back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Si u bëra “Armike” pa mbushe 11 vitet… nga Adriana Simoni – Neti

Gazeta

 Ja dhashë fjalën nënës, po s'e mbajta dot...
Ja dhashë fjalën nënës, po s’e mbajta dot… 

Si u bëra “Armike” pa mbushe 11 vitet…

nga Adriana Simoni – Neti

Dy fjalë në përcjellje të këtij shkrimi…
Në vitet 1977-79, isha me shërbim ushtarak në Gjirokastër, dhe meqë Qyteti i Gurtë ishte nji nga qendrat ma të mëdha të fortifikimit nga “armiqtë e jashtëm” duhej që ne “armiqtë e brendshëm”, të jepnim kontribute të mëdha fortifikuese në shërbim të Partisë…!!! sigurisht ky kontribut fortifikues, (edhe sot në këmbë) ma bëri mjaft të dashur Qytetin e Përhimë, (ku thuhej se shiu kishte shtëpinë), me ato karakteristikat e tij të veçanta e të pakrahasueshme janë ende dashuri brenda meje… mbasi aty pata mundësi edhe të njihem me mjaft banorë të këtij qyteti, për të cilët ruaj konsideratë edhe sot e kësaj dite…
Në fillimvjeshtën e vitit 1978, (në mos gaboj), një ngjarje e pazakontë tronditi krejt Qytetin e Jugut në prag të Festivalit të Madh… Nji blic i Sigurimit kishte arrestuar së pari Pashk Simonin dhe më mbas gjeneral Shefqet Bonin, Niko Liçin, Eqerem Hoxhën dhe doktor Drago Vujosheviç… Tronditja bëhej edhe më e madhe mbasi personat në fjalë ishin figura të njohura të qytetit… po ajo çka më trishtoi më shumë ishte kënaqësia e nji shumice të qytetit, në tragjedine e atyre pesë familjeve… dhe është fakt se futbollisti më i mirë i Gjirokastrës – Cici Boni, u përjashtu përjetë nga futbolli; Suzana Boni e motra e tij, maturante dhe vajzë krenare, po ngjarja “ia rrëzoin hundën”; Djemve të Dragos, njërit doktor në Erind ia hoqën kalin… kurse tjetrit që ishte në repartin tonë me triçikël, fillimisht ia hoqën atë e më pas e futën edhe në burg…
Ndërsa lexoja shkrimin nji bukurie dhe sinqeriteti të rrallë të Adriana Simoni – Neti, nuk munda të mos kujtoj Qytetin e Gurtë dhe këtë ngjarje tragjike… dhe duke e lidhur shkrimin e saj, me kohën e 40 viteve të shkuara… e pata të pamundur të mos e falenderoj autoren, edhe pse u përlota pak, në heshtje…
Jozef Radi, 21 shkurt 2015

Adriana Simoni - Neti dhe i ati Pashk Simoni
Adriana Simoni – Neti dhe i ati Pashk Simoni

***
Gjithmonë kujtojmë çaste të paharruara…
Sot të gjithë kanë të drejtë të shkruajnë e të lexojnë, por jo të gjithë arrijnë t’i kuptojnë dhe të ndjejnë ashtu si ‘’Ne”.
Kam qenë rreth 11 vjeçe… dhe më kujtohet fare mirë koha kur po afrohej gjyqi i babait tim, i cili do të bëhej me 17 mars të 1979. Kishte mbaruar izolimin dhe hetuesinë në Burgun 313 në Tiranë dhe ishte sjellë të dënohej në qytetin ku e kishin arrestuar, mbasi jetonim në Gjirokastër…
Isha femija i tretë i familjes. Kisha para vetes dy motra 19 dhe 21 vjeçe përkatësisht. Babai na mungonte prej rreth 6 muajsh, dhe malli për të më kishte “pjekur”, siç thoshte gjyshja ime. Vendosa t’i kërkoj leje mësueses time kujdestare, duke i thënë një “gënjeshtër të vogël”, nga ato të pafajshmet që thoshin fëmijtë… (edhe pse nuk gënjeja dhe nuk gënjej kurrë). Vajta në sallën e mësuesve dhe e thirra mësuesen, dhe i thashë: “Të lutem, dua një ditë pushim të shkoj të vizitohem tek doktori…!” Ajo vuri buzën në gaz dhe më tha: “Shko dhe rri dhe dy ditë pushim, veç të bëhesh mirë!” (jam shumë e bindur që mësuesja nuk e hëngri aspak gënjeshtrën). U çlirova vërtet! Kisha marrë një vendim me mendjen time, që mbasi të shkoja në shtëpi t’i thoja mamasë: “Më ka marrë shumë malli për babin, dhe dua ta shikoj nesër në gjykatë…” Dhe ashtu bëra, kur pashë që vështrimet e motrave të mëdha dhe mamasë u kryqëzuan. Më panë me keqardhje, por ma pohuan vendimin tim. Në të vërtetë “fluturova” nga gëzimi… Mamaja më porositi se do më lejonte, por nuk do të qaja… Ja dhashë fjalën, por në të vërtetë nuk e mbajta…

