back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Si fshiheshin nga të burgosurit poezitë e poetit Visar Zhiti në Spaç e Qafë Bari – nga Dine Dine

Gazeta

Dine Dine dhe Visar Zhiti - Takim te Vatra!
Dine Dine dhe Visar Zhiti – Takim te Vatra!

Si fshiheshin nga të burgosurit

poezitë e poetit Visar Zhiti në Spaç e Qafë Bari

nga Dine Dine

Arti mbijetonte
edhe n’ato kushte
ku jeta varej në një fije peri…
.
Edhe pse pas tre dekadash, kujtimet e atyre viteve vuajtjesh të paharruara na nxisin kujtesën e na shtyjnë edhe t’i hedhim në letër disa copëza kujtimesh që për brezat që vijnë mund të ngjallin interes për të kuptuar se arti mbijetonte edhe në kushte ku jeta varej në një fije peri…
S’kishin kaluar as dy ditë që isha njohur me Visar Zhitin. Atëherë për mua ai ishte thjesht djali i Hekuran Zhitit aktorit që admiroja aq shumë, pasi në të gjithë Shqipërinë ishte i vetmi apo ndër të paktët që improvizonte në skenë. Edhe pse siç më kish thënë një miku im, atëhere regjizor se paralajmërohej vazhdimisht mos ta bënte një gjë të tillë, sepse sajonte gabime ideologjike, ai përsëriste të njëjtën gjë. Ndaj si i ri atëhere, e i apasionuar pas tij bëja çmos të siguroja një biletë për ta ndjekur në gjitha shfaqjet ku ai luante si aktor.
Për të atin e Visarit, kam edhe të tjera kujtime mjaft interesante, por le të mos zgjatemi. Pra, Visarin e njoha si më të riun e tre djemve të Hekuranit!
Një ditë tek shëtisja i vetëm në sheshin e poshtëm të burgut të Spaçit, tek stolat përballë berberhanes qëndronte Zyhdi Morava duke shfletuar një libër. Nuk kishte këmbë njeriu në shesh. Turni i dytë sapo kish dalë nga kampi, i pari pritej të hynte. Në këto e sipër vërej Zydiun që u ngrit nga stoli më përshëndeti e u drejtua për nga guzhina private. Kur u largua ca hapa, u kthye e më ftoi për një kafe. Nuk shkova, pasi prisja shokët. Duke shëtitur para e prapa vura re që Zyhdiu kish harruar librin tek stoli. Sapo i pashë titullin u kujtova, ishte një libër me Kujtime i bashkëshortes dhe një mikeshe të Çehovit. Sidoqoftë kureshtja më bëri ta shfletoj. Ç’të shoh?! Siç më kujtohet ishin nja tre poezi të shkruara në tre copa të grisura nga thasët e çimentos. Ashtu turbull më ndërmendën ca vargje që kur dolëm nga burgu, ca vite më vonë kur Visari filloi të botojë i kam rilexuar nëpër librat e tij. Më kanë mbetur në mendje vetëm disa vargje prej atyre poezive: Në njerën:
 
