back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Si në ëndërr… – nga Muçi Xhepa

Gazeta

Muçi Xhepa dhe Petro Zheji
Muçi Xhepa dhe Petro Zheji

Si në ëndërr…

nga Muçi Xhepa

Hapet dera. E drunjtë. Hoteli luksoz Xheferson. Kam ndaluar pranë hyrjes. Rruga 16. Sinjalet e emergjencës i mbaj të ndezura. Udhëtari Shtainfel, mbi të tetëdhjetat, i jep diçka dorëtarit dhe afrohet ngadalë. Buzëqesh. Ulet në sediljen e pasme.
-S’është e lehtë të prisni këtu! Rrugë e rëndësishme kjo, – qesh.
Në anën tjetër banesa madhështore e ambasadorit rus. Dikur ambasada e BRSS-ës. Ruhet natë e ditë nga policia sekrete. “Çerdhe agjenturore…” them me vete. Pikërisht këtu, oficeri i marinës amerikane, John Anthony Walker Jr., në gjendje të çrregullt mendore, kaloi portën e zymtë prej hekuri dhe befasoi shefin e KGB-ës në ambasadë, Boris Solomatin.
-Dua të fitoj para – i tha amerikani. – Le të bëjmë marrëveshje bashkëpunimi.
Solomatin menjëherë e mori lart në zyrën e tij. Biseduan dy orë.
-Më bëni përshtypje – i tha në fund të takimit shefi i agjenturës ruse.
-Nuk jeni si të tjerët që i ndez dashuria për komunizmin. Keni ardhur thjesht për biznes.
Walker dorëzoi dokumenta tepër të rëndësishme, ku vërtetonte se kishte hyrshmëri te kodet sekrete të Marinës Amerikane, ndërsa Solomatin e shpërbleu me disa mijra dollarë.
Ndonëse nën vëzhgimin e rreptë të postës së FBI-së, e vendosur në anën tjetër të rrugës, ai mundi të dalë pa u kuptuar, fshehur në automobilin e ambasadës. Për dy dhjetëvjeçarë rresht oficeri Walker u vu në shërbimin e armiqve të vendit tij. “Veprimtaria agjenturore i siguroi Moskës njohuri të konsiderueshme rreth luftimit në det”, do të shprehej Sekretari i Mbrojtjes Caspar Weinberger.
-E bukur! Ja, Shtëpia e Bardhë në ballë! – Shihemi në pasqyrë.
-Nuk kemi për të vajtur atje! – Qesh me zë.
-Adresë keni vënë qytezën Ferfaks Virxhinia.
-Banon një ish koleg. Kemi punuar bashkë në universitetin e Xhorxhtaunit, në Katedrën e Gjuhësisë.
-Keni ditë në hotel?
-Përse më pyesni? Ngaqë është i shtrenjtë? -Mbetem i pagojë. Ndonëse e kam detyruar veten t’u qëndroj larg pyetjeve të tilla, kureshtja orientale edhe këtë radhë e mposhti vetëpërmbajtjen oksidentale. Skuqem!
-Bëra shaka! – Shihemi në pasqyrë.
-Kam ngrënë një darkë në restorantin e hotelit. Prandaj… gatuhet mirë.
Ibrahim Rugova më ftoi si përfaqësues i ambasadës shqiptare në Uashington. Priste miqtë amerikanë. E kishin nderuar në zyrat më të larta të shtetit. Të ftuar nderi kishte Sekretarin e Mbrojtjes, William Perry. Në hollin e hotelit Rrugova u afrua të shtrëngonte duart me mua. Adnani, shoqërusi personal i sigurisë, e tërhoqi menjëherë në anë. Mbeta i shtangur. Edhe Rugova u befasua. Adnani buzëqeshi.
-Zoti Kryetar, ishit poshtë një objekti që mund t’ju merrte jetën. – Bëri me shenjë lart. Varej një shandan i madh prej kristali. Rugova më përqafoi. Në darkë më uli pranë vetes. Respekt vëllai.
