back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Si u grabit ari nga pushteti komunist në Shqipëri nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Banka e Shtetit Shqiptar 1938 dhe Sot
Banka e Shtetit Shqiptar 1938 dhe Sot

Si u grabit ari nga pushteti komunist në Shqipëri

nga Kastriot Dervishi

Një ndër krimet më të njohura të regjimit komunist në Shqipëri, me karakter sa ekonomik aq edhe politik, është edhe grabitja e madhe e floririt që ndodhi kryesisht në vitet e para të regjimit, nën justifikimin e “tatimit të jashtëzakomshëm të luftës”. Kjo grabitje masive përveç shkatërrimit shoqëror solli edhe pasojën e paevitueshme të shkatërrimit ekonomik, duke i hequr vendit një shans jo të vogël në rimëkëmbjen ekonomike dhe kombëtare të tij. Duke qenë se organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë deklaruar si shumë të grabitjes së tyre shifrën e 43.816.682 monedhave të sekuestruara, dhe duke pasur parasysh se hyrjet e arit në Thesarin e Shtetit kanë qenë të vogla apo të papërfillshme, formulohet natyrshëm pyetja se ku shkoi gjithë ajo sasi ari që grabitën komunistët pas lufte. Dhe jo vetëm kaq por edhe sepse një pjesë e konsiderueshme e këtij ari, në periudha të ndryshme ka shkuar për llogari të udhëheqjes së lartë komuniste, në majat e së cilës ndodheshin padyshim Enver Hoxha, Hysni Kapo dhe më pas edhe Ramiz Alia. Ky dossier merr përsipër të zgjidhë sa është e mundur enigmën e madhe të grabitjes së arit shqiptar nga komunistët. Për të pasur një vizion sa më të plotë historik, nuk do të lemë jashtë vëmendjes edhe ndriçimin e të vërtetës në lidhje me falsifikimin e historiografisë komuniste që ka akuzuar Mbretin Zog si “vjedhës të floririt më 7 prill 1939”.
Po ashtu nuk do të lemë jashtë objektit të dosserit edhe historinë e arit që u ruajt nga gjermanët në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Po këtu do të botojmë edhe marrëveshjen e qeverisë shqiptare dhe të asaj gjermane më 6 prill 1944 në lidhje me këtë ar.
Sigurisht që trajtimi i këtij dosseri në formën e mësipërme ndër të tjera merr përsipër të tregojë se nuk ka qenë e vërtetë që Shqipëria ka qenë një vend i varfër apo i shkatërruar siç i interesonte ta paraqiste regjimi komunist. Një vend i mbuluar me një sasi të madhe floriri nuk mund të quhet kurrsesi vend i varfër.

Studiuesi Kastriot Dervishi
Studiuesi Kastriot Dervishi

Shqipëria, Vendi i Floririt

Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, fondet monetare të ngelura në qarkullim (duke përfshirë këtu edhe depozitat) ishin ato të trashëguara nga sistemi monetar i Perandorisë Osmane, i përshtatur ky që nga viti 1844 e mbrapa. Monedha ishte Lira Otomane ari që vlerësohej në 100 grosh argjent (pjastres argent). Për shkak të situatave të paqëndrueshme dhe për shkaqe të luftrave të ndryshme, në Shqipëri edhe pas vitit 1913 e deri në vitin 1926 qarkulluan monedha të shteteve të ndryshme.
Këto monedha kanë qenë me vlerë dhe emëritim të ndryshëm si menduhie, 5 frangëshe, 10 frangëshe, 20 frangëshe (napoloni), lira angleze (25 franga) lira turke (22 franga)
Në fillimet e stabilitetit të shtetit shqiptar, më 6 maj 1920, Këshilli i Ministrave me anë të vendimit nr. 273 vendosi për herë të parë nxjerrjen e monedhës shqiptare në bazën e frangut të arit. Mbi bazë të një kursi të caktuar filloi edhe grumbullimi i monedhave të huaja. Kështu një stërlinë u vlerësua me 25 franga ari, një lirë otomane me 22 franga ari etj.
Në vitin 1922, profesor Kalmes paraqiti para Lidhjes së Kombeve në Gjenevë me kërkesë të kësaj të fundit, një raport të rëndësishëm të Komisionit Financiar të Lidhjes, ku ndër të tjera në lidhje më Shqipërinë thuhej: “…Shqipëria zotëron një stok të rëndësishëm metalesh të çmuara të vlerësuara 50-100 milion frangash ari, pa marrë parasysh arin e investuar në stolira…” (shih dosjen nr 2 të Fondit të Bankës së Shtetit). Sipas librit “Financa dhe krediti në RPSH”, në vitet 1922-1925, në Shqipëri kishte në qarkullim e në thesar një sasi prej 100 milion frangash ar. E përkthyer ndryshe, shifra e mësipërme ka si minimum të saj një sasi prej 320 tonësh ar.
Përsa i takon disiplinimit monetar situata pati një ndryshim të dukshëm në vitin 1926, kur hyri në fuqi ligji organik i Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe ai i rregullimit të monedhës i miratuar më 12 korrik 1925 nga Dhoma e Deputetëve. Ndonëse u përjashtua plotësisht përdorimi i monedhave të huaja në marrëdhëniet zyrtare, pati mjaft individë që pëlqyen të ruajnë një sasi jo të vogël të këtyre monedhave. Në vitin 1926, u vunë në qarkullim monedhat metalike me vlerë 100 franga ar, dhe një vit më pas ajo me vlerë prej 20 franga ari.
Në vitet 1935 dhe 1937 pati një hedhje në qarkullim të mbi 1,5 milion monedhash që në shumicë përbëheshin nga argjendi, ari dhe pak nga bronxi.
Sipas dokumentave shtetërore në fund të vitit 1938, gjendeshin në thesarin e shtetit 2400 kg ar (ose 378 mijë napolona sipas kursit 1 napolon baraz me 20 franga ari).
Sikurse vihet re me lehtësi, qytetarët shqiptarë zotëronin shumë herë më tepër ar (mbi 100 herë) sesa kishte Thesari i Shtetit.
Përshtypje të veçantë i kishin lënë Viktor Emanuelit të III-të gjatë vizitës që ai kreu në Shqipëri në maj 1941, zbukurimet e shumta që përdornin shqiptarët në rrobat e tyre më ar. Për vetë Emanuelin kjo kishte qenë një befasi e madhe dhe e paimagjinueshme.
Po ashtu në kohën e Luftës së Dytë Botërore, tregëtarët shqiptarë ruajtën dhe i forcuan pozitat e tyre ekonomike. Në mbarim të luftës, Shqipëria rezultonte si vendi më i pasur i Ballkanit sidomos përsa i takonte rezervave të arit dhe rezervave të tjera ekonomike. Po ashtu rezultonte se në pushtet kishte ardhur klasa më kriminale politike që kishte pasur ndonjëherë vendi.

Monedha Ari
Monedha Ari

E vërteta në lidhje me thesarin e “grabitur” nga Mbreti Zog

Regjimi komunist u shqua për shumë gjëra të mbrapshta në Shqipëri. Një ndër punët më të mbrapshta të tij ishte edhe grabitja masive e arit qytetarëve shqiptarë, burgosja apo pushkatimi i tyre. Nga ana tjetër për të dhënë një imazh krejt tjetër të hajdutit, për 50 vjet me radhë u përhap gënjeshtra e madhe e “vjedhjes së thesarit të shtetit” nga Mbreti Zog në kohën kur ky i fundit, i diktuar nga rrethanat ndërkombëtare, dhe me vendim të parlamentit shqiptar, kishte lënë Shqipërinë të nesërmen e 7 prillit 1939. Dhe një gënjeshtër të tillë e fabrikonin dhe e mbronin pikërisht ata që kishin vjedhur një sasi ari që llogaritet në 320 tonë. Në fakt askush nga propaganduesit e kësaj teze nuk e ka ditur që thesari i shtetit shqiptar në kohën kur bëjmë fjalë ndodhej në Romë dhe jo në Tiranë.
Sipas dokumentave zyrtare, ministri i Financave Kolë Thaçi (1886-1941) ka tërhequr sipas të gjitha rregullave shtetërore, me autorizimet 2031/65 dhe 2031/79 (të datave 31 mars dhe 3 prill 1939), shumën e 448.535 frangave ari, të cilat ishin në llogari të Mbretit Zog. Në lidhje me këtë drejtori i thesarit Kel Naraçi në relacionin 73/1 të datës 6 qershor 1939, thotë: “I nënshkruemi Kel Naraçi dhe arkëtari i përgjithshëm Ramadan Berberolli pritshin në zyrë sipas telefonatës të ish kryeministrit (Kostaq Kotta). Pas pak arriti në bankë një automobil i pallatit i shoqnuem nga dy ushtarë e një toger i gardës i quajtur Selim Gjoci, i cili… ftoi të nënshkruemin (K. N) dhe arkëtarin e përgjithshëm që ta shoqëronin tek Mbreti Zog me të gjithë gjendjen e monedhave të arit që u nxorrën nga arka nën vrojtimin e togerit Selim Gjoci, i cili fut në strajca sasinë e tregueme më sipër (448.535 franga ari), e cila sipas thënieve të ish ministrit Kolë Thaçi do të merrej në dorëzim me proces-verbal të nënshkruem prej pjestarëve të Këshillit Ministror që ishte mbledhur në shtëpinë e z.Kostaq Kotta, ku gjetëm Mbretin Zog, midis ministrave Musa Juka, Ekrem Libohova, Faik Shatku dhe Abdurrahman Matit, Xhaferr Ypit, Sotir Martinit, Allaman Çupit, Ndoc Kurti, Jani Dallamanga, Milto Noçka, etj… Në prani të tyne i lëshuem për anë ku kishte ndenjë Mbreti Zog të 13 strajcat që mbajshin monedhat e arit në llojet e sasitë e tregueme në konfirmacionet bashkangjintur… Në shtëpi ndëgjoheshin telefonime, urdhna, nervozitet e qëndrime luftarake në një rrëmujë e tension të papërshkuem… Ndërkohë meqë aeroplanët po fluturonin përsipër, Mbreti Zog me pjestarët e Këshillit që kish për anë, shkoi te shtëpia e vëllait të vet Xhelalit, ngutësisht tue marrë me vete dhe arin që ish në saketa në anë të tij. Në këtë rast arkëtarit Ramadan Berberolli iu tha të shkonte përsëri në zyrë i shoqnuem prej togerit Selim Gjoci për t’i dhënë edhe ç’ndodhje tjetër në arkë si monedha, banknota, ar, etj, në dorëzim te Mbreti Zog dhe për t’i çuar në shtëpinë e Xhelalit. Z.Ramadan Berberolli dorëzoi në shtëpinë e zotit Xhelal Zogu 118.195 franga ari dhe qëndroi deri në orën 16.00 në shtëpinë e zotni Xhelalit për me mujtë me marrë ndonjë dëftesë nga Mbreti Zog për të gjithë sasinë e arit e të monedhave që arrijshin 566.975 franga ari. Vetëm pas numërimit e në ikje e sipër, pas shumë përpjekjesh, iu mor major Allaman Çupit, adjutant favorit i Mbretit, që të nënshkruante për të, një dëftesë (dorëmarrje) si kopja bashkëngjitur”.
Në tërësi duhet thënë se Mbreti Zog tërhoqi nga arka e shtetit shqiptar në prani dhe me miratim të Këshillit të Ministrave, shumën e përafërt të 567 mijë frangave ar që përbënin 183 kilogram ar. Duhet kujtuar se rroga vjetore e Mbretit Zog ishte 500 mijë franga ari. Po ashtu duhet të kemi parasysh se në favor të tij shkonte edhe shuma e përfituar nga shitja e një pylli në Mat. Siç edhe shikohet Mbreti Zog ka marrë me vete pak më shumë se rrogën e një viti. Kjo sasi monetare është përdorur në masën më të madhe për të paguar rrogat e personave që shoqëruan Mbretin dhe diplomatë si Faik Konica, etj. Ky i fundit ka qenë edhe ndër njerëzit më të paguar (më 13 korrik 1942 për shëmbull ka marrë një mijë dollarë). Si provë për këtë kemi mundur të gjejmë edhe një pjesë të dëftesë pagesave të përdorura atëherë. Në këto dëftes-pagesa figurojnë ndër emrat më njohur edhe Mirash Ivanaj, Mehmet Konica, Abaz Kupi, Hiqmet Delvina, Qemal Butka, Peter Kolonja, Nikola Prifti, etj,
Për t’u kujtuar është gjithashtu fakti që pushteti i ri i vendosur pas 7 prillit 1939, sekuestroi edhe shumën e 20 mijë frangave ari të Mbretëreshës Geraldinë, shumë e cila ndodhej në Bankën e Shqipërisë dhe që nuk ishte tërhequar nga poseduesja. Dekreti i ministrit sekretar shteti për Drejtësinë doli më 16 shtator 1939, dhe u botua në “Fletorja Zyrtare” më 5 dhjetor 1939, pasi është mbajtur si “sekret” për disa javë.

