back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Si jetuan në t’njëjtin fshat familjet e 5 ish-kryeministrave

Gazeta

Nji nga shtatë barrakat e Kampit të Savrës
Nji nga shtatë barrakat e famshme te Kampit të Savrës

Si jetuam në të njëjtin fshat me familjet e 5 ish-kryeministrave

nga Ani Jaupaj

Menjëherë pas prezantimit, Dylbere Cane, rreth të 80-ave, na tha se shitësja e dyqanit me të cilën rrinte përditë të vriste kohën, i kishte lexuar të dielën e shkuar historinë e motrave Hoxha. “I kam pasur shumë shoqe, i kishim barakat ngjitur. Hynim e dilnim te njëra-tjetra për çdo gjë. Si ishin tani…?”
Dylberja është një ndër gratë, njëkohësisht nënat e shumta që ishin degdisur në Savër s’mbahej mend që kur, dhe nga të paktat që vazhdonin të ishte ende aty, prej vitit 1959. Kohët e reja e kishin shpënë për të shëtitur e takuar fëmijët deri në Amerikë, ku jetonte njëri prej tyre, por shtëpinë e saj e kishte aty…. Jo më në kasollen e dikurshme!! Bashkë me të shoqin kishin një apartament të vogël, në njërin prej atyre pallateve të Qendrës. Tashmë ishte “vendalie” me taban, sado që herët, aq e re sa s’i kujtohej, kishte ardhur aty nga Leskoviku.

