Fjalët e shkruara, në kohë të ndryshme,nga njerëz që e kanë njohur Enriko Veizin,
vërtetojnë aftësitë e tij si inxhinier nafte, talentin si karikaturist dhe dritën e shpirtit
që mbeti e ndezur edhe në kushtet më të paimagjinueshme.
Ndërsa pafajësinë e tij për akuzën që i solli 18 muaj tortura
dhe disa vite burg e ka vërtetuar Gjykata e Lartë e cila, menjëherë pas rrëzimit të diktaturës,
i shpalli të pafajshëm inxhinierët e naftës të dënuar si sabotatorë.
Një pafajësi që i dha forcë Enrikos i cili besonte se “i drejti zhytet, por nuk mbytet”,
por që ua bënte të paimagjinueshëm miqve muret e qelisë së ngushtë
rreth shpirtit të tij të gjerë
,
Simbioza e intelektualit, artistit dhe viktimës së pafajshme
nga Pirro Fotiadhi
Enriko Sotir Veizi erdhi në jetë në 3 nëntor 1939, në Spile të Himarës, në bukurinë dhe magjinë e bregdetit jonian, si gëzimi i parë i një biri në familjen e mësuesit të nderuar himariot Sotir Veizi dhe koleges, bashkëshortes së tij, Sofika. Brishtësinë e hapave të parë në jetë e kalon në qytetin e Vlorës, ku tanimë ishte zhvendosur me banim të përhershëm gjithë familja e tij, ku prindërit kontribuonin si misionarë të dijes. Pikërisht në Vlorë, Enrikoja vijon mësimet në shkollën 8-vjeçare e pas përfundimit të saj, ndjek mësimet në gjimnazin “Ali Demi”, duke e përfunduar me rezultate të shkëlqyera.
Enriko Veizi, ndonëse me prirje artistike dhe një botë shpirtërore që mbisundohej prej pasionit për pikturën dhe karikaturën, vijon studimet e larta në Universitetin e Tiranës në Fakultetin Gjeologji-Miniera.
Në vitin 1962, pasi përfundon studimet me rezultate të shkëlqyera, Enrikoja diplomohet si “Inxhinier Gjeolog” dhe emërohet në Ndërmarrjen Gjeofizike të rrethit të Fierit. Enrikoja fokusohet dhe përkushtohet në studimet shkencore, i mbështetur përherë në progresin bashkëkohor e teknologjitë e kohës. Me durimin dhe këmbënguljen e tij karakterizuese, me një efikasitet absolut, ia del mbanë që të mundësojë dhe përshtasë duke krijuar novacione arketipe, futjen e metodave të reja shkencore në dinamikën e studimeve sizmike të puseve të reja të naftës, si një prej produkteve bazë të ekonomisë shqiptare të viteve ’60, ’70, ’80, ’90.
Enriko Veizi motivohet dhe spikat në proceset aplikative në fushën sizmike, në përsiatjet për të ndërthurur dhe ndërtuar prerje thellësie, apo Diagramën Rrezore, duke bashkëpunuar dhe përfituar nga specialistët kinezë në vitin 1974, ashtu sikundër edhe në përthithjen e përvojës në aspektet aplikative në Irak dhe në Algjeri, në fushën e nxjerrjes së naftës. Si një intelektual me ndershmëri të palëkundur, duke vlerësuar arritjet dhe rezultatet premtuese, të cilat natyrisht përmbanin mundin e punën e tij studimore, në vitin 1979, emërohet si Zv/drejtor i Institutit Gjeologjik të Kërkimeve të Naftës në qytetin e Fierit.
