back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Si u njofta me Martin Camajn – nga Martin Berishaj

Gazeta

Martin Camaj (1925-1992)
Martin Camaj (1925-1992)

Si u njofta me Martin Camajn

nga Martin Berishaj

Përgjigje Auron Tares me shokë

“Këta surretënt e qepun me sukuj zhgunash
vërejnë kah lindja bardhësinë
e agimit e i kap tmerra!” Martin Camaj
 
Ishte vjeshtë e vonë diku 4 vjet para se me shkua Martin Camaj në amshim, kur e takova herën e parë në Schladming të Austrisë (dikur qytet i vogël minatorësh e tani qendër për skijime dhe qendër hoteliere) në rajonin austriak Steiermark, apo siç e quajnë sllovenët Štajerska. Akademia diplomatike e Vjenës më kishte ftuar të ligjëroj për diplomatët e pensionuar austriakë me temë “Të jesh shqiptar”. Në sallë përplot studiues, unë si djalë i ri ballafaqohesha për herë të parë me personalitete të një rangu aq të madh politik. Diku në mes të ligjëratës, në sallë hyni një burrë shtatgjatë dhe shumë i pashim, paksa i thinjur. Të gjithë që ishin në sallë u ngritën në këmbë duke i dhënë atij respekt të pafund. Për respekt, ndaj tij, e ndala edhe unë ligjërimin, deri sa ai të ulej në vend që ia kishin caktua. Pas ligjëratës, e cila u prit me shumë entuziazëm, u nisa të shkoj të rrijë në vend në amfiteatër. Personi që i ishin ngritë të gjithë në këmbë, kur kalova afër tij, më kapi për mangës së setrës dhe më tha: “Kenke i pështirë Martisho”! Nuk e dija se ai person është shqiptar dhe se flet shqip, e unë u përgjigja “…edhe ma i pështirë di me kenë!”
Ai ishte Martin Camaj!
…Martisho, më thirrte ai për zbunim mua.
Që nga ajo natë, e deri në vdekje të tij, u bëmë shumë të afërt me të. Atë natë më thirri të jam mysafir i tij dhe nga aty udhëtuam deri në Lenggries të Bavarisë ku jetonte ai. Në mëngjes me zgjoi shumë herët dhe me tha se don të më përgatisë mashtrimin apo mëngjesin, por, më tha, dua që ta ndiejmë vetin si në Malësi. Për mashtrim përgatiti kryelanë!
Gjithçka që kishte shkrua dhe botua deri atëherë Martini i kisha lexua. E mbasiqë ai kishte dhënë mësim një vit në shkollën fillore në Tuz, ku e kisha krye edhe unë mësimin fillestar, ma dha te lexoj “Jaseminën”. M’u rrëfye për një dashuri të tij, mbesën e një bletari nga Tuzi. Ndoshta ishte pikërisht ky rrëfim pikë palosja e mirëbesimit që kishte për mua.
 .
Martin Camaj - Vepra Poetike - Onufri
Martin Camaj – Vepra Poetike – Onufri

***

Para disa ditësh, më rastisi të lexoj një shkrim, e që gati u shndërrua në ortek fejsbukian kundër Martin Camajt dhe Ernest Koliqit, duke konstatuar se, të dy na ishin bashkëpunëtorë të agjenturave të huaja dhe se këta na qenkan përveç tjerash “antishqiptarë”! Po e shtoj unë këtë fjalë, pas leximit të një shkrimi të një personi të prezencës së rastësishme, njëfarë Auron Tare, dikush i cili po lavdërohet se na e paska krye shkollën “Skënderbej”, e që në fakt, ajo shkollë ushtarake në aspektin ideologjik nxënësve të vet u ka injektuar urrejtje të skajshme edhe sot e kësaj dite për këta studiues shqiptarë, të cilët nuk u pajtuan me komunizëm. Ky studiues paska edhe “argumente” se Koliqi dhe Camaj qenkan pikërisht ata që duhet më së paku edhe një shekull të tanë, t’i indeksojmë dhe t’i hedhim “në plehun e historisë!” mbase ata nuk e meritojnë vendin që duan t’u japin në historinë e kombit dhe të letërsisë shqiptare. Këtu spikatet nënshkrimi në një dosje të sigurimit që e paska nënshkrua Camaj si 23 vjeçar, dhe këta lloj studiuesish, nuk gjykojne sigurimin që e torturoi atë, por Camajn, i cili e paska nënshkrua atë raport e menjëherë pastaj është arratisë nga vendi!
Ilustrimi më i mirë për këta lloj “studiuesish” (sikurse janë Tare me shokë, të cilët kanë vetëm një synim; për Koliqin dhe Camajn, të shtrojnë shtratin e urrejtjes kolektive, sepse ende i kanë halë në sy), është një poezi e Camajt që thotë:
 
