Kjo poezi është shkruar në Burgun e Burrelit, ku Kudret Kokoshi ka vuajtur shumë vite burg.
Mbas dënimit të tij, përmes presioneve, partia e e detyroi gruan e tij që ta ndante.
Për këtë çeshtje të rëndomtë civile, në qytetin e Vlorës, për ta diskredituar figurën e tij,
u organizua një gjyq publik, ku Kudret Kokoshi nga i akuzuar
shkëlqeu si rrallë kush me oratorinë e fisnikërinë e tij…
Diku në një qoshe të asaj salle është edhe një grua plakë me një shkop në dorë,
që po e ndjek me dhimbje këtë gjyq e që një curril loti nuk i rresht në sytë e rrudhat e saj…
Poeti e sheh këtë skenë të nënës së tij, dhe posa kthehet në Burgun e Burrelit,
shpërthen në një mrekulli poetike, një këngë kushtuar nënës së tij,
një këngë për të cilën letërsia shqipe, do t’i mbetet mirënjohtëse në jetë të jetëve…
Nga bisedat me Uranin
jozef radi, 27 tetor 2019
.
Sonet Nënës
nga Kudret Kokoshi
Nënë, të pash’ pas kaqë vjet largimi
Të krrusur, të përlotur dhe të tretur,
Të pashë, o nën’, më një shkop mbështetur,
Mermer i gjallë vuajtjesh dhe mjerimi!
Je mplakur shumë o nënë, por t’ka mbetur
Hiri i mëparshëm dhe ndër sy trishtimi
I ëmbël, përkëdhelës, oh trishtimi,
Që në tjatër krijesë s’e kam gjetur!
Je mplakur shumë, o nënë! Po për mua,
Për shpirtin tim që t’adhuron, ti je
Më e bukura krijesë përmbi dhe!
Nëna, sa ty tjetër krijesë s’dua!
Sa dëshiroj të marr rrudhat e tua:
Të jem plak vetë, e ti gjithmonë e re.