back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Si e varrosën të gjallë… Mitrush Kutelin në Kënetën e Maliqit nga Admirina Peçi

Gazeta

Mitrush Kuteli (1907-1967)
Mitrush Kuteli (1907-1967)

Si e varrosën të gjallë…

Mitrush Kutelin në Kënetën e Maliqit

nga Admirina Peçi

Një shënim nga Profesor Klodi Stralla

Sot, miku im Jozef Radi, ka postuar një shkrim shumë të klikuar në rrjetet sociale, kushtuar 108 vjetorit të lindjes së shkrimtarit, novelistit, poetit, përkthyesit dhe ekonomistit, të dënuar padrejtësisht nga regjimi komunist – Dhimitër Pasko, apo si njihet gjithësisht me pseudonimin Mitrush Kuteli. Titulli i shkrimit: “Si e varrosën të gjallë Mitrush Kutelin në Kënetën e Maliqit”, për autore Admirina Peçi.
Leximi i këtij shkrimi u bë shkas të sjellë këtu në fb takimin dhe bisedën që pata para disa ditësh në Korçë me një person, të ngelur ende gjallë, që ka qenë bashkëvuajtës me shkrimtarin në kampin shfarosës të Vloçishtit dhe në tharjen e Kënetës së Maliqit në vitin 1948. Ai quhet Petraq Zisi (apo Peti Bishka si e njohin me përkedheli korçaret autoktonë).
U takuam rastësisht, në një kafë në qendër të qytetit, aty nga ora 21 e mbrëmjes, ku ai po ndiqte ndeshjen e futbollit Shqipëri – Portugali. Është 93 vjeç, dhe ka ecjen e zhdërvjelltë të një të riu. Ndonsë në distancë nga ekrani, nuk i shpëtonte asnjë detaj nga ndeshja. I vëmendeshëm e me një humor për t’ia pasur zili. Nuk gaboj nëse e cilësoj “I fundmi i Mohikanëve”, sepse i përket një brezi korçarësh që s’rrojnë më, që ende djem të rinj, vuajten burgjet e kampet komuniste, por nuk u thyen dhe mbajtën gjallë dashurinë për jetën.
Në intervalin midis ndeshjes, i drejtohet një djali të ri, dhe i kërkon të na bëjë një foto si kujtim, duke e shoqëruar me humorin e tij karakteristik:
“Mbase mot nuk do të takohemi më…”

Petraq Zisi (93 vjeç) dhe Klodi Stralla
Petraq Zisi (93 vjeç) dhe Klodi Stralla

Ndërsa njerëzit ngatërroheshin nëpër zhurmën e ceremonisë së përkujtimit të ditëlindjes së Mitrush Kutelit, një burrë i thinjur nisi të rrëfejë një histori të vjetër. Me këtë qëllim kishte ardhur enkas nga Elbasani. Fillin e nisi nga një ditë e veçantë… nga viti 1948.
Hamza Tusha, atëherë ishte një djalosh i ri që vuante një dënim në kampin e Vloçishtit. Atje kishte marrë vesh rastësisht, se në kampin e tyre po kalonte dënimin edhe një shkrimtar i madh. I kishin thënë se shkrimtari quhej Dhimitër Pasko. Kishte dëgjuar për të shumë rrëfime nën zë nga të tjerët ndërsa vetë ende nuk kishte arritur ta njihte.
“Ajo ditë e ftohtë prilli, bëri që unë ta njihja nga afër, e në një mënyrë mjaft tragjike… – nis të tregojë burri i thinjur – Ndërsa punonim të gjithë aty në atë kamp, një kapter që quhej Skënder, thërret me të madhe që t’i sillnin atë shkrimtarin. Pastaj urdhëroi dy të tjerë që t’i hapnin një gropë të madhe mbi një metër e gjysmë të thellë”. Të burgosurit kanë parë me sy të habitur gjithë ç’kishte ndodhur në ato pak minuta, gjithë lëvizjet e shpejta të lopatave që nxirrnin dheun rreth gropës që merrte formë nga minuta në minutë. Më tej panë shkrimtarin që tërhiqej me forcë, se si e kanë zhveshur, se si e kanë plandosur më tej në gropën e thellë, ashtu të zhveshur lakuriq.