 100 Franga Ari - viti 1928
100 Franga Ari – viti 1928

E vërteta e “rrëmbimit” të arit shqiptar nga gjermanët në vitin 1944

Është folur shumë herë për “grabitjen” e arit shqiptar nga gjermanët në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Sasia e arit prej 2454 kilogram e 874,5 gram u konfiskua nga britanikët në kriporen Merkers të Gjermanisë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Më pas lindi ajo histori që tashmë njihet midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe pas incidentit të kanalit të Korfuzit, më 22 tetor 1946. Britania e Madhe si një nga fituesit e Luftës së Dytë Botërore kërkoi nga pala shqiptare, pranimin e fajit dhe pagimin e dëmshpërblimit, gjë që u refuzua nga udhëheqja e atëhershme komuniste.
Sasia e lartpërmendur e arit ishte marrë në Romë pas kapitullimit të Italisë në “Banka d’Italia” dhe në kushtet e luftës së përbotshme ishte administruar nga gjermanët pa u keqpërdorur nga ata. Gjermanët e kishin marrë sasinë e arit në mënyrë që ai të mos binte në dorë të aleatëve.
Në lidhje me këtë çështje, më 16 shtator 1943, Ambasada Gjermane në Romë, me anë të një telegrami të shifruar të nënshkruar nga Vishter, njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë për aksionin e marrjes së arit shqiptar në Romë. Ndër të tjera në telegram thuhet: “Konfiskimi i rezervave të arit dhe të devizave, u bë me një aksion të befasishëm të një komande të SS-it, e ku ishte i pranishëm një nëpunës i shërbimit të politikës së jashtme. Është konfiskuar kjo pasuri: Kartmonedha shqiptare në apoena prej 5 dhe 10 lekësh, si dhe apoena prej 5, 20, 100 frangash shqiptare, me vlerë të përgjithshme 120.513.902 franga shqiptare; monedha të farkëtuara të arit të paketuar në 23 thasë të vegjël, me vlerë 435.070 franga shqiptare. Ka 49 shufra të paketuara të arit dhe 29 shufra të paketuara në sënduqe që sipas vlerësimeve italiane kanë vlerë 7.627.765,90 franga shqiptare. Sasia e pakove në kartmonedha si dhe e thasëve të vegjël në sënduqe me shufra të arit, nuk qe e mundur të numërohet në mungesë të kohës. Është fjala përafërsisht për 3 tonë ar dhe për 12 ton kartmonedha. Nëse ka mundësi ai do të transportohet nesër më 17 shtator udhës ajrore për në Berlin, me një apo dy aeroplanë specialë, ku do të jetë në përcjellje një oficer, të cilit i është dhënë urdhër që arin ta bartë me mbrojtje ushtarake në Minisrinë e Punëve të Jashtme dhe t’i drejtohet sekretarit shtetëror ose zëvendësit të tij në lidhje me vendin se ku duhet ta dorëzojë atë. Një pjesë e kartmonedhave do të bartet në Tiranë me aeroplanin e përmendur në fillim dhe atje do të deponohet në konsullatën e Përgjithshmë në dispozicion të Nojbarherit… Në bazë të asaj që thotë Drejtoria e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, shteti shqipar në Romë nuk ka asnjë makinë speciale për shtypjen e kartmonedhave, por ka vetëm klishetë me ndihmën e të cilave janë shtypur kartmonedhat shqiptare në makinën e shtetit italian. Për këtë shkak, sidomos pas lajmit se Musolini mori qeverinë, është e vështirë të konfirmohen makinat për shtypjen e kartmonedhave. Është dhënë premtimi se klishetë do të dërgohen. Ato do të barten nesër nga Akvila, vend rreth 100 km në verilindje të Romës, në ambasadë… Organet italiane kanë deklaruar se kartmonedhat shqiptare do të mund të shtypeshin edhe më tej pa probleme në shtypshkronjën shtetërore italiane. Nesër do të fillojnë hulumtimet rreth rezervave devizore të Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Domosdoshmëria e këtij aksioni është arsyetuar nga organet zyrtare italiane me atë se qeveria e Rajhut, për interes të zhvillimit të mëtejshëm të luftës, është e detyruar që rezervat monetare, që janë të ruajtura në Itali, t’i sigurojë për të mos rënë eventualisht në dorë të armikut…”.
Sikurse shihet këtu nuk kishim të bënim aspak me grabitje apo rrëmbim, por me një lëvizje të nxitur nga zhvillimet e përgjithshme botërore. Cilësimi i gjermanëve si “grabitqarë” të arit është theksuar më të madhe edhe në librin e Enver Hoxhës “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” (Tiranë 1979) dhe në botime të tjera të kohës së komunizmit, që ndikoheshin si zakonisht nga ish udhëheqësi komunist.
Në të vërtetë ka pasur një marrëveshje midis qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane, marrëveshje e cila gjendet në librin e dr. Hakif Bajramit “Dokumente të institucioneve gjermane për historinë shqiptare 1941-1944”, botuar në Prishtinë në vitin 1998, dhe që përmban dokumenta gjermane të nxjerra nga autori i librit në arkivat gjermane. Në dy dokumentat e nxjerrë nga ky libër duket qartë se nuk është ndryshuar aspak pronësia e shtetit shqiptar mbi arin. Pra ari nuk është grabitur nga gjermanët, por vetëm është marrë në mbrojtje nga rrethanat e vështira të luftës kundrejt një garancie të plotë. Për më tepër lexoni marrëveshjen e nënshkruar në fillim të prillit 1944 midis zv/ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë Vehbi Frashëri dhe përfaqësuesit gjerman Viehl.

Kalimi i arit tek Gjermanet
Kalimi i arit tek Gjermanet

Ja marrëveshja gjermano-shqiptaro e 6 prillit 1944 për arin shqiptar

Berlin 6 prill 1944
Shtojca 1
Qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Gjermanisë u morën vesh sa vijon:
1-Ari që i është dorëzuar pushtetit gjerman nga Këshilli Drejtues i Bankës Kombëtare Shqiptare në Romë, e që në aktualisht ndodhet në një depozitim të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Rajhsbank-un gjerman në Berlin, nga ana e qeverisë gjermane do t’i dorëzohet qeverisë shqiptare. Proces-verbali për regjistrimin e gjendjes së arit, i hartuar sot nga përfaqësuesit e Rajhsbank-ut gjerman dhe të Bankës Kombëtare Shqiptare është bashkangjitur si shtojcë. Me kërkesë të qeverisë shqiptare, sasia e inventarizuar e arit sipas këtij proces-verbali, është deponuar në depozitim të mbyllur në Rajhsbank-un gjerman në emër të Drejtorisë të Bankës Kombëtare Shqiptare në Tiranë. Marrëveshja teknike për ruajtjen e depozitimit do të hartohet ndërmjet Rajhbank-ut gjerman dhe drejtorisë Qendrore të Bankës Kombëtare në Tiranë.
2-Këtë sasi ari do të mund ta ketë në dispozicion vetëm Drejtoria Qendrore e Bankës Kombëtare në Tiranë përmes pajtimit me shkrim të qeverisë kombëtare të shtetit shqiptar. Qeveria kombëtare e shtetit shqiptar, para se t’ia japë Drejtorisë Qendrore të Bankës Kombëtare Shqiptare të drejtën për një disponim të tillë me arin, do të arrijë një marrëveshje me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Berlin.
3-Për aq kohë që sasia e arit do të ndodhet në Rajhsbank, qeveria gjermane merr me vete garantimin e plotë për çdo lloj rreziku, i cili do të mund të lindë për shkak të ndonjë veprimi armiqësor, duke rënë dakort se në rast të asgjesimit të arit shqiptar, Rajhu gjerman obligohet që këtë sasi ari ta kompesojë në të njejtën sasi dhe në të njejtën përbërje. Kufizimet e përgjithshme gjermane në lëmin e disponimit me arin, e veçanërisht në lëmin e eksportit, nuk kanë të bëjnë me këtë sasi ari, as tani e as në të ardhmen.
Nënshkruar në dy tekste origjinalë nga Vehbi Frashëri për qeverinë shqiptare dhe nga V.Viehl për qeverinë gjermane”.
Ari i bllokuar në Londër për shumë vite, përbëhej nga 198 kallëpe ari, 7 copë thupra, 2 copa ari dhe 22 qese monedha ari. Të gjitha sasitë ishin në flori aliazh dhe flori safi. E gjithë sasia u bart në 55 arka të fashuara me çelik.
Po ashtu duhet theksuar se në 10 muajt e parë të vitit 1944, nga ana e gjermanëve ju shitën Bankës Kombëtare Shqiptare 272.555 copë napolona që përbënin 1.758 kg ar. Nga kjo sasi ju shit popullatës 254.463 copë napolona që përbënin 1.641 kg ar.

Enver Hoxha dhe historia e tij personale me floririn e Shtabit

Njeriu që do të drejtonte Shqipërinë në mënyrën më shkatërrimtare për mëse 40 vjet Enver Hoxha, qysh gjatë kohës së luftës dha shembullin vetjak kur vodhi floririn e shtabit të përgjithshëm të “ushtrisë”. Natyrisht më gjatë për këtë temë kemi shkruar në gusht 2000. Ajo çka duam të kujtojmë sot është fakti se vitin 1943 në Labinot, Enver Hoxha mori nga Fetah Ekmeçiu 4 qese lëkure me florinj dhe i groposi bashkë me Sami Bahollin. Në atë kohë Fetah Ekmeçiu ishte ingarkuari i shtabit me çështjet e financës. Pak kohë mbas ngjarjes së sipërpërmendur Fetah Ekmeçiu u zhduk në mënyrë të mistershme dhe trupi nuk ju gjet kurrë. Në librat e ndryshëm të historiografisë komuniste apo në kujtime të bashkohësve nuk thuhej kurrë e njejta gjë rreth fundit të jetës së Fetah Ekmeçiut. Herë thuhej që ra në greminë, herë thuhej që ra në përpjekje me gjermanët, etj. Askush nuk e thotë pse ishte gjendur i vetëm njeriu më i rëndësishëm i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë. Ishte e qartë që Enver Hoxha e kishte kërkuar vjedhjen e brendshme të floririt për të pasur një lloj sigurie pas lufte nëse nuk do gjendesh atje ku mendonte. Floriri i groposuar më 1943 do të nxirrej nga Sami Baholli në vitin 1959 me porosi të Enver Hoxhës. Kuptohej që Hoxha nuk kishte pse nxitohej në vitet e para pas lufte me këtë flori që për të tashmë ishte kthyer në simbolik. Ai vetëm sa dha një shembull të parakohshëm në vitet e luftës se çdo të bëhej me floririn e madh pa lufte.

Ja cila ka qenë “pasuria” e ish-ministrave të financave, Sokrat Dodbiba dhe Et’hem Cara

Në periudhën 5 nëntor 1943 – 17 qershor 1944, ministër i Financave në Shqipëri ka qenë Sokrat Dodbiba. Pikërisht në mandatin e tij u bë edhe marrëveshja për arin me palën gjermane. Ky ministër pas lufte u dënua nga “gjyqi special” me burgim të rëndë dhe vdiq më pas në burgun e Burrelit. Rreth një vit më parë trashëgimtarët e tij trashëguan llogarinë tij bankare të hapur qysh në kohën e kuftës në Gjermani. E gjithë llogaria e ish ministrit bashkë me interesat 50 vjeçare ishte diçka më pak se 2 mijë dollarë.
Në periudhën 6 shtator – 25 tetor 1944, (para se ta merrnin pushtetin bandat komuniste) ministër i fundit i Financave të Shqipërisë ka qenë Et’hem Cara. Sipas “Gazetës Zyrtare”, datë 23 mars 1946, në Bankën e Shtetit, Et’hem Cara kishte një llogari prej 155 frangave ar, e cila i ishte sekuestruar nga komunistët.
Llogarisni të nderuar lexues se sa e lartë ka qenë ndershmëria e këtyre njerëzve të respektuar në kohën më të vështirë që kalonte vendi. Megjithëse kishin çdo mundësi për t’u pasuruar ata zbatuan me përmikmëri ligjet e shtetit të tyre.

