back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Skeda Biografike e Pashko Gjeçit… Jozef Radi

Gazeta

Pashko Gjeçi, Ravena 2006
Pashko Gjeçi, Ravena 2006

Skeda Biografike e Pashko Gjeçit…

pergatitur nga Jozef Radi

Nji itinerar i shkurtë nga Ferri i Dantes…

te Ferri i përkthyesit Pashko Gjeçi

-1918 – Pashko Gjeçi lind në Shkodër në një familje tregtarësh të vegjël, i biri i Gaspër dhe Antonieta (Nine) Gjeçit
-1930-1934 – Shkollohet fillimisht në Gjimnazin e Jezuitëve, i dalluem për format strikte të edukimit, dhe aty ka shumë shoqni me Luigj Ljarjen, Qemal Stafën, Arshi Pipën dhe Nikolla Shurbanin.
-1934-1938 – Me mbylljen e shkollave fetare, vazhdon Gjimnazin e Shtetit në Shkodër, ndërkohë i vdes i ati…
-Indiferent ndaj lëvizjes komuniste, bashkëpunon me shtypin letrar të kohës, kryesisht te “Cirka”, me përkthime të poetëve të njohur italianë si Dante, Petrarka, Leopardi, me pseudonimin Surgens… Aty shfaqen edhe kangët e para të Komedisë Hyjnore… Në Gjimnazin e Shtetit shoqnohet me Kolë Ashtën, Lazër Radin dhe Luigj Ljarjen… shoqni e cila u ba edhe me e thellë në Romë, mbasi të tre gjimnazistët e Shkodrës, do të studionin së bashku në Sapienza të Romës,  në fakultete të ndryshme…
-1938-1942 – studion për letërsi dhe filozofi në Romë, mbron Laurën me disertacionin “Jeta dhe vepra e Dom Ndre Mjedës”... ku ndjehet mjaft miqsia dhe ndikimi i mësuesit të vet: Ernest Koliqi…
-1942-1944 – Mësues letërsie në Shkollën e Mesme Femnore në Shkodër
-1944-1947 – Arsimtar në Durrës, ku vendoset me familje.
-1947 – Edhe pse natyrë indiferente, dhe jo fort i shoqueshëm, njeri i dukjeve të pakta, Pashko Gjeçi arrestohet me motivacionin “Organizatë në bashkëpunim kundër Partisë”… për të cilën dënohet me pesë vjet,  dënim të cilin e kreu në qytetin e Durrësit, në Vloçisht e kënetën e Maliqit… Eksperienca e këtij dënimi do t’i shërbente si nji ndihmë e jashtzakonshme në përkthimin e “Ferri-t” të Dantes…
-1952 – lirohet nga burgu, dhe së bashku me familjen  vendosen sërish në Shkodër, ku për të jetue detyrohet të bajë punë të randa krahu…
-1953-1954 – me kërkesën e Teatrit të Operas dhe Baletit, i jepet me përkthye libreti i operas “Traviata”. Kështu: “Shpëtimi m’erdh bash prej Xhuzepe Verdit, – m’thoshte Pashko me at humorin e tij, krejt të natyrshëm… Kjo punë m’dha jo vetëm mundsinë e njoftjes, po m’shërbeu edhe si pasaportë me hikë prej punës së randë fizike që bajshe…”
-1954-1958 – punon si mësues në shkollën tetëvjeçare të Fushë Krujës, eksperiencë e cila do t’i shërbente për me përfundue tri pjesët e Komedisë Hyjnore të Dante Aligerit. “…çdo mjes çohesha herët e derisa t’fillonte msime e kisha përkthye nji tercinë të Dantes!” Nji punë dhe nji eksperiencë e jashtëzakonshme. Aq thellë kishte hy në shpirtin e kësaj vepre sa kur përfundoi faqen e fundit të Komedisë ai pëshpëriti shprehjen e famshme: “Po tash, O Dante… me kë t’merrem??”
-Përkthimi në Bashkim Sovjetik i Komedisë Hyjnore, buja propagandistike, e cila u shoqnue me dekorimin dhe çmimin “Stalin” përkthyesi M. Llosinski, si dhe dhurimi i nji shtëpie dhe nji veture për kët vepër, patën nji jehonë jo të vogël ne planetin komunist pa përjashtue edhe “nahijen shqiptare…” imitimi i së cilës vuni në lëvizje krejt hallkat artistike… Pashko Gjeçi, shkon tek Ministri i Arsimit dhe i kallzon se ishte n’përfundim e sipër të “Komedisë Hyjnore”. “Ai i hjedh nji sy dhe m’thotë se për kët gjà ishte duke u bà nji tratativë me nji penë t’artë të letërsisë shqipe, para të cilit ai do t’i dorëzonte armët…” Ministri i rrëfeu se ishte fjala për Nolin. “N’se Noli e merr përsipër nji punë t’tillë jam gati me hjekë dorë prej ksaj pune!” – i thotë Gjeçi. Po për shumë arsye, Noli s’e mori kurr përsipër përkthimin e “Komedisë Hyjnore”!!
I shkruen letër Diktatorit, ku ndër të tjera i thotë për at punë që kishte ndër duar dhe se: “…me i dalë në krye nji pune të tillë, …i duheshin konsultime të vazhdueshme me libra, dhe vetëm kontakti i vazhdueshëm me Biblotekën Kombtare, mund ta ndihmonte në përfundimin e saj…” Kështu Dantja, i hapi rrugë Pashko Gjeçit me u vendosë në Tiranë…
-1959 – Me ndihmën dhe nën kujdesin e poetit Llazar Siliqi, botohen fragmente të “Ferri-t” në revistën “Nëntori”
-1959 – fillon mësues në Gjimnazin “Qemal Stafa”, duke banue së bashku me nënën fillimisht në nji dyqan të rrënuem, e ma vonë në nji dhomë të vetme të Pallatet Shallvare…

