back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Si mendon për ne shqiptarët… Ushtima e Sharrit

Gazeta

Lazër Radi
Lazër Radi 1942

 Si mendon për ne shqiptarët… nji shkrimtar serb i kohës sonë?

Ushtima e Sharrit (Lazër Radi)

Që në Serbi asht zhvillue nji propagandë antishqiptare e fortë kjo dihet prej të gjithëve. S’asht nevoja me përmendë këtu ish kryeministrin serb, shovinistin e njoftun Vladan Gjorgjeviç dhe veprën e tij të famshme “Shqipnia dhe Fuqitë e Mëdha”. Kët botim të mjerueshëm e njohin të gjithë ata që interesohen sado pak për jetën e vendit tonë. Mënia kundërshqiptare ka hy edhe në botimet sllave dhe jo vetëm ndër botime etnike-propogandistike, po edhe në poezi, në prozë, pra edhe aty ku s’ka vend fare, kemi me gjeti ndonji fjalë, ndonji shprehje apo ndonji aluzion antishqiptar.
Po paraqesim sot nji pjesë shkrimi të nji poeti serb të kohës sonë, Jovan Duçiqit. Ky asht ndër prozatorët dhe poetët ma të mirë të kohës tonë; mbahet si demokrat, sepse asht ushqye me kulturë franceze, asht njeri me pozitë të naltë, sepse asht diplomat qysh prej vitit 1910, por me gjithë kulturën dhe shpirtin e nji poeti të mirë, Jovan Duçiq mbetet serb, shovinist serb dhe si i tillë, nuk mungon që duke përfitue nga rasti me thanë edhe nji fjalë të keqe kundër Shqipnisë dhe kundër popullit shqiptar.
Ky poet serb, në nji nga veprat e tij ma të randsishme: ”Gradovi e Kimere” (Qytete dhe Fantazma) nji prozë poetike epistolare, na përshkruan ne si komb, si popull, si gjuhë dhe si vend me ngjyrat ma të zeza. Në faqen 106, në “Letër nga deti Jon”, në udhëtimin prej Italisë në Greqi, mbi nji avullore, duke i pa malet e bregdetit shqiptar, i vijnë përpara këto mendime: “Shqipnia asht e përhime dhe e xhveshun; i tillë, sigurisht, do të jetë edhe Epiri. Shqipnia asht nji grumbull shkrepash ndër të cilat rriten gjarpninj dhe arnautë. Dikur grekët e lashtë ndër këto vende kanë pasë vendosë Ferrin – Hadesin, shumë ma përpara se të vendosnin politeizimin e tyne. Midis këtyne shkambinjve dhe nëpërmjet këtyne vargmaleve të paplleshme ka rrjedhë dikur Akeronti i tmerrshëm, që të çonte në botën e nëndheshme. Populli që jeton sot ndër këto vende asht populli ma i pakulturuem i gjithë njerzisë europiane. Ky popull ka qenë gjithnji në rrugën e gjithë shtëpidjegunve dhe të gjithë shkatërrimeve. Zhurma e lumit Shkumbin, që përshkon sot ato vise melankolike nuk asht ma e hershme se zhurma e Akerontit të lashtë. Shqipnia asht toka e hakmarrjes, tokë pa nji folklor të vetin, pa kangë kreshnike, pa tregime, e pa kurrëfarë personaliteti epik apo fetar. Populli i këtij vendi asht krenar, por i egër, pa nji qendër kulture e pa nji gjuhë të vetën. Asht i mallkuem midis gjithë popujve të tjerë, sepse prej mija vjetësh jeton pranë racave ma të kulturueme të botës, pranë grekëve dhe romakëve dhe, s’ka mundë me krijue vetë asgja; por s’ka marrë asgja as prej popujve të tjerë. Prej Greqisë e ndajnë do rrafshina e brigje, kurse prej Italisë, të thuesh nji ngushticë deti, e megjithatë ka mbetë vendi ma i prapambetun i Europës. Dikur, shumë përpara Hamesit, këtu ka qenë dhe tempulli i shenjtë i Dodonës, ku vinin dërgatat fetare prej Athine dhe Sparte dhe pastaj vijonin ambasadorët e Krezusit nga lindja, “Zeusi, i thirri Akili-t, që të vështronte mbi Dodonën e largme, mbretin e dimnave”, pra, në kët vend ku sot sundon myslimanizmi dhe ndigjohet nji gjuhë e shëmtuet, së cilës linguistika e gjithë botës së qytetërnueme s’po mundet me i gjetë burimin në klasifikim. Në kodrinat e atjeshme në kohët parapellazgjike quhej Tomorr dhe ishte Olimpi i botës greke të atherëshme… Mbi kët kodrinë ka qenë vendosë atëhere froni i parë i Zeusit, që ishte edhe djalë i Kronit dhe prej aty ka mbajtë në dorë rrufenë e parë. Qendra e qiellit dhe e tokës ka qenë atëhere nji kodrinë shqiptare! Gjithësia në të vërtetë ka ndërrue në dam të shqiptarve…!!”.
Kështu na ka pikturue simbolisti serb Jovan Duçiq në nji nga pjesët e tij ma të mira. Ky libër asht përkthye në shumë gjuhë të botës. Në kët rast duhet t’i bajmë nji pyetje vedit: kur mendon, edhe na paraqet në kët mënyrë nji nga eksponentet e kulturës serbe, si do të mendojnë e si do të na paraqesin politikanët dhe shovinistët e tjerë që ushqejnë urrejtje direkte kundër Shqipnisë dhe popullit shqiptar? Këto gjana duhet të na bajnë me mendue mirë. Nuk duhet të ushqehemi me andrra; nuk duhet me pritë dorën e fatit që të na rregullohen punët tona. Ne vetë duhet t’i përvishemi punës së mundimshme dhe flijimeve që mund të na kërkohen për t’i bà ballë rreziqeve që mund të na vijnë nga veriu ose nga jugu. Bashkimi i gjithë elementeve shqiptarë, sot asht ma i nevojshëm se kurrë; duhet të lidhemi në nji front të vetëm, duhet të përqëndrohemi në nji organizatë politike të shëndoshë dhe realiste dhe duhet të themelojmë nji front difensiv të mbrendshëm me qëllim që ta përballojmë çdo rrezik që mund të na vijë ngado, me na cënue në të drejtat tona kombtare.
Ushtima e Sharrit – pseudonim i Lazër Radit  (“Bashkimi i Kombit” 1943-1944)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.