Pavarësisht ngarkesave, pavarësisht kohës së pakët, njëkohësisht një qytetar aktiv, një vëzhgues me ankth i realitetit, me pasionin dhe talentin e tij shpërthyes e të jashtëzakonshëm, brenda një periudhe të shkurtër kohore, Enrikoja kapërcen hapësirat artistike të Fierit dhe mirëpritet me sukses në organe qendore që botoheshin në Tiranë. Emri dhe krijimtaria e tij frymëzuese, me karikatura të një stili autentik e shprehës, spikaste në faqet e revistës “Hosteni”. Njëherazi, ai me durim e pasion ilustronte me peizazhe dhe tekste botime për mosha fëminore, duke krijuar diçka origjinale e krejt interesante. Përpos kësaj, “muza” e frymëzimit artistik të Enriko Veizit shpaloset denjësisht edhe jashtë kufijve të vendit, ku ai ishte prezent në ekspozita prestigjioze të gjinisë së karikaturës, përkrah karikaturistëve të suksesshëm dhe me emër për kohën në Itali, Gjermani, Greqi, Rumani, Turqi etj… Nuk ishte asfare rastësore që Enrikoja, për meritat dhe background-in e tij, të vlerësohej dhe zgjidhej anëtar i kolegjiumit të revistës së papërsëritshme për kohën, “Hosteni” e njëherazi edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve për rrethin e Fierit dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Krahas angazhimeve artistike, motoja e vijimësisë në kryerjen e detyrave dhe kompetencave drejtuese dhe atyre shkencore nga ana e Enriko Veizit, ishte një sfidë e jashtëzakonshme.
Siç dëshmon një prej bashkëkohësve kolegë të tij, Ing. Ahmet Çollaku: Inxhinieri dhe Specialisti Enriko Veizi angazhohej dhe insistonte në realizimin e një revolucioni në operacionet e punës, që konsistonin në përmirësimin e cilësisë së kërkimeve dhe studimeve, në rritjen e raportit sinjal-zhurmë, duke aplikuar kalimin në mbulimin shumëfish me fishmëri 24 dhe 48-fish, diçka krejt e pazakontë deri në atë periudhë kohore. Me intuitën e një hulumtuesi, Enrikoja këmbëngulte në përdorimin e sistemeve homogjene të vrojtimit dhe veçanërisht për sistemet fushore me gjeometri të rregullt vrojtimi, duke argumentuar shkencërisht, si risi, futjen dhe aplikimin, në punimet fushore, të teknikës regjistruese digjitale në vend të atyre analoge që përdoreshin në fundvitet ’70. Falë ideve të tij novatore, u realizua regjistrimi i profileve më të gjata se gjerësia e objektit që studiohej, duke e bërë më të lehtë deshifrimin gjeologjik të prerjeve të kohës. Një përvojë admiruese e cila përmblidhet në almanakun dhe referatin shkencor “Eksperienca e punimeve sizmike në Algjeri e Irak” që u shndërrua në një udhëzues metodik për gjithë gamën e punimeve sizmike fushore e atyre përgjithësuese, ideuar, iniciuar dhe hartuar nga ana e Ing. Enriko Veizit.
.
Pika e kthesës
Në vitin 1986*, starton kalvari tmerrues i operacioneve të të pamëshirshmëve gjakatarë. Krejt pa asnjë lloj mëkati, në këtë kohë, së bashku me kolegë të tjerë të nderuar, arrestohet dhe prangoset nga Sigurimi gjëmëmadh sadist duke u etiketuar padrejtësisht si armik e sabotator në sektorin e naftës. Vijojnë 18 muaj torturash poshtëruese, saktësisht pesëqind e dyzetë ditë, muaj dhune me grushte dhe shqelma që nuk iu ndanë, muaj me dhimbje fizike për të shpërbërë personalitetin, muaj me peripeci shpërfytyruese e sadiste, ku himarioti stoik, zemërpamposhturi intelektual, Ing. Enriko Veizi, provoi krejt i pafajshëm makabritetin e torturave çnjerëzore. Mandej peripecitë vijuese të atij fati edhe më tragjik, me dënimin me 23 vite burg pa iu provuar asnjë lloj faji apo gabimi, asnjë lloj mëkati apo pakujdesie njerëzore. Vite të errëta e drobitëse nëpër ngushticat e qelive fantazmë të burgjeve të Spaçit, Burrelit dhe mandej të kampit të Përparimit, për shpirtin e një intelektuali-artist të përvuajtur e të stërmunduar padrejtësisht.
