back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Si e njoha Zonjën Mysine Kokalari – nga Bardhyl Billo

Gazeta

Musine Kokalari në rininë e saj
Musine Kokalari në rininë e saj

Si e njoha Zonjën Mysine Kokalari

nga Bardhyl Billo

Ishte fundi i nëntorit 1962, kur pushteti i asaj kohe na mori për të kryer shërbimin ushtarak. Na hipi në makina gjysëm të zhveshura tek stadiumi. Aty kishin ardhur shumë të rinj dhe të afërm të tyre që do i përcillnin. Makina jonë ishte mbushur me të rinj dhe në fund përfaqësuesi i Degës Ushtarake na tha se jeni për në Pukë. Prindët që na shoqëronin u mërziten, se do shkonim në një vend të largët, por u qetësuam se do shërbenim dy vjet!
Ndarja ishte e vështirë dhe rruga ishte e gjatë se i ra nga Shkodra dhe në të ngrysur arritëm në Pukë. Rregulli ishte që për ushtarët e rinj do i nënshtroheshin karantinës për dy javë duke fjetur në dërrasë me byk e me rrobat ushtarake. Puka ishte një qytezë e vogël, por e bukur.
Mbas dy muajsh na vjen urdhëri të trasferoheshim në Rrëshen, ku u krijua brigada e re në rrëzë të një kodre të qytetit të Rreshenit. Përbri, poshtë ishin bustet e Bardhok Bibës dhe Pal Mëlyshit. Ngjitur me ne ishte edhe reparti me ushtarët e punës. Në këto reparte dërgonin kryesisht të rinj që kishin ndonjë kleçkë në biografi (kështu quheshe atëhere). Këta kryesisht punonin në pallate, në tunele ose në hapje taracash. Më kujtohet atë kohë që kryesisht taracat e Dushkut me vreshta i kanë bërë këto reparte pune dhe aty kanë punuar Peçi Shandro, Mexhit Haxhiu dhe Kavajsi Nimet Merhori, si dhe burri i Vaçe Zelës, Pjetër Radiqi. Në repartin e punës përbri repartit tonë ishte edhe shoku im i mirë Kamber Elezi, i cili punonte si guzhinier për ushtarët. Kamberi ishte djalë fjalëpak, por të mençura dhe unë atë e dëgjoja për çdo këshillë që jepte mbasi shpesh rrija me të, si dy lushnjarë në vend të huaj.