Regjimi komunist gjen në Bankën e Shtetit 90 kg ar, një sasi shumë herë më e madhe gjendej në duart e popullatës

Pas ardhjes më dhunë në pushtet përmes luftës civile, si pasojë e lëvizjeve të sipërpërmendura, forcat komuniste gjetën në Bankën Kombëtare Shqiptare sasinë e 90 kg ar. Kjo provohet nga proces-verbali i nënshkruar nga zotërinjtë Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli) dhe Abdyl Këllezi. Ndonëse në Thesarin e Shtetit ndodheshin vetëm 90 kg ar, në duar të popullatës shqiptare ndodheshin rreth 320.000 kg ar (ose 320 ton ar). Një pasuri e tillë e pakrahasueshme, natyrisht që do të mund të rimëkëmbtë edhe shtetin më të shkatërruar e jo më Shqipërinë. Mjaftonte të vazhdonte procesi i nisur nga Mbreti Zog dhe sistemi finaciar shqiptar do të bëhej mjaft i fuqishëm. Pikërisht këtu tragjedia do të përhapej në një plan tjetër.

“Ligji” nr. 37 per “Tatimin e jashtzakonshëm të fitimeve të luftës”

Pas marrjes me dhunë të pushtetit, komunistët u kujdesën që të justifikonin veprimet e tyre të karakterit ordiner dhe terrorist me anë të një pudre ligjore që përcaktohej nga një organ thellësisht i paligjshëm dhe ordiner si Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar (KANÇ), organ ky që ishte vënë në rolin e një presidence të vetëshpallur në kongresin komunist të Përmetit, nën shembullin jugosllav të Mbledhjes së Dytë të AVNOJ-it. Për të justifikuar grabitjen dhe vjedhjen (që realisht kishte filluar muaj më parë), KANÇ-i nxori “ligjin” nr 37 për tatimin e jashtëzakonshëm për fitimet e luftës. Ky “ligj” përbëhej nga 19 nene. Në nenin 1 të tij thuhej se “fitimet e mëdha të realizuara nga shtetasit e të huajt në Shqipëri” në aktivitete “tregëtare, industriale dhe ndërmjetëse” nga 7 prilli 1939 e deri më 31 dhjetor 1944, i nënshtroheshin “një tatimi të jashtëzakonshëm sipas dispozitave të këtij ligji”. Tatimet kishin përqindje që filloni nga 15, 20, 30, 45, 60, 70, dhe 80 %. Në nenin 3 të këtij “ligji” përcaktohej masa e tatimit për shumën 500-100 mijë frangave ari, e cila tatohej me 10%, e duke u ngritur deri në 80% për shumat 2-4 milion frangave ari. Sigurisht kjo ishte ana teknike e problemit pasi grabitja që kishte nisuar të zbatohej nuk kishte nevojë aq shumë për përcaktime të tilla “ligjore”.
Në nenin 4 të “ligjit”, detyroheshin të gjithë personat objekt tatimi që brenda 10 ditëve të deklaronin me shkrim fitimin e tyre në kohën e lartpërmendur, deklarim i cili dërgohej në zyrën e tatimit.
Komisioni Tatimor formohej pranë çdo Këshilli NÇ të prefekturës ose të n/prefekturës, i përbërë nga:
-3 anëtarë të Këshillit NÇl të prefekturës ose n/prefekturës.
-një delegat i ushtrisë i caktuar nga autoriteti i lartë ushtatrak.
-një anëtar i Bashkimit të Rinisë Antifashiste
-3 tregëtarë nga kategoritë e ndryshme të caktuar nga Komiteti Ekzekutiv i KNÇl-së së lokalitetit.
-një teknik për konstruksione.
-një delegat i sindikatave të punëtorëve
-një ose dy persona njohës të tregut.
Duke qenë se këto “komisione” përbëheshin nga 11 – 12 veta masa e zullumit të tyre ishte më e lartë nga ç’mund të mendohej.
Në nenin 9-të të “ligjit” në fjalë i lihej në dorë “komisionit” të caktonte sa të donte të ashtuqujturin tatim që s’ishte gjë tjetër veçse një vjedhje ordinere e kryer nga një regjim i instaluar banditësh dhe kusarësh. Kur nuk arrihej dot nxjerrja e “tatimit”, “ligji” parashikonte edhe sekuestrimin e çdo pasurie të personit që tatohej.

Për të mbështetur “tatimin e jashtzakonshëm” doli edhe “ligji” “për konfiskimin e pasurive private”

Një ditë më vonë nga miratimi i “ligjit” të sipërpërmendur, doli “ligji për konfiskimin e pasurive private”, i cili do të mbështeste të gjitha boshllëqet që mund të lindnin nga zbatimi i “ligjit” për “tatimin e jashtëzakonshëm”. Në bazë të këtij “ligji”, komitetet ekzekutive fitonin të drejtën që me anë të një vendimi të bënin sekuestrimin e çfarëdolloj pasurie. Në këtë mënyrë shumë pasuri të tundshme apo të patunshme si objekte, toka bujqësore, troje, gjë e gjallë, mall bujqësor apo industrial etj, u sekuestruan për të zbatuar “ligjin” që hartonin banditët e veshur vetë me pushtet.
Përfytyroni për një çast Shqipërinë e 1997 dhe kohën kur tipat e Zan Çaushit gjobisnin tregëtarët apo njerëzit e dyshuar me bindje të djathta. Në qoftë se do të zgjasnim kujtesën, të njejtën gjë bënë edhe ata që vinin “gjoba” në formën e “tatimit të jashtëzakonshëm” në vitet e para të vendosjes së regjimin komunist në Shqipëri. Në vitin 1997, Zan Çaushi thjesht sa kopjoi një model të gatshëm banditësh.

Bashkimi doganor me Jugosllavinë dhe zhvleftësimi i lekut

Më 27 nëntor 1946, u nënshkrua në Beograd traktati “Mbi koordinimin e planeve ekonomike, bashkimin doganor dhe barazimin e monedhave në mes Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë”. Ky traktat u nënshkrua nga presidenti i Këshillit Ekonomik, president i Këshillit të Planit dhe ministër i Ekonomisë Nako Spiru dhe presidenti i Këshillit Ekonomik dhe ministër i Industrisë Boris Kidriç dhe u ratifikua nga Kuvendi Popullor më 2 dhjetor 1946. Është për t’u kujtuar se nënshkrimi i këtij traktati në një datë të tillë, ishte një sfidë ndaj traktatit të 20 vjetëve më parë midis Shqipërisë dhe Italisë që njihet si Pakti i Parë i Tiranës.
Në artikullin 2 të traktatit të sipërpërmendur, vendosej që brenda tre muajsh nga dita e nënshkrimit të traktatit, dinari të barazohej me lekun. Përveç shumë të këqijave që solli ky traktat nëpërmjet dëmeve të drejpërdrejta që ju shkaktuan ekonomisë shqiptare, u krijua edhe një rrugë tjetër për kalimin pa bujë të një rezerve të caktuar ari në Jugosllavi, masë e cila është e vështirë të llogaritet. Për të kaluar kufirin, sipas traktatit të sipërpërmendur nuk kishte asnjë pengesë ligjore, pasi realisht nuk ekzistonin kufijtë midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë.
Nga ana tjetër barazimi i lekut me dinarin në fakt ishte zhvleftësim për lekun dhe vlerësim për dinarin e dobët.

Ku shkoi sasia e 43.816.682 monedhave ari te grumbulluara nga Sigurimi i Shtetit

Ka hapur një polemikë jo të vogël në vitet e tranzicionit një artikull i botuar vite më parë në revistën “Në shërbim të popullit” (organ i dikurshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme), nga Nuri Mehmeti me titull “Kur hidheshin themelet ekonomike të pushtetit popullor”. Ky shkrim është botuar në faqet 14-15 të numrit të gushtit 1984 në revistën në fjalë me okelion “40 vjet çlirim, rrugë lufte e fitoresh”.
Polemikat e mëvonshme në lidhje me këtë artikull lindën pasi shifra prej 43.816.682 monedhash ari që përmendej në artikull, e grabitur nga Sigurimi i Shtetit ishte një shifër zyrtare. Ndër të tjera autori Nuri Mehmeti në shkrimin e tij thotë: “…Pushteti i ri i vendosur menjëherë pas çlirimit të atdheut, që nisi të kryente funksionet e tij si diktaturë e proletariatit, kërkonte patjetër edhe bazën ekonomike… Në janar të vitit 1945, doli ligji i mbi konfiskimin e pasurisë së shtetasve italianë e gjermanë. Gjithashtu në janar doli ligji i tatimit të jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës. Ky ligj godiste veçanërisht atë pjesë të borgjezisë që kishte grumbulluar pasuri të mëdha… Në shumë raste elementët e tatuar nuk pranonin të paguanin shumën e caktur, me preteksin se nuk e kishin atë… disa u përpoqën të nxirrnin ar e sende të tjera jashtë shtetit… Veprime edhe më të vështira iu deshën të bënin organeve të punëve të brendshme, veçanërisht atyre të policisë për të zbuluar arin që kishin fshehur kapitalistët e tregëtarët. Përvoja ishte e paktë, por ndihma e popullit qe e madhe. Ndihmuan puntorët e specialistët që kishin marrë pjesë në ndërtimin e depove të kasafortave dhe që kishin bërë fshehjen në vende të panjohura, ndihmuan ata që kishin shërbyer si shegertë e argatë pranë kapitalistëve të kaluar etj. Kështu u arrit të zbulohen depo të nëndheshme në parcelat e oborret e kapitalistëve, bejlerëve e tregëtarëve. U gjetën qypa me flori jo vetëm në betonime të thella të nëndheshme e në muret e shtëpive, por edhe nën rrënjët e pemëve e nën sipërfaqet e puseve me ujë të pijshëm si në Durrës, Tiranë, etj.
Në Elbasan u zbulua një sasi e madhe mallrash të tregtarit H. B. në një depo të nëndheshme, përsipër së cilës ishin mbjellë presh e perime të ndryshme. Zbulime të tilla u bënë edhe në Shkodër, Durrës, Korçë. Deri në fund të vitit 1948, u zbuluan 43.816.682 monedha ari, pa përmendur shufrat e stolitë e florinjta. Organet e punëve të brendshme ndoqën gjithë zhvillimet e ngjarjeve duke bërë një luftë këmbëngulëse kundër elementëve spekulativë e matrapazë…”.
Por ndërsa nga komunistët pranohet një shifër e tillë sekuestrimesh, të dhënat e tjera zyrtare janë krejt kontradiktore. Kështu sipas një shkrese sekret të nënshkruar nga drejtori i Thesarit, Fahri Hoxha më 16 janar 1992, merret vesh se sasia e arit të hyrë në Thesar nga sekuestrimet në periudhën 1 dhjetor 1944 – 31 dhjetor 1990 është vetëm 3.029 kg.
Ndërsa në periudhën 1 dhjetor 1944 deri në 31 dhjetor 1990 në Thesarin e Shtetit kanë hyrë gjithsej 8.749 kg ar dhe kanë dalë 7.600 kg ar. Mirëpo shifra e 43.816.682 copë monedhave nuk është baraz me 3.029 kg ar, por me minimumi 320 ton ar. Atëherë vetiu lind një pyetje që do përgjigje: ku shkoi gjithë kjo sasi ari? Kush e mori? Pse ka diferenca të mëdha midis shumave.

Tregtarët e grabitur të Korçës

Një ndër autorët e parë që u mor në fillesat e pluralizmit politik në Shqipëri me çështjen e thesarit të grabitur në shtypin shqiptar me disa shkrime në gazetën “Rilindja Demokratike” ishte i ndjeri Teodor Keko.
Në shkrimin “Arkivat rreth enigmës së floririt”, datë 15 qershor 1991, Keko është bazuar në të dhënat e arkivit të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Korçës. Sipas dosjes nr 34 të seksionit të Financës, në bazë të relacionit të datës 15 maj 1945, mësohet se tregëtarëve korçarë iu ishte caktuar një “tatim” (lexo grabitje) prej 86.685.968 frangash ari, nga cila deri në këtë periudhë ishte vjelë rreth gjysma e saj. Sipas historikut lokal të policisë së Korçës mësohet se vetëm në këtë qytet ishin grabitur 400 kg ar dhe 48 mijë napolona flori pa përmendur stolitë e tjera të vjedhura nga banditët. Për të ilustruar “masakrën e verdhë”, Teodor Keko paraqet edhe një listë të 32 familjeve korçare të cilave ju grabitën përveç dyqaneve dhe shtëpive edhe një sasi e konsiderueshme florinjsh. Ndër emrat më kryesorë këtu mund të përmendim familjet Qirjako, Abeshi, Cingu, Plasoti, Katro, Gjezi, Samara, Qirinxhi, Çekani, Pepo, Lako, Turtulli, Jani, Stase, Mborja, Bino, Terova, Mulla, Nora, Pilika, Ballauri, Peço, Serani, Katundi, Zahara, Pllaha, Bicolli, Thomo, Barçe etj. Ndër të grabiturit kryesorë është Kristaq Cingo me 9.002.500 franga ari.
Po në numrin e sipërpërmendur të gazetës, dëshmitari Paskal Andoni, ish punonjës në degën e tretë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dëshmon së kur ishte dashur të hapej, kasaforta e Hysni Kapos kishte qenë e mbushur plot me flori.