Sekretari Perry gjatë fjalës përshëndetëse i tha:
-Do të na keni pranë!
Petro Zheji 1929
Petro Zheji 1929
“Përse më shfaqet si në ëndërr darka? Ngaqë Dardania është pjesërisht e çliruar…?” – them me vete. “Festojnë!” Marr frymë thellë.
-Cila gatesë ju pëlqeu më shumë? Kam dëshirë ta provoj kur të kthehem. – “Çlirimi i plotë i Dardanisë”, them me vete.
-Të më falni! Ka vite…
-Mund t’ju pyes nga jeni? Më lejoni ta gjej vetë! – Vështron i përqendruar në pasqyrë. Flet nën zë.
-Albania?
-Po, profesor! Më befasuat! Cila fonemë ju solli në gjetjen e saktë?
-“R” dhe “L”.
“…Për të prodhuar ‘R’ dhe ‘L’ pa u dalluar nga anglezët, kërkohet një rilidhje e elementëve të caktuar të qarkut në tru…” – Na mësonte në shekullin që lamë pas, Petro Zheji. Eh, gjigant, kush të kuptonte atëherë?!
-Shkenca e gjuhësisë të mahnit me zhvillimet e fundit. Tani mund të shohim edhe cila pjesë e trurit aktivizohet gjatë mësimit të gjuhës së huaj. – Mbështet kokën prapa i kënaqur.
-MRI?
-Po! Magnetic resonance imaging and electrophysiology. Mësimi i gjuhës së huaj e zhvillon shumë pjesën e trurit ku ndodh procesi… edhe kujtesën.
-Doni të thoni se e forcon kujtesën?
-Jo vetëm aq, por ndikon të mos prekemi lehtë nga sëmundja Alzheimer.
-Profesor, ju falenderoj shumë! Mësova diçka të re. Shqiptarët, për arsye të ndryshme, në masë, kanë mësuar pa vështirësi gjuhë të huaja.
-Ju ndihmon gjuha juaj. E vjetër.
-Ka edhe gjuhë të tjera…
-Po, por nuk janë pranë rrënjës. Vepra e gjuhëtarit shqiptar Petro Zheji, “Shqipja dhe Sanskritishtja”, e shpjegon këtë. Kolegu tek i cili po shkojmë beson shumë në zbulimin e tij.
-Mos doni të thoni se ka studiuar gjuhën shqipe?
-Është marrë me të.
Petro Zheji ka lënë mesazh.
-Kur të kthehesh nga puna më merr në telefon! Është urgjente! – Shqetësohem. Zëri i Petros është i thellë. Ndryshe. E marr menjëherë.
-Dëgjomë me vëmendje! Duhet të largohem prej këndej. Zonja e shtëpisë është e alarmuar. E kanë kërcënuar. Duan të më helmojnë. Nuk po të flas më gjatë! – “Si juristin Aristidh Kolën”, them me vete. “…Arvanitasit janë krijuesit e Greqisë së Re”, tha shqiptari i madh dhe e mbaruan.
-Nisem me avionin e parë!
Piloti lajmëron: “Do të vazhdojmë të fluturojmë rrotull aeroportit. Presim që pista të pastrohet. Jemi brenda një stuhie dëbore”. Hap mbulesën e kauçuktë të dritares. Bardhësi. Vajza e re ulur pranë meje pyet stjuardesën nëse mund të ndezë celularin. Ajo e kundërshton me tundje të kokës.
Në aeroportin Metro të Detroitit ka dalë Petro dhe zonja e shtëpisë, ku banon me qira ai. Zonja flokartë, të dredhura, lëshuar mbi supe, sy kaltër, trup elegant, veshur me sqimë, shikon përreth e shqetësuar. Dikush e ndjek.