Gruri i ëmbël
na u bë bukë
e hidhur
e robërisë
që na mban gjallë…
 
Në një tjetër shkruante:
Natë burgu
së prapthi, e gjatë e gjatë
…………………………………..
dhe prapë na futën në një natë tjetër
në natën prej guri, pa agime, të egër.
Natë brënda natës
shpellë e llahtarshme
trëmbesh nga vetja jote fantazmë.
.
Visar Zhiti i burgosur
Visar Zhiti i burgosur
E treta, një poezi e shkurtër bënte fjalë për gruan e të burgosurit, po s’më kujtohet.
Një herë tjetër sapo mbaroi një kontroll më vjen Hasan Bajo, çami i mirë, i guximshëm duke bërtitur më thotë: “Ka Zot Dine, ka Zot, të më besosh!” – dhe vazhdoi; kisha futur nën llapën e një këpuce katër poezi të Visarit. Poezi tërë helm, të helmosura, e filloi të mi citonte të katërta. Pjetër Koka, i tmerrshmi Pjetër kontrolloi bash tek krevati im. Pasi ma bëri dyshekun copë-copë iu erdhi rradha këpucëve. Sapo i hoqi llapën njerës e kutërboi era e qelbur. “U marrtë djalli u marrtë!” – shqiptoi, e hodhi këpucën tutje e pasi më hodhi një vështrim djallëzor iku.
Hajde ta festojmë me një kafe se i shpëtova të paktën 1 muaji birucë.
-Po të t’i zbulonin, në fakt do ta hante Visari e nuk dihet se si, sepse ata kanë ekspertë e do ta verifikonin shkrimin. Sidoqoftë, kafen do ta jap unë për sihariqin e shpëtimit të dy të “çmendurve”.
Një ditë më vjen në kapanon Kujtim Alia. Kishte përkthyer dramat e Sofokliut.
Kur e pashë ashtu kockë e lëkurë, pata një ndjenjë të çuditshme keqardhjeje. Mezi qëndronte më këmbë e megjithatë përpiqej të merrej me art!
-Sido t’i ketë përkthyer do t’ia lavdëroj – mendova me vete. Që t’i biem shkurt; kur erdha tek Edipi mbret; a Edipi në Kolonë përsëri më zunë sytë dy a tre copëza letrash të grisura nga thasë çimentosh si t’i hante qeni. “Cigare Burgu” titullohej poezia. Për çudi edhe pas kaq dekadash atë poezi nuk e paskam harruar, mendova me vete dhe e shkrova në një fletore mos ta harroja:
.
Grise një copë gazetë
vure pak duhan
të mbledhur nga bishtat e flakur
dhe drodhe një cigare
lajmet
t’u futën në mushkëri
si tym i hidhur
dhe atdheu kollitet i sëmurë.
.
Duke vazhduar leximin, diku tek Elektra apo Antigona ishte fshehur një poezi tjetër që për fat të keq më kujtohet shumë pak pasi ishte e gjatë.
.
Zef Balaj, Visar Zhiti, Dine Dine
Zef Balaj, Visar Zhiti, Dine Dine
Titulli: Neveria
Në shtetin më konservator në botë
ku të burgosin
për një pikturë nudo
……………………………..
ËC janë pa dyer
të hapura,
rradhë, rradhë
përballë njëra tjetrës.
Gjithë turp mund të shohësh pa dashje
kufoma seksesh
që lëkunden si të varur
 
