back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Sistemi i Shkollimit dhe i vlerësimit në Kinën e Mesjetës – nga “Enciklopedia e Historisë së Botës”

Gazeta

Kina - Dinastitë e Lashta - Shpella e Longmen-it
Kina – Dinastitë e Lashta – Shpella e Longmen-it

Nji nga veprat më të rëndësishme
në fushën e përkthimeve të Dr. Lazër Radit,
është edhe vepra “Enciklopedia e Historisë së Botës”
e John Bawle, një pune e vëllimshme me rreth 1000 faqe,
botim i vitit 1982, për të cilin ai punoi
për më shumë se nji vit gjatë periudhës 1994-’95!
Kjo vepër përbëhet nga 21 kapituj,
të shkruar nga profesorë të ndryshëm të historisë
nga katedrat më të njohura të historisë Botës,
ku trajtohen pothuaj gjithë etapat e historisë së botës
në këndvështrimet më të plota e më shteruese të mundshme.
Një vepër ende e pabotuar, është e përfunduar dhe gati për botim,
duke qenë njëherësh edhe një nga dëshmitë
e energjive të pashterra të Dr. Lazër Radit,
i cili mendonte dhe besonte se:  
“Rinia shqiptare duke studiuar si duhet historinë e Botës,
do të kujtohet ta studiojë si duhet edhe historinë e vendit të vet…!”

Arkitektura e lashte Kineze
Arkitektura e lashte Kineze

Sistemi i Shkollimit dhe i vlerësimit në Kinën e Mesjetës*

G. F. Hudson

Me dëbimin e pushtuesve mongolë nga Kina, në vitin 1368, dhe me stabilizimin e dinastisë vendase Ming, sistemi u zhvillua edhe më tej dhe mori pamjen të cilën duhej ta ruante, me pak ndryshime, deri në heqjen e tij të plotë në vitin 1905.
Në trajtën e zhvillimit të plotë, sistemi parashikonte dhënien e tre titujve studimorë të barabarta me atë të një të diplomuari, mjeshtër dhe laureat në edukimin perëndimor. Pjestarët e tri kategorive formonin një klasë më vete dhe gëzonin disa privilegje shoqërore të një elite dhe disa përfitime të tjera legale edhe atëherë kur nuk emëroheshin në poste administrative të paguara.
Numri i kandidatëve ishte shumë më i madh se sa ishin titujt në dispozicion, dhe provimet të njëllojta në të gjithë vendin. Kjo shumë shpejt u bënë objektivi kryesor i edukimit të çdo kinezi. Në teori provimet ishin të hapura për të gjithë, me përjashtim të disa kategorive më të vogla të popullsisë, por, me që kandidatura detyronte për një pregaditje të gjatë dhe të mundimshme, vetëm familjet e kamura zakonisht mund t’ia lejonin vetes këtë luks që të shtynin të studionin fëmijtë e tyre, ndonse edhe djemtë më të pregaditur të familjeve më të varfëra kishin shpesh herë mundësi të studjonin me pajime nga fshati, klani ose gilda (esnafët).
Baza e edukimit që kërkohej ishte njohja e letërsisë klasike që përfshinte filozofinë, historinë dhe poezinë; ishte gjithashtu e nevojshme të diturit për të shkruar esè në stil të përshtatshëm dhe bukurshkrimi kishte rëndësi, sepse shkrimi kinez shenjohej me penel dhe shkrimi i bukur ishte një nga dhuntitë më të çmuara për një njeri të shoqërisë së zgjedhur. Kur kandidati arrinte një nivel të tillë kulture sa të konsiderohej – ose konsiderohej i tillë nga mësuesi i vet – i gatshëm për të futur në provimin e parë publik, paraqitej në fillim para magjistratit të rrethit për një provë paraprake dhe pastaj i nënshtrohej provimit, gjatë të cilit ai vendosej për një natë në një qeli, ku do të hartonte dy esè dhe një poemë për subjekte të caktuara.
Ata që e kalonin provën – rreth pesdhjetëmijë çdo vit në të gjithë Kinën – merrnin gradën hsin-ts’ai, që kishte me vete jo vetëm një status të njohur kudo në perandori, por edhe parashikonte heqjen e disa taksave edhe nga juridiksoni i zakonshëm i gjyqtarve lokalë. Një njeri jo ambicioz kënaqej me këtë fitore të parë, por pjesa më e madhe e hsin-ts’ai-ve vazhdonte të studjonte për të konkuruar për gradën më të lartën të chu-jen-it me provimin e shpallur çdo tri vite në çdo kryeqendër province. Kjo ishte një provë më e ndërlikuar dhe e rreptë, dhe vetëm një numër relativisht i vogël konkurentësh arrinte ta kapërcente. Ata që ia arrinin qëllimit mund të tentonin edhe gradën e tretë dhe titullin më të lakmueshëm kin-kih, që merrej në një provim që zhvillohej në pallatin perandorak. Këtë provë tejet  të vështirë të paktë ishin ata, që mund ta kalonin.
Kuadrot e burokracisë qëndrore dhe krahinore, nga të cilat qeverisej perandoria, përbëheshin pothuaj e gjitha nga ata që kishin kryer provimet publike. Në kohrat e para qenë edhe detyrë të bëheshin emërime jashtë sistemit të provimeve, por këta erdhën duke u bërë gjithnjë e më të rrallë, dhe funksionarët e zyrave që kishin fituar në këtë mënyrë nuk e kishin atë prestigj që u jepej letrarëve të vërtetë. Pa marrë parasysh disa përjashtime (p.sh. kur qeveria kishte nevojë për fonde, atëherë lejohej që të blehej titulli pa i dhënë provimet e nevojshëm), gjatë shekujve të fundit të historisë perandorake kineze u mbajt fort parimi sipas të cilit administrata civile duhej t’u besohej me përparsi njerzve që kishin fituar një edukatë speciale e që kanë treguar aftësitë e tyre me prova publike, pa iu referuar lindjes as pasurisë familjare.