-Më bëre merak! – Petro afrohet i gëzuar.
-Kemi dy orë që të presim. Dëbora ka filluar në mesnatë. Njihu me zonjën! – Shtrëngojmë duart.
-Flasim rrugës!
Zemë vend në sediljen prapa. Zonja nget automobilin, Ford, ngadalë për tek agjencia e kamionëve me qira, U-Haul. Herë pas here Fordi shket mbi dëborën e ngrirë. Vetëm një linjë është e hapur. Pirgje dëbore mbulojnë anët e rrugës. Vetja të duket sikur lundron në një lumë të bardhë.
-Ke për të na falur! – Petro afron kokën pranë saj.
-Do të flasim në shqip.
-Bëni mirë. Dua të përqëndrohem në timon.
-Është e trembur. – më drejtohet Petro.
-Ndodhet në mes dy zjarreve: Të më shpëtojë dhe të ndëshkohet, ose të më helmojë dhe të marrë shpërblimin.
Drithërohem. Të jem në ëndërr? Në Itali e goditën me automobil. Ishte viti i parë pas shembjes së madhe. E lanë të shtrirë në rrugë. E menduan të vdekur. Që nga ajo kohë kanë kaluar dy dhjetëvjeçarë. Jemi në Amerikën antikomuniste. Kërkojnë ta helmojnë!
-I kanë dhënë ultimatum.
-Përse nuk kontakton autoritetet, policinë, FBI-në…?
-Ka frikë se e mësojnë. Më kërkon të largohem që sonte. Me natë.
-Të jetë arsye libri që po shkruan?
-Çdo gjë mund të jetë në mes!
Fordi shket përsëri. Këtë radhë parashtytësi humbet në dunën e bardhë. Jemi të vetëm në rrugë. Dëbora është shtuar. E akullt. Petro në njërën anë, unë në tjetrën, të zhytur deri në gjunjë, shtyjmë me forcë Fordin. Gomat xhirojnë. Pas shumë lëvizjesh futet sërish në linjë. Tek agjencia U-Haul mbarojmë punë shpejt. Marrim kamion të madh, GMC me karroceri të mbuluar. Petro ngjitet në kabinë. Ndjekim Fordin. Parkoj tek oborri i shtëpisë. Menjëherë fillojmë të ngarkojmë kamionin. Orenditë e dhomës në fillim, pastaj kutitë e kartonit të mbushura me libra dhe fjalorë.
Dita thyhet. Flokët e dëborës ngjyrosen në gri. Të pambukta, të dendura. Rrugica ngjason me peisazhin impresionist “Snow at Louveciennes” të piktorit anglez Alfred Sisley.
-Këtë do ta marr me vete në kabinë. – Kutia e madhe prej kartoni është mbushur me dorëshkrime. Vepra që i ka përkushtuar jetën, “Shqipja dhe Sanskritishtja”.
-Nisuni! – Zonja i hidhet në qafë. E përqafon.
-Eh, kështu më shkoi kjo jetë! – Petro i puth duart.
Muzg. Është e para herë që ngas kamoin me karroceri. Agjentja na siguroi se gomat janë të reja, dimërore.
-Kini kujdes kthesave! Mos e luani timonin në të kundërt kur të shkisni. Pedaloni butë në frenim dhe ëmbël në gaz!
Ndalojmë në kryqëzimin e rrugës Main dhe Virginia. Presim sinjalin të hapet.
-Do më zbrisni ku takohet rruga Virginia me shëtitoren Forest.
-Me kënaqësi profesor!
-Do të lutem të prisni pak. Xhoni me siguri do të gëzohet, kur të marrë vesh se jeni shqiptar. Do të kërkojë t’ju takojë.
-Me dëshirë!
Te dera e shtëpisë shfaqet një burrë i shkurtër, rreth të pesëdhjetave, me syze optike. Skeleti i trashë, kauçuku, dallon fort në fytyrën e tij të imët. Hap krahët. Përqafohet me mall me Shtainfelin. Ky i tregon me dorë nga unë. Afrohen. Dal jashtë.