Lista e familjeve më të grabitura në Korçë është kjo:
1-Vëllazëria Qirjako
2-Vëllazëria Abeshi
3-Vëllazëria Stase
4-Kristaq Cingo
5-Thoma Plasoti
6-Vëllazëria Katro
7-Hari Kristo Samara
8-Vëllazëria Gjezi
9-Vëllezërit Qirinxhi
10-Ligor Jani
11-Vëllazëria Plasa
12-Vëllazëria Lako
13-Vangjel e Gaqo Turtulli
14-Vëllazëria Balli
15-Vasil Pepo
16-Jankulla Çekani
17-Sotir Mborja
18-Dhimitër Bino
19-Refail Terova
20-Pandi Mulla
21-Pandeli Nora
22-Anastas Pilika & Angjeli Stavraq Ballauri
23-Dhimitër Peço
24-Vangjo Serani
25-Vëllezërit Katundi
26-Llambi Kiço Zahara
28-Vëllezërit Pllaha
29-Sotir Bicolli
30-Vëllezërit Terova
31-Thoma Thomo
32-Vëllazëria Barçe

Këtu mund të shtojmë se vetëm Rexhep Merdanit i janë marrë 450 kg ar, nga të cilat arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka të shënuar vetëm 29 kg. Të tjera familje të grabitura nga Korça janë familjet Ypi, Ziko, Bopi, Fundo, Kondi, Opari, etj.

Të grabiturit në Elbasan

Edhe Elbasani mbahet si një ndër qytetet më të grabitura nga banda kriminale që erdhi në pushtet në vitin 1944. Përveç sekuestrimeve të shumta, komunistët ashtu si në mbarë Shqipërinë nuk harruan të përdorin format e tjera që kishin të bënin me dhunën dhe torturën.
Një praktikë e njohur për njerëzit e Sigurimit të Shtetit për të nxjerrë sasinë e duhur të floririt ishte arrestimi dhe tortura. Kështu shumë tregëtare iu nënshtruan burgosjeve dhe torturave nga më ç’njerëzore. Në Elbasan të vdekur në burg për shkak të floririt janë disa. Sulejman Domi, Xhaferr Çelirama, Mateo Papajani, Refik Myftiu etj, vdiqën në burgjet e komunizmit për shkak të mosdorëzimit të floririt të kërkuar prej banditëve komunistë.
Për t’u kujtuar është se floriri i Refik Myftiut u zbulua krejt rastësisht kur në Ebasan u ndërtua shkolla e muzikës. Sasia jo e vogël e floririt ishte e groposur në rrënjët e një shege.
Natyrisht shembulli më tipik i dhunës së ushtruar ndaj tregëtarëve, ishte vdekja nga torturat e rënda të njërit prej tregëtarëve më të njohur të Elbasanit si Sulejman Domi, i cili vdiq në qelinë e improvizuar të “Grand Hotelit” në Elbasan më 11 prill 1948, pas 11 ditësh tortura. Ndonëse kishte dorëzuar dy herë “tatimin” që i kishin caktuar, grabitqarët nuk u mjaftuan me kaq por i rrëmbyen dhe atë sasi ari që ai kishte në shtëpi. Është për t’u theksuar se në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk gjendet asnjë lloj dokumenti në lidhje me marrjen e arit të të ndjerit Sulejman Domi, ndaj të cilit janë ushtruar torturat më ç’njerëzore si ato të futjes në dimër deri në fyt në ujë të ftohtë, ato të hedhjes nga një lartësi e madhe në tokë, të shkuljes së thonjve të duarve apo të këmbëve etj, etj. Për shkak të këtyre tortuarave trupi i tregëtarit të ndershëm Sulejman Domi nuk duroi dot. Ai vdiq në moshën 58 vjeçare. Edhe sot e kësaj dite atij nuk i dihet varri. Persekutorët kurrë nuk e treguan atë. Fotoja e Sulejman Domit që po botojmë është marrë nga dosjet e sigurimit, dhe e tregon atë një ditë para vdekjes. Sa të tillë në mbarë Shqipërinë kanë pësuar fatin e tij?
Të treguar me gisht si persekutorë në Elbasan janë emrat e Petrit Hakanit, Haki Mahmutajt (që njihet edhe me mbiemrin Tepelena dhe ishte përgjegjës i Seksionit të Financës në Elbasan), Mehmet Tepelenës, Riza Tiranës, Adem Demirit, Thanas Cakut, e shumë e shumë të tjerë. Natyrisht këtu shquhej edhe prokurori Josif Taja. Për të mësuar më tepër për floririn e Sulë Domit, Sigurimi i Shtetit hartoi edhe një plan sipas të cilit një person u maskua si djali i Sulë Domit, Mahiri. Ky person qëndroi tek shkallët e qelisë në distancë nga Sulë Domi duke u lutur nga larg që ky i fundit të dorëzonte floririn. Sipas dosjeve të Sigurimit, personi që “imitoi” të ndjerin profesor Mahir Domi, ishte i urryeri Thanas Caku.
Në procesin e vjedhjes së floririt në Elbasan vend të rëndësishëm zinin vëllezërit Mahmutaj, të cilët për shkak të ngatërrimit të mbiemrit të tyre me produktin jashtqitës të njeriut, e ndryshuan atë (mbiemrin) nga M… në “Tepelena”. Të dy vëllezërit ishin nga Rabija e Tepelenës. Ndërsa sot në Kuvendin e Shqipërisë deputetja socialiste me mbiemrin Tepelena është nuse në shtëpinë e të lartpërmendurve. Me sa duket “tradita” vazhdon.

Familjet e tjera kryesore të grabitura në mbarë Shqipërinë

Procesi sekuestrove-grabitqar natyrisht që ishte masiv në të gjithë Shqipërinë. Barra më e rëndë në këtë proces rëndoi mbi familjet tregëtare të qyteteve kryesore të vendit. Nëse do të bënim një renditje të përgjithshme të familjeve më të sekuestruara ato do të ishin:
Në Berat: Hoxha, Hushi, Çullaku, Dardha, Konicoti, Kuçi, Vrioni etj.
Në Durrës: Dovana, Shijaku, Dibra, Dushi, Hamdija, Zagoridha, Mushketa, Leka, Dakoli, Manushi, Nushi, Vangjeli, Beshiri, etj.
Në Elbasan: Domi, Kazazi, Bakalli, Mehja, Velencja, Miraku, Hastopalli, Kopili, Bebi, Kulla, Dodbiba, Shkodra, Shiku, etj,
Në Gjirokastër: Liti, Mezini, Omari, Toila, Tushe, Selfo, Çoçoli, Xhiko, Totozani, etj.
Në Vlorë: Bisholli, Bezani, Bitri, Busheka, Çili, Hoxha, Shuka, Sorra, Levi, Jakseli, Strati, Jonuzi, Gurabardhi, Qazimi, etj.
Në Shkodër: Pistuli, Topalli, Muka, Kaçulini, Vjerdha, Rroji, Anamali, Bakalli, Bushati, Kraja, Dabërdaku, Koka, Hoti, Gjoka, Luka, Mati, Sokoli, Karehamni, Pogu, Tahiri, Tepelia, Serreqi, Luka, Mati, Pogu etj, etj.
Në Sarandë: Çelo, Harito, Llambro, Rushiti, Muzina, etj.
Në Ministrinë Punëve të Brendshme ishte ngritur një degë e posaçme që merrej me arin e që drejtohej në atë kohë nga Maqo Çomo (që u bë pak më vonë edhe zv/ministër i Punëve të Brendshme). Mbas grabitjes së arit në një rreth të caktuar pranë kësaj dege sillej një proces-verbal i posaçëm, përveç dy të tjerëve që shkonin në bankë dhe degën lokale të Punëve të Brendshme.
Ndër grabitjet më të mëdha mund të veçojmë vëllezërit Jonuz dhe Nexh Shijaku nga Durrësi, të cilëve ju janë grabitur 45 mijë napolona flori, një kamion i ngarkuar me flori dhe disa diamantë të çmuar. Aristidh Lekës nga Durrësi i janë grabitur 45 mijë napolona flori dhe disa kunjtal të tjerë ar dhe stoli. E thënë ndryshe, Aristidh Leka dorëzoi 432 kg flori, ndërsa në arkivin e MPB, atë të Shtetit, dhe atë të Thesarit shënohet përafërsisht shifra e 17 kg. Nuk mjaftoi vetëm kjo por Aristidh Leka përballoi edhe vuajtjet e qelisë deri në vdekje.
Pepe Levit dhe Refael Jakselli nga Vlora i janë grabitur 42 milionë franga ari duke paguar rreth 100 mijë napolona. Madje Levi pas daljes nga burgu ju mor edhe 38 kg flori.
Për të gjitha këto raste dokumentacioni në Ministrinë e Punëve të Brendshme është mjaft i copëzuar dhe jo i plotë.
Kështu për shembull Alfons Dovanës nga Durrësi i janë marrë 516 kg ar, ndërsa në arkiva është regjistruar 58 kg.
Abdulla Kazazit nga Elbasani i janë marrë 42 kg ar ndërsa në arkiva është regjistruar shifra 12 – 14 kg.
Ibrahim Velences nga Elbasani i janë marrë 39 kg ar, ndërsa në arkiva janë regjitruar vetëm 0.3 kg. Për më tepër sipas dokumentit të Bankës së Shtetit të Elbasanit datë 2 maj 1949, Ibrahim Velences gjoja i janë kthyer 6 monedha të dëmtuara, a thua se organet e sekuestrimit kishin ndonjë ndjenjë mirësjelljeje ndaj personave që grabisnin.
Mihal Dilos nga Gjirokastra i janë rrëmbyer 100 kg ar, ndërsa në arkiva është regjistruar vetëm 0.013 kg.
Ndër tregtarët e tjerë që ju është marrë një sasi e madhe floriri dhe që nuk iu është regjistruar asgjë, është edhe Harallamb Papa me 258 kg ar.
Vala e sekuestrimeve dhe grabitjeve skandaloze nuk kurseu as atë pjesë të popullsisë që nuk prekej nga i ashtuquajturi “tatim i jashtëzakonshëm”. Ka mjaft raste që vërtetojnë se vala e grabitjes është përhapur edhe mbi qytetarë që kishin një sasi simbolike floriri. Edhe në këto raste dokumentacioni është i mangët apo me ndryshime të mëdha.

Ja cilat familje u grabitën të parat në Tiranë

Ndër qytetet që pati numrin më madh të familjeve të grabitura ishte edhe Tirana. Brenda pak ditësh nga dalja e “ligjit të tatimit të jashtëzakonshëm”, Komisioni Tatimor i Tiranës hartoi listat me viktimat e tij. Në gazetën “Bashkimi” të datës 22 mars 1945, botohet lista e familjeve që ishin caktuar për t’u grabitur nga regjimi komunist. Kjo listë shoqërohej me disa të dhëna në lidhje me “fitimin gjatë luftës”, shumën për t’u tatuar si dhe me tatimin e vërtetuar. Më poshtë po botojmë listën e familjeve si dhe “tatimin e vërtetuar”.

