Sikur PD-ja të frymëzohej nga Kanuni?!
nga Nebil Çika
Ben Blushi, deputeti socialist, duke kundërshtuar pretendimin e demokratëve se më 21 Janar u sulmua institucioni, problemin e gjeti te një mentalitet i prapambetur i rivalëve të tij politikë: “PD frymëzohet nga Kanuni”, – deklaroi Blushi duke hapur në fakt një debat mbi një filozofi që PD, nuk e ka por që duhej ta kishte, Kanunin, ligjin që mbështet tek morali, pavarësisht nga ajo që mendon z. Blushi apo të tjerë, ka vend edhe në politikë.
Por PD, nuk mbështet te Kanuni dhe morali dhe ky ka qenë dhe është problemi kryesor i sajë. Nëse PD do të ishte mbështetur tek Kanuni shumë gjera do të kishin qenë ndryshe në këtë vend, të kuptohemi, unë e besoj edhe shumë shqiptarë të tjerë madje edhe shumë të huaj, nuk kemi të njejtin për Kanunin me Blushin dhe të tjerë të frymëzuar nga komunizmi në perceptimin e tij.
Kanuni ka qenë ligji i Shqiptarëve për mijra vjet në kohëra pa shtet, parlament e tjera institucione dhe e ka rregulluar jetën e tyre shumë më mirë nga Kushtetuta dhe ligje të tjera apo drejtësia që Blushi me shokë kanë bërë sot në parlament dhe qeveri. Por nuk kam ndërmend të bëj debat e as t’u mbushë mendjen komunistëve që Kanuni ishte i mirë, prandaj le të kthehemi tek thelbi, fakti që PD nuk frymëzohet nga kanuni e as morali në aktivitetin politik te sajë.
PD erdhi si domosdoshmëri e këtij kombi për liri e drejtësi një mision që duhet thënë se nuk e kreu dot plotësisht. Nuk e kreu dot sepse ju shmangur moralit politik dhe filozofisë me të cilën erdhi në historia duke ju shmangur pikërisht asaj që e akuzon Blushi sot, Kanunit, të drejtës dhe moralit politik e shoqëror mbi të cilin duhet të vepronte në kushtet kur u krijua, erdhi në pushtet e deri më sot.
Kanuni ndëshkon çdo krim, nga vrasja deri tek spiunllëku etje. PD erdhi në pushtet në një kohë kur për 50 vjet në këtë vend ishin kryer krime që me Kanun dënoheshin shumë rëndë. Komunistët kishin prerë në besë gjithë popullin shqiptar, kishin vrarë njerëz të po fajshëm, kishin vrarë e persekutuar gra, pleq e fëmijë, kishin tradhtuar vendin, kombin e popullin duke u bërë vegla të serbëve, rusëve e të tjerëve armiq shekullor të shqiptarëve. Kishin grabitur prona e pasuritë e tyre. Koshin përdhunuar, spiunuar, fyer e depersonalizuar një popull të tërë. Kishin ngritur dorë kundër Zotit dhe shërbyesve të tij në tokë etje krime që Kanuni i ndëshkon me drejtësi dhe rreptësi të mahnitshme. Ndëshkimi i të keqes në Kanun është i sanksionuar në mënyre të përkryer dhe meqë e keqja më e madhe që i ka ndodhur këtij populli në historinë e tij është komunizmi i Blushit dhe paraardhësve të tij politik e gjenetik. Ndëshkimi i tij i frymëzuar nga Kanuni do të kishte qenë zgjidhja më e mirë, gjë që PD nuk e bëri dhe as që e ka menduar ndonjë herë ta bëjë.
Nëse PD do të frymëzohej nga Kanuni, Blushi nuk do ishte nga gazetarët e parë të gazetës së sajë RD. A nuk do ta mendonte një gjë të tillë. Nuk do të guxonte të mburrej me paraardhësit e tij komunistë autorë të krimeve komuniste, Gjyshi i tij një nga firmëtarët e dënimit me vdekje të katër martirëve të Revoltës antikomuniste të Spaçit nuk do të ishte në tekstet e shkollave apo në “panteonin” zyrtar të kulturës, por i akuzuar për krime kundër njerëzimit ndoshta edhe i ati apo të afërm të tjerë të tij të përfshira në to.