-Tungjatjeta! – Xhoni “T” e bën të fortë.
-Tungjatjeta!
-Ja kështu dua ta them! Nuk e mësova dot kurrë!
-E thoni shumë më mirë se çdo i huaj që kam njohur.
-Po më bëni qejfin, – buzëqesh.
-Folëm për gjuhëtarin shqiptar Petro Zhejin,- ndërhyn Shtainfeli.
-Aha, të madhin e shqipes së bukur që nuk pata fatin ta takoj. Kishte jetuar në Uashington. E kam mësuar vonë!
-Ktheu majtas. Rruga Eureka. – Petro shënon me ngjyrë të verdhë, transparente, pjesën e udhës që kemi përshkuar.
-Si në ëndërr po më duket. – Xhami i përparmë zbret poshtë, shytë, dhe vetja të duket sikur je mbi ski.
-Jeta ëndërr është. – flet i përqëndruar mbi hartë.
-Devijo nga Eureka dhe futu në autostradën I-75 S. Do qëndrojmë 36 milje në të.
Kthesa është e zënë. Dy kamionë pastrojnë rrugën e gjërë. Lëvizin ngadalë. Thikat hedhin në anë dëborën që ngrihet si bregore.
-Është shtuar.
-Simbol i një fillimi të ri.
.

Muçi Xhepa - "Në anën tjetër" - Tregime Uberi
Muçi Xhepa – “Në anën tjetër” – Tregime Uberi
Mbushem me gëzim. Gjiganti Petro nuk është thyer edhe këtë radhë. Misioni i shenjtë e thërret. Gjuha shqipe. Në Tiranë punët e shkruara që arrinin deri në tavan, i humbi njeriu të cilit ia kishte besuar. Dhe jo vetëm aq, por u përpoq t’i rrëmbente banesën, ku jetonte prej vitesh pa paguar një grosh. Me gjyq. Petro u dëshpërua shumë. E kishte besuar verbërisht.
-Defekti që kemi ne, është njëjtësimi i tjetrit me veten. – Do t’më thoshte vite më vonë në Uashington.
-Ta ngroh edhe ca kabinën?
-Jo, se na merr gjumi.
Rris shpejtësinë. Në të majtë liqeni Erie.
-Kemi hyrë në “Lake-effect zone – Zona e ndikuar nga liqeni”.
-Dëbora është e thatë. Ngite me ngadalë!
Lemë pas qytetin e Toledos.
-Petro Zheji ka jetuar në College Park, pranë universitetit të Merilendit.
-E keni njohur?
-Po.
-Jeni me fat! Kur të studiohet dhe të zërë vendin e duhur zbulimi shkencor, “Shqipja dhe Sanskritishtja”, shqiptarët do të ndjehen krenarë për gjuhën e tyre.
-Më prekët me vlerësimin e lartë.
-Kërkon njohuri të thella gjuhësore të kuptosh librin. Uroj që katedrat e gjuhësisë të përgatisin një udhëzues… – Profesori heq syzet, fshin xhamat e trashë.
-Ja, tani shikoj më qartë. Kështu duhet… – buzëqesh. Shtrëngojmë duart.
Largohem i brengosur. Nuk kam arritur ende ta botoj dorëshkrimin që më ka lënë. E quajtëm “Çelësi”.
I-75S bëhet I-280. Dëbora ka pushuar. Kemi tri orë që udhëtojmë të tensionuar. Ndalojmë në vendpushimin e parë. Marrim nga një kafe amerikane. Na krijohet tjetër gjendje shpirtërore. Nisim përsëri udhëtimin. Uashington. Nën dritën e hënës. E argjendtë.
-Dialogojmë mësimin e parë të “Çelësit”, studenti dhe profesori?- E pyes unë.