1-Vllazën Kazazi……………16.430.000
2-Vllazën Çoka…………………14.990.000
3-Murat Begeja & vëllezërit……5.774.000
4-Hysen Ali Mehmeti……………3.902.000
5-Osman Vaqarri………………1.440.000
6-Besnik Tugu………………614.000
7-Ramazan Konçi………………1.946.268
8-Ymer & Sali Beqiri………………614.000
9-Sadik Kazazi……………………398.000
10-Abdulla Turkeshi……………2.433.200
11-Ismail Fortuzi…………………224.000
12-Qamil Dibra…………………1.870.290
13-Bijtë e Gaqi Oparit………………371.000
14-Manol Kume……………………832.400
15-Vllazën Tase…………………3.974.000
16-Jusuf Kruja…………………3.830.000
17-Vllaznia Mehmeti……………..126.000
18-Ramazan Zdrava……………….130.850
19-Halit Mani………………….143.000
20-Vath Baroni…………………..130.850
21-Abdulla Alliu & nipat………….163.250
22-Mehmet Tugu………………..2.750.000
23-Mezini & Kasmi……………….126.800
24-Qamil Hoti………………….264.500
25-Hysen Drishti…………………..143.000
26-Filip Korra………………….2.259.000
27-Fetah Kasmi…………………..126.800
28-Mustafa Kasmi…………………224.250
29-Vllazën Loxha………………….749.000
30-Ramazan Berberolli……………..622.100
31-Mersin Konçi…………..668.000
32-Sefedin Zhubi………………..159.200
33-Qamil Zhubi…………….203.750
34-A.Qoshja & I.Deliu………..1.566.000
35-Mehmet Kasmi & vëllezërit….830.000
36-Vëllezërit Dushi…………..1.606.320
37-Gjon Laca…………………..884.0 00
38-Vllazën Spahija…………….325.250
39-Kasmi & Ferra………………..252.250
40-Iliaz Dajçi……………………126. 800
41-Xhevat Gabeci…………….830.000
42-Xhundi Sheko & bijtë………27.950.000
43-Pashuk Bib Mirakaj………….1.755.000
44-Xhemal Begeja………………143.000
45-Ibrahim Begeja………………1.440.000
46-Qamil Shtiza…………………126.000
Shuma gjithsej e “tatimit të vërtetuar” 112.469.828 franga ari

Projekti i Bankës së Shtetit Shqiptar
Projekti i Bankës së Shtetit Shqiptar

Pse shkoi ari në Bashkimin Sovjetik

Një tjetër problem që ka të bëjë me arin shqiptar është edhe sasia e arit që ka shkuar në Bashkimn Sovjetik në vitin 1954 në shkëmbim të një sasie gruri. Një praktikë e tillë, që mbase mund të ketë ndodhur edhe herë të tjera me Bashkimn Sovjetik, thuajse nuk ka ndodhur kurrë për blerje marrrash ushqimorë. Kështu sipas vendimit nr 144, datë 2 shkurt 1954 “Mbi imporitim mallrash për tregun special”, të Këshillit të Ministrave, në Bashkimin Sovjetik ka shkuar një sasi prej 224,4 kg ar. Vlen të theksohet se e gjithë procedura e kalimit të arit në Bashkimin Sovjetik ka qenë tejet sekrete. Pse duhej të ishte sekrete, nga kush ruheshin udhëheqësit komunistë?
Në vendimin në fjalë thuhet: “1-Ministria e Tregëtisë dhe Komunikacioneve të importojë mallra nga BRSS për tregun special për një vleftë prej 1.000.000 (një milion rubla).
2-Ministria e Financave ngarkohet të bëjë likujdimin e shumës së sipërme në kundravlerë me monedha ari.
3-Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.

Relacioni sekret i Bankës së Shtetit Shqiptar me 27 dhjetor 1954

Në lidhje me ketë Banka e Shtetit Shqiptar, në relacionin tepër sekret dërguar Këshillit të Ministrave thotë: “Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave nr 144, datë 2 shkurt 1954, është vendosur që të importohen nga BRSS mallna për tregun special për një shumë rreth 1.000.000 rubla. Vlefta e mallnave do të likuidohet me monedha ari. Sipas të dhënave kontabël, vlefta e mallnave të mbërritura kapin shumën prej 945.615,58. Nga ana jonë para se të bëhej likuidimi i vleftës së mallnave të mbërritura për tregun special, i kemi kërkuar Bankës së BRSS-së çmimin e blerjes së arit, e cila njofton me letrën e saj datë 10 prill 1954, nr 75001 se 1 gram ar 1000/000 është 4.45 rubla.
Në bazë të çmimit të ofruar nga Banka e BRSS-së është llogaritur vlefta e 1.000.000 rublave. Për likuidimin me çmimin 4.45 rubla 1 gram ar fino, nevojiteshin 38.701.75 napolona ari me peshë nominale bruto 6.4516 gr. baraz me gram ar 1000/000; 5.80645.
Në bazë të urdhrit tuaj është përgatitur një fuçi e cila përmbante 39 qese, prej të cilave 38 qese përmbanin 1000 copë napolona dhe qesja nr 39 përmbante napolona copë 701.75 me një peshë kompesive bruto 250.679 gr dhe me peshë neto nominale 249.691 fuçia ka qenë e vulosur në rregull.
Sipas marrëveshjes që kemi patur me përfaqësinë tregëtare të BRSS-së, ja dorëzuam personalisht kapitenit të vaporit Chiaturi, i cili na dorëzoi konoshamenton të firmosur rregullisht për marrjen në dorëzim. Banka e BRSS-së na konfirmon marrjen në rregull të fuçisë me telegramin e saj datë 6 tetor 1954.
Banka e BRSS-së me letrën e saj datë 3 dhjetor 1954, na njofton marrjen e fuçisë si dhe gjetjen në rregull të sasisë së arit të dërguar me këto diferenca.
a-Përsa i përket qeseve ishin në rregull me përmbajtjen e tyre si copë, dmth se ka marrë në dorëzim copë napolona 38.700,75 me të vetmin ndryshim se nuk ka marrë për bazë peshën nominale por peshën efektive, kështu që ka rezultuar një diferencë ma pak gram ar bruto 850.907 (me përmbajtje 900/1000) baraz me ar 1000/1000 gram 765.81. Nënkuptohet se prej përdorimit napolonat kanë një konsumim, rregullisht duhet të merret pesha e tyre efektive dhe jo një nominale, kështu që çdo napolon ar ka një konsum peshe prej 0.022 me përmbajtje 900/100.
b-Kalkulimi i arit të marrë në dorëzim nga Banka e BRSS-së nuk e ka llogaritur me çmimin që na ka ofruar bazë letrës së saj datë 10 prill, dmth i gram ar 1000/1000 rubla 4.45, por 4.50.
Banka e BRSS-së për 38.701,75 napolona ar duke u bazuar në peshën efektive, nxjerr si përfundim 223.956 gram ar 1000/1000 me çmimin rubla 4.50 grami baraz rubla 1.007.803,98.
Vlefta e mallnave të importuara është 945.615,98
Kemi për të marrë rubla……….. 62.188,40
Por si përfundim i këtij veprimi kemi këto rezultate:
Napolona 38.701,75 x 326 lek = 12.616.770,50 lekë.
Konvertimi në rubla 1.007.803,98 = 12.597.500.
Diferenca në disfavor tonë 19.220,50 lekë
Sigurimi i arit $ 282 x 50…..lekë 14.100.
Diferenca dhe shpenzime totale lekë…33.320,50
Si konkluzion i zbatimit të marrëveshjes dhe të likujdimit kemi këto rezultate:
a-Sasia e arit u përllogarit me çmim 4.50 grami dhe jo 4.45.
b-U likujdua detyrimi kundrejt BRSS-së dhe mbetet në favorin tonë një sasi rublash prej 62.188,40 për të cilën ju lutemi na njoftoni që t`i mbajmë në rubla të lira apo t`i kërkojmë Moskës konvertim në dollarë.
c-Midis çmimit tonë të blerjes së napolonave ari dhe çmimit të shitjes kemi një humbje prej lek 19.220,50 në gjithë sasinë e shitur.
ç-Për likujdimin e detyrimit jemi ngarkuar edhe me shpenzime sigurimi të arit deri në destinacion, mbasi shitja ishte dorëzim Moskë.
d-Llogaria e Ministrisë së Financave paraqitet me një tepricë kreditore rubla prej 62.188,40. Në rast përdorimi do të kreditohet me kundërvlerën në lekë, ose në rast shitje (konvertim në dollarë ose franga zvicerane) në këtë mënyrë mbyllet llogaria në fjalë.
e-Përsa i përket shpenzimeve të sigurimit si dhe diferenca e peshës, kemi debituar llogarinë e Ministrisë së Financave (Llogari provizore në lekë)
Banka e Shtetit Shqiptar
Drejtoria e Përgjithshme
Tiranë më 27 dhjetor 1954.

A është depozituar një pjesë e arit në Bashkimin Sovjetik

Ish zv/drejtori i Bankës së Shtetit në vitet 1947-1950, Pjetër Deda, në vitin 1991 ka botuar disa artikuj në gazetën “Republika”. Në njërin nga këto artikuj, atë të datës 12 maj 1991, ai hedh dyshime rreth sasisë së arit të ndodhur në Thesarin e Shtetit në vitin 1949. Sipas tij, sasia që ai ka parë këtë vit ka qenë shumë herë më e vogël se sa mund të ishte apo mund të mendohej. Vetë zoti Deda shtron pyetjen se ku ka qenë depozituar gjithë ajo sasi floriri të sekustruar. Sipas tij enigma zgjidhet nga vetë Banka e Shtetit Shqiptar po të verifikohen të gjitha hyrje-daljet e Thesarit.
Po ashtu ai thotë se në vitin 1948, ka pasur fjalë se thesari ishte depozituar në Bashkimin Sovjetik për shkak të sigurisë dhe pozicionit gjeografik të Shqipërisë. Si argument shtesë z.Deda pyet se pse u tregua aq i mirë Hrushovi me Shqipërinë në vitin 1959 kur i fali të gjitha borxhet.

A ia fali Hrushovi vërtet borxhet Shqipërisë?