Kinë - Xian - Ushtria e Tullës së Pjekur
Kinë – Xian – Ushtria e Tullës së Pjekur

Po ky parim, natyrisht me ndryshimet e nevojshme, u fut edhe në ushtri. Kandidatët u nënshtroheshin provimeve publike, të cilat krahas atyre të karrierës civile parashikonin tri grada: në krahinën, në provincën dhe në nivelin e perandorisë.
Mjeshtria e tërheqjes së harkut dhe ushtrimet në të cilat kërkohej një energji e madhe fizike, ishte kualifikimi kryesor që kërkohej. Provimet ushtarake kishin për qëllim të krijonin një klasë luftëtarësh trima por jo të zgjuar, gjë që i përgjigjej mendimit kinez për ushtarin që mbahej si qenie më e ultë se studiuesi civil në shkallën e vlerave njerëzore.
Ky nënvleftësim i funksionit ushtarak në shoqëri e ka zanafillën e vet shumë kohë më parë d.m.th. që në kohrat e para të Konfucionizmit. Me pranimin e Konfucionizmit si fe e shtetit, një koncept i tillë u rrënjos thellë në mendësinë kineze dhe u bë gjithnjë e më e rëndësishme me kalimin e shekujve. Kjo nuk do të thonte pacifizëm ose heqje dorë nga përdorimi i forcës, qoftë për rendin e mbrendshëm e qoftë për mbrojtjen, dhe as që kërkonte një largim humanitar për mos derdhje gjaku.
Ligji penal ishte i rreptë dhe rebelimet shpesh shtypeshin me egërsinë më të madhe, por ideologjia Konfuciane ishte absolutisht kundra një mbizotrimi të një noblesse d’epia (fisnikërie të shpatës) në shoqëri që përdorte represionin kundra lavdisë së luftës dhe cilësive ushtarake, duke lehtësuar kështu kontrollin e një vendi të madh me forca të pakta, në sajë të prestigjit gjithnjë e më të madh të funksionarëve të ditur që përfaqësonin idealin, shoqërisht të aprovuar, të aspiratave njerzore. Mund të shtojmë gjithashtu se në masën kineze ka ekzistuar gjithmonë një romanticizëm luftarak që pati shprehjen e vet si në novelën popullore ashtu edhe në dramë, forma arti që nuk pëlqeheshin nga njerëzit e mësuar si p.sh. “Letërsia e vogël”, por thellësisht e ngulitur në shpirtin e popullit.
Sipas ligjit, çdo funksionar kishte një detyrë jashta zonës ku kishte lindur, në mënyrë që të mos mund të përdorte pozitën e vet personale për të ngritur një pushtet familjar vendas. Funksionarët gjithashtu lëviznin vazhdimisht nga njëra krahinë në tjetrën. Por, kudo që të shkonin, gjenin njerëz të së njëjtës edukatë, opinione e besime edhe atëherë kur mënyra e tyre e të folurit ishte e ndryshme – meqë dialektet e folura në viset e ndryshme të Kinës ndryshonin aq shumë sa që shpesh herë nuk kuptoheshin njëri me tjetrin – kishin një gjuhë të përbashkët të shkruar.
Vetëm një pakicë e klasës së zhvilluar kryente efektivisht funksione burokratike; të tjerët jetonin me rendimentet, po të ishte fjala për pronarët e tokave bujqësore, ose ataqë e fitonin jetesën duke punuar si mësues shkolle, si sekretarë ose si arkivistë. Trupa i studiuesave që mbeteshin jashtë burokracisë qeveritare nuk kishte të drejta politike formale kundra autoritetit perandorak (në Kinë nuk kishte parlament ose “klasa politike), por opinioni i tyre kolektiv për sa i përket zakonit dhe traditës ishte një faktor të cilin qeveria duhej ta kishte në konsideratë.