Kur keni ardhur në Savër? Që kur s’mbahet mend, në ’59-n. Isha jetime, mamaja më thonë se ka vdekur ditën që iku në Gjermani. Njerka më martoi që 15 vjeçe, në Leskovik. Kur erdha këtu, isha 23 vjeç dhe kisha tre fëmijë.
I ndodhi gjë bashkëshortit? Burri i parë, Myslym Iliazi, u burgos dy herë. Herën e parë ishte vetëm për çështje pasurie dhe nuk e mbajtën shumë vite, as mua s’më lëvizën nga Leskoviku. Herën e dytë e akuzuan për tentativë arratisjeje me grupin e Teme Sejkos dhe e dënuan me 25 vite burg.
Ju mbeti gjë nga pasuria e tij? Asgjë! Kam arritur të marr vetëm një kuvertë që mbështolla djalin e vogël dhe asgjë tjetër. Gjithë ç’kishim, e që na dërgonte gjyshja e burrit nga Stambolli, ikën.
U ndatë pas dënimit të dytë? Po. Më tha vetë mos më prit! Ishin shumë vite, pastaj nuk e dinim se si do shkonin punët. Edhe mund të mos dilte më prej andej. Atë e çuan në Spaç, ndërsa mua me fëmijët më sollën këtu, në Savër.
I ndërpretë marrëdhëniet menjëherë, nuk shkuat ta takonit asnjëherë në Spaç? Jo, shkova dy herë me gjithë mundësitë e pakta. Po të gjeje transport dhe para, të merrje leje, edhe mund të shkoje. Por të gjitha këto ishin shumë të vështira për mua që isha krejt e vetme këtu.
Çfarë gjetët këtu, ku ju çuan? Na hodhën në një kasolle, ja në një nga këto barkat që shikoni edhe sot. Këto të vjetrat nuk kanë ndryshuar, janë po ato. Ndonjëri i ka bojatisur ndopak nga jashtë. Dikur ishin më keq. Aty rrija me të tre fëmijët.
U martuat sërish? Po. Kur erdha këtu, isha vetëm 23 vjeç, u bë sebep përsëri një nga fshati që të martohesha. Unë nuk doja, sepse mendoja që kisha tre fëmijë, ndërsa burri që po më thoshin të merrja, ishte i pamartuar. Por u martuam dhe bëra me të edhe shtatë fëmijë të tjerë. Kuptohet që edhe ai, Ahmet Cane, ishte i internuar. I kishin pushkatuar të atin, ndërsa atë e kishin sjellë këtu.
Ku punonit, me çfarë i ushqenit fëmijët? Unë punoja te lopët, ndërsa Ahmeti në bujqësi.
A keni sot ndonjërin prej 10 fëmijëve këtu? Jo, të gjithë janë rrugëve e sokakëve. Një pjesë janë jashtë, të tjerë janë martuar e kanë ikur nga Lushnja, por peng i kam të 10-të. E para që nuk patën asnjë mundësi për të jetuar e për t’u shkolluar dhe e dyta që u trajtuan e u rritën keq.
Si trajtoheshit? Po që kur erdhëm, na futën në një ‘zis’ dhe na hodhën ja këtu, në mes të këtij sheshi ku na lanë për 1 javë në rrugë, derisa e futëm kokën në barakë. Më vonë, djalit të madh, që kisha me burrin e parë, i thoshin vazhdimisht: E di kush je ti, djali i filanit. Do të internojmë. Po ne në internim ishim, ku do na çonin!? Kur u rrit, atë e interrnuan në Bedat, në një tjetër fshat të Lushnjes, ku ndenji për 10 vite. Na binin me gurë, na keqtrajtonin, i qëllonin fëmijët. Në shkollë, në atë pak shkollë që bënë, gjithnjë ishin të përbuzur, nuk i vlerësonin, s’i linin të luanin sport njësoj si fëmijët e tjerë…(Gjatë kohës që Dylberja i qe rikthyer të shkuarës dhe tregonte, vjen aty pranë një nga gratë e tjera të fshatit që sapo e dëgjonte, e kundërshtonte për çdo fjalë. “Mos e tepro, hë se gënjen ajo, gënjen”, ndërsa vetë nuk tregonte asnjë version tjetër të historisë që të të bindte për “gënjeshtrat”. Natyrisht që i gjithë dialogu mes dy grave ishte në formë humori. Shumë shpejt mësuam se të dyja kishin jetuar aty prej një jete, vetëm se e sapoardhura kishte qenë komuniste e devotshme, ndërsa rrëfyesja, nga ato që ajo e kishte parë gjithnjë me cep të syrit dhe nuk i ishte afruar asnjëherë ashtu si sot, pa teklif e pa drojë për të thënë ç’t’i shkrepte në kokë. Sot jetonin njësoj të varfra, mundeshin të ankoheshin për ç’të donin gjithë ditën. Mundej sidomos Dylberja, pa u trembur se mos shoqja-çimkë i çonte gjetiu ndonjë fjalë)
Meqenëse folët për sportin, më thatë se e kishit kasollen ngjitur me atë të motrave Hoxha. Si shkonit? Po, ishim fare ngjitur, derë më derë. Kanë qenë shumë të sjellshme, si motrat, si prindërit e tyre. Hynim e dilnim te njëra-tjetra. Por kuptohet që, edhe pse Handani ishte teniste shumë e mirë, aty ku jetonim nuk kishim mundësi të luanim asgjë.
Çfarë bisedash bënit? E dinit që ishin të afërmet e Enver Hoxhës? Po e dinim, na kishin treguar se e kishin kushëri, po nuk para flisnin shumë as për këtë e as për jetën e qytetit prej nga vinin, sepse ne ishim gjithë kohës të vëzhguar, të gjithë kishin frikë. Bisedat tona vërtiteshin rreth jetës së përditshme, punëve ku punonim, problemeve. Në përgjithësi, njerëzit e “lartë”, siç ishin ato apo siç ishte një tjetër komshi i yni, profesor Lazër Radi, bashkë me të birin Jozef Radin, qëndronin të tërhequr. Ata i njihnin më mirë qoftë problemet, qoftë penalizimet që mund të kishe nëse merreshe me gjëra që nuk të takonin.
Kishte njerëz të tjerë të sërës së tyre? Kishte plot, po kush i mban mend. Ishin prindërit e Henrrik Gjokës, ishte Drita Skrami, halla e Kristaq Skramit, kishte mjaft familje me emër që ju tani nuk i njihni si: Markagjonët e Mirditës, Dinejt, Kaloshët, Ndretë e Dibrës, Kupët dhe Bamët e Krujës, Dostët e Gjinokastrës, Spahijtë dhe Nelët e Kukësit, Mirakajt e Pukës, Kullët e Zëmblakut, Çapajt e Dukatit, Kokalët e Sarandës, Allajt e Biçakët e Librazhdit, Plasotët e Korçës, Nezët, Metaliajt dhe Hoxhët e Tropojës, Bajraktarët e Shkodrës, Tashot, Podët e Kuqeshët e Leskovikut etj. Në atë vend jetuan familjet e pesë kryeministrave shqiptarë: Koço Kotes, Fejzi Alizotit, Mehdi Frashërit, Mustafa Merlikës dhe Fiqiri Dines.
Po bashkëshortin e parë e takuat më? A doli nga burgu? Doli nga burgu, mbasi bëri 19 vjet, nga 25 që e kishin dënuar. Erdhi edhe ai jetoi këtu në Savër. Djali ynë i madh ishte martuar, kishte shtëpi të tijën dhe e mori të jetonte me të, ndryshe s’kishte ku të shkonte. Por pas gjithë torturave që kishte hequr i shkreti, vdiq menjëherë pas burgut, nuk jetoi gjatë.
Ç’tregonte për Spaçin? Gjithë torturat që i kishin bërë atij dhe shokëve të tij për të treguar demek planet e tyre të arratisjes e informacioneve që u kërkonin. I fusnin në ujë të ftohtë në dimër, i linin me një këmbë…, si këto. Mua këto m’i tregoi im bir më vonë. (Këtu, sërish, shoqja komuniste ndërhynte pa pushim duke thënë: mos gënje!)

