back to top
4.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

“S’kam bërë kurrë ndonjë gjë të madhe për Shkodrën, sepse s’e kam ndjerë veten të denjë…” – Shpëtim Kelmendi bisedon me Frederik Rreshpjen

Gazeta

Frederik Reshpja (Moikom Zeqo)
Frederik Reshpja (foto nga Moikom Zeqo)

“S’kam bërë kurrë ndonjë gjë të madhe për Shkodrën,

sepse s’e kam ndjerë veten të denjë…”

Shpëtim Kelmendi bisedon me Frederik Rreshpjen

Nëpër mjediset letrare shqiptare ka filluar të thuhet, por ndonjëherë edhe të shkruhet, se ju z. Rreshpja, jeni poeti më i madh i gjallë. Si ju duket kjo? Kjo ide ka egzistuar qëkur isha i ri, por sikurse edhe sot, nuk më ka bërë kurrfarë përshtypjeje, sepse unë jam njeri pa ambicje. Si njeri që jam marrë me politikë qysh herët, unë as skuqem e as zverdhem, e mund të them se pika ime më e fortë është ana morale, me anë të së cilës unë e mbaj jetën hekurisht të pastër. Për fat të mirë në këtë drejtim nuk kam pësuar ndonjë goditje, por nga komuniteti mund të presësh çdo gjë. Komunistët nuk më kanë ngarë në këtë pikë, sepse ata nuk kanë asnjë personalitet të letrave që mund të më kundërvihet mua. Jam shumë i ashpër në penë dhe kam shumë miq.
A e ndjeni veten në lartësinë e vlerësimit si mjeshtër i poezisë? E kam dëgjuar këtë nga personalitete të vendit, por unë jam njeri pa ambicje. Megjithate unë e di se çfarë shkruaj.
Nga poetët e realizmit socialist, a mendon se ka tjerë të mbijetuar? Ndoshta Sadik Bejko dhe Faslli Haliti. Të tjerët kanë mbetur në rrugë.
Cili asht vendi i poezisë në mënyrën tande të të jetuarit? Kam mbi pesëdhjetë vjet që shkruaj poezi dhe synoj të shkruaj çdo ditë. Lufta ime qëndron në zgjerimin e fjalorit poetik dhe në përsosjen e stilit. Jashtë modestive, tashmë unë mund të flas për një stil. Unë kam qenë një poet i vetëdijshëm e punëtor dhe kam braktisur çdo gjë për poezinë. Në punën time laboratorike, përpiqem ta gjej poetikën në çdo objekt apo ngjarje. Një herë pata shkruar poezi për një biçikletë që kish mbetur në rrugë. Mandej këtë biçikletë ia dorëzova të zotit duke kryer kështu detyrën time si pronar, por jo si poet.
Pra, ti beson se në mundësi poezia gjendet kudo? Kudo. Sipas zbulimeve të fundit poezia qëndron në tru, jo në zemër, dhe lidhet me inteligjencën. Nuk mendoj se egziston ndonjë fushë e pëlqyeshme e dijes njerëzore që nuk e përmban poezinë. Për mua Ajnshtajni është një poet i madh. Por, që të gjithë filozofët janë poetë, kjo tanimë është pranuar me kohë.
Ndokush mund të mos jetë dakord me këto pikëpamje… Atëhere mund të bëjmë edhe një polemikë për të shitur gazetat, por unë jam i njohur si njeri me dorë të rëndë.
A jeni në kontakt me atë që po ndodh sot në poezinë shqipe? Pyetja duhet të ishte vjershat shqipe”. Ka ca individë të sponsorizuar nga mamatë ose miqtë, që na servirin ca libra të shkruar me gjuhë kuzhine. Gazeta juaj që është padyshim më e mira në Shqipëri, duke filluar që nga faqosja, duhet të mbajë qëndrim ndaj këtyre librave që e ulin shumë nivelin e poezisë shqipe, e cila është e vetmja gjë që na përfaqëson në botë. Ky përfaqësim ka filluar që me “Milosao”, emrin e të cilit i keni vënë edhe suplementit tuaj letrar. Pirroja i Mollosëve u pati thënë ushtarëve të tij: “Ata që kanë frikë le të ikin në shtëpi”. Po përse kështu, madhëri?” – e pyet gjenerali i tij Arist. Sepse me këta do humbnim luftën”. qe përgjigjur Pirroja. Juve zoti Kelmendi, që mesa di, jeni njohës i mirë i poezisë shqipe dhe asaj botërore, e dini fare mirë se libra të tillë na diskreditojnë. Nuk mbahet poezia shqipe me dymbëdhjetë emrat që ka renditur miku ynë i përbashkët G. Krasniqi. E kam fjalën për antologjinë e tij, të cilën nuk e di përse zoti Hans Joakim Lanksch e quan punim të shkëlqyer. Dhe sërish nuk e di se përse Klosi, Bred Piti i Ministrisë së Kulturës, e quan këtë antologji si majë e poezisë në gjuhën shqipe. Ne nuk kemi gjë me këtë zotëri që ka bërë një punë të nevojshme.
Si mendon se do mund të përparonte poezia shqipe? Duke i goditur autorët e dobët, sepse ne nuk kemi nevojë për variantin shto ujë, shto miell”. Unë, pak më vonë, mbasi t’i kem bërë një studim të hollësishëm vëllimeve të fundit poetike të botuar, kam ndërmend të përpiloj një listë me librat e nevojshëm dhe ata të panevojshëm.