“…këta surretënt e qepun me sukuj zhgunash
vërejnë kah lindja bardhësinë e agimit/ e i kap tmerra!
 
Kjo ide për t’i quajtur kolaboracionistë njërin (Koliqin) dhe ikës nga Atdheu tjetrin (Martinin), në fakt s’është shpikje “Tirane”, kjo ide i ka rrënjët edhe më të thella, e që si pasojë ka filluar të shpërthejë pasi ideologjia komuniste ishte shpërfillë dhe si e tillë përbuzej nga të gjithë ndër shqiptarë. Herën e parë që kisha pas rast me dëgjua një gjë të tillë, ishte nga rrethi i letrave të “reja” shkodrane, nga njëfarë studiuesi Tomor Osmani, në Zagreb (në pauzë të një seminari mbi Mesharin e Buzukut të organizuar nga don Ndue Ballabani, misionar i Misionit katolik shqiptar në Zagreb, ku merrnin pjesë, Ledi Shamku Shkreli, Kolec Topalli, etj.), kur pa pikë fytyrë deshi ta “shesë” këtë ide se kinse Camaj paska qenë i lidhur me UDB!! dhe si i tillë duhet të rishikohet! Por, mbasi që hasi në rezistencë të argumentuar, u tërhoq mbrapa dhe tentoi që me këtë ide të “ngarkonte fajin” studentëve shqiptarë kosovarë që studionin në vitet ’50 në Universitetin e Beogradit, në kohën kur atje studionte edhe Martin Camaj!
Fill pas vdekjes së Camajt, jo pa qëllim, filloi anatemimi i sërishëm i tij. Kjo ide tashmë qenka mbarsur dhe paska mbrritur edhe në Tiranë, në televizionet prestixhioze me protagonist skënderbegian, (jo nga ideologjia e Gjergj Kastriot – Skënderbeut) por nga ideologjia e shkollës ushtarake të sistemit monist në Shqipëri, me përfaqësues Auron Tare dhe jo vetëm!
Z. Tares dhe “tareanve” të tjerë iu duhet rikujtua se do të ishin të kënaqur po që se, të arriturën e vet shkencore ta përfundonin aty ku Koliqi dhe Camaj e filluan. Po mos të ishte Koliqi, për të dërguar mësuesit e parë, të përhap shkrim lexim në Kosovë dhe Sanxhak, e si refleks të saj edhe në Maqedoni, ndoshta edhe për një kohë nuk kishte pas kush ata shqiptarë as me i mësua!
Ndoshta “tareanët” me shokë, do të duheshin të thellohen paksa në veprimtarinë e Koliqit dhe Camajt, sepse, këso tendencash për të zhveshë figurat kombëtare e pse jo edhe letrare, kemi sot sa të duash nëpër studio televizive andej e këndej tej kufirit. Atyre gjithmonë u duhet rikujtuar se gegnishtja mundi të nxjerrë sikundër greqishtja e latinishtja personalitete kombëtare të shtatit evropian që nga Buzuku e Bogdani e duke ardhur te Koliqi e Martin Camaj.
Sepse:
…çdo kush ka dy shtigje përpara,
e dallëndyshja nja/ me u ba e bardhë…!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.