Më 25 maj – 4 qershor 1959, sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe kryeministër i këtij vendi, Nikita Sergejeviç Hrushov, në krye të një delegacioni partiak dhe qeveritar sovjetik bëri një vizitë në Shqipëri. Në këtë vizitë Hrushov u shoqërua nga Muhitdinov (anëtar i Presidiumit dhe sekretar i KQ të PKBS-së), R. Malinovski (ministër i Mbrojtjes), N. Firjubin (zv/ministër i Punëve të Jashtme), A. Bulgarov (sekretar i KQ të Bashkimeve Profesionale), F. Dumbatze (sekretare e KQ të PK të Gjeorgjisë), D. Rasulov (sekretar i KQ të Taxhikistanit), S. Vizarov (zv/kryeministër i Azerbaxhanit) dhe I. Vinogradov (zv/drejtor drejtorie në MPJ).
Para ardhjes së delegacionit të lartë sovjetik, kishte qenë në Bashkimin Sovjetik edhe një delegacion i lartë partiak dhe qeveritar nga Shqipëria. Pikërisht me rastin e vitit të ri 1959, Enver Hoxha e përmend këtë fakt në përshëndetjen që ai i drejtoi popullit shqiptar. Në lidhje me këtë dhe me sasinë e rublabve të kredituara nga Bashkimi Sovjetik, ndër të tjera Enver Hoxha thotë në përshëndetjen e tij: “…Javët e fundit një delegacion i partisë dhe i qeverisë sonë ishte në Moskë. Ai u prit kurdoherë me një dashuri të jashtëzakonshme nga Komitetit Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe qeveria sovjetike. Më lejoni t’ju komunikoj se u desh vetëm gjysëm ore bisedim në mes të delegacionit tonë dhe të shokëve sovjetikë me në krye shokun tonë të shtrenjtë Nikita Sergejeviç Hrushovin, që të gjitha kërkesat tona shumë të mëdha për ndihmë nga ana e Bashkimit Sovjetik për 5-vjeçarin e tretë të zgjidheshin plotësisht dhe në mënyrë të kënaqshme. Bashkimi Sovjetik përveç ndihmave kolosale që i ka dhënë vendit tonë në të kaluarën, për të cilat ju jeni plotësisht në dijeni, na dha një kredi të re prej 300 milion rublash për 5-vjeçarin e tretë, ai na akordoi edhe 35 milion rubla të tjera vetëm për zhvillimin e naftës gjatë këtyre dy vjetëve të fundit të 5-vjeçarit të dytë si dhe një seri dhuratash për zhvillimin e ekonomisë dhe të kulturës që vlerësohen në 10 milionë rubla. Kjo ndihmë kolosale, bujare, internacionaliste, nuk mund të jepet veçse frymëzuar nga ndjenja e lartë internacionaliste dhe nga dashuria e zjarrtë që ushqejnë populli sovjetik dhe Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik për popullin dhe për partinë tonë. Kjo ndihmë është garanci jashtëzakonisht e madhe për zhvillimin në një shkallë të gjerë të ekonomisë dhe të kulturës së vendit tonë, ashtu siç ka thënë shoku Hrushov, një kopësht të lulëzuar. I gjithë populli ynë me mirënjohje të pakufishme, i drejton sot falenderimet më të zjarrta Bashkimit të lavdishëm Sovjetik, partinë mëmë komuniste të Bashkimit Sovjetik, Komitetit Qendror të saj dhe shokut Nikita Hrushov. Ne i sigurojmë popujt vëllezër se me ta jemi të lidhur përjetë me një miqësi dhe besnikëri që nuk do të ketë mortje kurrë….” (marrë me shkurtime nga gazeta “Zëri i Popullit”-së e datës 1 janar 1959).
Pikërisht në një atmosferë të tillë pritej të zhvillohej vizita e Hrushovit në Shqipëri. Ajo që të çudit në këtë rast është deklarimi nga ana e Enver Hoxhës e një shumë kreditimi prej 300 milion rublash për 5-vjeçarin e tretë teorikisht fillonte në vitit 1961. Përsa i takon “faljes” e borxheve Shqipërisë nga Hrushovi gjatë vizitës së fundit në Shqipëri duket që është fjala për shumat e tjera që përmend Enver Hoxha.
Këtu kemi parasysh faktin se për 1 milion rubla, nga Thesari i Shtetit shqiptar dolën 224,4 kg ar. Po të vazhdojmë me të njetën logjikë i bie që për 35 milion rubla të paguhen 7.854 kg ar. Po të shtojmë këtu edhe 10 milion rublat e tjera që thotë Enver Hoxha, atëhere i bie që për këto dy “kredi”, Bashkimi Sovjetik t’i ketë marrë Shqipërisë rreth 10 ton ar. Mund të duket shumë një sasi e tillë ari, por gjithsesi në raport me minimumi 320 ton ar të grabitur nga komunistët pas lufte, ajo është vërtet e vogël.
Qysh ditën kur erdhi Hrushovi në Aeroportin e Rinasit Enver Hoxha deklaroi: “Miqësinë me Bashkimin Sovjetik populli shqiptar e çmon si thesarin më të shtrenjtë….Miqësia jonë është e fortë si graniti dhe e përjetshme si malet tona…”. (gazeta “Zëri i Popullit” 26 maj 1959).
Sikurse shihet për Enver Hoxhën nuk ka më rëndësi thesari i vërtetë sepse thesar për të na qenka “miqësia e përjetshme” me Bashkimin Sovjetik. Dhe kjo përjetësi u pa shpejt.
Në atë kohë kur Hrushovi vizitoi Tiranën pala shqiptare në bisedime përbëhej nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Gogo Nushi, Spiro Koleka, Liri Belishova, Manush Myftiu, Koço Theodhosi, Abdyl Këllezi, Adil Çarçani, Maqo Çomo, Behar Shtylla dhe nga ambasadori shqiptar në BS, Nesti Nase.
Pas bisedimeve dhe viztave të ndryshme në mbarë Shqipërinë, më 30 maj 1959, Hrushovi u shpall qytetar nderi i Tiranës dhe më 3 qershor 1959, vuri gurin e parë në Pallatin e Kulturës në Tiranë ku u vendos dhe një pllakatë me fjalët: “Këtu më 3 qershor 1959, udhëheqësi i madh i popullit sovjetik dhe miku i shtrenjtë i popullit shqiptar, shoku Nikita Sergejeviç Hrushov, vuri gurin e parë në themelet e Pallatit të Kulturës, simbol i përjetshëm i miqësisë së pathyeshme e të përjetshme shqiptaro-sovjetike”.
Marrja e një sasie të sipërpërmendur të arit nga ana e Bashkimit Sovjetik është edhe një tregues tjetër që tregon nga njera anë mungesën e solidaritetit në kampin socialist dhe nga ana tjetër dijeninë që kanë pasur sovjetikët për arin shqiptar. Gjithashtu është për t’u kujtuar që fill pas prishjes së madhe shqiptaro-sovjetike, nuk u pa ndonjë presion i madh për të kërkuar “borxhet” nga ana e Bashkimit Sovjetik. Ndonësë publikisht u tha se ato u falën në vitin 1959, prap mund të ishte ndonjë sasi tjetër e marrë pas këtij viti duke pasur arin në mes. Duket që të dy palët nuk kanë dashur të bëhet publike çështja e arit pasi ishte e dëmshme për të dyja palët. Për palën shqiptare merrej vesh dërgimi i arit në Bashkimin Sovjetik dhe për palën sovjetike dilte në pah pazari për të marrë arin shqiptar.

Ku shkuan 8 ton ar dhe argjend në vitin 1968

Në vitin 1968, ka qenë i vetmi moment kur regjimi komunist preu monedhat përkujtimore prej ari dhe argjendi në kuadër (siç u tha) të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Në lidhje me këtë Presidiumi i Kuvendit Popullor nxorri një dekret të posaçëm më 16 janar 1968. Në lidhje me këtë pikë u bë ky diskutim në Presidiumin e Kuvendit Popullor:
Haxhi Lleshi: Mendoj që si pikë të parë të fillojmë me shqyrtimin e projektdekretit për prerjen e monedhave përkujtimore prej ari dhe argjendi, mbasi kemi edhe Aleks Verlin (në atë kohë ministër i Financave – shën.im).
Tonin Jakova: Ky italiani që e merrr përsipër këtë (prerjen – shën.im) sa fiton? A është në marrëveshje se sa do të fitojë? Cili është çmimi i arit monedhë në drejtim me monedhën e zakonshme? A do të bëhen edhe medalione të tjera përkujtimore apo vetëm në këtë rast? Pastaj kush do t’i shesë, do t’i shesë ai nën kontrollin tonë?
Gogo Nushi: Ky propozim për shembull që bën ai, a janë të lidhura si numur e si vlerë? A është sugjerim i yni apo i atij? Ata janë ekspertë, janë specialistë për këto punëra, prandaj një gjë duhet ta dijmë që të jemi të ndërgjegjshëm se nuk i hyjnë kësaj pune për të popullarizuar Skënderbeun. Për shembull ata i lidh interesi i fitimit.
Aleks Verli: Kësaj pune i hyjmë për herë të parë. Duke parë që shpesh herë të huajt na kanë kërkuar të tilla monedha përkujtimore, jo vetëm prej ari por edhe prej argjendi e bakri na nxiti që t’i hyjmë një pune të tillë. Nga propozimi i bërë nga ky pamë mundësinë që mund t’i hynim një pune të tillë. Nga propozimi i bërë nga ky pamë mundësinë që mund t’i hynim dhe çdo gjë dhe se kjo mund të jetë me leverdi për ne. Ky i merr të gjitha përsipër, ndërsa nga ne kërkohet autorizim zyrtar. Tani e kujt është leverdia më e madhe? – Kuptohet e atij, këtë e dimë dhe jemi koshientë sepse ai niset nga qëllimi i fitimit, pasi këto monedha shiten dyfishin e vlerës apo më shumë. Për shembull 10 lekëshi në qoftëse e ka vlerën 1 dollar, ai do ta shesë 4 dollarë. Këta bëjnë katalogon e monedhave të ndryshme që i shpallin me vleftën për seicilën monedhë. E mbajnë vlerën e monedhës sipas kursit zyrtar. Leku jonë është 0.177 të mijtat e gramit ar, dmth me kursin ligjor kështu llogaritet, por që këtu nuk e kemi shpallur se pse monedha ari në para nuk kemi. Po këshu edhe vendet socialiste nuk e kanë…
Haxhi Lleshi: Po vendet e tjera socialiste kanë nxjerrë të tilla?
Aleks Verli: Nuk na del që të kenë nxjerrë. Na del që të ketë nxjerrë Mao Ce Dunin, por në medalion është ndryshe, nuk i japin llogari askujt. Ndërsa për të nxjerrë para nuk mund të bëjnë shtypjen në qoftëse nuk marrin autorizimin nga vendi përkatës. Sipas llogaritjeve del që 30% të fitimeve ai na i jep neve, 20% i ka shpenzime, pastaj bankat, rushfetet që kanë etj.
A mund të bëjmë monedha të tjera përveç këtyre? Mund të bëjmë. Tani për tani këto menduam. Në lidhje me afatin e shitjes ai na kërkon afat 4-5 vjet, ndërsa ne i thamë deri në 3 vjet. Mendojmë se brenda 3 vjetëve mund të shiten.
Tonin Jakova: Sa është gjithsej sasia e arit?
Aleks Verli: Është rreth 80 – 82 kv ar. Tani nga ana teknike a i kemi mundësitë që të mos abuzojmë? Në në marrëveshje kemi arritur që këto monedha të dalin nga 5 shtëpi të njohura, dy në Itali, një në Francë, një në Zvicër dhe një në Gjermaninë Perëndimore. Të drejtën e kontrollit e kemi, por ka një gjë tjetër se këto ruhen shumë nga komprementimi.
Tonin Jakova: Në qoftë se i kemi mundësitë, a nuk mund t’i bëjmë vetë këto monedha?
Aleks Verli: Vetë nuk i kemi mundësitë. E kemi të zorshmë se është hera e parë që bëhet, pastaj këto janë shoqëri që njihen, kanë degët e tyre, kanë agjentët e tyre, njihen me gjithë bankat e botës.
Haxhi Lleshi: Shpjegimet më duket janë të qarta. Këta të financës e kanë parë, qeveria e ka parë, interes siç paraqitet kemi. Prandaj mendoj që duhet ta aprovojmë dekretin…”.
Në lidhje me këtë kemi shfletuar edhe “Gazetën Zyrtare” të vitin 1968, e cila qysh në numrin 1 të saj në faqet 2 dhe 3 të saj përmban dekretin nr 4358 “Mbi prerjen e monedhave përkujtimore prej ari dhe argjendi”. Sipas neni 1 të këtij dekreti autorizohej Banka e Shtetit Shqiptar të priste një seri të jashtëzakonshme monedhat përkujtimore prej ari dhe argjendi. Sipas nenin 2 këto monedha kishin “kurs ligjor dhe fuqi çliruese për rregullimin e të gjitha detyrimeve, obligacioneve dhe transaksioneve publike e private. Në nenin 3 të dekretit, monedhat prej ari do të priteshin me përmbajtje ari të thjeshtë 900/1000 dhe lidhje argjendi e bakri 100/1000. Këto prerje do të ishin 20, 50, 100, 200 dhe 500 lekë. Nga ana tjetër monedhat prej argjendi me përmbajtje argjendi të thjeshtë 1000/1000 ishin të prerjeve 5, 10 dhe 25 lekë.
Nga pesha bruto në gram e monedhave vihet re se më tepër peshon monedha 500 lekëshe me 98.74 gram dhe me diametër 55 milimetra. Për këto monedha neni nr 5 i dekretit në fjalë parashikonte numrin progresiv nga 1 – 12.000.
I gjithë procesi i prerjes së monedhave dhe më pas i shitjes së tyre ka kaluar nëpërmjet një labirinthi aspak transparent. Të bën përshtypje fakti që për një ngjarje të tillë simbolike nuk shpenzohet një sasi simbolike ari por një sasi e tillë që afërsisht është sa e gjithë sasia e arit që ka hyrë në thesar nga viti 1944 e deri në fund të viti 1990. Kështu duhet të pohojmë që shuma totale e arit të futur (zyrtarisht) në thesar është 8.839 kg, nga e cila më 31 dhjetor 1990 kishin ngelur 1.239 kg.
Në asnjë vend të botës nuk është parë shpenzimi total i thesarit për të prerë monedha në një rast të caktuar festiv. Aq më tepër që monedha në fjalë i është shmangur tërësisht qarkullimit të brendshëm.

Kush e ka depozituar arin në perëndim

Vlerat monetare të familjes Hoxha i ka qarkulluar në perëndim dhe më tutje një njeri i afërt i djalit të Enver Hoxhës, Sokolit. Ky njeri quhej Shkëlzen Doçi. Ai brodhi për shumë vjet në Francë, Kanada dhe Amerikën e Jugut për të qarkulluar dhe depozituar vlerate thesarit shqiptar në emër të famijles Hoxha. Në vitin 1983, Shkëlzen Doçi arrestohet së bashku me dirigjentin Gaspër Çurçia si “falsifikator i biletave të trenit”. Shkëlzen Doçi në gjyq nuk foli thuajse fare. Në përfundim ai dhe Gaspër Çurçia u dënuan me vdekje. Pikërisht zbulimi më i madh rreth personit të Shkëlzen Doçit do të hedhë më tepër informacion rreth vendit se ku ndodhet një pjesë jo e vogël e floririt të grabitur të shqiptar. Po ashtu nuk janë të pakta informacionet që qarkullojnë se për Amerikën e Jugut një rol jo pa rëndësi ka edhe komunisti veteran Zhoao Amazonas, njeriu që ishte i pranishëm më shumë se kushdo në kongreset e Partisë së Punës.
Në Zvicër ndodhet vetëm një sasi e caktuar e arit shqiptar. Ajo me e madhja ka kapërcyer oqeanin.

Kush e ka kontrolluar kambizmin? A mund të ishte kjo forma për të siguruar llogari të tjera bankare në prag të falimentimit të regjimit komunist?!

