Si ia prenë kangën në mes kangëtares Justina Aliaj
nga Ndoc Selimi
Nji yll qe, edhe i djegun la shenja në qiellin shqiptar e në zemrën e çdo artëdashësi. Kangtarja Justina Aliaj, hyni në historinë e muzikës si nji gjenì, dhe njerëzit e asaj kohe e kujtojnë mirë emrin, bukurinë, zanin, inteligjencën e saj, aq sa nuk pritej të mbaronte kanga dhe të gjithë spektatorët ishin në kambë… e në mes duartrokitjeve përcillej zani i saj me akcent shkodran “falemnders”!
Ajo merr pjesë qysh e re në festivalet e kangës në radio e ma vonë edhe në TV, qysh nga festivali i VI-të e deri te famkeqi i XI-të. Në shpirtin e njerzve, në zemrat e në fishkëllimat melodike, vazhdojnë ende sot të përsëriten notat e kangëve të paharrueme, që kanë hy në fondin e artë të kulturës shqiptare si “Unaza”, e këndueme me 1970, në festivalin e IX-të, “Ne të dy”, në festivalin e X-të, “Stacion i dashur”, në festivalin po të X-të (1971)… Por s’i thonë nji fjalë “… Nuk të len djalli me ba dasëm…” dhe djajtë ishin gati.
U prit festivali i XI-të i vitit 1972, që të shpartallohej krejt arti shqiptar, krejt artistët dhe ndër to ishte edhe Justina Aliaj, për fajin e vetëm se kishte këndue nji kangë!!!
Vërtet kanga ishte pak ritmike dhe mbante titullin “Në ekranin e televizorit” e kompozitorit Agron Xhunga.
Faji i dijes dhe i talentit në kohën absurde të diktaturës përbënte krim, bile krim të randë. Kështu e pësoi edhe e talentuemja e re, 21 vjeçare, Justina Aliaj duke e largu nga puna në TV, duke ia pre kangen në mes, dhe tuj e degdisë në nji punëtore e NISH-Mjeteve Mësimore.
U deshtën vitet ’90, që ajo t’i kthehej me nostalgji skenës dhe ekranit, kangës vet që aq shumë e deshti. Edhe pse i kishte mungue artit për afro 20 vjet, përsëri dalja e saj në skenë ngjalli emocione të spektatori shqiptar e ma andej.
Justina Aliaj ishte dhe asht nji artiste e madhe e kangës dhe skenës shqiptare.
Në kujtesën time janë të pashlyme disa episode duke filluë nga Kanga e Kukullës që e interpretoj me zotësi qysh kur ishte fëmijë, por mbas heshtjes së gjatë, u prezantue për të parën herë ne parë Pallatin e Kulturës, në kuadrin e përkujtimit të 200 vjetorit të Lord Bajronit, ku interpretoi me nji shpirt të papamë poemën për “Çajld Harold-in”.
Ma vonë e solli rasti të ishim së bashku në nji meshë në kishën e Shën Mërisë në New Jork në 1996. Mbas meshës iu ba thirrje popullit për të ndihmue me fonde për ndërtimin e nji kishe të re. Njerëzit tashma shqiptaro-amerikanë të vendosun me kohë në shtetin e madh, banin njifarë gare se kush jepte ma shumë, ku premja ma e vogël ishte 5.000 e përfundonte në 100.000 dollarë dhe pastaj zani i spikerit nga mikrofoni “Filani pagoi kaq e kaq”. Në mes tyne ndigjova emnin e njoftun kur spikeri tha: “Justina Aliaj vjen nga Shqipëria e dhuroi 100 dollarë”. Ishte ky 100 dollarësh (kur të tjerët paguenin shuma të mëdha) që bani të ngriheshin në kambë me duartrokitje që zgjatën për disa minuta e gjithë salla. Edhe unë u ndjeva shumë krenar për kët xhest të artistes tonë të nderueme Justina Aliaj.
Të urojmë jetë të gjatë e të lumtun, fisnikja e kangës shqiptare!
Marrë nga muri i fb i Ndoc Selimit
Halil Hajdaraj
Krenari e Shkodrës dhe e tanë Shqipnisë, aq sa asht mundue me e ulë shteti komunist, aq asht çue n’mendjet e popullit të vet. Aktore e para po edhe kangtare, poete, dramaturge (kam nji dramë t’shkrueme prej sajë… E bukur. Kjo nuk asht veç merita e sajë, ka edhe rodin…) Të tana kto i bajshin hije diktaturës… Urojmë të ketë forca me i harrue të kqijat e pësueme e me kenë e lumtun sa t’jetë… ZOTI e ndihmoftë.
Biografi e Justina Aliajt
Shkëlqimin e yjeve shqiptarë të të gjitha fushave të jetës nuk e duronin dot komunistët, drejtuesit injorantë të shtetit të djeshëm shqiptar, dhe si të tillë edhe ai yll që lindte duhej shuar, duhej dënuar, duhej… Justina Aliaj u dënua, u dënua rëndë, madje, por fatmirësisht nuk u shua.
Talentet nuk shuhen, ato vetëm mund të zbehen. O Zot, çfare çmendurie dhe fatkeqsie! Në kulmin e arritjeve dhe suksesit, kur aktorja, këngëtarja e madhe Justina Aliaj ishte duke u ngjitur për të kapur majat më të larta të suksesit të saj, ose i kishte kapur ato maja para kohe, si gjithmonë vjen një urdhër i prerë nga lart… Të dënohet!
Dhe Justina, si shumë artistë të tjerë të asaj kohe të çmendur të fillimviteve ’70-të pati fatin e hidhur të jetës të provonte dënimin komunist. Ia ndërprenë menjëherë të drejtën e studimeve, ku ajo ishte studente në Akademinë e Arteve, në Tiranë për aktore, duke e çuar të punojë në prodhim. Çmenduri!
Nuk e lejuan të këndojë më në festivalet e këngës në radiotelevizion dhe në të gjitha aktivitetet, ku Justina kishte qenë shumë e suksesshme, madje shkuan edhe më tej; Këngët e kënduara prej saj nuk duhet të transmetoheshin as në radio.
Justina Aliaj u rehabilitua në fund të viteve 80-të, atëherë kur edhe kolera, diktatori kishte ngordhur. Edhe pse Justina i mungoi skenës dhe spektatorit për pothuajse 20 vite, dalja e saj në skenë pas kaq shumë vitesh ngjalli emocione të mëdha tek spektatori kryeqytetas dhe i gjithë Shqipërisë.
Justina Aliaj mbetet një yll i këngës dhe skenës shqiptare.
http://www.teksteshqip.com/justina-aliaj/biografia