Savra 2008
Savra 2008

Savra, fshati ku internoheshin familjet e mëdha

Udhëtimi drejt Savrës së Lushnjës nuk ishte i rastësishëm, po as i planifikuar. Intervista e një jave më parë me tri motrat Hoxha, Suzanën, Nerimanin dhe Handanin, jetesa e tyre si të internuara për më shumë se 30 vite në këtë fshat të “krijuar” nga regjimi, na çoi për të mësuar më shumë jo vetëm rreth jetës së tyre, por të të gjithë atyre banorëve që i mblodhën nga të katër anët e Shqipërisë e i “bënë bashkë” në kasollet e Savrës. Të gjithë atyre të rinjve që rrëfimi i motrave Hoxha u është dukur i denjë vetëm për një skenar filmi, kanë rastin të shohin përmes fotografive strehët me kallama, nën të cilat flinin vajzat e reja dhe fëmijët. I kanë ngritur nga vilat e tyre në Tiranë, i kanë ngarkuar në kamion, i kanë hedhur aty për t’u bërë më pas apel tri herë në ditë, pas çdo vakti, se mos ndonjëri/a “i binte të mirës me shqelm”. Sepse në fakt, foleja e tradhtarëve të idealit, Savra, ishte më e mira ndër shoqe. Retë e mushkonjave që u vinin fytyrës nga tharja e kënetës së Myzeqesë ishte favor, krahasuar me tasin e mushkonjave që quhej groshë e që u hidhej po fytyrës, nëpër kampet e Tepelenës a Porto Palermos. Ndër të tjera, duhet t’i ishe mirënjohës fatit edhe pse të hodhi mes njerëzve të butë të Lushnjës, që, edhe pse mund të shihnin lirshëm pas shkurreve, nuk të telendisnin çdo darkë te dhoma e zezë e rrëfimeve. E bënin një darkë jo, një darkë po… sidoqoftë, grumbulli i barakave që u quajt Savër, mbijetoi për më shumë se dyzet vite në atë kohë e po mbijeton ende sot, që ato baraka vazhdojnë të jenë aty, të maskuara me një dorë gëlqere.

.

