyjtë.
Pushofsh në Paqë të merituar Maestro, (requiescat in pace).
.
Nokë Sinishtaj
Nokë Sinishtaj
Herën e parë që dëgjova për poezinë tënde, ishte nga goja e një poeti nga atdheu i Dantes, pikërisht në vitin 1970, kur isha në Toskanë
ku edhe frekuentoja: “Il Corsi d’italiano per Stranieri” në Universitetin e Sienës. (Kurs i gjuhës për të huaj). Duke lexuar rrugës, peripatetik siç jam, profesorin im Luigi Fiorentino po më pyet se ç’po lexoja?
I fshaj: Sul ponte di Struga. Isha te faqja 23, nga libri i tj “Occhio Rosso Occhio Verde”. E vuri buzën në gaz dhe vazhduam bisedën…
Shërbimin ushtarak e kam kryer në Shkup. E njof mirë Tetovën, Ohrin, Strugën…. Oh, janë bukuri natyrore fantastike. “Incantevole, – ma kthen profesori e më bisedoi për një poet: “Fatosi, dal’Albania, un poeta lirico fantastico, limpido…!”
E kjo më zgjoi shumë kureshtje!
 
Hera e parë që u takova me Fatos Arapin, ishte viti 1992, në Helveti, në Allmend të Luzernës. Presidenti i Lidhjes së Shkrimtarëve në Zvicër,
Naim Kelmendi, kishte organizuar një takim ku donim me zgjedhë nji president të ri. Mes nesh ishte Dr. Agim Mala, juristi Zeki Beqiraj dhe shkrimtari Kapllan Resuli, po edhe shumë tjerë poetë e quasipoetë, dëgjues e kureshtarë. Ishte situata kritike e parashkatërrimit të Jugosllavisë. Afër meje ishte ulur një burrë me shtat mesatar, syzjarr e zëkristal. Ma shikon librin që mbaja në dorë. “Dnevnik” nga Kafka. A është interesant? – më pyet dhe vazhdon, – Kam studjuar në Sofie e titulli i librit “Diarium” më shtyti të ju pyes.
I tregova se libri ishte në kroatisht i përkthyer dhe se brenda tij, f. 204, Zagreb 1968, Kafka shkruan për aktorin tonë gjenial Mojsiun, të cilin duan të na e grabisin italianët dhe austriakët! Fatosi qeshi dhe ma kërkoi me mirësjellje me ia përkthye paksa, çka edhe unëë e bëra!
(Ah, sa të verbët jemi! Ne duem vetvetin me e ndriçue lartë në majë të mackës së piramidës, ama tamam parnas prezent në Parnas, ku kravata
e lavdia, krenaria e si tacuisses, flasin për ne).
Askush s’e përmendi praninë e të madhit Fatos Arapi, i cili atë ditë ishte mes nesh.
Kishte ardhë në Zvicër, për të rënë në gjurmët e të vëllait të humbur, që e kërkoi gjatë gjithë jetës, por s’e gjeti asnjëherë.
Zotëria Xhemail Mustafa, u zgjodh president dhe unë sekretar. Para se me u shpërnda, Fatosi më la adresën e tij, mbasi i premtova se së shpejti do të shiheshin në Tiranë!
Në vitin 1993, shkova te Fatos Arapi si mysafir, dhe më priti me një zemër poetike. Një oleander ishte rritë deri në ballkon të tije ia dekoronte ballin me lule. Qesha!
-Fatos, edhe lulet e oleandrit të bardhë, po fshajnë ngrohtë: mirë se na ke ardhë!
Kalova me poetin tri ditë të paharrueshme. Ishte një shok, një njeri modest, një profesor enciklopedik, një poet i madh, kokë-matematike, dashamirë i natyrës, i njeriut, i artit, i mandrigalës, i zogjve, i yjeve… Posaçërisht ishte poeti i dashurisë, i magnetit që çementon mashkull-femën.
Shkuam në këmbë deri te varrezat e Tiranës. Më bisedoi për viganë që pushojnë aty. Për regjimin totalitar, për krijimin dhe sferat politike, për poetë të dënuar, sebep “fjala e vërtetë”! Shkuem te banesa e Injac Zamputit, te poeti Dritëro Agolli. Më njofti me zonjën Kozeta Mamaqi dhe djalin e saj Sokol Olldashin…
Gjatë e gjatë më bisedoi për kulturën dhe civilizimin shkodran ku ishte vërtetë i patkuem seriozisht.