U befasova kur vura re që kish pesë a gjashtë poezi të fshehura në faqet e atij libri a fletoreje pasi të gjitha dramat ishin shkruar me dorë, me një shkrim të kujdesshëm e të kjartë.
Pasi i lexova të gjitha poezitë, pata një ndjenjë frike. Kishte tmerre, mallkime që, edhe nëpërmend t’i shkoje të rrënqethej mishtë pasi po të zbuloheshin të ikte edhe koka. E ndërpreva leximin pasi turni i minierës mund të vinte nga çasti në çast e dola me vrap të gjeja Kujtimin. Flinte në kapanonin fqinj.
E gjeta shtrirë duke lexuar.
-Ç’ke bërë kështu? – i them, e meqënëse edhe kapanoni ku flinte ai ishte bosh, ia nxorra fletushkat e poezive si të ishin trakte mu para fytyrës e duke qeshur i thashë: “Armiku i popullit që nuk fle kurrë, bën çmos të sabotojë e të minojë arritjet e Partisë e të pushtetit popullor…”
-Kujtimi, i habitur kish hapur sytë sepse nuk po i besohej se i kish harruar.
-Në mëngjes shkova tek depoja e ushqimeve për këtë punë, t’i fsheh siç bëj gjithmonë, por çuditërisht i paskam harruar.
U ngrit me të shpejtë e sëbashku shkuam në depo ku më tregoi edhe vendin si i fshihte.
Në anën e pasme të një kove me ullinj i ngjiste poezitë në atë mënyrë që as djallit nuk do t’i shkonte nëpër mend. Kur Visarit i vinin në takim, bënte ç’të mundej, edhe kjo sigurisht qe me rrezik, t’i përcillte poezitë në shtëpi.
-Di njeri për këto sekrete kaq të guximshme.
-Nuk besoj – më tha – unë nuk i kam thënë asnjeriu sepse ti e kupton janë gjëra me shumë spec – tani i di edhe ti, por s’kam asnjë dyshim se nuk do t’ia thuash askujt. Zoti na shpëtoftë nga këto rreziqe!
-Amen! – i thashë dhe u ndamë.
Tek shkruaj këto rreshta m’u kujtua edhe një tjetër që e kryente këtë “krim”. Këtë ma tha një ditë Hasani, që më deshte e më besonte verbësisht. Me që kishte miqësi me Muharrem Xhydollarin, i kish besuar atij t’ia fshihte poezitë e Visarit në minierë. As ai vetë nuk e dinte vendin, por ishte siguruar që atë pozicion askush nuk do të ishte në gjendje ta zbulonte.
Një tjetër shok burgu që kontribuonte në këtë drejtim qe edhe Kujtim Prendi. Ai ishte një tip i guximshëm që s’i bëhej vonë për asgjë. Në depon e ushqimeve në tavan hiqte një pllakë e fshihte aty derisa Visarit t’i krijohej mundësia t’i dërgonte në shtëpi
.
Visar Zhiti - "Hedh një Kafkë te këmbët tuaja" 1994
Visar Zhiti – “Hedh një Kafkë te këmbët tuaja” 1994
***
Pas ca kohësh, me një grup muratorësh transferohem në burgun e Zejmenit. Në 1984, sapo mbaruam punë më dërguan në Qafë Bari, ku gjej edhe Visarin me të cilin aty takoheshim pothuaj çdo ditë. Një herë tek pinim kafe më jep të lexoj nja katër poezi të botuara në revistën Nëntori e më kërkoi t’i jepja një opinion. Ishte një poezi e Kuazimodos në më kujtohet mirë “Letër Nënës” që më pëlqeu e ia thashë.
Pas nja dy orësh më jep nja dy poezi të tjera e kërkonte të dinte përsëri se cila më pëlqente më tepër.
Njëra vërtetë më pëlqen e ia them. Fill pas kësaj e pyes për autorët.
-Nuk i di as unë më tha. I futa në xhep të mësoja të paktën njerën. Më porositi mos t’ia tregoja askujt. U ndava me të e pas nja një gjysëm ore takoj Hasan Bajon, si gjithnjë korrekt dhe i ndershëm. Ia tregoj poezitë. Sapo i nxora nga xhepi kërceu; po këto janë poezitë e Visarit! – Të them të drejtën më erdhi disi keq. Ai nuk e dinte që në Spaç, poezi të tilla kisha lexuar plot. I kisha mësuar edhe përmendësh, e dija edhe njerëzit e vendet ku i fshihnin por me Visarin kurrë nuk kishim komunikuar. I prekur që ai nuk më kish folur asnjëherë as për poezitë që shkruante e as që ia fshihnin shokët e besuar e pyeta nëse nuk kish pasur besim tek unë se mund të mbaja një të fshehtë?!
Ai m’u përgjegj thjesht e bindshëm: “Ke vuajtur si askush tërë jetën në internime e burgje. Nuk kam dashur të të rëndoj sepse po të të kapnin ty do të merrje një dënim shumë më të rëndë nga këta që ma besojnë këtë sekret. Ti ke qenë armik i popullit që në lindje e kam menduar të mos bëhem unë shkak për një të keqe më të madhe”.
Do ta vazhdoja të paktën edhe me nja dy-tre episode tjera, por e shoh se u zgjata ca si shumë, ndaj po përpiqem ta mbyll me pak fjalë për mendimin që kam për poezitë e burgut të Visarit për të cilat ai rrezikoi gjënë më të padhunueshme, jetën e personin e vet.
Kujtoj shumë poezi të burgut veçanërisht tek “Hedh një kafkë në këmbët e tua” – tipike për këtë lloj zhanri, por edhe në libra të tjerë, titujt e të cilëve nuk i mbaj mend të gjithë pasi i kam në Shqipëri, por kujtoj dy a tre nga ato si “Kujtesa e Ajrit”, “Dyert e gjalla”, “Mbjellja e vetëtimave” etj. si ornamente të mbjella në një hapsirë të gjerë për t’i parë të gjithë e t’iu mësojë se e keqja do të zërë rrënjë si grëmi e do të metastazojë, e nëse nuk dënohet do të përsëritet siç po ndodh deri më sot në atdheun tim të shenjtë.
E them me bindje, se këto poezi të poetit janë një enciklopedi e së keqes, që ndodhte në burgjet tona dhe s’ka aspekt të çfardolloji që t’i ketë shpëtuar pendës së tij të mprehtë. Me shpresë se njerëzit, një ditë do të ndërgjegjësohen e t’i dënojnë ato krime e padrejtësi që ndodhën në zemër të popullit të tij, që e keqja të mos përsëritet kurrë.
.
(Dielli në Print-Prill 2021)
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.