Me anë të vendimeve nr 5, 430 dhe 84 të datave 7 janar 1988, 7 dhjetor 1988, dhe 8 mars 1989, janë transferuar jashtë shteti për qëllime kambizmi 4.072 dhe 13.193 kg argjend. Një shumë e tillë e justifikuar për kambizëm është pamundur të ketë shkuar e gjitha në destinacionin që thuhet. Për skandalin në fjalë ka shkruar më 26 qershor 1991 edhe gazeta “RD”. Sipas gazetës, specialistët e Fondit Monetar Ndërkombëtar kishin zbuluar se llogaritë e bilancit valutor nuk rakordonin. Gazeta kritikon gjithashtu heshtjen e drejtorit të Bankës së Shtetit Niko Gjyzari dhe të drejtorit për marrëdhënie me jashtë Kamber Myftari. Po në këtë artikull bëhet fjalë se njeriu që është marrë me “kambizmin” është Dhimitër Gazhda, i cili sipas gazetës kishte dy muaj që jetonte në Greqi. Humbjet që kishte pasur shteti shqiptar në një rast të tillë sipas gazetës ishin rreth 200 milion dollarë.
Padyshim që i ashtuquajturi “kambizëm” në prag të kapitullimit të regjimit komunist nuk ka qenë gjë tjetër veçse maskim i kalimit të llogarive në favor të udhëheqësve të lartë komunistë.
Me anë të një shkrese sekret të datës 6 tetor 1987, ministri i Financave Andrea Nako, njofton Ramiz Alinë dhe Adil Çarçanin sa më poshtë: “Njoftimi mbi llogarinë bankare 01 më 30 shtator 1987, arriti rreth 17 milionë dollarë. Gjatë tremujorit të 4-t të vitit 1987, para shikohen në këtë llogari edhe shumat që vijojnë:
-Nga interesat bankare për llogaritë në valutë që mbahen pranë bankave të huaja – 200 mijë dollarë.
-Nga shkëmbimet valutore duke shfrytëzuar konjukturat, parashikimi është për 5 milionë dollarë, por do të përdoren rreth 1.4 milion dollarë për blerje të ndryshme sipas vendimit të Këshillit të Ministrave… 3.6 milion dollarë.
-Nga shoqëritë komisionere 400 mijë dollarë.
Nga shikimi i gjithë procesit të “kambizmit” vërehet se autoritetet komuniste kanë dashur të humbin me dëshirë. Edhe ashtuquajtura “humbje” nuk është gjë tjetër veçse forma më ideale për të justifikuar depozitimin e një sasie të caktuar ari.
Nga ana tjetër sipas një dëshmie që ka dalë edhe në shtyp 11 vjet më parë, Banka e Shtetit Shqiptar për periudhën 1983-1987 ka porositur 396 copë arka që shërbejnë për transportimin e arit. Nga këto vetëm në vitin 1983 janë porositur 196 copë, ndërsa pjesa tjetër në vitin 1987. Kjo sasi arkash sipas specialistëve mund të shërbente vetëm për një sasi prej 180 ton ar.

Të hetohen edhe investimet në ndërmarrjet me humbje në fund të viteve 80-të

Një tjetër formë e përdorur për kalimin e sasive të arit ose e të ardhurave valutore në perëndim, është ajo e përdorur në fund të viteve 80-të nëpërmjet firmave të ashtuquajtuara “perëndimore”, në uzina apo kombinate që tradicionalisht kishin dalë me humbje. Një investimi tillë është vënë re edhe Kombinatin Metalurgjik “Çeliku i Partisë” në Elbasan, në vitin 1990, ku në Uzinën 12 dhe atë të Nikel-Kobaltit janë “investuar” 40 milionë dollarë në bashkëpunim me një firmë gjermane krejtësisht të panjohur si ajo “Salsiger”. Ky skandal është denoncuar qysh më 11 maj 1991, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë nga deputeti i Elbasanit Argjir Panariti (shih për këtë “Punime të Kuvendit, viti 1991”, nr 1, faqe 529). Një shumë e tillë maramendëse nuk mund të jetë kurrsesi e investuar në një shifër të tillë. Firma në fjalë duke qenë anonime në këtë fushë, si duket ka luajtuar rolin e pastruesit të parasë. Këtu ia vlen të thuhet se dhe një firmë tjetër anonime si ajo “Rukert” në periudhën në fjalë është marrë me kambizëm dhe ka konvertuar një shumë prej 45 dollarësh në dojçmarka. Nuk dihet a mund të ketë apo jo një lidhje midis shumës së “investuar” në metalurgjik me shumën e përdorur nga firma “Rukert” për llogari të udhëheqjes komuniste.
Po ashtu mund të kujtojmë se një firmë e njohur për lidhjet e saj të ngushta me klanin Hoxha ishte edhe ajo që drejtohej nga Hajdin Sejdia me emrin “Iliria Holding”.
Sigurisht jashtë vëmëndjes nuk duhet lënë as borxhi i jashtëm që krijuan komunistët (në kundërshtim me kushtetutën e tyre) në fund të viteve 80-të dhe që arriti në rreth 500 milion dollarë.

Ari nji nga 10 metalet me te çmuar
Ari nji nga 10 metalet me te çmuar

Ku ka shkuar ari i Rubikut?

Përveç grabitjes masive së arit tek qytetarët shqiptarë një grabitje e përmasave të padukshme ëshë edhe ajo e ndodhur në uzinën e Rubikut ku prodhohej një sasi jo e vogël ari. Ndërsa në Tiranë funksiononte një sektor i posaçëm i pranimit të arit të Rubikut që në një kohë të konsiderueshme dhe delikate drejtohej nga Reshat Alia, që ishte xhaxhai i Ramiz Alisë dhe babai i Teuta Hoxhës, që ishte gruaja e djalit të madh të Enver Hoxhës, Ilirit.
Në mungesën e plotë të çdo lloj tranparence, vit pas vit është arritur të përfitohet një sasi e madhe ari në Rubik, në një kohë që Thesari i Shtetit ka përfituar një sasi krejt të papërfillshme të tij. Ish ministri i Financave Andrea Nako, me anë të një njoftimi sekret të datës 9 tetor 1987, njoftonte kryeministrin se nga prodhimi i Rubikut sigurohen rreth 120 – 130 kg ar në vit. Për vitet 1968-1990 duke marrë si prodhim minimal shifrën e 120 kilogramëve në vit, janë siguruar rreth 2.640 kg ar. Ndërsa sipas dokumentave shtetërore figuron që të jenë dorëzuar në thesar vetëm 1.777 kg ar. Largësia midis dy sasise është 873 kg ar. Mirëpo këto duhet të kemi parasysh se për të tillë sektorë komunistët kishin një mobilizim të paparë që nuk njihte as turne, e as çdo gjë. Kjo të çon në përfundimin që sasia e arit të Rubikut mund të jetë edhe më e madhe.

Hapin e parë e hodhi komisioni i përkohshëm parlamentar i vitit 1992

Pas shumë shkrimeve në shtypin e opozitës, në vitin 1991, u pa e rëndësishme që ky proces të shkonte më tej.
Për të verifikuar Thesarit e Shtetit nga vitit 1938-1990 si dhe procesin e sekuestrimeve në vitet e para të regjimit komunist, në fund të vitit 1991, me nismën e Partisë Demokratike u ngrit një komision i përkohshëm parlamentar i cili kishte këtë përmbërje:
1-Blerim Çela PD – deputet i Shkodrës (kryetar i komisionit)
2-Gëzim Luli PD – deputet i Shkodrës
3-Behadin Bakalli PD – deputet i Shkodrës
4-Vehbi Gruda PD – deputet i Shkodrës
5-Teodor Keko PD – deputet i Tiranës
6-Qemal Disha PS – deputet i Matit
7-Sami Kushta PS – deputet i Librazhdit
8-Shkëlqim Cani PS – deputet i Ersekës
9-Thoma Miço “Omonia” – deputet i Sarandës
Pas një pune jo të vogël, deputeti Blerim Çela lexoi më 22 janar raportin në emër të komisionit. Pas një argumentimi të hollësishëm, deputeti Çela në emër të komisonit parashtroi këto përfundime:
1-Në Shqipëri ka pasur disa dhjetëra tonelata ar në qarkullim dhe të thesarizuara nga popullata para datës 28 nëntor 1944.
2-Ish Mbreti Zog ka marrë me firmë 183 kg ar si të ardhura personale të oborrit nga diferencat e këmbimeve valutore me doganat.
3-Ministria e Punëve të Brendshme ka sekuestruar forcërisht sipas ligjeve të luftës, arin e popullit, por pa mbajtur dokumentacion të dyanshëm në momentin e sekuestrimit. Këto sasira janë mbajtur një herë në degët e Punëve të Brendshme, pastaj në Ministrinë e Punëve të Brendshme e më pas janë dorëzuar në thesar siç argumentuam më lart dhe shtojmë se këto diferenca tregojnë vetëm majën e ajsbergut sepse ngelen mbi 650 persona të paidentifikuar që kanë dorëzuar ar, të cilit nuk i është bërë hyrje në thesar.
4-Në dokumentat e Ministrisë së Punëve të Brendshme (“Historiku i Armës së Policisë”), pohohet me shkrim se janë sekuestruar 43.816.682 monedha të arta pa futur shufrat dhe bizhutë e arta. Vetëm ato bëjnë 283 ton flori. Në fakt në thesar janë futur nga sekuestrimet vetëm 3.029 kg ar….Mungojnë 280 ton ar.
5-Gjatë kohës së diktaturës komuniste janë bërë dalje 7.600 kg ar… Kjo sipas të dhënave të mara nga drejtori i thesarit të shtetit… dhe janë përdorur për të blerë grurë 224 kg; janë përdorur për dikasteret e ndryshme 37 kg; janë humbur në kambizëm 4.072 kg; janë dhënë për tregëtinë e jashtme 3.200 kg për blerje mallrash. Asnjë përgjegjësi nuk është mbajtur për humbjet në kambizëm për 4 ton ar me vlerë 60 milion dollarë. Thesari i Shtetit është i shenjtë, me të nuk mund të luhet, ndryshe kushdo që e prek duhet të përgjigjet me kokë. Se si është përdorur 3.200 kg për blerje mallrash, kjo kërkon një kontroll të dytë nga organe të specializuara me autorizim të paramentit.
6-Duhet të ngrihen grupe hetuesish me specialistë të aftë për të nxjerrë se ku shkon ari në sasi prej 280 ton duke ballafaquar fatkeqët e grabitur me grabitësit e veshur me rrobën e shtetit…
7-Duhet bërë kontroll në uzinën e Rubikut me mandat parlamentar e të qeverisë për të kontrolluar sasinë e arit të prodhuar në se përputhet me atë të futur në thesar.
8-Të kontrollohet i gjithë dokumentacioni dhe thesari në ruajtje kudo qoftë nga specialistë të Bankës së Shtetit duke nxjerrë gjendjet e lëvizjet e arit në thesar, në Ministrinë e Punëve të Brendshme si dhe atë të dërguar jashtë shtetit”.