Ngjarjet politike në fillim të viteve ‘90-të, si edhe shpërthimi i lëvizjeve të vrullshme për demokraci, e gjejnë të izoluar dhe të nënshtuar me dhunë, në makabritetin e qelive famëkeqe të burgut. Në klimën e presioneve pranverore të faktorit ndërkombëtar karshi regjimit zyrtar të Tiranës, si edhe falë ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Forumit të Helsinkit, në mars të vitit 1991 mundësohet lirimi nga burgu i këtij intelektuali brilant. Nuk vonon dita dhe Gjykata e Lartë, e shpall me Vendim të Posaçëm zyrtarisht krejt të pafajshëm, intelektualin himariot, shkencëtarin erudit dhe krijuesin e talentuar, Enriko Veizi. Kolosi Ing. Enriko Veizi, dinamik e njeri i ëmbël nga natyra, krejt i çiltër dhe zemërbardhë, tepër humanist, nuk u thye, por rezistoi me stoicizëm të pashoq. Rishtaz u kthye në mjediset Institutit të Naftës për t’u riangazhuar në specialitetin e tij në shërbim të komunitetit dhe shoqërisë. Enriko Veizi, si një njeri i vërtetë vizionar dhe i realizuar, me një personalitet të plotë, me një mendjemprehtësi politike, me moralin, dinjitetin, ndershmërinë, guximin, me autoritetin e tij të padiskutueshëm, si inxhinier dhe shkencëtar, si drejtues dhe disident kurajoz, angazhohet fuqimisht në rolin e protagonistit në proceset aq të kërkuara dhe jetike, të hapave fillestare të demokratizimit të jetës së vendit.
Jo rastësisht, në Bashkinë e parë pluraliste të rrethit të Fierit, Ing. Enriko Veizi, votohet dhe zgjidhet unanimisht si kryetar i Këshillit Bashkiak. Por gjithsesi, plagët e heshtura të vuajtjeve dhe torturave çnjerëzore, kishin lënë gjurmët e tyre vrastare në jetën dhe kryesisht në shëndetin e këtij personaliteti të jashtëzakonshëm dinjitoz e zëheshtur. Reperkusionet dhe pasojat e këtij rrebeshi, do të ishin sa katastrofale po aq edhe të shumanshme. Ai përpëlitej dhe vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe lumturia e liria e jetës së tij shënojnë epilogun në 12 maj 1993. Ing. Enriko Veizi, në kulmin e një moshe të re dhe tepër produktive, vetëm 54 vjeç, shuhet duke u larguar përfundimisht në Amëshimin e Parajsës Shekullore.
Ing. Enriko Veizi, një qenie me shpirt dhe një njeri i madh, si studiues i gjithanshëm e krijues në të gjitha aspektet e jetës, si një zë inteligjent, po ashtu edhe si krijues dhe artist, i ngjizur prej rrezatimit dhe magjisë himariote, për shumanshmërinë e kontributeve të tij të shquara studimore e shkencore, si edhe veprimtarinë e tij jetësore, pas vdekjes, në gusht të vitit 2003, shpallet “Qytetar Nderi” i Fierit, ku ai jetoi rininë e tij dhe mbylli sytë përgjithmonë.
Athinë, 3 nëntor 2019
.
Gjyqi
Nga një intervistë e piktorit Qemal Agaj në Albanian Free Press
“Ishte koha kur partia “fabrikonte grupe armiqësore”. Mua, si me biografi të keqe, më njoftuan se duhej të largohesha nga Patosi. Pa dyshim, nuk e prita mirë; ku të shkoja, pa punë, pa shtëpi, ndërkohë kisha familje dhe djalin tre vjeç, pa harruar këtu mbiemrin tim që në Vlorë tingëllonte si kambanë alarmi. Por kur mendoja se mjaft drejtues dhe inxhinierë të njohur, si Lipe Nashi, Koço Plaku, Beqir Aliaj, Niko Koçobashi, Petraq Xhaçka dhe njeriu që aq shumë admiroja, Enriko Veizi, u arrestuan dhe u burgosën, ishte e turpshme të ligështohesha. Nuk mund të harroj çastin, kur për të diskretituar këta “sabotatorë”, i sollën me pranga në sallën kryesore të pallatit të kulturës me mbi 600 vende. Njoftimi ishte bërë disa ditë më parë. Një hije mortore kishte rënë mbi qytet. Te dera kryesore, midis shpatullave të njerëzve, vura re në podium të arrestuarit, të shpërfytyruar, me pranga në duar. Kur përfaqësuesi i (zh)drejtësisë filloi të shqiptonte emrat, britma e një të porosituri trushpëlarë “në litar’’, u shoqërua nga dhjetëra të tjera. Nuk dëgjohej gjë tjetër veç një turme që thërriste: “Në litar, në litar…”. M’u duk sikur do të shpërthente salla. Rrëqethëse…!