Qyteti i Gurte - Gjirokastra
Qyteti i Gurte – Gjirokastra

Mëngjesin e 17 marsit do ta kujtoj si një nga ditët më të zeza të familjes sonë, ashtu sikurse për shumë familje shqiptare… U ngrita herët, u vesha mirë, mbasi dimri ende nuk kishte ikur edhe pse dielli ndriçonte, por rrezet e tij më dukeshin akoma të ftohta. U nisëm të dyja për krahu. Unë ecja ngadalë dhe i lëvizja gjymtyrët pa e kuptuar… Nuk e di çfarë mendoja, ndjehesha e turbulluar, nuk e di vfarë kisha në kokë, veçse mezi prisja të shihja tim atë. Kur ju afruam gjykatës, vura re se kishte kaq shumë njerëz sa nuk e besoni, rrallë Gjirokastra dhe pazari kishin pasur aq dyndje… Xhamia qendrore qe mbushur në të dyja anët e shkallëve, edhe pse ishte jashtë funksionit, mendova vfarë donin gjithë ai popull aty? Përse kishin ardhë? Shumica ishin të rinj në moshë. Ajo turmë mv ngjante me ato “gostite” e famshme të vampirëve që nuk kishin të ngopur me gjak… Ishte ajo “rinia e famshme” e Enver Hoxhës, e brumosur me idetë e m-l, ajo rini që kishte shkatërruar kisha e xhamia, ajo rini “e degjeneruar” dhe e “mashtruar” që sot ndjej mëshirë për të…
Më në fund, vendosëm të rrimë pak në distancë nga gjykata, kuptohet që aty s’të linin të afroheshe. Kisha ngrirë e gjitha ngjeshur fort mbas krahut të nënës sime… Sekondat më ngjanin minuta, minutat orë dhe orët vite… Duhet të kishin kaluar më shumë se 5 orë, kur një moment dëgjoj një zë…. “Dolën, dolën…!” Mu duk sikur u zgjova dhe shoh se personi i parë nuk qe babai im… (qe një grup me 4 veta) I dyti po… qe im atë… Nisa të ulëras dhe klithma ime u dëgjua kudo… Bërtita me sa fuqi kisha: “Babiiiii!”… por më kot ai as më dëgjoi dhe as më pa… Lotët më binin faqeve të pakontrolluara… U shkëputa nga nëna ime me force dhe vrapova drejt xhipsit tw Degës… Por me kot, nuk arrita ta prekja dot as pallton e tij, se një polic më shtyhu lehtë… nuk di edhe sot, nëse kishin fëmijë ata të gjorë?
Nuk ia kisha mbajtur premtimin i dhënë nënës sime… Për herë të parë nuk e mbajta betimindhe ashtu e dëshpëruar u ula te shkallët e gjykatës, ku një i moshuar më preku në sup… Nuk e njihja, por dora e tij m’u duk aq e ngrohtë… Nuk do ta harroj kurrë atë njeri babaxhan që më tha: “çohu moj vajzë dhe shko te mamaja… Në atë kohë erdhi edhe nëna më mori përdore dhe më përkëdheli… Ndërsa iknim drejt shtëpisë me zor i ndukja këmbët zvarrë… I ngjaja një “bishe” të rrahur… Parullat që vareshin tek Komiteti doja t’i grisja e t’i bëja fije-fije… Foton e Enver Hoxhës që varej… doja të ngjitesha dhe ta shkelja me këmbë… Më kishte përpirë urrejtja… Tani nuk qe vetëm babai im, “Armik” isha bërë dhe unë… një ”armike” e vogël me ndryshimin e vetëm të moshës… mbasi në vitet që do të vinin nuk do të merrja pjesë në asnjë aktivitet, nuk do të shkelja kurrë as në varrezat e dëshmorëve, shaminë e kuqe e rrasa në fund të çantës, pse s’doja të kisha asnjë lidhje “me pionerët” e Enverit…
Isha një “Armike” e betuar e diktaturës së proletariatit, dhe kështu mbeta përgjithmonë edhe sot mbas 36 vjetësh, ndjehem e tillë: Armike e Diktaturës!!
Ju falenderoj për minutat që do të më kushtoni… ju falemnderit të gjithëve ju që do e lexoni kët rrëfim, të gjithë ju që ishit fëmijë dikur… e sot të rritur dhe prindër, ashtu si unë!
Marrë nga Muri “Pishtari i së Vërtetës”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.