back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Sizifi Rinush Idrizi – nga Edison Ypi

Gazeta

Rinush Idrizi (1938-2008)
Rinush Idrizi (1938-2008)

Sizifi Rinush Idrizi

nga Edison Ypi

Dy motra, dy vëllezër, asnjëri nga ne ende nuk e di nëse prindërit tanë përdorën ndonjë strategji që në shtëpinë tonë lexohej vetëm letërsi serioze, apo asnjë strategji, thjesht na sugjeruan lexime të zgjedhura që nxitnin dëshirën e leximit të librave të tjerë të mirë. Ndoshta ata thjesht ndezën zjarrin e leximit në stilin, Eduardi i rrëmbente nga dora një libër të bukur Desdemonës. Elisabeta mezi priste që Edisoni të mbaronte së lexuari një roman të hatashëm, etj. Letërsinë kështu e shihnim; si libra që këmbehen nga njëri te tjetri, dhe dëshirë për të lexuar që shtohet nga libri në libër.
Që Letërsia nuk ishte një mal me romane që ja merrnim e jepnim njëritjetrit në familje apo në shkollë, por një katedrale madhështore me rregulla të qarta dhe kanune të rrepta që prekte qiellin, nisa ta nuhas më vonë.
Në vitin e parë të Politeknikumit, mësuesi i Letërsisë dallonte nga të tjerët. Hynte në klasë si dikush që vjen nga larg, furishëm, me frymëmarrje të shpejtuar, si marotonomak, që haberin e mirë do ta sjelli patjetër, gjallë a vdekur, dhe dilte nga klasa si Sizif, i pakënaqur që shkëmbin e rëndë sa herë e ngriti në qiell, aq herë ra në tokë.
Ky mësues ishte Rinush Idrizi.
Rinush Idrizin klasa e dëgjonte si e nemitur. Arratisjet e tij letrare, nga detajet më të imta të prozës e poezisë më të zgjedhur shqiptare dhe botërore, te bëmat e perëndive të Olimpit, ishin hiç më pak se fantastike. E folura e tij karakterizohej nga kërcime pindarike. E niste me Nolin, e përfundonte me Danten. Fliste për Ndre Mjedën, dilte Shekspiri. I bënte me aq shkathtësi, aq natyrshëm, aq butë dhe aq bukur këto kërcime, sa duke udhëtuar nëpër Letërsi na dukej sikur udhëtonim nëpër botë, madje nëpër kohë.
.

Rinush Idrizi ne Amerike
Rinush Idrizi ne Amerike
Rinush Idrizi fliste nxënësve për Letërsi, libra, romane, poezi, poema, me lehtësinë e një bisede mes miqsh.
Rinush Idrizi ishte një lloj magjistari apo mediumi që klasën e bënte të binte në jerm, në delir, në ekstazë.
Nuk kam besuar kurrë se Rinish Idrizi zbatonte ndonjë program mësimor nga Ministria, Drejtoria, etj. etj. Leksionet e tij kishin një strukturë pa strukturë funksionuese tmerrësisht e këndëshme, e pëlqyeshme, e pangjajshme me asgjë pedagogjike zyrtare, konvencionale.
Tek Rinush Idrizi nuk kishte absolutisht asgjë prej komitetesh, mbledhjesh, pune vullnetare. Rinushi na mahniste me herezira. Sipas Rinushit, ata që thonë se Poeti i shkruan vargjet në momente frymëzimi, gënjejnë. Vargjet që lexohen ose recitohen me një frymë gjatë pak minutave, janë dashur vite të shkruhen. Poeti dhe shkrimtari janë njerëz me ndjeshmëri të lartë, njerëz që frymëzohen, jo në çastet e të shkruarit, por gjatë një kohe të gjatë, se Poeti është njeri që lodhet shumë.
Fort ngulmonte Rinushi mbi efektin që të shkruarit artistik ushtron mbi lexuesin. Sipas tij, brenda këtij misteri që kurrë nuk do të zbulohet, ndryhet sekreti i të shkruarit bukur. Është gjëja më absurde, thoshte Rinushi me nervozizëm të dukshëm, ta komentosh një tekst duke thënë se “me këtë, ka dashur të thotë atë, me këtë tjetrën atë tjetrën, e kështu me rradhë”. Për ta ilustruar tmerrin e komenteve trashanike, një ditë na rrëfeu një dromcë; Në një universitet diku në Europë, pritej të vinte një Profesor i famshëm që do komentonte një fragment nga Komedia Hyjnore. Studentat mbushën Aulën. Përgatitën lapsat për të marrë shënime. Pritën pak. Profesori erdhi. Ra një heshtje sa dëgjoheshin frymëmarrjet. Me vete kishte Komedinë Hyjnore. Hodhi një sy rretheqark. Priti pak çaste. E përplasi Komedinë Hyjnore mbi katedër. Tha me zë të lartë; Dante nuk mund të komentohet ! Dhe iku.
I kam të gjalla hyrjet e daljet e Rinush Idrizit nëpër vargjet e De Radës, Mjedës, Serembes, me çekiç e daltë në dorë, si minatori brenda thellësive të minierave të floririt.
Rinushi thoshte se autorët e vërtetë pasi e mbarojnë një vepër, i thonë turmës; U lodha derisa e mbarova. Deri tani ishte e imja. Prej tash është e juaja. Merreni. Lexojeni. Griseni. Bëni ç’të doni.
Tregonte pafund për madhështinë e Heminguejt. Veçanërisht për Plaku dhe Deti përkthyer nga Ismail Kadare, çka e theksonte. Aq të mahnitëshme i bënte komentet, sa e gjithë klasa, edhe konviktorët e ardhur nga an’ e anës Plaku dhe Deti e mësuan pothuajse përmendësh.
Rinushi thoshte se Poet kemi vetëm 1, Lasgush Poradecin.
Kur fliste për Prometeun dridhej sikur ta kishin lidhur atë vetë pas një shtylle dhe i kishin vënë shkrepsen.
Një dromcë e vërtetë në kufijtë e mungesës së modestisë;
.
Varri i Rinush Idrizit në Amerikë
Varri i Rinush Idrizit në Amerikë
Maratonomaku u fut vrullshëm në klasë me dëngun e fletoreve të hartimeve të korigjuara. E përplasi dëngun mbi tavolinë pakashumë si profesori me mjekërr Komedinë Hyjnore. Ndërkohë që njërën dorë e mbajti mbi dëngun e fletoreve, me dorën tjetër ngriti përpjetë duke e tundur njërën nga fletoret. Dhe tha; Ky di të shkruaj, Edison Ypi.
Kaluan vite. Unë që për gazetën Drita, revistën Nëntori, Zërin e Popullit, gazetën Puna, dija vetëm se ekzistonin, nuk e mora vesh kurrë ku e internuan dhe si i vajti filli i jetës. Pastaj më thanë se nga kjo jetë dhe nga kjo botë, iku para kohe. S’mund të ndodhte ndryshe me një antikonformist të lindur, një maratonomak si Sizifi Rinush Idrizi.
 
Marrë nga gazeta Shqiptarja, 17 gusht 2018,

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.