Fausti... i Pashko Gjeçit... dhe Autografi i tij Fundit
Fausti… i Pashko Gjeçit… dhe Autografi i tij Fundit

-1960 – Botohet për herë të parë në shqip “Ferri”
-1962 – Botohet e plotë “Komedia Hyjnore” me të tria pjesët (Ferri, Purgatori, Parajsa) me parathanie të Llazar Siliqit, të cilin Pashko e konsideronte “Njeriu i cili m’ndihmoi me dalë prej territ ku m’kishte zhytë regjimi…” Shpërblimi i veprës qe 300.000 lekë të vjetra. Ndërkohë, vazhdonte me jetue si i pastrehë…
-1963 – Nis përkthimin e Odisesë nga greqishtja e vjetër, duke pasë trajtat krahasuese të përkthimeve në italisht dhe frëngjisht. Për me e bà sa mà të gjallë frymën e veprës, shkon gjatë gjithë kohës në Durrës nën pushtetin e detit, duke shpenzue pothuej krejt “shpërblimin” e Dantes.
-1964 – Martohet me Gjustina Kapedanin, prej së cilës pati nji vajzë Antonietën. Vazhdon me jetue me gruen, vajzën dhe nanën në nji dhomë të vetme, në kushte tmerrsisht të vështira, gjà e cila i sjell edhe krizën bashkëshortore…
-1965 – Mësues në shkollën e natës në Kombinat
-1968-1972 – Profesor në degën e latinishtes në Fakultetin e Mjekësisë
-1969 – Komedia Hyjnore botohet në Kosovë.
-1969 – Me ndërmjetsinë e shokut të tij, Profesor Mark Demës, martohet me Nezaqet Gagani, përsëri në kushte tejet të vështira strehimi.
-1972 – 1978 – Me heqjen e latinishtes largohet nga Fakulteti, gjà të cilin ai e konsideron gabim të madh, mbasi latinishtja shërbente si bazë e njohurive ndërkombëtare në fushën e mjekësisë. Punon si korrektor në shtëpinë e librit shkollor, ku del në pension me rrogën e universitetit.
– 1976 – Boton nji tjetër vepër madhore të letërsisë së përbotshme: “Odisenë” me parathënie të Myzafer Xhaxhiut, në një tirazh prej 15.000 kopjesh.
– Shtator 1978 – Më daljen në pension, u ndje i shterrun, i lodhun dhe pa asnji dëshirë me nxjerrë prej duerve të veta punë të nivelit të Komedisë Hyjnore apo Odisesë.
-Vazhdon me jetue n’at mjerimin e dy kthinave, të pajisuna në kushtet e “nji vorfnie modeste…”
-2004 – Dekorohet nga Presidenti Italian Çampi me “Ordine della Stella, della Solidarieta Italiana”.
16 shtator, 2005 – i jepet Medalja e Artë e përkthyesit të “Komedisë Hyjnore” në Ravenna, ku ndodhet edhe Varri i Poetit, si nji ndër ma të mirët përkthyes të Dante Alighierit!
-2006 – Ribotohet në nji libër te vetëm “Komedia Hyjnore” nga Sh.B. Argeta LMG
-2006 – Ribotohet nga Sh.B. “Onufri” vepra madhore e Homerit “Odiseja”
-2008 – Botohet nga Sh.B. “Çabej” vepra madhore e Gëtes “Fausti” pjesa e parë
-2008 – Me rastin e 90-vjetorin e lindjes, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i akordon Çmimin Kombëtar të përkthimit “Fan Noli”, për përkthimin mjeshtëror të veprës “Fausti” të Gëtes.
1980-2010 – Jeton në heshtje duke humbur gradualisht kontaktin me realitetin nën kujdesin e jashtzakonshëm të së shoqes, Nezos, e cila ka meritat e nji gruaje shembullore në përkujdesjen e treguar ndaj Profesorit…
21 janar 2010 – shuhet qetsisht në moshën 92 vjeçare, nji nga përkthyesit ma në zà të gjuhës shqipe… Profesor Pashko Gjeçi… Njeriu që me heshtjen e tij solemne na ka lanë të gjithve n’borxh…

Komedia Hyjnore... Kopja e autorit
Komedia Hyjnore… Kopja e autorit

(Kjo Skedë biografike u përgatit nga krejt shënimet e mia 1990-2013, dhe nga njohjet e bisedat personale që kam pasë me Profesor Pashko Gjeçin)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.