back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Si e “takoi” Rozana Suli, Lazër Radin edhe si e ringjalli ajo, përmes vargjeve të saj! – nga Jozef Radi

Gazeta

Rozana Suli - Feniksi i ringjallun - Poeme ne Italisht dhe Shqip
Rozana Suli – Feniksi i ringjallun – Poeme ne Italisht dhe Shqip 

Si e “takoi” Rozana Suli, Lazër Radin

edhe si e ringjalli ajo, përmes vargjeve të saj!

nga Jozef Radi

Aty kah shkurti i vjetit 2021, në kohën e mbylljes nga Pandemia e Madhe, m’erdh nji email paksa i çuditshëm. Më shkruante e më prezantohej nji vajzë e re dhe e panjoftun, e cila mbasi kishte ndjekë dokumentarin “Golgotha e Lazër Radit” mbasi më shprehu kënaqësinë e asaj njoftje të re e tue më folë për dinamikën e dokumentarit më shkruente se “aq shumë e kishte ba për vedi e vërteta e atij dokumentari sa kishte ndërmend me shkrue diçka…” Mbasi shprehu nji vlerësim me superlativa për punën e realizueme, ma përsëriti kërkesën për leje me shkrue diçka, që simbas asaj ishte gjendja e saj shpirtnore e përcjellë prej atij dokumentari.
Sigurisht, fjala e asaj vajze të te diçka mbi të 30, për mue qe nji emocion thellsisht pozitiv, sepse nji person krejt i panjoftun, për ma tepër nji vajzë e re, ndërkohë edhe nanë e re, m’lypte leje me shkruejtë diçka në lidhje me atë figurë që e kishte impresionue… (gjà e rrallë)! Unë as mund t’i jepja leje e as t’ia ndaloja, pse ishte në të drejtë të vet të reflektonte mbi ato çka kish pa e çka kish ndje… mbi çka kërkonte me reflektue.
I shkrova sigurisht pa humbë kohë. Me mjaft mirsjellje e fjalë të ngrofta e falenderova, tue i thanë se me knaqësi kisha dashtë që at çka shkruente, ta lexoja, me i shprehë nji opinion temin, me vrejtë edhe nivelin e asaj çka shkruhej në lidhje me figurën e Lazër Radit dhe çka ajo përfaqsonte.
Mbas këtij prezantimi të parë, duhet të kenë kalue rreth nji muej, kur po me nji email më erdh nji tip poeme, shkrue mjaft bukur. Ajo çka më habiti jo pak, ishte fakti se poema ishte shkrue e gjitha në italisht ku ndihesh nji zotnim mjaft i mirë jo veç i gjuhës po edhe figuracionit poetik, çka më dha ma shumë entuziazëm e që ishte pjesë e befasisë së kësaj vajze që quhej Rozana Suli. E lexova disa herë, e përgëzova dhe në fund fare i thashë në mënyrën ma sintetike të mundshme çka mendoja për punën e saj!
Verën e vjetit 2021, Rozana më lajmroj se do të shkonte në Shqipni te prindët e saj për pushimet e stinës… e mbasi u kthye nga Shqipnia, më nisi nji pjesë të dytë të poemës, vazhdimin e saj që ishte nji reflektim mjaft i thellë mbi realitetin shqiptar që ajo kishte ndeshë, edhe pse prej vitesh kishte largue për studime dhe tue gjetë edhe dashninë e jetës së saj nuk qe kthye. Refleksionet e asaj vere i të përthyeme në shpirtin e saj ishin pasqyrue te poema në fjalë, shoqnue së bashku me mendimin se ia kishte zgjanue mjaft frymarrjen asaj pa harrue se gjithnji strumullar mbetesh figura e Lazrit…
Mbasi e lexova at pjesë të dytë, pata nji entuaiazëm edhe ma t’madh pse poema ishte ba ma e thellë, ma solide e ma serioze. Realiteti shqiptar vinte ma i gjallë dhe ajo çka dishrova ma së shumti, mbasi në themel të asaj poeme ishte figura e Lazër Radit, bash kur un po merresha me mbylljen e veprës së plotë të tij, ishte edhe trajta në shqip e saj. Meqë ishte shkrue n’italisht hapsina e saj e komunikimit mbetesh e reduktueme. Pa i thanë asgja autores iu futa punës me i bashkangjitë edhe variantin në shqip… e kjo u shndrrue në nji befasi të kandshme, kur autorja krahas poemës së vet me shënimet e mia të leximit, kishte mundsi me e ballafaque edhe me përkthimin e saj në shqip, respektivisht në gegnisht… Ajo çka ndodhi qe vërtet e bukur, pse Rozana u emocionue në veçanti edhe për faktin se mbas kaq vitesh që jetonte jashtë vendit, raporti me gjuhën kishte pësue lëkundje, dhe ajo ardhje e saj edhe në shqip ishte diçka që ia mbushi shpirtin plot…
Me kohë i sugjerova idenë e botimit të kësaj vepre në dy gjuhë, e të mos ishte diçka me u konsumue në mënyrën virtuale, po të shihte ma thellë, e vepra të dilte ma e plotë e ma serioze.
Në bisedat e hermbashershme mes nesh erdh tue u konfigurue ma kjartë dhe u vendos të botohej si libër, e ku do t’ishte libri i parë i saj! Hapi ma i guximshëm me kapërcye pragun, përmes nji figure që i jepte jo veç modelin e qëndresës po edhe të besimit. Gjithnji me at drojen që ka me e shoqnue edhe ma mbas, ajo s’ishte e sigurt se mund t’ishte në naltsinë artistike që ta shpaloste si ajo besonte figurën e Lazër Radit, po mbas nji kambngulje jo të lehtë vendosëm që ajo me qetësi ta rishihte prej kreut deri në fund punën e saj të bante nji reflektim mbi punën e saj mandej un ta rafinoja mendimin e saj shqip… Kjo punë na zgjati diku te dhjetë muejt, derisa libri u dorzue për botim. Kësaj here serioziteti i Rozanës kishte zbritë deri në detaje te titulli i ri, te trajtimi i kopertinës po edhe detaje të tjera ma t’imta…
Tashma Poema saj “Feniksi i Ringjallun” asht e botueme në dy gjuhë me tekste respektive në faqet përballë dhe nji piketë mjaft e randsishme për rrugën që Ajo ka përpara… Libri, asht shoqnue me nji pasthanie profesionale të realizueme nga studiuesja Emrije Krosi, dhe u vjen si lexuesve shqiptarë edhe atyne italianë në nji formë mjaft të pasun e ku figura e nji Njeriu të Paepun i shërbeu nji zonje të re si shembull i ringritjes morale të popullit të vet, po edhe gjetjen e fuqive përtëritëse për të gjithë popujt që mbas krizave të mëdha të ringrihen sërish te vlerat ma të nalta të qytetnimeve!
Urime Rozane, në pak rreshta u mundova me kallzue, rrugën që kena ba bashkë, dhe sa e vyeshme asht vëmendja e nji brezi që lufton m’u ringjallë në vlerat e veta…
jozef radi, korrik 2022

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.