back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Silvies – poezi nga Giacomo Leopardi – sjellë në shqip prej Denis Gila

Gazeta

A Silvia - Leopardi
A Silvia – Leopardi

Silvies – poezi nga Giacomo Leopardi

Sjellë në shqip prej Denis Gila

Kjo poezi fitoi çmimin e parë në konkursin
e poezisë së përkthyeme në Gegnisht për vitin 2022.
Poezia titullohet “Silvies”, dhe asht nji përkthim
i denjë i poezisë “A Silvia” të Giacomo Leopardit.
Krahas përdorimit me mjeshtri të gegnishtes, përkthyesi Denis Gila,
ia ka dalë me përcjellë edhe ndjenjën e pesimizmit
apo edhe tonet melankolike të poetit të mirënjoftun italian nga Recanati.

Giacomo Leopardi (1798-1837)
Giacomo Leopardi (1798-1837)

Silvia, a t’kujtohet mâ
Ajo kohë e jetës tânde vdekatare
Kur bukuria shkëlqente
N’sytë e tu t’qeshun e ikanak
E ti e lumtun e mendueshëm, kufinin
E rinisë kaloje për pak?

Tingëllonin t’qetat
Dhoma, e monopatet rrotull
Nga kanga jote e përhershme
Atëher qi me punë femnore thellue

Uleshe, tejet kje gëzue ,
Për t’ardhme t’vagullt që n’mend kishe.
Ish maji kundërmues, e ti për zakon kishe
Kështu t’kaloje ditën.

Unë studimet e kândshme
herë letrat e lodhshme tue lanë
ku koha jeme e parë
për mue shkëlqente mâ t’mirën ânë,
atje sipër n’balkon t’strehës atnore
veja veshin tingullit t’zânit tând,
E asaj dore pa prâ
Që përshkonte tezgjahun e lodhshëm.
Kundroja qiellin e kjartë
Rrugët e arta edhe kopshtet,
Andej detin prej s’largut, e këtej malin.
G’juhe e vdekshme nuk thotë
Atë qi unë ndieja n’gji.

Sa mendime t’âmbla
Sa shpresa, sa ndjesí, o Silvia jeme!
Çka po na dukej ne at’herë
Jeta njerzore dhe fati!
Kur m’kujtohet gjithë ajo shpresë,
nji brengë m’shtrëngon
E idhtë e ngushlluese,
E kthehem t’vuej n’idhnimin tem.
O natyrë, o natyrë,
Pse nuk jep mandej
Atë qi premton at’herë? pse kaq shumë
Mashtron f’mijet e tu?

Ti para se barin dimni ta thajë,
Prej t’errtes sëmundje, e luftueme dhe e mposhtun
shkriheshe, o e shkretë. E nuk shihje
Lulen e viteve tueja,
Nuk ta perkdhel mâ zemren,
fjala e âmbel tesh per flokët e zi,
Tesh për shikimin e dashunuem e t’drujtun,
As me ty shoqet n’ditë feste,
Nuk bisedonin per dashuní.

Dalëngadalë shkrihej
Shpresa jeme e âmbel. Viteve t’mija
Ashtu ia mohuen fatet
Rininë. Ah si ike,
Si me shkove,
E dashtun shoqe e moshës teme t’re
Shpresa jeme e përlotun!
Kjo âsht ajo botë? Këto
Galdimet, dashunia, veprat, ngjarjet
Mbi t’cilat bashkë arsyetueme?
Ky âsht fati i qenieve njerzore?
Në shpërfaqje t’vërtetës
Ti, e gjorë, u rrëzove, e me dorë,
Vdekjen akull, e nji vôrr lakuriq,
prej s’largut m’diftove.

Marrë nga Faqja e Fb Gegnisht, 15 dhjetor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.