Çfarë u këshillon poetevë më të rinj? Një herë më ka qëlluar të dëgjoj këtë shprehje të A. Tufës: “Poetët pleq shkruajnë për pension!” Zoti Tufa dikur ka qenë një poet i talentuar, por tani ka zënë pozicionin e një njeriu që bën luftë brezash. Nuk kam lexuar në shtypin italian që të jetë thënë një shprehje e tillë për poetin plak Mario Luzi. Poetët pleq fillojnë me Homerin, Arkilokun, Anakreontin, Xhelaludin Rumin dhe Getën, lirikun më të madh të botës që në moshën 82 vjeç vijonte të shkruante poezi dashurie. Ne sot kemi poetë pleq si Fatos Arapi, një mjeshtër, Pano Taçi dhe i intervistuari. Mosha dhe përvoja ime e gjatë në poezi më japin mundësinë t’i përgjigjem pyetjes suaj. Poetët e rinj nuk duhet të bëhen pleq por të rrezatojnë rini dhe forcë, gjë që është edhe detyrë e çdo qytetari, të studiojnë tropet e figurat letrare si dhe të mos shkruajnë duke përdorur gjuhën e kuzhinës. Nuk kam ndërmend ta godas zotin Tufa, por mbase një ditë do t’i analizoj librat e tij.
A nuk mendoni se kjo do të ishte detyra e ndonjë kritiku të mundshëm? Unë kam punuar shumë në kritikë dhe madje me sukses. Edhe diçka tjetër: poetët e rinj duhet të lexojnë sa më shumë dhe të vrojtojnë jetën në të gjitha aspektet e saj. Eshtë e vërtetë që këtë shprehje e ka thënë Enver Hoxha, por dihet se ai ishte kriminel por jo dhe budalla.
Çfarë marrëdheniesh keni me poetët shqiptarë, sepse jo rrallë ju shiheni vetëm ose i shoqëruar prej njerëzish që s’kanë të bëjnë me poezinë? Unë jam mik me tërë poetët, por sidomos me Moikom Zeqon, Shpetim Kelmendin, Sadik Bejkon, Faslli Halitin, Mimoza Ahmetin. Si shkodran, jam i hapur me këdo dhe meqë kam pesëdhjetë vjet në Tiranë, njoh gjysmën e këtij qyteti përfshirë këtu edhe dy liderët e partive politike më të mëdha shqiptare.
Pra, nuk ndihesh i vetmuar? Shkrimtari ndjehet i vetmuar gjithmonë.
Disa të dhëna mbi veten? Kam lindur në qytetin e Shkodrës me 19 korrik 1940, në një familje të vjetër patriotësh. Jam shenja e Gaforres, paçka se nuk besoj në ato që më parathotë kjo shenjë. Hobet e mia janë Kimia, Mjekësia dhe Piktura.
Sa ndikon fëminia në jetën e poetit? Heminguej thotë se: “Mund të bëhet shkrimtar i mirë vetëm ai që ka patur një fëmini të keqe. Mua kjo më duket e gabuar. Kam patur një fëmini shumë të lumtur, parajsore, që me mundon.
Kthehesh shpesh në fëmini? Shumë shpesh. Kam qenë shumë sentimental, gjë që fatkeqësisht e vuaj akoma. Kam qenë i sëmurë, i dashuruar mbas luleve, pranë të cilave më pëlqente dhe të flija. Nëna më merrte me kujdes dhe i thoshte babait: “Do na vdesë ky çun! Do hidhet në pus!” Më vonë, nëna vuajti shumë për shkakun tim, duke rendur mbas meje nëpër tërë burgjet shqiptare. E kam thënë në një poezi se nëna ime ka qënë Shënmëria ime, dhe jam i lumtur që nuk ia kam prishur kurrë.
Mund të thuhet se Shkodra është gjeografia mbi të cilën është shtrirë poetika juaj, edhe tashti që nuk jetoni më atje. Çdo të thonit për këtë? Duhet thënë se në Tiranë kam ardhur sapo më vdiq nëna. Shkodra në sajë të grave dhe burrave të shquar hyn në listën e qyteteve më të shkëlqyer të botës. Nuk kam bërë kurrë ndonjë gjë të madhe për këtë qytet, sepse s’e kam ndjerë veten të denjë. Në shtëpinë ku kam lindur dhe banuar unë, kanë pasë jetuar Dedë Gjo Luli dhe Hilë Mosi.
.
Frederik Rreshpja (1940-2006)
Frederik Rreshpja (1940-2006)

Kanë thënë për Frederik Rreshpjen:

Hans Joacim Lanksch: “Vepra e Frederik Rreshpjes është poezi e dorës së parë e kalibrit europian!”.
***
Robert Elsie: “Që në rinine e tij, Rreshpja ka qenë një poet tronditës”
***
Henri Izrael, botues amerikan: “Eshtë një poezi tronditëse, me një mjeshtëri që ne amerikanëve na mungon!”
***
Ivanov, kritik rus: “Ne kemi Pushkinin, Eseninin, dhe shqiptarët duhet të jenë krenarë që kanë një poet të tillë!”
***
Leo de Rua, kritik francez: “U trondita nga ky njeri që përmban një gjenialitet ballkanik, që është vendi i lindjes së artit!”
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.