Botuar në vitin 2018
Falja nga Ajet Mezini
…Nuk mund të rri pa përmendur mikun tim, inxhinierin e mrekullueshëm, artistin e talentuar të karikaturës Enriko Veizi. Me Enrikon më kanë lidhur shumë fije, shok gjimnazi, në të njëjtin fakultet, në punë bashkë dhe në të njëjtin pallat. Edhe Enrikon e mirë e arrestuan. Po si durove i dashur Riko! Ku e nxinte qelia shpirtin tënd aq të gjerë? Kur mora vesh arrestimin e Enrikos dhe Petraq Xhaçkës, në vitin 1986, nuk isha më në gjendje për punë.
Një provokator e vuri re dhe më tha: “Sot ke qënë shumë i mërzitur. U mërzite se u arrestuan 2 armiq”. Lavdi Zotit që në atë moment më dha një forcë të jashtëzakonshme për të shtrënguar dhëmbët dhe për të mbyllur gojën, sepse ndryshe po të shpërtheja nuk do të isha më i gjallë! Një ditë kur më kishin përjashtuar nga Instituti dhe më kishin çuar punëtor në një pus për riedukim, Enrikon e takova në rrugë. Ai me pa të trishtuar dhe më tha: “Mos u mërzit Ajet, i drejti zhytet, por nuk mbytet!” Po nga ta dinte Enrikoja se sa thellë do ta zhyste diktatura famëkeqe e proletariatit? Faleminderit Enriko! Unë nuk ta kam kthyer akoma borxhin. Nuk pata mundësi të të thosha një fjalë të ngrohtë kur ti kishe aq shumë nevojë. Dy ditë para se të vdiste, shkova në shtëpinë e tij për ta parë. Kur hyra në dhomën e tij u trondita kur e pashë në atë gjendje. Me shumë zor i thashë: Si je Enriko? “Mirë”, më tha dhe buzëqeshi(!?). Unë u hutova fare. Si është e mundur – po pëshpërisja me vete – a mund të buzëqesh njeriu para vdekjes? “Mos u mërzit Ajet! – më tha Enrikoja – E tillë është jeta”. Pas pak çastesh u kthjellova pak, por përsëri po përshpërisja me vete: Enrikoja është artist, ai është artist humori, shpirti i tij s’mund të dalë ndryshe veçse duke buzëqeshur! Ajo buzëqeshje ishte sfidë ndaj vdekjes, ajo ishte mesazh dashurie. Ajo buzëqeshje është stamposur në shpirtin dhe mendjen time dhe s’mund të fshihet kurrë deri në vdekje. Ditën e vdekjes se Enrikos erdhi xhaxhai i tij, Fane Veizi. Ai sapo u ul, me lot në sy, tha: Po kaloja një ditë bashkë me Enrikon në Tiranë dhe vura re që Enrikoja papritmas u prish në fytyrë. I thashë: Çfarë ke, mos nuk ndihesh mirë? “Jo, – më tha – Ja ai atje, është hetuesi që më torturonte në burg!” Fania e pyeti Enrikon: Po ta kishe në dorë tani çfarë do t’i bëje atij njeriu? “Asgjë, – ishte përgjigjur Enrikoja, – Ai ishte aq i marrosur pas asaj ideologjie sa kujtonte se po bënte detyrën!”. Çfarë zemërgjerësie! Ajo i kalon përmasat e së besueshmes. Çfarë tolerance!
Botuar në vitin 2008
.
*Burime të ndryshme, japin data të ndryshme të arrestimit të Enriko Veizit dhe Petraq Xhaçkës, në vitin 1986: 4 shkurt, 6 mars dhe 6 maj.
.