back to top
2.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Sonetet e Çabej poet dhe gruaja e jetës nga Elsa Demo

Gazeta

Eqrem Çabej me gruan Shyretin
Eqrem Çabej me gruan Shyretin

Sonetet e Çabej poet dhe gruaja e jetës 

nga Elsa Demo

Botohen për herë të parë sonetet që gjuhëtari Eqrem Çabej ia pat kushtuar të shoqes, Shyhretit, dhe dy sonete për tronditjen që i shkaktoi jetës së tij humbja e të birit.
Në vitin e njëqindtë të lindjes së albanologut Eqrem Çabej, e bija, Brikena, njoftonte daljen në dritë të soneteve që i ati pat shkruar në vitet ’50. Dhe u bë. Më 27 gusht, në njëvjetorin e vdekjes së Shyhret Çabejt, gruaja që i kushtohen sonetet, libri ngjyrëhiri i ka gëzuar ata njerëz që e morën të parët në dorë apo të tjerë, tani që libri qarkullon, ka për të emocionuar. Vargjet e para që hapin vëllimin, janë një kushtim i drejtpërdrejtë për gruan:
.
“Kur do të shihemi, lus të bjerë shi/ Pikë pas pike gjithë kësaj natë,/
Që kur të dalim bashkë un’ e ti/ Mbi pllaja kodra dielli ka ratë.”
.
Mban datën 1 janar 1951.
Në rrëfimin e Brikenës që po botojmë përbri, të cilin ajo nuk e përfshiu tek “Sonetet”, lexuesi ka historinë se si e mbërrijnë, pas gjysmë shekulli, këtë ditë vargjet e Çabejt…
.
Brikena Cabej, e bija
Brikena Cabej, e bija
Nuk është e vështirë që lexuesi të dallojë se sa të përsosura janë ato formalisht, se gjuhëtari në këtë rast i ka shërbyer poetit kurse ky i fundit i është bindur ndjenjës. Është e rrallë gjithmonë të marrësh prej artit emocione në gjendjen fillestare, të pandikuara nga akademizmi i dijeve, i kulturës dhe formave cerebrale të përpunimit të informacionit të brendshëm njerëzor. Lexuesi ka për të ndjerë se nuk i këndohet një ideali utopik, dashurisë apo një jete të pamundur. Vargjet kanë një optimizëm të kthjellët sepse besojnë që njeriut të cilit i falet dashuria, përunjësia, dlirësia, detet, ekziston, është real:
.
“Ç’ëndërr kërkoj në ty, o pjekëgjata?/ Të qënët bashkë, mate qetësie;
Harresë bote, kopshte plot me hie./ Të qënët vetëm e të larga dhata.
Endër të thellë si s’e jep dot nata,/As gaz as helm, po gjerësi të qetë.
Gurrë të verës ku të shuaj etë;/ Çdo gjë që humba e çdo gjë që pata…”
.
Sa për gjuhën, edhe ajo ndihet që i kapërcen kohërat. Çabej shkruan “u” për “unë”, “ratë” për “ra”, “pameta” për “prapë”, “përpjeta” për “përpjetë”, “zbreç” për “zbresësh” etj. “Është e vërtetë që përdor dialektalizma të Gjirokastrës, por janë edhe gjurmë të shqipes së vjetër, të Buzukut dhe poetëve arbëreshë të cilët i vlerësonte shumë”, -komenton e bija dhe njëherësh botuesja e “Çabej”, Brikena. Ajo pohon ndikimin që këto sonete kanë nga poezia popullore.
 
Brikena e mban mend të atin tek i recitonte poezi të shkurtra për të stërvitur “gjermanishten time të varfër”. Vargje nga Gëte, Hajne, Shiler që deklamonte bukur, si një actuer manqué. “E kishte çlodhje nga puna apo nga streset e epokës”,- shton ajo.
Sonetet janë shkruar në kohën e njohjes dhe dashurisë së çiftit që prej vitit 1949 deri më 1951, i cili dy vjet më vonë u lidh në martesë.
Shyhret Çabej në kujtimet e së bijës është një grua që e donte poezinë. Librat e rinisë së saj ishin botime të çmueshëm, të lidhur bukur, në origjinalin e gjuhëve të poetëve si Rimbaud, Baudelaire, Shekspir apo Elizabeth Browning.
Gruaja para të cilës Çabej, u ndal në moshën 42-vjeçare, kur deri atëherë të tjera kish njohur, siç u këndon aq bukur në sonetin prolog të soneteve (Brikena thotë se ky sonet ka pasur një titull, “Atyre së tjerave”) kishte patur një rini në furtunë. Me këtë pjesë të jetës ai bëri një ndarje njëherë e përgjithmonë. Nuk i ka folur kurrë së bijës për angazhimin në luftë dhe për dënimin pa gjyq në vitin 1947.
Në moshën 15-16-vjeçare Shyhreti u bë pjesë e celulës më parë të grave komuniste dhe një ndër anëtaret e para të Partisë Komuniste. Thuhet po ashtu, se ka qenë e para femër që ka dalë në mal. U përjashtua nga partia e akuzuar si spiune e Aleatëve.
Një natë maji të vitit 1947, të cilën Brikena e quan “Natë Shën Bartolemeu”, kur u arrestuan 500 vetë, Shyhreti u muar edhe ajo dhe bëri 22 muaj hetuesi.
Kështu kishte marrë fund edhe idealizmi i gruas për komunizmin e hamendësuar si humanizëm.
“Sonetet”, ky libër i çmuar me fare pak fletë, ka edhe dy poezi tronditëse që edhe ato dalin për herë të parë në dritë. I kushtohen birit të çiftit Çabej, Artanit, i ikur nga jeta para kohe.
Është, megjithatë aq e rrallë fjala “vdekje” në sonetet e Çabejt. Pa dyshim që ajo ndihet, e nderë, në një formë tjetër, si kohë që rrjedh e shkon dhe që merr me vete “gjëra” që njeriut nuk i kthehen më deri në vdekjen biologjike.
Dimensioni i poetit te Çabej që po zbulohet 28 vjet pas vdekjes, tregon se gjuhëtar i shquar ai “është bërë” prej poezisë, “poezisë” pa të cilën njeriu nuk bën dot asi veprash që s’i takojnë më atij por njerëzve.
http://www.zemrashqiptare.net/news/
30.08.2008
Sonete Eqrem Cabej (2008)
Sonete Eqrem Cabej (2008)

