back to top
7.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Skulptori që ju dha jetë Statujave… nga Ilir Seci

Gazeta

Lorenzo Bartolini - Punim nga   Jean-Auguste-Dominique Ingres
Lorenzo Bartolini – Punim nga Jean-Auguste-Dominique Ingres

Skulptori që ju dha jetë Statujave…

nga Ilir Seci

Lorenco Bartolini (1777-1850)

Nganjëherë në jetë na ndodhin gjëra që na bëjmë të reflektojmë e falenderojmë Fatin, Zotin, Gjithësinë… quajeni si të doni!
Një nga gjërat që e konsideroj fat është njohja me Muzeun Metropolitan në New York… për mua një vend që e vizitoj me shumë kënaqësi sa herë më jepet rasti…Eshtë një thesar i vërtetë ky Muze, koleksione nga katër anët e botës, përshkrimi i të cilave mund të mbushë volume të tëra…
Po sot kam dëshirë të flas për një mjeshtër, kryeveprat e të cilit gjenden nëpër muzetë më të famshme dhe një e tillë gjendet edhe në galerine 555 të Muzeut Metropolitan të New York… nje kompleks skulptural që menjëherë rrëmben syrin e artdashësit… Eshtë vepra “Tavolina Demidof”, (The Demidoff Table”)

Bartolini - "Tavolina Demidof”,  (The Demidoff Table”)
Bartolini – “Tavolina Demidof”, (The Demidoff Table”)

Veprën në fjalë e ka porositur Konti Anatoli Nicolaevich Demidoff në vitin 1845… Vepra që në momentin e parë të bën për vete… Perfeksioni i saj!
Kjo vepër është aq afër perfeksionit sa limitet njerëzore të perfeksionit mund të jenë… Forma të realizuar deri në detaje, grimasa në fytyra, nuancë, gjithçka… Përveç perfeksionit të formës që të bën për vete menjëherë, vepra të shiton me bukurinë brendshme, me bukurinë që rrezaton, me atmosferën që krijon mbasi artëdashësi e sheh, e kundron! Eshtë perfekte si gdhendje përsa i takon formës ndërsa si përmbajtje vepra imponon një atmosferë gati hipnotizuese! Mimika e fytyrës së figurave të gdhendura, gjuha e trupit të secilës figurë, përthyerjet e çdo gjymtyre, çdo detaj në këtë vepër përçon një mesazh!
Vepra, në këtë formë realizon një temë komplekse… Kompleski skulptural ngërthen në vetvete një alegori kozmologjike që më së miri e ka përshkruar vetë autori-skulptor Lorenco Bartolini, kur ka përshkruar këtë vepër:
“I shtrirë mbi pllajen e botës është Kupidi, Zoti i Përtëritjes, ndenjur duke kundruar mbrojtësin simbolik të pasurisë së shthurur krijuar pa virtyt, që gërrhet në gjumë duke ëndërruar harbimet e shkuara… Nga ana tjetër, i lenë më vete është gjeniu i ndershmërisë, gjithnjë ambicioz në punë, që fle gjumë të trazuar të fatkeqësisë dhe lavdisë… Kryet e tij shtrihet përtej në periferinë e botës.”
Vepra ka këto përmasa: Lartësi – Gjerësi – Diametër 163.5 x 130.2 x 126.4 cm… I është dhuruar Muzeut nga Duka de Loubat në vitin 1903… Boceti origjinal i kësaj kryevepre gjendet në Gipsoteca Bartoliniana, Firence…
Po kush ishte Lorenco Bartolini?!

Lorenzo Bartolini - "Tavolina Demidof”
Lorenzo Bartolini – “Tavolina Demidof”

Lorenco Bartolini, (7 janar 1777 – 20 janar 1850 ), është pranuar me kohë si një prej skulptorëve më të mëdhenj të Europës. Ai ka lindur në Savignano di Prato, afër Pratos në Toskana, Itali… Studimet i ka përfunduar në Akademinë e Arteve të Bukura Fiorentine. Menjëherë që në vitet e para të studimeve spikatën aftesitë e tij për punimet në alabastër. Për të përsosur aftësitë e tij të punimit në alabastër, Bartolini në vitin 1797 vendosi të shkojë në Paris, ku studioi pikturë si nxënës i Jean-Baptiste Frédéric Desmarais dhe më pas po për skulpturë, mësoi nën edukimin e mjeshtrit tjeter frëng François-Frédéric Lemot. Gjatë asaj kohe me një punim të vetin Bartolini fitoi çmimin e dytë e Akademisë Franceze në 1803.
Ishin kohra shndërrimesh të mëdha në Francë ku ai jetonte, dhe Bartolini nuk shpëtoi dot pa u ndikuar nga ato shndërrime… Ishte Bonopartist dhe mbeti i tillë gjithë jetën! Nga ai ndikim ka një seri veprash ku hymnizohet Napoleoni, si “Beteja në Austerlitz”, paraqitur në kolonën e ngritur në Placë Vendôme. Ai gjithashtu gdhendi bustet e kompozitorëve të operas si Mehul dhe Cherubini…
Stili i tij është krejt tjetër nga stilin tradicional neo-klasik i Antonio Canovas dhe Bertel Thorvaldsen, për shkak se stili i Bartolinit nuk është i bazuar në modelet antike ose në parimet standarde akademike. Ai ishte një artist që bënte armiq sepse ishte mjaft polemizues ndaj jeta e tij interesante i ka të gjitha elementet e një drame apo një romani të Stendalit. Ai ishte krenar dhe i pavarur, rebel, revolucionar republikan…Ishte napoleonist dhe mbeti ashtu gjithë jetën e tij pa fshehur asnjëherë pikëpamjet e veta, ishte mjaft kokëfortë dhe i prirur për grindje deri dhe edhe me miqtë… për politikë po edhe për art!

Lorenzo Bartolini - "Tavolina Demidof”
Lorenzo Bartolini – “Tavolina Demidof”

Sot në botën e artit nuk ka më nga ata që nuk e vlerësojnë bukurinë dhe cilësinë e veprave të tij… Mbas rënies së Napoleonit Bartolini jetoi në Firence deri sa vdiq… Në Itali në atë kohë nuk vlerësohej stili i tij i parë që nuk ishte në një linjë me traditën fiorentine, si një artist nga që nuk ndiqte rregullat e klasicizmit të rreptë të Canovas Bartolini hasi gjithë jetën vështirësi… për fat në atë kohë i erdhi kjo porosi në vitin 1830, nga bijtë e princit rus, Nikolla Demidof, i cili kishte dalë në pension në Firence, ku i kërkuan të gdhendte një monument, i cili është ende për t’u parë në Piaca Demidof, Firence. Shuma e afruar e shpëtoi nga varfëria… Ka lënë pas një seri veprash, ku spikasin kompleksi skulptural “Bamirësia” (1824), “Herkuli dhe Likas” si dhe “Besimi në Perëndinë” vepra që ishin porositur nga e veja e Giuseppe Poldi Pezzoli. Nuk u vlerësua asnjëherë sa duhet në qytetin e Firences, sa ishte gjallë!
Statuja-portret e Makiavelit punuar nga Bartolini ështe e vetmja që ka marrë vendin e saj të nderit në gjallje të mjeshtrit në Firence…
Sot qyteti i Firences mburret me të!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.