Nëse PD do të ishte frymëzuar nga Kanuni, kriminelët e komunizmit nuk do të ishin sot në Parlament qeveri apo administratën shtetërore, ndoshta nuk do të ishin fare në Shqipëri. Nëse do kishte ndodhur kjo vrasësit e Arben Brocit, Azem Hajdarit etje do të ishin ndëshkuar me kohë, nuk do ishin në pushtet e politikë.
Nëse PD do të frymëzohej nga Kanuni Gramoz Pashko, djali i një prej kriminelëve më të mëdhenj të komunizmit nuk do të ishte simbol i themelimit të të saj. Nuk do të ishte kryetar e ministër i saj Tritan Shehu që udhëhoqi në 1967 aksionin terrorist komunist kundër besimit në Zot dhe persekutimit të klerikëve e besimtarëve në mbarë vendin. As djemtë e drejtuesve të lartë komuniste Stefanaq Pollos e Çajup Rusmalit nuk do të ishin zëvendëskryeministra të qeverisë së sajë. As avokati i Ilir Hoxhës, djalit të diktatorit nuk do të ishte Sekretar i Përgjithshëm i sajë!
Por PD nuk frymëzohet nga Kanuni!
Se po të ishte kështu nuk ka se si Arben Imami një prej drejtuesve kryesor te revolucionit komunist të 1997, që solli Blushin dhe partinë e tij në pushtet nuk do ishte bërë shef kabineti i kryeministrit Berisha, ministër mbrojtjeje dhe anëtar i kryesisë së sajë. E di sa demokratë kanë vrare bandat e frymëzuar prej tij të komiteteve?! Në bazë të Kanunit, PD do të ishte në gjak me të.
Po Frrok Çupi, një nga më të egrit kundra sajë në 1997. E dini besoj, ku u fsheh deputeti i partisë së Blushit, Gafur Mazreku, atentatori në parlament i Azem Hajdarit pasi qëlloi mbi të në sallën e Parlamentit?! Në zyrën e Frrok Çupit, drejtor i ATSH-së në atë kohë. Dihet që strehuesi pas kryerjes së krimit dënohet edhe nga Kanuni edhe nga ligjet e Blushit. Sipas Kanunit edhe me këtë PD duhet të ishte në gjak. Pas 2005-ës është nga të privilegjuarit e sajë. Po Kastriot Islami, që kërcënonte nga tribuna e parlamentit se “do t’u thyente kafkat e do t’i hiqte zvarrë demokratët” që është sot deputet i PD-së. A do të ndodhte kjo nëse PD do të frymëzohej nga Kanuni?!
Nëse PD do të frymëzohej nga Kanuni, prona do t’i qe kthyer të zotëve, pasi ajo në Kanun konsiderohet e shenjtë. Do të ishin gjetur eshtrat e të paktën 4 mijë të pushkatuarve të komunizmit. Mosrespektimi i të vdekurin të vrarë qoftë edhe për gjak detyrohet me rreptësi nga Kanuni.
Po ata që i vranë dhe i masakruan dhe fshehën kufomat, mendoni se do bridhnin kapardisur në mes të Tiranës, nëse PD do të frymëzohej nga Kanuni?! Po nuk ka krim më të ndëshkuar se përdhosja e kufomave dhe varreve në të drejtën zakonore shqiptare.
Kam këtu një listë të gjatë me gjërat që do kishin dhe s’do kishin ndodhur nëse PD-ja do të qe frymëzuar me të vërtetë nga Kanuni, por fatkeqësisht nuk ka ndodhur e nuk po ndodh kështu.
Blushi e përmend Kanunin se e di atë diçka të keqe si komunist që është e identifikon atë me veriun e vendit që e urren aq shumë, madje as nuk e fsheh më ketë.
Ju vetëm keni “modernizuar” gjuhën, nuk i quani më “malokë” por “alpinë “ Me që drejtuesit e PD-së janë me origjinë nga veriu, dje nga që e përceptoni si fyerje Kanunin, shpifni këto gjëra duke e dituar mjaft mirë që ata nuk kanë asnjë lidhje e frymëzim as politikisht e as personalisht me të.
Por Kanuni nuk është vetëm i Veriut. Ka disa Kanune sipas krahinave në Shqipëri, shumë të ngjashëm me njeri tjetrin. Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk ka asnjë ndryshim në frymë e germë me atë të Labërisë (Isharët e Idriz Sulit) etje.
Do flisnim ndryshe sot, sikur PD-ja të ishte frymëzuar nga Kanuni, Blushi me shokët e tij ish komunistë, duhet të ndjehen fatlumë për këtë!
(marrë nga gazeta Minerva)