Varrosur për së gjalli...
Varrosur për së gjalli…

“Mbaj mend që atëherë ishte shumë ftohtë. Ishte ndoshta fillim prilli dhe koha ende nuk kishte nisur të ngrohej. Si e futën brenda në gropë, e mbuluan me plisat që kishin lënë rreth saj, derisa dheu i arriti deri tek mjekra… – shpjegon me hollësi bashkëvuajtësi i hershëm i shkrimatrit të madh – pastaj, vazhdon më tej ai – e lanë aty, të futur brenda në tokën e ftohtë e të lagësht afër kënetës së Maliqit. Si kaluan disa orë, atij filloi t’i ikë fytyra. Iu shtrembëruan nofullat dhe nuk nxirrte dot asnjë tingull nga goja. Ne të gjithë e shihnim, pa mundur të bënim asgjë. Të ktheje fjalë atëherë, sidomos në situata të tilla, ishte si ta kërkoje vdekjen me zor!!” – thotë Hamzai – “Atë kohë komandant kampi, ishte një i quajtur Tasi Marko. Në momentin që ai kishte ardhur për të thirrur të burgosurit, një shoku im që kisha në krah më thotë: “Sa keq, ky njeri që është groposur këtu është një shkrimtar i madh. Pse nuk i del komandantit përpara t’i tregosh (unë isha komandant i një brigade të vogël të burgosurish që udhëhiqja punën). Megjithëse kisha shumë frikë, e mora guximin dhe i dola përpara komandantit duke i thënë: “Kapterr Skënderi ka futur një njeri të gjallë në dhe!”
Mbaj mend që ai u alarmua. Kërkoi me ngulm të gjente kapterrin që kish bërë këtë veprim. Më pas e nxorën trupin e shkrimtarit duke i bërë shërbimet e duhura që ai të vinte në vete!”
Kanë kaluar shumë vite, që nga 1948. Gjithsesi burri i thinjur nuk ka mundur ta zbehë kujtimin e atyre ditëve. Aq më shumë ky kujtim iu përforcua në ditën kur një djalë dhe një vajzë i kishin trokitur në derë. Ishin të bijtë e atij shkrimtari të përvuajtur, të cilët kishin dashur ta njihnin nga afër njeriun për të cilin babai u kishte folur gjatë… “Më thanë se babai i tyre u kishte rrëfyer për një njeri që e kishte shpëtuar dikur nga vdekja. E ai njeri isha unë. Ndaj jam këtu, më shumë për të nxjerrë nga vetja atë kujtim që më rëndonte shumë mbi supe, sesa për të marrë pjesë në diskutimet e kësaj ceremonie përkujtimore…” përfundon rrëfimin e tij Hamza Tusha.

Dhimitër dhe Eftipi Pasko
Dhimitër dhe Eftipi Pasko

Poezi nga Mitrush Kuteli

* kushtuar gruas së tij kur ai ishte në burg*

Kaq afër jemi, por kaqe larg,
Të lutem mos më prit
Na ndajnë terre rreth e qark
Dhe yll për mua s’ndrit.

Përse ta lidhësh fatin tend
Me një pafat si unë,
Kur di se emri im u shemb
Me dhunë e përdhunë?

Pra hidhe hapin guximtar
Ndaj jetës së gëzuar
Dhe me harro këtu, në varr,
Të vdekur pa mbuluar…

Marrë nga http://gazetaminerva.com

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Shkrimi për Varrosjen së gjalli të Mitrush Kutelit ka pasur nji lexim të jashtzakonshëm. Në më pak se 20 orë ka pasur rreth 800 pëlqime… për të cilët ju falenderoj të gjithëve. Po njiherit ka pasur edhe nji problem autorësie.
    Gazetarja Admirina Peçi ne inbox sot me ka shkruar: “Shkrimin per Kutelin që e varrosën të gjallë, e kam bërë unë në gazetën “Shekulli” në vitin 2001. Më erdhi keq që ma kishin vjedhur… dhe si gjithmonë i kanë hequr emrin… Por ti s’kishe nga ta dije! Këto portalet këtë gjë bëjnë gjithmonë!!!
    Ne e sqaruam me znj. Admirina dhe i plotësuam të dhenat për shkrimin në mirkuptim të plotë. Duke e falenderuar për kët shkrim mjaft të goditur të saj… j.r.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.