Një fat na lidhi, një fat na la

 sonete nga Eqrem Çabej

“Sonete” poezi shqiptare
autor Eqrem Çabej.
Shtëpia botuese “Çabej”,
viti i botimit 2008. Faqet e librit 60.

I

O ju, si flutra, që ju muar era
E ju përhapi tej-këtej te jeta.
Ju q’afruam bashkë dje pameta
U ftohmë a u ndamë për ngahera:
Në qe se ju gënjeva me të tjera,
U diç kërkova edhe dot s’e gjeta:
Na jemi byk që hedh veriu përpjeta,
Grurët e muar era edhe vera.
N’ato të njoma zëmra t’uaj ka
Nga një si dregëz nga një koh’e parë,
Thomse nga ditët q’ishin ditët t’ona,
Atyre ditët u kaloi jehona,
Po te kjo zemër mbetet e pavdarë
Fytyra juaj siç pikoi e ra.
23.-24.V. 1949.
 

II

U jam ai lis i lashtë degëtharë,
Që fryn veriu e flett i hedh përdhé:
E blera urdhe degënjoma je
Që m’i pështille trungut e pandarë.
U jam ai qiparisi i kohës parë,
Ti je e bardha, je erdhi e re,
Me gjeth të plotë që më vesh me hije,
Me lëng të dlirë posi lot i qarë.
O urdh’e njomë, o erdhi e bardhë,
Pështillmu rreth e rreth me degët tote
Të ndihem një me ty e ti me mua.
Mos të më thajë më thëllim a mardhë,
Të ndjej se jeta edhe nuk m’u shua:
Po m’u përhap si ëndërr magjiplote.
VI.1949.
 

IV

Sa herë shihemi, jemi si ai
Që shuan etin te i ftohti krua.
Largët kur jemi, malli na u shtua,
Si udhëtarit q’ecën në shkreti.
Kur jemi bashkë vetëm un’ e ti,
Shpirti na hapet, ti je një me mua.
Në syrin tënd rri ëndrra që u dua,
Vera e rëndë që më deh kur pi.
Në gardhin tënd të artin ke rrethuar
Një shpirt që malli nuk e lë të qetë,
Mermeri q’është derdhur n’ato duar.
Zgjidh edhe merr: ose një mall të letë,
Ose një fat, që ka për të na ndruar
Jetën në ëndër, ëndrën në jetë.
Viti 1949.
.
 
Foto e hershme e Cabejt
Foto e hershme e Cabejt

V

Kur ne u pamë te ajo nat’e re
Një vesë maji kishte zbutur dhenë.
Vetëm veruam e gëzuam denë.
Tani erdh vjeshta – imja nuk më je.
Nuk je më imja mbi të rëndin dhé
Po ndahen rrugët, bashkë më nuk venë.
Ti të marrsh tënden, u do të rrah dhenë:
Po ku të jem, si zogu pa fole?
Në ditt e mia vjeshta që po u bie
Te fund’i but’i asaj zëmrës sate
Folé të ngrohët thashë se më gjeta.
Ajo u prish, u tret posi një hie.
Endër’e jetës shkoi si vesë nate.
Tani po shoh se vetëm jam te jeta.
20.-29. IX. 1949.
 

