Si mbeti Koliqi në jetën time… Lazër Radi
Kush e ka pasë fatin ta lexojë Koliqin qysh herët, e ka konstatue kët virtyt të paarritshëm të tij, kët dhuratë të muzës letrare qe e bante magjike fjalën e tij shqipe. Edhe sot, unë mundem me thanë se nëse kam mësue ndopak me shkrue, dhe nëse në thurjet e mia letrare gjendet ndonji thërrime magjie e gjuhës shqipe, kët ia detyroj veç nji njeriu: Koliqit, dhe vetëm atij…
Dhe ja pse…
…Në vitin 1931, u regjistrova në klasën e dytë të Gjimnazit të Tiranës dhe si i porsaardhun nga Kosova, me gjuhën shqipe s’isha fort i zoti me hartue ndonji gja të randsishme, për mos me thanë edhe ma keq… Kështu që asaj vere, profesor Karl Gurakuqi, me plot të drejtë, më la për vjeshtë. U ktheva në Durrës, dhe s’po dija nga me ia fillue. Fatmirsisht, midis miqsh, m’u dha mundsia të njihem me mësuesin e talentuem Avdulla Keta, i cili jo vetëm u tregue u gatshëm, po edhe më ndihmoi mjaft me informacione gramatikore. Si lekturë, më dha librin “Hija e Maleve” të Koliqit që ishte botue ato vite, në mos gaboj në vitin 1929. Ernest Koliqi ende s’ishte ndonji emën i bujshëm, e në veçanti për njoftjet e mia modeste, (mos me thanë të pakta), dhe kur e mora librin në dorë s’më tha ndonji gja të madhe…!
Ishte ajo çukitje e ngadaltë, ai shfletim mërzie i mbetjes në vjeshtë, që më futi pak pritueshëm në shpirtin e atij libri… por që fletë mbas flete, tregim mbas tregimi, ai libër më mrekulloi, më shkundi, e më zgjoi nga gjumi, dhe pa frikë mundem me thanë se mbasi e kapërceva drojen e fillimit, s’po e lexoja ma, por po e përpiva të tanin… Mandej iu ktheva edhe për së dyti, edhe për së treti…. dhe vetëm mbas kësaj, pune, fillova me u marrë ma seriozisht me analizën: me fjalët, me frazat, që s’i kuptojsha fort mirë. Herë mbas here ishte mësues Avdullai m’i shpjegonte… dhe kështu krejt ajo verë më kaloi nën “Hijen e Maleve” dhe nën peshën e penës së Koliqit… Aq herë e kisha lexue at libër, sa pothuej tash e dija përmendësh të gjithin. Ai libër ma kishte pasunue në mënyrë të pabesueshme fjalorin dhe mendimin me magjinë e gjuhës shqipe.
Kështu u futën në shpirtin tim, “Hija e Maleve” dhe Koliqi, dhe mbas eksperiencës së asaj vere, nisi me m’u duk vetja krejt tjetër…
At vjeshtë, më doli bursa me vazhdue në Gjimnazin e Shkodrës, ku ma së pari më duhej ta shlyeja “provimin” e vjeshtës, në gjuhë shqipe, ku profesor kisha Kolë Kamsin. Si ‘vjeshtukë’ që ishim ai na mblodhi në nji klasë, e na dha nji temë të lehtë, të cilën unë e zhvillova mbrenda nji ore.
Të nesërmen, kur shkova me marrë rezultatin, e takoj profesor Kamsin, dhe i kallzova kush isha… Ai më kqyri pak me habi, po edhe me mjaft dashamirësi e më tha:
-Pse ti je Lazri!? Kam mbetë fort i çuditun! Si asht e mundun që të kanë lanë për vjeshtë ty!?! Ti ke ba nji hartim jo të mirë, po shumë të mirë, bile edhe kaligrafia jote më bani fort përshtypje! S’di ç’ka me t’thanë! Më ke habitë! Ia kallzova kët punën tande edhe drejtorit dhe e pamë të arsyeshme të mos paraqitesh në provimin me gojë! Bile më duhet me të urue që të vazhdosh në kët rrugë!!
Nuk di ç’ngjyrë mund të ketë pasë fytyra ime at çast, mbasi atypëraty s’e mora vesh domethanien e “vazhdimit n’at rrugë”… Po për këtë e falënderova shumë profesor Kamsin, po ma shumë se gjithkend, më duhej të falenderoja, edhe pa e njoftë, Koliqin e Madh dhe veprën e tij të mrekullueshme “Hija e Maleve”…
(Marrë nga libri në ribotim: “Shqipnia në vitet ’30”)
Sa pak mjafton që një njeri të shenjojë jetën tënde dhe të mbetet në kujtimet e tua, në kët rast edhe si udhrrëfyes i pasionit të jetës!