back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Si mendon për ne një shkrimtar serb i kohës sonë? nga Ushtima e Sharrit*

Gazeta

Lazer Radi - Loto e Laures 1942 Doktor ne Jurisprudence
Lazer Radi – Foto e Laures 1942 Doktor ne Jurisprudence

Si mendon për ne një shkrimtar serb i kohës sonë?

nga Ushtima e Sharrit*

Që në Serbi është zhvillue nji propagandë antishqiptare e fortë kjo dihet prej të gjithëve. S’asht nevoja me përmendë këtu ish kryeministrin serb, shovinistin Vladan Gjorgjeviç dhe veprën e tij të famshme “Shqipnia dhe Fuqitë e Mëdha”. Kët botim të mjerushëm e njohin të gjithë ata që interesohen sado pak për jetën e vendit tonë. Mënia kundërshqiptare ka hy edhe në botimet sllave dhe jo vetëm ndër botime etnike-propogandistike. Në poezi, në proze, edhe aty ku nuk ka vend fare, kemi me gjeti ndonji fjalë, ndonji shprehje apo ndonjë aluzion antishqiptar.
Po paraqesim sot nji pjesë shkrimi të nji poeti serb të kohës sonë, Jovan Duçiqit. Ky asht ndër prozatorët dhe poetët ma të mirë të kohës tonë; mbahet si demokrat sepse asht ushqye me kulturë franceze, asht njeri me pozitë të naltë, sepse asht diplomat qysh prej vitit 1910, po me gjithë kulturën dhe shpirtin e nji poeti të mirë, Jovan Duçiq mbetet serb, shovinist serb dhe si i tillë, nuk mungon që të përfitojë nga rasti me thanë nji fjalë të keqe kundër Shqipnisë e kundër popullit shqiptar.
Ky poet serb, në nji nga veprat e tij ma të randsishme: ”Gradovi e Kimere” (Qytete dhe Fantazma) nji prozë poetike epistolare, na përshkruan si komb, si popull, si gjuhë e si vend me ngjyra ma të zeza. Në faqen 106, në “Letër nga deti Jon”, në udhëtimin prej Italisë në Greqi, mbi avullore, duke i pa malet e bregdetit shqiptar, i vijnë përpara këto mendime:
 
“Shqipnia asht e përhime dhe e xhveshun; i tillë, sigurisht, do të jetë edhe Epiri. Shqipnia asht nji grumbull shkrepash ndër të cilat rriten gjarpninj dhe arnautë. Dikur grekët e vjetër ndër këto vende kanë vendosë Ferrin – Hadesin, shumë ma përpara se të vendosnin politizimin e tyne. Midis këtyne shkambinjve dhe nëpërmjet këtyne vargonjve të paplleshëm ka rrjedhë dikur Akeronti i tmerrshëm që të çonte në botën e nëndheshme. Populli që jeton sot ndër këto vende asht populli ma i pakulturuem i gjithë njerzisë europiane. Ky popull ka qënë gjithnji në rrugën e gjithë shtëpidjegunve dhe të gjithë shkatërrimeve. Zhurma e lumit Shkumbin, që përshkon sot ato vise melankolike nuk asht ma e hershme se zhurma e Akerontit të lashtë. Shqipnia asht toka e hakmarrjes, tokë pa nji folklor të vetin, pa kangë kreshnike, pa tregime, e pa kurrëfare personaliteti epik ose fetar. Populli i këtij vendi asht krenar, por i egër, pa nji qendër kulture e pa nji gjuhë të vetën. Asht i mallkuem midis gjithë popujve të tjerë, sepse prej mija vjetësh jeton pranë racave ma të kulturueme të botës, pranë grekëve dhe romakëve dhe, s’ka mundë me krijue vetë asgja; por s’ka marrë asgja as prej popujve të tjerë. Prej Greqisë e ndajnë do rrafshina e brigje, dhe prej Italië, të thuesh nji ngushticë deti, e megjithatë ka mbetë vendi ma i prapambetun i Europës. Dikur, shumë përpara Hamesit, këtu ka qenë dhe tempulli i shenjtë i Dodonës, ku vinin dërgatat fetare prej Athine dhe Sparte dhe pastaj vijonin ambasadorët e Krezusit nga lindja, “Zeusi, thërriti Akili-t, që vështron mbi Dodonën e largme, mbretin e dimrave”, pra, në këtë vend sot sundon myslimanizmi dhe dëgjohet nji gjuhë e shëmtuet, së cilës linguistika e gjithë botës së qytetërnueme s’po mundet me i gjetë burimin në klasifikim. Në kodrinat e atjeshme në kohët e para pellazgjike quhej Tomorr dhe ishte Olimpi i botës greke të atëherëshme; Mbi këtë kodrinë ka qënë vendosur atëhere froni i parë i Zeusit, që ishte atëherë djalë i Kronit dhe aty ka mbajtë në dorë rrufenë e parë. Qëndra e qiellit dhe e tokës ka qënë atëhere nji kodrinë shqiptare! Po gjithësia me të vërtetë ka ndërrue në dam të shqiptarve!!”.
.
Qytete dhe fantazma
Qytete dhe fantazma
Ja kështu na ka pikturuar simbolisti serb Jovan Duçiq në nji nga pjesët e tij më të mira të librit. Ky libër është përkthyer në shumë gjuhë të botës. Në këtë rast duhet t’i bëjmë një pyetje vetes: Kur mendon, edhe na paraqet në këtë mënyrë një nga eksponentet e kulturës sërbe, si do të mendojnë e si do të na paraqesin politikanët dhe shovinistët e tjerë që ushqejnë urrejtje direkte kundër Shqipërisë dhe popullit shqiptarë? Këto gjëra duhet të na bëjnë të mendojmë mirë. Nuk duhet të ushqehemi me ëndrra; nuk duhet të presim dorën e fatit që të na i rregullojë punët tona. Në vetë duhet t’i përvishemi punës së mundimshme dhe flijimeve që do të na kërkohen për t’u bërë ballë rreziqeve që mund të na vijnë nga veriu ose nga jugu.
Bashkimi i të gjithë elementeve shqiptarë, sot është më i nevojshëm se kurrë; duhet të lidhemi në një front të vetëm, duhet të përqëndrohemi në një organizatë politike të shëndoshë e realistë dhe duhet të themelojmë një front difensiv të brendëshëm me qëllim që të përballojmë çdo rrezik që mund të na vijë e ngado që të na vijë për të cënuar në të drejtat tona kombëtare.
“Bashkimi i Kombit” 1943-1944
* Ushtima e Sharrit – Pseudonim i Lazer Radit 1943-1944

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.