iLeku i periudhes komuniste
Leku i periudhes komuniste

Pse u pa me frike Xhon Mekgou

Më 24 shkurt 1992, TVSH në emisionin e lajmeve trensmetoi një intervistë të një qytetari të huaj që quhej Xhon Mekgoi, intervistë që ishte marrë 4 ditë më parë. Mekgoi në këtë intervistë deklaroi se në fund të vitit 1990 e në fillim të vitit 1991 kishte qenë dëshmitar i transferimit nga Shqipëria në Zvicër i 10 tonëve ar. Ai theksonte se vetëm në nëntor-dhjetor 1990, janë dërguar në Zvicër nga Tirana dy avionë të posaçëm dërgesa e të cilëve, ari, ka përfunduar në bankën “Strase”. Sipas tij një pjesë e këtij ari përbënte edhe kapitalin bazë të një banke shqiptaro-zvicerane që ekzistonte në Tiranë. Banka në fjalë ishte “Iliria Suisse Bank”. Perveç kësaj Mekgoi shfaqi dyshimet e tij për firmën “Iliria Holding” e cila edhe në mjedise politike të kohës përflitej si e lidhur me familjen Hoxha, për të mos thënë që menaxhonte të ardhurat e kësaj familje.
Këto deklarime të Mekgoit shkaktuan një përshtjellim të madh tek politika e majtë në Tiranë. I pari reagoi presidenti komunist Ramiz Alia, i cili siç dihet ka qenë një ndër njerëzit më të afërt të klanit Hoxha. Vetëm një ditë më pas, Ramiz Alia i kërkoi kryeprokurorit të përgjithshëm Petrit Serjani “verifikimin e fakteve të mësipërme” dhe procedimin penal të Mekgoit “nëse lajmi është i rremë”. Si kuptohet nga deklaratat e rastit, Xhon Mekgoi kishte vizituar edhe me personalitete të tjera të shtetit duke përfshirë këtu edhe kryeministrin Vilson Ahmeti. Ky i fundit sipas “ZP”-së i është drejtuar Mekgoit me këto fjalë: “Mos lëshoni tullumbace të tilla”. Nga ana e tij drejtori i Thesarit të Shtetit, Fahri Hoxha, i pyetur për këtë problem nga “ZP” më 26 shkurt 1992 ndër të tjera deklaron: “Ne nuk dimë asgjë për sasinë e arit të përmendur në intervistën e transmetuar në televizion. Nga Thesari i Shtetit ka dalë ar në bazë të vendimeve të Këshillit të Ministrave. Pa këto vendime nuk del asnjë gram ar nga Thesari. Ari ka filluar të dalë nga Thesari duke filluar nga viti 1988. Më parë nuk ishte e nevojshme me ndonjë përjashtim të rrallë, sepse nevojat tona mbuloheshin nga eksportet. Që nga viti 1988 ka dalë gjithsej 7.2 ton ar. Nga këto 4.07 ton ka qenë për kambizëm, 1.8 ton për tregëtinë e jashtme dhe 1.3 ton për nevojat e shtetit. Në vitin 1988 kemi marrë një avion të posaçëm jashtë linje me të cilin kemi nxjerrë jashtë shtetit 2 ton ar. Sasira të tjera më të vogla janë dërguar me avionët e linjës….. Ne në Thesar nuk kemi pasur kurrë 10 ton ar”.
Askush nuk donte në atë kohë të merrej me thelbin e problemit por vetëm me mbulimin e tij. Kështu shtypi socialist filloi hapur fushatën antiamerikane të tij. Gazeta socialiste “24 orë”, në vazhdë të solidaritetit komunist dhe duke u mbështetut mbi parrullën “Vjetnami do fitojë”, botoi një foto të Xhon Megkoit në kohën kur ky luftonte kundër komunistëve në Vietnam. Më larg akoma shkoi gazetari i “ZP” së L. R. (sot ministër), i cili e konsideroi Mekgoin “mercenar amerikan” (shih “ZP” 26 shkurt 1992). Askush nga këta nuk pa tek Mekgoi një dëshmitar të vlefshëm për zbardhjen e enigmave të arit, por pa vetëm një kundërshtar politik, apo më keq akoma një armik të Vietnamit. Askush nga këta nuk donte zbardhjen e të vërtetës.
Ditë më vonë më 19 mars 1992, gjatë një interviste në TVSH, presidenti Ramiz Alia hodhi dyshime mbi qytetarin zviceran Xhon Mekgoi. Ndërsa pranoi daljen e 3.2 tonëve ar “për qëllime shtetërore”, Alia u tall me humbjen e 270 tonëve ar. Si edhe herë të tjera ai mbrojti “pikpamjen” se nuk ka ekzistuar kurrë një shifër e tillë.
Sikurse dihet Ramiz Alia është person kyç në të gjitha zhvillimet polike të Partisë së Punës. Aktualisht ai është personi që ka më tepër dijeni se kushdo për arin e grabitur shqiptar. Përgjigjet e tij në rastin konkret të bindin akoma më tepër për përzierjen e tij në çështjen e floririt.

Cilat kanë qenë lëvizjet e Haki Toskës, çelësit të depozitave të Enver Hoxhës në perëndim?

Siç kemi shkruar edhe më parë, depoziatat më të rëndësishme të udhëheqjes komuniste në perëndim i kishin tre persona. Ata ishin:
-Enver Hoxha
-Hysni Kapo
-Mehmet Shehu

Pas goditjes së Mehmet Shehut dhe marrjes së depozitave të tij, vendin e tij e zuri pasardhësi i Enver Hoxhës, Ramiz Alia. Ky i fundit është edhe njeriu që drejtoi lëvizjet e arit në vitet e fundit të regjimit komunist.
Depozitat e udhëheqjes së lartë komuniste ishin justifikuar në rangjet sekrete si depozita të partisë për nevojat e shërbimit sekret, për nevoja të financimit të lëvizjes marksiste-leniniste në botë dhe për nevojat e partisë në rast luftë në Shqipëri.
Çelësi i depozitave të Enver Hoxhës në perëndim ishte Haki Toska. Ndër detyrat ekzekutive më të rëndësishme të Toskës ka qenë ajo e zv/kryeministrit në periudhën 16 shtator 1966 – 18 nëntor 1970 dhe ajo e ministrit të Financave në qeverinë e fundit të Mehmet Shehut.

Ministra të tjerë të Financave që kanë pasur informacion për arin kanë qenë:

-Ramadan Çitaku (ministër nga viti 1944 – 5 shkurt 1948).
-Abdyl Këllezi (23 korrik 1948 – 16 korrik 1962).
-Aleks Verli (17 korrik 1962 – 27 tetor 1974)
-Lefter Goga (28 tetor 1974 – 26 dhjetor 1978).
-Haki Toska (27 dhjetor 1978 – 14 janar 1982).
-Qirjako Mihali (15 janar 1982 – 19 shkurt 1987).
-Andrea Nako (20 shkut 1987 – 22 shkurt 1991)

Sot me përjashtim të Qirjako Mihalit të tjerët kanë vdekur të gjithë. Sidomos dëshmitarë të rëndësishëm për arin kanë qenë Ramadan Çitaku që vdiq i denigruar nga Enver Hoxha dhe Abdyl Këllezi që u pushkatua nga ai si “tradhëtar” dhe “sabotator” në vitin 1976. Sipas të gjitha mundësive Këllezi u zhduk më tepër si një njeri i rrezikshëm që kishte dijeni për floririn e fshehur.
Por mendohet gjithashtu se mandat ministerial jo pak i rëndësishëm ka qenë ai i Haki Toskës në kohën e ngjarjeve që përfunduan me vrasjen e Mehmet Shehut dhe “konfiskimin” e llogarisë së tij bankare në perëndim.
Sipas dëshmitarëve, edhe në vitet 60-të, 70-të apo 80-të të shekullit të kaluar, ka pasur kalim të sasive të arit nga porti i Durrësit. Kjo ka ndodhur në kohën kur kryetarë të degëve të Punëve të Brendshme në këtë rreth kanë qenë Lilo Zeneli, Kopi Niko (burri i tezes së Fatos Nanos, i njohur si persekutor profesionist) dhe Kapllan Shehu.

Sasitë e fundit të arit që kanë ikur nga Shqipëria

Në prag të kapitullimit të regjimit komunist, Ramiz Alia ndoqi edhe një taktikë që kishte të bënte me sigurimin e dytë financiar të klasës së tij politike. Në periudhën 1988-1990 kanë lënë Shqipërinë sasi të tjera ari që kanë ikur kryesisht nga aeroporti i Rinasit. Më 7 qershor 1992, presidenti Berisha me anë të një letre i kërkoi autoriteteve zvicerane ndihmesën e tyre në lidhje me arin shqiptar që ndodhej në Zvicër. Për këtë qëllim guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ilir Hoti, autorizoi më 1 mars 1993, firmën ligjore “Poncet Varluzer” dhe partnerët anëtarë të Avokaturës së Gjenevës, që të vepronin në emër të autorizuesit për të zbardhur llogaritë e hapura nga Banka e Shqipërisë në Zvicër.
Avokatët e marrë me këtë çështje ishin Charles Poncet, Dominique Varluzel, Ereic Alves De Souza, Oliver Peclard, Didier Bottge, Alan Levy, Izabel Hagman dhe Gisele Stanislas.

Raporti i policisë së Shtetit të Zyrihut në lidhje me arin e transferuar nga Shqipëria në vitin 1989

Policia e aeroportit të Zyrihut, divizioni kriminal, më 11 mars 1993 kanë hartuar raportin për Jann Corrodi-n me lëndë “Ndriçime në lidhje me dhëniet e arit me prejardhje nga Shqipëria me fluturimet e Svissair SR 459 të 3 korrikut 1989 dhe 19 shkurtit 1991”. Ky raport ndër të tjera ka këtë përmbajtje: “Hetimet në lidhje me çështjen e përmendur më sipër pranë Shërbimit të Sigurimit të Aeroporit kanë dhënë rezultatet e mëposhtme:
-Më 3 korrik 1989 me fluturimin SR 459 nga Tirana kanë mbërritur 3.100 kg ar. Kjo dërgesë ishte pritur dhe depozituar nga Shërbimi i Sigurimit.
-Më 5 korrik 1989, kjo dërgesë u transportua në MAT SE CURITAS dhe u zhdoganua nga kjo e fundit. Hetimet pranë MAT kanë treguar se dërgesa ishte zhdoganuar duke përmbajtur lingotat e arit dhe të argjendit si monedhat me një vlerë prej 19,7 milion frangash. Gjithë dërgesa u çua me urdhër të “Union De Banque” Zvicër në Edelmetallschmelzerei në Mendrision/TI.
Dispozita finale: e 11 marsit 1993…”.
Në lidhje me datën 19 mars 1991, Policia e Shtetit të Zyrihut deklaroi se nuk pasur fluturime nga Tirana në Zyrih. Në dy data e tjera të fluturimeve, 18 dhe 21 shkurt 1991, nuk kishte të dhëna për depozitim ari.
Më 23 mars 1993, me anë të një letre dërguar në Tiranë, Charles Poncet (doktor në drejtësi në Avokaturën e Gjenevës), njoftoi autoritetin më të lartë të shtetit shqiptar se pas një korrespondence me gjyqtarin Dieter Jann Corradi, disa sasi ari kanë kaluar tranzit nga Zvicra.
Anëtari tjetër i firmës ligjore “Poncet Varluzer” Oliver Peclard (avokat i Kolegjit të Gjenevës) me anë të një korrespondencë të njejtës datë (23 shkurt 1993), pasi ka grumbulluar të dhënat nga Policia e Shtetit të Zyrihut, i drejtohet kështu gjyqtarit të sipërpërmendur: “Rezultati i hetimeve paraprake të Policisë së Shtetit të Zyrihut në lidhje me dhënien e arit me prejardhje nga Shqipëria mbi fluturimet e Svissair RS 459 të 3 korrikut 1989 dhe të 19 shkurtit është tepër interesant. Të dhënat dhe dokumentat që kanë qenë të mundur të mblidhen nga Shqipëria dhe për të cilat bëhej fjalë në kuadrin e hetimit, në fakt nxjerrin në pah trasferime të shumta ari nga Tirana në Zyrih ndërmjet viteve 1988-1991. Pra duket se del qartë nga hetimi zviceran se sasi të konsiderushme ari të cilat dukej se kishin lënë Tiranën, në fakt asnjëherë nuk kishin arritur në Zyrih…”.

Çfarë treguan këto hetime

Ndonëse hetimet nuk u çuan si duhet deri në fund për shkak të kohës së gjatë që kërkohet në raste të tilla dhe për shkak të ndryshimit të pushtetit në Shqipëri, ato provuan se nga Shqipëria kanë lëvizuar sasi jo të pakta ari në fund të viteve 80-të, kur po dukej akoma më qartë falimentimi i regjimin komunist në mbarë lindjen dhe veçmas në Shqipëri. Ajo që ia vlen të theksohet është fakti se nuk është vetëm Zvicra foleja e fundit e një pjese të arit shqiptar. Ajo ka qenë edhe vend tranzit i këtij ari. Në vendet e Amerikës latine apo në Kanada ndodhet një sasi jo e vogël ari, e cila ka bërë “borgjezë” pinjollët e grabitqarëve të dikurshëm, pinjollët e shtresës më ordinere që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.

Ç’nxjerrim si përfundim

Në fund të këtij cikli arrijmë në përfundime përfundimet e mëposhtme:
1-Ari i shqiptarëve i grabitur nga komunistë përgjithësisht nuk është përdorur për qëllime shtetërore, por:
a-Është vjedhur nga ata që kanë marrë drejtpërdrejt në grabitje.
b-Ka shkuar për llogari të udhëheqjes së lartë komuniste si në Zvicër apo Amerikën e Jugut apo të Veriut. Ndër njerëzit më të pasuruar me arin shqiptar janë klani Hoxha, klani Kapo dhe klani Alia (si degë autonome e klanit Hoxha).
c-Është transportuar në vende të tjera si në BS dhe gjetkë.
2-Për arin që është prodhuar në Rubik rezulton të mos ketë hyrë në thesar një pjesë e mirë e tij.
3-Në vitet e fundit të regjimit komunist ka kaluar kufirin një pjesë jo e vogël ari e cila është depozituar në perëndim si pjesa tjetër
4-Një pjesë e parave të ardhura nga ari shqiptar kanë ardhur në Shqipëri në formën e OJQ-ve apo atë të investimeve që duket se nuk janë fitimprurëse.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.