Punimin “Parashtrimi popullor i Algoritmit Simbolik”, Petro ma kishte dërguar me postë.
-Mirë bëjmë, do na mbajë zgjuar.
Petro nxjerr nga çanta dorëshkrimin.
S: Çfarë ka zbuluar e hartuar kryesisht mësuesi juaj?
P: Algoritmin Simbolik…
S: Që do të thotë?
P: Që do të thotë se ai ka kryer strukturizimi, (artikulimin) matematiko-logjik të Mendimit Mistik.
S: Ç’është Mendimi Mistik?
P: Një tjetër lloj mendimi, krejt i ndryshëm nga mendimi i zakonshëm, nga mendimi racional, shkencor.
S: Pra ekzistojnë dy lloj mendimesh?
P: Po, dhe dy lloj logjikash …
S: Të cilat janë?
P: Logjika formale ose arsyeja njerëzore, e cila mbështetet dhe buron e gjitha nga Parimi i Identitetit Formal, që shkruhet A = A, ose për të treguar që A mund të jetë çfarëdo, (X = X). Hera-herës kjo logjikë quhet edhe aristoteliane dhe kjo për arsye se Aristoteli ishte ai që e organizoi, strukturizoi formalisht duke formuluar edhe teorinë e silogjizmave. Autori i studimeve (Petro Zheji), për të cilat ne do të bisedojmë bashkë, me fjalë të tjera, mësuesi im i dikurshëm, e quan këtë logjikë: kod F. Por dikur, siç shihet qartë në shkrimet e tij të hershme, ai e mbiemëronte atë me një shprehje frëngjisht: “Justice des signes de la Forme”.
S: Dhe logjika tjetër?
P: Ai e quan atë Logjika Esenciale dhe në mbiemërimin e saj të hershëm në frëngjisht: “Logique des signes de l’Essence”. Ky është për atë kodi E, ku E = (X = – X). Meqenëse X dhe – X janë dy “quid” e (sende) të kundërta, kjo formulë, e famshme tashmë, quhet edhe “Coincidentia oppositorur”, domethënë me shqipen: “Përputhja e të kundërtave”, në anglisht “The coincidence of opposites”. Mistikisht “objekti” që përcakton kjo formulë quhet “Qendra”, në anglisht (The Center). Kështu logjika e kodit E është një logjikë qendrore, ndërsa ajo tjetra, logjika formale e kodit F, siç do të shohim më vonë, është një logjikë periferike, sipërfaqësore. Pra një logjikë e thellë (kodi E) dhe një logjikë e cekët, në anglisht (shallow, superficial), (kodi F). Kemi kështu një dikotomi (të mendimit të marrë në tërësi), domethënë një ndarje në dysh të Mendimit Njerëzor, fjalë kjo që Autori e redukton te Shqipja si: dy (2) ka (folja kam) dam, (anglisht: divide, “Divide in two”). Nëqoftëse të tërën e tregojmë, siç bën Mendimi Mistik (simbolik) me simbolin O (domethënë një rreth), dikotomia, për të cilën po flasim, do të tregohej simbolikisht me Ø. Paraqitëm kështu me këtë rast dy simbole, sepse sikundër që do të shohim më tej, gjuha me të cilën Mendimi Mistik (kodi E) shprehet dhe operon nuk mund të jetë tjetër veçse një Gjuhë Simbolike. Të tjera simbole do të pasojnë dora dorës në këtë dialog…
I zhytur në kujtime humbas kërkesën e radhës nga Uberi. Ndaloj tek i pari Starbaks. Ulem pranë dritares. Kafenë amerikane e marr pa qumësht, të fortë. Lumi Potomak rrjedh i përgjumur drejt oqeanit. “Jeta ëndërr është”…
(Ky tregim është pjesë e librit “Në anë tjetër, tregime Uberi” të autorit Muç Xhepa.)
.
Washington DC

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.