Kampi i Savres 1991
Kampi i Savres 1991

Krushqitë mes të internuarve

Vitet ’60 në Savër ishin vitet e dashurisë e martesave! Nisën martesat e para. Që nga ato të njerëzve të thjeshtë, njëra prej të cilave Dylberja, e deri te martesat e bujshme, mes fëmijëve të ish-anëtarëve të partisë që kishin përfunduar në Savër. Shumë djemve dhe vajzave të kampit u kishte ardhur mosha për të krijuar familje dhe ia arritën. Ashtu sikundër shumë të tjera, tri ndër të cilat edhe Handani, Suzi e Neriman Hoxha, mbetën përjetësisht beqare! Ndër martesat e para ishte ajo e djalit të Muharrem Bajraktarit me vajzën e Fiqiri Dines; e djalit të Hasan Dostit me të bijën e Abaz Kupit; e gjeneral Tahsin Spahiut me mbesën e Ahmet bej Resulit; e djalit të Fiqiri Dines me të bijën e Hasan Dostit; e Ibrahim Sokolit me Shanisha Dostin; e djalit të Kol Bib Mirakës me vajzën e Hulusi Spahiut; e djalit të Pal Mirakës me vajzën e Mentor Çokut… të gjitha këto familje të reja, njëfarësoj, ndryshuan edhe ajrin në Savër. Lindën fëmijë që shumë shpejt u rritën atyre rrugicave, të paushqyer, por që sot jetojnë jashtë kufijve me gjysmën e vetes ende në Savër.

.

Kasollet që u rezistuan të gjitha regjimeve

…Të mos ishte për tabelat e emëruara që ndanin rrugicat ende të baltosura njëra me tjetrën, vije bast se nuk jetoje në vitin 2013. Të gjitha shenjat e kohës për të cilën një pjesë prej nesh vetëm sa kemi lexuar e dëgjuar, ishin aty. I interferonin pamjes vetëm xhinset e djemve të rinj anës rrugës apo ndonjë kioskë e sajuar, që nuk e kursente rakinë për asnjërën nga mendjet e mpira që nuk kishin asnjë ide se në ç’kohë jetonin. Që dy nga barakat e dikurshme, menjëherë të dukshme sa ktheheshe në të majtë të rrugës së autostradës Lushnjë-Fier, tashmë të suvatuara, ishin kthyer në selitë e dy partive më të mëdha në vend, nuk i binte në sy askujt. Përpara dyerve të tyre ishin vetëm “mirëmbajtëset e pastërtisë” që kalonin andej vetëm nga halli se mos bari rritej aq sa të mos arrinin të shquanin më gjarpërinjtë, – siç u shprehën vetë. Nën hijen e ndonjë peme, ulur mbi gurë, rrinin më të moshuarit, që atë ditë vëzhgonin hyrje-daljet në shtëpinë e një morti. Kryesisht të gjithë banorët e Savrës ishin atje, ndërsa ata pak të mbetur shihnin së largu. Kjo vështirësonte gjetjen e ndonjërës prej 11 familjeve ish-të internuara, por që nënkryetarja e Bashkisë së Lushnjës na tha se jetonin ende aty. Nuk kishin ikur asnjëherë. Duhet t’u vije përqark rrugicave të shpeshta e njësoj të ngjashme për shkak të formës katrore të vendit, për të pyetur a parë mos dikush ishte njëri nga “ata”.
Në atë që banorët e Savrës quanin “Qendra”, sepse kishte 2 pallate 3-katëshe me tulla, qëndronte e ulur në një karrige, përpara hyrjes së një dyqani buke e vezësh të freskëta të mbledhura nga të gjitha gratë e fshatit, një grua e moshuar. Nga ato që të bindin që për së largu se diçka dinë. Nga ato si të pikturave të Monesë, që nuk kanë dalë kurrë nga korniza. Por edhe sikur qëndrimi e pamja e saj të mos të tregonin se nga ai qëndrim kishte ndryshuar vetëm karrigia, që dikur mund të ketë qenë arkë, do afroheshim po njësoj, pa e ditur, se i kishim shkuar historisë së “burgimit” të Savrës drejt e në kockë.

