back to top
11.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun?! nga Migjeni (1911-1938)

Gazeta

Migjeni - Millosh Gjergj Nikolla (1911-1938)
Migjeni – Millosh Gjergj Nikolla (1911-1938)

Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun?!

nga Migjeni (1911-1938)

Në 27 maj 1933,
Migjeni boton në revistën “Illyria”
krijimin e tij të parë, prozën tejet tronditëse
“Sokrati i vuajtun – apo derr i kënaqun?”.
.
 
Derr i kënaqur...
Derr i kënaqur…

Një alternativë me dy ftyra, siç janë të gjitha alternativat. Tue u krue mbas veshi, rri njeriu përpara alternativës; dy ftyra – mbrapa nji ftyre asht Sokrati i vuejtun me rropatmet e veta e mbrapa së dytës ashte derri i kënaqun me trup të rrumbullakët të vetin. Te Sokrati nuk ke çka shef: dy sytë të tretun në rrashtë, disa shkarravina të palexueshme dhe një trup me do gjymtyrë të zhgatrrueme e pa asnjë vijë harmonike; e te derri ke çka shef: at frotë të kombinueme mbas rregullave strikt estetike, – e sidomos që të kënaqë synin – aj trup i majun e i shndoshë e me andje zhigatuni, dhe në fund ai bisht i përclluem në flakën e bukurisë hyjnore. Rri njeriu përpara kësaj alternative tue u krue gjithnji mbas veshi, ku e ha dyshimi – se nuk di se ç’ftyrë të zgjedhi.

Por, falemi Perëndisë! Praktik ashtu siç e ka dhanë natyra, në fund të fundit njeriu dijti me zgjedhë. Edhe dijti me zgjedhë fare mirë; aq mirë sa edhe krijesat e planeteve të tjerë, dhe ma të përparuem se njeriu, ja patën lakmi. Vetë Perëndia, tue i ra kokës me dorë, tha se nxënësi e kaloi mësuesin, dhe shumë-shumë u pendue se ç’shkathtësi i dhe njeriut. Njeriut iu shtue vullneti për t’u praktikue në shkathtësi. -E dikush dikur tha: “Nuk mundet me kenë shërbëtori ma i madh se zotnia e tij, as nxanësi ma i madh se mësuesi i tij.”
O vallë! Ç’ironi groteske.
Por a e dini se ku qëndron eureka (e gjeta!) e njeriut?
.
Busti i Sokratit
Sokrat i Vuejtun
Ç’bani njeriu me alternativën? – (Ha fort’e qerrata duel njeriu). Sokrati kursesi nuk iu pëlqente, – por as derr nuk mund t’u bate që ta merrte ftyrën e tij. Derr! Vërtet se asht i lakmueshëm derri, por, sadokudo, do të ruhet dinjiteti njerzuer përpara botës – edhe se mikroskopike në pikëpamje të tolerancës morale. Atëhere, në këtë pezullim të njeriut, u zgjue në të ajo gja që nuk asht prej kësaj bote, ajo gjasend q’i thonë pjesa qiellore, hyjnore, perëndore e ku dij ma… u zgjue – edhe njeriu u ba batakçi. Ndrroi ftyrat: ftyrën e derrit ja vu Sokratit, e ftyrën e Sokratit ja vu derrit e në këtë të mbramin u mushniue vetë. Muer ftyrën e Sokratit të vuejtun – por vetëm ftyrën – e pjesën e mbrame ja muer krejt derrit. De jure u ba Sokrat, e de facto ishte derr. Mbet Sokrati i vuejtun me ftyrën e derrit – dhe mbet të vuejë edhe mbas vdekjes së vet. (Edhe këtu asht tragjedia e Sokratistëvet dhe nji arsye se njeriu zgjodhi të bahet derr). E njeriut – pos në skenë – nuk ja kande tragjedinë. Thashë se de jure u ba njeriu Sokrat, por de facto ishte derr. Krijesat nuk mund ta njofin se asht derr dhe e nderojnë si një Sokrat. Por ka i herë njeriu nuk mund t’i mshehi cilsinat e derrit dhe na paraqitet ashtu siç asht.
Kështu njeriu kalon nëpër shekuj. Në vend që të naltsohet ndër sfera të kullueta e të shklasi prej hyllit në hyll me hapa përparimi – njeriu poshtnohet e bahet derr dhe Sokratin e dëbon të fyem, tuj ja vu maskën e derrit.
Q’ashtu njeriu ja luejti lojën. Kujt? Vehtes, vehtes! – bërtet morali prej mërgimit.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.