Nga biblioteka e tij private qiti e mi dedikoj librat: “Ku shkoni ju Statuja” (7/8/1993); “Ne, pikllimi i dritave” (7/8/1993); “Dafina nën shi” (7/8/1993)
Në vitin 1994, e takova Fatosin, në Zvicër në Zürich. Kishte marrë pjesë në garat poetike: “Anthologie en suisse romand”, Neuchâtel 1994, ku Fatosi kishte përfaqësuar Shqipërinë, me dy poezi: Encore petit, vêtu de pantalons courts dhe Il est un jeu… Unë vdiqa në brigje e Jonit (13 shtator 1994, Zürich).
Ma vonë i bleva 4 kopje nga Neuchâtel, dhe ia nisa me postë…(Sepse në atdhe askush s’e çan kokë për art e kulturë!!) (e posta jonë është: Ruejna Zot me shti
gja në zarf!!)
Librin “Më vjen keq për Jagon” (1/1/1996, Tiranë dhe “Pablo Neruda” – Poezi të zgjedhura – të përkthyer nga Neruda shqiptar, Fatosi m’i dha te hotel Dajti.
“Qerrata – ti, – më tha ai, – do të shkruash në gjuhën e mëmës tënde… shpirt kyç-ti! Amanet, gnoti seauton. Ana juaj në Malësi të Madhe ka një histori të kaluar të lavdishme, por ende e papërshkruar. Je miku i mëmës, i babës, i natyrës, i luleve, i zogjve… dhe në parathënie të librit tim “Te vorret e Kshevë-s”, kam parë se kush je ti, or qerrata! Të gjitha sendet, të gjitha, veçanërisht Cemi yt kristal, presin këngë nga shpirti yt, zemër kyç-ti, që i ke ra hasha Krishtit”, dhe qeshi çiltër.
Kështu më tha Fatosi, duke m’i hapur sytë me modestinë e tij.
Për mua, në poezi ai ishte më i madh se Agolli, më artist se Kadare, e larg e larg tyre.
Më bisedoi për jetën rinore, për gjëra që shejtnia e diskrecionit pretendojnë me i marrë me vete në terr të vorrit, sende që m’i fali përvoja e poetit tonë kristal.
Diskutimi mbi librin – “Këngë të Moçme  Shqiptare” (3/5/94), ishte për mua dhe Fatosin një kapitull i veçantë. Vuejtja jonë, etika jonë, paliria jonë nën zgjedhën otomane, greke e sllave si dhe, jepi Gjakmarrja: “Fiku e mos u korit!”, mikut ç’ke mbas shpirtit e nesër as mini s’gjen gja me bre, Nafaka e femrës ku dominon mashkulli, komanda e ashpër dhe mohuemja e grues që lind, edukon, vuen e rrit konakun, lavron e kije kur edhe voglani kërthi duhet me u ruejt prej hakmarrjes… Ububu! Due ta vizitoj Kshevën tënde… E ia nisme: Si e mora librin, ai u çel te faqja 199. Sa e pashë i them Fatosit, kush e ka lexue librin e Pater Anton Harapit, mbi banorët e Cemit, “Andrra e Pretashit”, mundet me e kuptue tragjedinë e maleve tona. Aty asht e përshkrueme në detalje shtëpia dhe fisi i Sinishtajve. Aty gjinden ma se 25 faqe për këtë katastrofë që edhe Kanuni e aprovon. Jo larg shtëpisë sonë në Shytaj, gjindet fisi i devotshëm Vulaj. Ajo grue që vajton vajzën e saj, asht taman motra e Lulë Ucës dhe Gjergj Ucit, mikut më të dashtun të babës tim, Gjelosh Tomës. Pra, Lulë Ucja ishte grueja e
Mark Stakës, e reja e Stak Brecit që Fishta e përmend në “Lahutë të Malcis”.
Lulë Ucja asht vjehrra e motrës time Rukë Gjeloshes e Age Ucës…Lexuesi e kupton mirë se përse e kam fjalën.
Kurrë në jetën time nuk hasa në nji njeri që të dëgjon me kaq vemendje. Kjo metodë dëgjimi më ka ndodhë vetëm me poetin Shaip Beqiri, kur u takueme në Zürich me 13/12/1990 dhe me shkrimtarin Adolf Muschg…
.
Poetet Petro Marko dhe Fatos Arapi
Poetet Petro Marko dhe Fatos Arapi
Pushofsh në paqë, Fatos. Të qoftë e lehtë ledina e atdheut që e deshte dhe e këndove me gjithë zemër e shpirt. Të lulëzofshin eshtrat në truall të Teutës e Kastriotit.
Me një lot kristal, nga vendi ku të njofta, ta çoj nji puthje shejtë me ndjenja që piskasin: Qoftë emri yt aureolë e gjeneratave të reja për
poezi dashunore, që shkëlqen si ari.
Yti Nokë Gjeloshi, ortak i “Qerrata-së.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.