Përgatitja e çajit - Stampë e Lashtë Kineze
Përgatitja e çajit – Stampë e Lashtë Kineze

Sot, ky rend shoqëror dhe politik i aucien regime, (regjimit të vjetër) që kishte, mbijetuar në Kinë në fillimet e shekullit XX-të, është klasifikuar si “feudal”, por, në të vërtetë nuk ka shumë ngjashmëri me kushtet e Europës mesjetare, përveç faktit që të dyja shoqëritë ishin të lidhura me një stad ekonomik para lindjes së industrializmit modern.
Në Kinë, nuk ekzistonte një fisnikëri trashëguese që dominonte nga pikëpamja sociale ose një fragment në shkallë shoqërore të rendit monarkik të vënë në jetë nga qeveritarë baronalë; bile nuk ekzistonte as titulli legal i pasurisë së patundshme, me përjashtim të anëtarve të klasës së studiuesve, së cilës i jepej një përcaktim i veçantë shoqëror. Klasa intelektuale mund të krahasohej deri diku me klerin e Europës mesjetare, por funksionet e saja shoqërore ishin kryesisht shekullore dhe në rendin konfucian nuk kishte ndarje midis Kishës dhe shtetit.
Sistemi i provimeve ishte faktori më i rëndësishëm për të siguruar vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e kulturës kineze si dhe stabilitetin masiv të perandorisë, që ekzistonte nën dinastinë Ming e Mançin. Një çmim, sidoqoftë duhej paguar për t’ia arritur këtij rezultati. Sistemi për t’i dhënë një prioritet në lidhje me normën e vetme të pranuar e për të glorifikuar një traditë të lashtë, krijonte një lloj intolerance ortodokse dhe një vetmjaftueshmëri arrogante mendore, në kundërshtim me çdo origjinalitet e sidomos në kundërshtim me futjen e ideve të reja nga jashtë.
Gjatë mijëvjeçarit të parë p. Krishtit, qytetërimi kinez, në kundërshtim me pushtetin dhe me krenarinë e traditës së vet, ka qenë një kapëse e ndikimeve të jashtme dhe budizmi që po përhapej nga India me anën e Azisë qendrore u shtri në Kinë kaq lirshëm sa e çoi në konvertim pjesën më të madhe të popullsisë. Tekstet e shenjta budiste, të shkruara në sanskritishte, u përkthyen në gjuhën kineze dhe doktrina budiste mori zhvillime të reja. Format e artit me origjina indiane u futën njikohësisht me besimin e ri dhe patën një ndikim të rëndësishëm mbi arkitekturën, mbi skulpturën dhe mbi pikturën në Kinë.

*Fragment nga Kapitulli i XIV-të – Qytetërimi i Indisë dhe i Lindjes së Largme, Indonezisë dhe i Paqësorit – nga G. F. Hudson)
Nga “Enciklopedia e Historisë së Botës” Përkthyer nga Lazër Radi

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.