.
(Panorama Plus, e dielë 21 prill, 2013)

Related Images:

More articles

6 KOMENTET

  1. Pershendetje.Para disa ditesh kam lexuar nje artikull te shkruar nga ju per nene SAVE KUQESHIN rastesisht ne faqjen SAVRA ne fb dhe u bera kurjoz dhe lexova dhe artikuj te tjere qe keni shkruar.Pyeta babin se nuk ju njihja,se si emer ju kam degjuar dhe me shume te babait tuaj LAZER RADIT.Nuk e kam jetuar ate perjudhe sepse jam datlindja e 83 (dhe me mir qe nuk e kam arritur)por ne mendje me vijne disa imazhe te barangave dhe disa emra te cilet nuk jetojne me ne saver qe pas viteve 90.Nostalgji e bukur per savren e atyre viteve qe arrita ta njoh dhe ta bredh une(si femij duke luajtur neper tynelet me shpata)sepse tani s’eshte me ashtu.Nuk shkon me njeri te fusha sportit se mos ka ndonje ndeshje skuadrave te fermes qe luanin ne ate kohe,apo te kinemaja se svjen me SAFETI te japi me filma apo estrada,ose te mensa se mos vijne aksonistet.Megjithate prap mire eshte se ka dhe me keq.Me pelqeu shume shkrimi dhe biseda qe kishit bere me nenaBELEN(DYLBEREN)se un keshtu i therras qe ateher qe mesova te flas e deri sot kur shkoj se me ka rritur dhe jetojme ne nje pallat dhe ska asnje ekzagjerim ne ato pak fjale qe ka ju ka rrefyer se e kam degjuar shume here te tregoj per vuajtjet qe ka kaluar ne jeten e saj.Po ajo tjetra kush paska qene qe ne vitin 2013 qe jetojme paska dash tja mbyllte gojen sikur jemi akoma ne kohen qe do jepte llogarri para kshillit per ato qe po thoshte.Nejse papunesia dhe varfria bejne te veten ne saver dhe me kto gjera merren tere diten.Urime per shkrimet tuaja dhe qe e beni te njohur SAVREN nepermjet ktyre shkrimeve.ME RESPEKT.

  2. Nga t’ia nis e ku ta bitis? Ku te vertetat janë shkruar, por nuk shkruhet jeta e dyzet viteve në një faqe letre, nuk shkruhet tmerri i Savres në një faqe letre, nuk shkruhet përbuzja e komunistave në një copë letre, qe na thoshin njëqind herë ne ditë reaksionar… per një gabim që mund te beje me kazëm per një rrenjë pambuku qe mund ta prisje padashje, per një fjalë goje, kur ktheheshe nga dyqani dhe te pyeste dikush ne rrugë a kishte bukë ose domate dhe po ti thoshje jo… ne burg ose para kolektivit, të benin për ujë të ftohtë qe se mblidhje dot veten… Kjo ishte Savra e tmerrit, po si Savra dhe shumë sektorë te tjera te krijuara veë per te deklasuarit… sepse kështu na i kishin vënë si epitet ai tmerr i vertetë…

    • Asht me vlerë që të tregohen këto vuajtje në shtyp edhe në emisione në tv, që edhe brezi i ri të dijë kalvarin që kanë heqë prindët dhe fisi i tyne, të dijnë që nuk ka kenë “fushe me lule…”
      Asht e madhe shprehja “Rrno veç me tregue”!
      Kjo duhet zbatu nga të gjithë, kjoshin ose jo intelektualë…

      • Përshëndetje…
        Të gjitha këto që lexova janë vetëm të vërteta se unë i kam parë dhe i kam dëgjuar… sepse shoqërohesha me K. Bamin, B. çapën, K. Kuqeshin dhe N. Kokalin
        Të lumtë dora Jozef Lazër Radi

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.