VI

Kur shkon sokakut si një sut’e vratë,
Me sy përdhé e me të rëndë hie,
Ndihem gjahtar që me shigjetë bie,
Zëmra më mblidhet dhëmbjes në gujatë.
Pa rri mendonem tek e rënda natë:
Si do të shkosh ti jetë vetëmie?
Më ç’lis do mbahesh, degëzë erdhie?
Do mund të ecësh kësaj rrugës gjatë?
Tani që ëndrra e një jete ra,
Na ra përdhé gjith’ajo hie e parë:
Të qënët bashkë, një e të pandarë;
Ditët e bardha edhe nett e arta,
Kodra jonë me selvi të larta.
Një fat na lidhi e nja fat na la.
X.1949.
 

VII

Tani q’erdh vjeshta, kodra ç’do të thotë
Që ne nuk vemi si dikur te vera?
Selvit’e gjata presin më të kotë;
Shi vjeshte bie, atje lart fryn era.
Në zall të detit ku kaluam motë
Ditët e gushtit kur na ndritte hera,
Atje jo ne më, po të tjerë botë
Do presin mbrëmjen plot me gaz nga tera.
(Kur të kalosh nëpër të tjera dete
Për dhé të huaj, e me vjet e vjete
Të jemi larg e gjer në fund të ndarë,
Mos të të dhimbset ai mot’i parë,
As dheu Arbrit me selvi të gjata,
As zall i detit ku na ndritte nata.)
10.-21. X. 1949
Eqerem Çabej (1908-1980)
Eqerem Çabej (1908-1980)

VIII

Kur u të bie në të rëndin dhé,
Në dhé të rëndë të humbas për jetë,
Mos të më ndjekësh, po me hap të letë
Të ecësh jetës, si m’e re që je.
Pastaj një mall do të na marrë ne,
Do zbreç njëherë n’atë zall të shkretë.
Te nat’e madhe do të dergjesh qetë,
Me gaz të vjetër, me hidhi të re.
O gjum’i rëndë! O i djegur lot!
Sa qemë gjallë s’u bashkuam dot:
Kur jemi bashkë jetë më nuk ka!
Prej meje del një qiparis i lartë,
Prej teje del erdhi me rrush të artë;
Në mes një drizë – bashkë nuk na la!
XI.1949.
 

IX

Ti je sirena: Me vështrim magjie
Nga larg më ndjell me mall ndaj vetes sote,
Me krip pas erës derdhurë, hirplote,
Gushën mermer, e me të lartë hie.
U jam detar’i regjur mbi anie
Që vetëm rraha valën disa mote.
Tani me mall’i bukurive tote
Më tej në dete s’dua më të bie.
Kur të vështroj, u shoh të tjera dete,
Ditë të bardha, plot me ar qytete,
Jetë pa fund si në një ëndër parë.
Një turbullirë kam në shpirt përhera
Si zmolet vala kur e tundën era:
Dua të reshtem, po nuk kam të ndarë.
XI.-XII. 1949.
 

X

Ti që më mbushe ditt e nett e mi
Me erë deti si që fryn në verë,
Me gaz të thellë, me hidhi të derë:
Me sy të mbyllur ti më the: Më pi!
U do t’të pi: Me verën tënde plot
U kupën t’ime do t’a mbloj njëherë
Pastaj e kthej të dehem kësaj verë,
Teje të dehem mos të pi më dot.
Një val’e ngrohët më përshkon ahere,
Posi detarin, kur pasdreke vere
Prehet në diell qetas mbi anie.
Dhe fryma jote rrjedh ngadal në mua,
Sa ndjej se jetës tjetër gjë s’i dua:
Të shkoj symbyllur e në dhé të bie.
1.-15. I. 1950

 

XI

Kur ti në verë anës detit rri
Dhe sheh si mugu ulet mengadalë,
Dhe qetas deti hapet valë-valë
E drita tretet në të natës gji:
Një mall i dhëmbur që ti s’di sesi
Të merr ahere për diçka që s’pate;
Dhe do të dalësh jashtë prej gujate,
Larg! e të bëhesh një me gjithësi.
(Krahët e tua hapen mengadale
Përtej mbi kodra, përmbi det e male,
Duke kërkuar pëndët përmbi dhé.
Pastaj, si shtrohet gjithë dheu në natë,
I lodhët shpirti e me krahë ratë
Nga ku qe nisur kthehet në folé.)
III.1950.
.

Artanit

Mbi ty ku dergje te banesa jote
Të motit gjurmë ndjeki varg e varg.
Fryn er’ e malit, ndihet vera larg
E vesa shtrohet si një shtrojë e lote.
Mbi ty kalojnë muaj edhe mote
Me dit të rënda e me net të shkreta.
Mimoza frorit, pika shiu të qeta,
Nata e vitit pa një krismë gote.
Ti rri si një shenjt edhe një mbret.
Nuk ngrin prej dimri as nuk pret prëndverë;
Nuk pyet për shokë që ke tash përherë,
Për ç’le këndej, për vjet që po kalojnë,
Për sytë e errur, gjeth të mbulojnë,
Për qelq që pive, gjëmën që të gjet.
Fryn er’ e malit, bie bora larg
Fryn er’ e malit, hëna ndrit nga larg
 
Marrë nga gazeta Albania 07.12.2008

 

 
 
 
 
 
 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.