back to top
8.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Si ndërtohet një kryeqytet? – nga Ervina Toptani

Gazeta

Paris Tour Eiffel Coucher de soleil
Paris Tour Eiffel Coucher de soleil

Si ndërtohet një kryeqytet? 

nga Ervina Toptani

Ka qenë kënaqësi e veçantë shkuarja në Bashkinë e Parisit, ndërsa përgatisja librin tim të parë, për të parë nga afër hartat e lexuar me dokumente, historikun e ecurisë gjatë kohës që ndërtohej Parisi i ri, ai që njohim ne sot.
Jo pa qëllim e sjell këtë pjesë të shkëputur nga libri im i parë, për të treguar se nëse politikanët drejtues të bashkive në Shqipëri do ta donin vendin e qytetin ku janë zgjedhur për të drejtuar, do e kishin bërë çdo qytet Paris. Shembujt nga historia janë kaq të shumtë. Unë në këtë libër kam sjellë shkurtimisht ndërtimin e Parisit e Vjenës që ne njohim sot.
… Qyteti im, që konsiderohet më i bukuri në botë, ka qenë i banuar në vitet 9800 dhe 7500 para Krishtit. Këto njerëzore janë vërtetuar me gjetjet e mbetjeve të veglave të gjuetarëve, të mbledhura në grumbuj të përbashkët nën rrënojat e vjetra të qytetit, atëherë kur Parisi filloi të bëhej dalëngadalë Parisi i sotëm, i shkëlqyeri. 
Gjatë mesjetës Parisi ka qenë qyteti më i madh në Europë e qendër shumë e rëndësishme tregtare e fetare. Ai ka qenë shtëpia ku nisën lëvizjet e grupimet e para intelektuale në Europë dhe sigurisht revolucioni francez që solli ndryshimin e rendit në botë. Kryeqyteti i modës që në fillim të shekullit XVIII dhe skena e dy revolucioneve të tjera 1830 dhe 1848. 

Paris Arc de Triomphe
Paris Arc de Triomphe

Parisi i madh filloi së ndërtuari në vitin 1852, nën drejtimin e Napoleonit III e të prefektit të Senës George Eugene Haussmann dhe brenda vitit 1870, qendra e tij ishte kjo që ne kemi sot, bulevarde të gjera me parqe e kopshte plot gjelbërim, me ndërtesa të bukura e të sigurta, me kanalizime, rrugë të mrekullueshme, pastërti, pemë e lule pafund. 
Baroni Haussmann, njeriu që i dha Parisit bukurinë dhe nuancën më të veçantë në botë, është një ndër figurat më të ndritura të Francës. Ai u përzgjodh nga Napoleoni i III, pas një periudhe të gjatë kërkimi e njohjesh të njerëzve të kësaj fushe, për të ndërtuar programin më të vështirë të karrierës së tij, ndërtimin e Parisit të ri mbi atë të vjetrin. Ka qenë një betejë e vërtetë, jo vetëm për vështirësinë e punës, por për luftën, pengesat e kundërshtimin e njerëzve me influencë që ishin kundër ndërtimit të Parisit të ri. 
Duke punuar sëbashku me, Napoleoni III, kishte vënë një hartë gjigande të Parisit në zyrën e tij dhe kalonin orë e orë çdo ditë me Haussmann-in duke diskutuar mbi punimet e risitë e projektit. Fillimisht duhej përmirësuar rrjeti sanitar, i cili ishte shumë problematik për arsye se popullsia e Parisit ishte rritur shumë gjatë viteve të fundit ndërsa qyteti mbetej i njëjtë si më parë dhe askush nuk kishte vënë dorë në përmirësimin e tij e të kushteve për jetesën e të gjithë banorëve, ndaj emergjenca e parë kryesore ishte rregullimi i kanalizimeve, tubacioneve të furnizimit me ujë të pijshëm e rregullimi i trafikut. 
U prishën qindra ndërtesa të vjetra për të ndërtuar bulevardet e reja e rrugët dytësore që lidheshin me to. Ndërtesat e reja kishin të njëjtin numër katesh, gjatësie e ngjyrë për t’i dhënë origjinalitet qytetit. U ndërtuan stacionet hekurudhore e spitali qëndror i Parisit, hotelet, kafenetë, shkollat e gjithçka tjetër sipas planit që ne shohim ende sot. Krenaria e Parisit ishte ndërtimi i Operas i cili ende sot është një ndër ndërtesat me të bukura në botë. 

Paris, Montparnasse Cemetery
Paris, Montparnasse Cemetery

Kur Perandoresha Eugenie, zonjë e fortë e simpatike, e cila ndër të tjera kishte influencë të madhe në politikën e jashtme të bashkëshortit të saj, pa modelin e pallatit të Operas dhe pyeti arkitektin: “Çfarë stili është ky?” Arkitekti i përgjigjet: “Stili Napoleoni III, zonjë!” Perandori gjithçka e kishte studiuar fillimisht vetë me dëshirën e madhe që kishte për ta bërë Parisin më të bukurin në botë. Gjithë dashurinë e devotshmërinë ndaj Francës, ai e shprehu nëpërmjet artit të ndërtimit. Mijëra punëtorë kishin treg të sigurt pune për shumë vite me rradhë e kështu të gjithë merrnin pjesë sëbashku në ndërtimin e “shtëpisë” së re të përbashkët. 
Parqet e reja që kërkoi Perandori duhet të ishin të mëdha, të qeshur, tepër të gjelbëruar duke shërbyer jo vetëm si mushkëria e vërtetë e qytetit, por edhe për kënaqësinë e kalimin e kohës së lirë të njerëzve, për relaksin e qetësinë që sillnin. Shëtitoret u ndërtuan nga një arkitekt i veçantë që kujdesej vetëm për këtë aspekt, i cili së bashku me të tjerët, gjithsecili me detyrat e tyre të veçanta, punonin me Haussmann-in pa u ndalur. 
Parisi u ndërtua me 8 lagje të mëdha kryesore dhe secila prej tyre duhet të kishte parkun e saj të madh, “sallonet e gjelbëruara me lule” siç i quante ndryshe Perandori. Më 1870, Parisi ishte gati për të qenë i pari mbi gjithçka, fryte të cilat njerëzit i gëzojnë sot e gjithë kohën. 
Marrë nga muri i Fb i Ervina Toptani, 2 shkurt 2022

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.