back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Simon & Garfunkel – The Sound of Silence

Gazeta

Simon and Garfunkel
Simon and Garfunkel

[youtube]http://https://youtu.be/4zLfCnGVeL4[/youtube]

The Sound of Silence 1964

Nji kangë e jetës sonë…

refleksion nga Jozef Radi

“The sound of silence” Simon and Garfynkel

...në 50 vjetorin pavdeksisë së nji kange…

Melodia e Heshtjes… Simon & Garfunkel

Lamtumirë errsinë ti o mike e vjetër
jam këtu që të ndrrojmë veç dy fjalë bashkë
nji vegim i ambël asht tuj u avitë
dhe sythat m’i ka lshue kur isha fjetë
dhe tash ai vegim
i ngulitun n’mendjen time
asht i gjithi
ndër tingujt e heshtjes

Ndër andrra vetmitar ecja pa u ndalë
ndër rrugë të ngushta e t’kalldramta
nën vezullimin e dritës së nji shtylle
e ndjeva jakën time të lagun, të ftoftë
i ndjeva dhe sytë e mi të verbuem
nën dritën e vet’timës s’nji neoni
që natën njiqind copash e bani
dhe derdhi aty melodinë e heshtjes

E n’at dritë unë pashë
me mija njerëz, ndoshta edhe ma shumë.
Njerëz që flitshin pa thanë asgja
njerëz që ndigjonin pa marrë vesh çka thuhej
njerëz që këndonin kangë po zanin e tyne
s’mbrrinin me e bashkue me t’tjerë
pse askush s’guxonte
me i shqetsue tingujt e heshtjes

“O ju të çmendun – thirra – A s’e dini
që heshtja rritet njashtu si metastazat –
Ndigjojini fjalët që mund t’ju them
merrini krahët e mi dhe unë kam me mbrritë te ju!”
Dhe fjalët e mia binin si pika t’heshtuna shiu
kan m’e shpërthy n’jehonë prej puseve të heshtjes!

Dhe gjindja i përgjunjej dhe i lutej
diellit neon që e kish krijue,
Emblema e saj e shpërndau
thirrjen dhe ato fjalë s’bashku u lidhën
e gdhendën mesazhin: “Fjalët e profetëve
të shkrueme mbi mure metrosh
e ndër qoshe pallatesh
s’janë veç mërmërima n’melodinë e heshtjes…”
Përshtati në shqip Jozef  Radi

Simon and Garfynkel
Simon and Garfynkel

Në jetën time kam shumë kangë,
të cilat mundem me i ndigjue në heshtje, në shoqni e në pafundësi…
Mbas nji udhtimi të gjatë, ma përtej gjysmës së shekullit
mundem me thanë, se kanga edhe n’ditët ma të vshtira të jetës
me ka ndihmue me jetue dhe me kuptue shumë gjana të kësaj bote,
po mbi gjithçka kanga më ka ndihmue me kuptue
gjuhën hyjnore të tingujve, nji prej magjive njerzore
më ka mësue me qenë i lirë dhe me e kërkue lirinë,
pse kjo botë kurrë as ka qenë, as ka me qenë aq e lirë
sa dhe si mund ta dëshironte çdonjeni prej nesh,
dhe ashtu siç mund të besojmë ne në thellsi të shpirtit tonë…
Prandej njeriut i duhet mos me u ndje kurrë i lodhun
n’përpjekjet e veta të përditshme e të vogla
për nji jetë ma të mirë për nji botë ma të drejtë,
për nji botë dhe njiu jetë ku kanga, cilado qoftë ajo
ta përcjellë kët shtegtim të shkurtë të secilit prej nesh
gëzimin, bukurinë, harmoninë dhe thelbin e jetës
prej cakut të lindjes te ai caku i fundit caktue prej të Madhit…

Sot mbas kaq e kaq vitesh jetë – e mbas kaq e kaq vitesh rrugtim
ndjej mbrenda meje dhimbje e kangë bashkë
dhe mundem me thanë n’at vogëlsinë e nji jete t’zakonshme
se prej kangëve të nanës sime që na i këndonte
njashtu ambël e shpesh nënzà ndër festat të ndrojtuna fetare,
e deri te ma të fundmet kangë të reja që ndigjojmë sot
asht krejt nji rrugë e pafund emocionesh e reflektimesh
janë stacione të pafundme ndalesash e refleksionesh
ku unë mundem me kujtue me imtësi emna dhe melodi pafund,
festa dhe triumfe që i kam përcjellë me shpirt e me buzë
dhe mundem me thanë me bindje se me jetue asht bukur,
po me e përcjellë ditën dhe mbramjen tande me muzikë
asht shumë e shumë ma e bukur… Prandej sot, në kët ditë marsi
jam ndalë dhe e kam vù gishtin te nji kangë e vetme,
te nji nji kangë që m’i sublimon n’shpirt mija e mija kangë tjera
ndaj përulem me respekt e drithërimë shpirti para saj
bash sot, në kët përvjetor të 50 viteve të jetës së saj,
dhe jam i sigurt se sa ma shumë vite të kalojnë,
aq ma shumë ka me u ndigjue aq ma e bukur ka me ba kjo kangë
jo veç për ne që u rritëm me të, po edhe për ata që vijnë mbas nesh
sepse kjo kangë, si shumë të tjera ka krejt shpirtin e njeriut mbrenda,
ka magjinë delikate e të papërsëritshme të pavdeksisë dhe amshimit…
ka gjithçka që fjala shpesh s’asht e zoja me e thanë të plotë…
ka at muzikën e padukshëm të shpirtit… asht “Sound of Silence”
13 mars 2014

 

[youtube]http://www.youtube.com/watch?v=NcihRkj5o70[/youtube]

Simon & Garfunkel – The Sound of Silence 2009

Related Images:

More articles

3 KOMENTET

  1. Kënga e bukur mbetet e tillë edhe kur s’i merr vesh asnjë fjalë, ngaqë është në gjuhë të huaj, siç ndodh edhe me mua.
    Të bukur atë e bëjnë: tingulli, melodia, harmonia e instrumenteve dhe zërave, ritmi, etj. Kjo është një këngë e ngrohtë, që të çlodh kur e dëgjon.
    Faleminderit për postimin, Jozef Radi!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.