Musine Kokalari para gjyqit...
Musine Kokalari para gjyqit…

Përbri repartit tonë ishte një përrua i qytetit, i cekët e që mblidhte ujrat e ndotura që shkonin e derdheshin në lumin Fan. Në anën tjetër të përroit ishin ndërtuar rreth katër baraka të vjetra ku banoni tre familje të internuara në kushte shumë të vështira jetese.
Aty jetonte e vetme dhe zonja Kokalari.
Rrësheni ishte qytet i vogël i pazhvilluar me disa ambiente të vogla dhe gjëja më e bukur ishte krijimi i gjimnazit, me mësuses të ardhur kryesisht nga Tirana dhe Shkodra. Vajzat e gjimnazit ishin të pacivilizuara, të ndrojtura nga mungesa e zhvillimit të kulturës në atë qytet. Gjëja më e preferuar që na kënaqte ishte funksionimi i një bilardoje, të cilën e administronte një mulate e quajtur Azize! Ne shpesh shkonim dhe luanim në mënyrë të fshehtë nga oficerët se nuk na lejohej të luanim. Unë duke qënë se luaja mirë basketboll, shpesh bënim ndeshje me gjimnazin ku luanin mësuesit të cilët luanin mirë. Aty përreth fushës së gjimnazit vinin dhe e shihnin ndeshjet vajzat e gjimnazit dhe djemte që kishin shumë dëshirë të luanin.
Për të parë ndeshjen vinte dhe një grua rreth të 50-ve e dobët dhe me flokë gjysëm të thinjura. Sa herë që luanim ne ajo vinte dhe ulesh e vetmuar dhe ndiqte me interes ndeshjen. Ardhja jonë në këtë qytet i dha një gjallëri qytetit dhe njerëzit sidomos të rinjtë prisnin kur do zhvillohej ndeshja.
Duke dalë me Kamberin në shetitje aty pranë nesh kalon ajo gruaja dhe unë e pyes cila është kjo se e dija që ishte e internuar dhe banonte në barakat përtej.
Ai u mendua pak dhe më në fund më tha kjo është gruaja më ditur në Shqipëri dhe quhet Mysine Kokalari. Nga kureshtja për të ditur më shumë rreth kësaj gruaje i them përse është me e ditura? Ai duke u menduar pak se kishte lexuar rreth jetës së saj m’u pergjigj: Është një histori e gjatë kjo dhe filloi të më tregonte për jetën e saj. Mbasi kishte mbaruar studimet te “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë shkon me studime në vitin 1937, në Romë në universitetin La Sapienza për letërsi. Në vitin 1939, shkruan librin e parë “Siç më thotë nënoja plakë” ndërsa ne vitin 1940, boton fjalorin Italisht-Shqip. Në vitin 1941 mbaroi katër vitet dhe u diplomua në letërsi po në këtë vit Mysineja përfshihet në enciklopedinë Italiane si një shkrimtare e talentuar. Në vitin 1943, kthehet në Shqipëri dhe bashkë me disa shokë intelektualë formojnë partinë Socialdemokrate Shqiptare. Në vitin 1944, më thote Kamberi shkruan edhe dy vepra, e para “Rreth votres” dhe e dyta “Sa u tund jeta”. Në këtë kohë Partia Komuniste si më dominuesja fillon edhe sulmonte intelektualët që ishin kundër asaj rryme dhe ideje duke i burgosur se ishin me bindje të kundërta. Dhe kështu me 2 qershor të vitit 1946, Mysineja u arrestua për bindje demokratike të kundërta me ato Komuniste dhe u dënua me 25 vjet burg nga të cilat 16 vjet i bëri në burgje e biruca dhe në vitin 1962 e internuan në qytetin e Rrëshenit! Dhe ja – vazhdoi Kamberi – ajo jeton pranë nesh në kushte shumë të vështira! Atë e punësuan në ndërtim dhe komunale, ku gjithë ditën lodhesh duke përgatitur llaç dhe tulla deri afër mbrëmjes mbasi duhej të kryente normën ditore që të siguronte kafshatën e gojës. Ajo punonte në mes të diellit dhe vapës, kohës së keqe me shi e ngricë për të siguruar një jetesë minimale. Dhe unë duke e njohur tashme këtë zonjë grua të ditur dhe të kulturuar duke u rropatur në punë të vështira dhe në kushte jetese misërable më tepër i shtyrë nga kureshtja për ta njohur nga afër këtë njeri, pasi siç më thoshte shoku im, Kamberi, nuk duhet t’i afroheshe dhe të zhvilloje ndonjë bisedë, sepse ajo përgjohet nga sigurimi dhe për ty do të jetë një fatkeqsi me pasoja duke qënë se je dhe ushtar.
Musineja shkonte shpesh në biblotekën e vogël të qytetit dhe merrte libra të ndryshëm kryesisht artistikë për t’i lexuar. E shihnim shpesh që ajo rrinte deri natën vonë, pasi nga dritarja e vogël e saj shihej drita e ndezur…
Ishte fillimi i muajit nëntor dhe mbas një muajë ne liroheshim. Nga nxënësit e gjimnazit dhe qytetarët kërkonin që të bëhej edhe një ndeshje edhe kështu u bë. Unë kisha marrë uniformën sportive ku luaja me Lushnjen që për atë kohë për në Rrëshen ishte një luks. Kisha krijuar miqësi me një mësues nga Tirana që kishte mbaruar Institutin e Fiskulturës dhe ai luante bukur, kështuqë kjo gjë na lidhi edhe më shumë. Ai quhej Aleksandër që unë edhe mbas lirimit ruajta një korrespondencë të rregullt me të.

Musine Kokalari - Vepra 1 &2 - Novruz Shehu
Musine Kokalari – Vepra 1 &2 – Novruz Shehu

Atë ditë që u zhvillua ndeshja e fundit tek fusha e gjimnazit ishte një festë e vërtetë. Ishin vendosur flamuj dhe ambienti përreth ishte i pastër dhe fusha e vijëzuar. Ishin grumbulluar shumë vajza e djem dhe ushtarakë, kështu loja u bë e bukur por unë luaja mirë dhe tek vendi i vetmuar rrinte ajo gruaja gjysëm e moshuar me flokë të thinjura dhe ndiqte ndeshjen. Unë bëra një kosh të bukur dhe dëgjova një zë gruaje që tha “Bravo Billo” dhe duartrokiti… Ktheva kokën dhe pashë që ajo më buzëqeshi dhe përplaste duart duke me thënë: “Bravo!”. Atë natë gjumi më zuri duke menduar për atë grua: Më e ditura shqiptare, nga goja e së cilës më thirri me forcë dhe duartrokiste duke buzëqeshur!
Nga Aleksandri mora informacion se ajo kishte shkruar një libër i cili titullohej “Si lindi Partia Socialdemokrate”. Më vonë Sandri me shkruante se ajo vuante nga sëmundja e kancerit të gjirit, dhe se mjekët nuk u kujdesën siç duhet për shërimin e saj… kuptohet ndërhyrja e regjimit bëri që gjendja e saj të përkeqsohej.
Në gusht të vitit 1983, ajo mbylli sytë përgjithmonë.
Njerëz shkrimtarë si Mysine Kokalari dhe shkenctarja Sebiha Kasimati mendoj se janë disidentet e para Shqiptare!
10 tetor 2020

Marrë nga Muri i FB Bardhyl Billo, 23 nëntor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.