back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Sot është e shtunë… poezi nga Jamarbër Marko

Gazeta

Paqja e së shtunës
Paqja e së shtunës

Sot është e shtunë…

poezi nga Jamarbër Marko

Kët poezi mjaft të thekshme ndërsa e lexoja
më dhuroi mjaft kënaqësi dhe u ndala…
Kur në fund të saj lexova emrin Faik Konica,
rrudhosa pak buzët sepse s’më la asnjë shije prej Konice
as si vargje, (mjaft moderne) dhe as prej gjuhe (mjaft  standarte)…
Kështu që e vura në dyshim autorin e saj…
dhe lëshova zë për ndihmë për të gjetur autorin,
sepse m’u duk një tip historie poetike:
Martha Madeiro & Pablo Neruda…
Kurse kjo që kisha lexuar ende ishte enigmë…
Mbas një dite një mikja ime më tha se vargjet ishin të Jamarbër Markos…
pra afërsisht qe përsëritur historia e mësipërme…
Jamarbër Markos & Faik Konica.
Kështu, si ikur të dy, prej kësaj bote ata dhe kanë lënë vetëm veprën…
ne duhet të përpiqemi të mos e keqtrajtojmë
veprën e nderuar të këtyre shkrimtarëve edhe më të nderuar…
jozef r., gusht 2017

 

Mbrëmje e së shtunës
Mbrëmje e së shtunës

Sot është e shtunë…

Sot është e shtunë
Për mua dhe për ty
Për të gjithë.
Për të gjithë ata
Që patën diçka në tokë.
Sot është e shtunë
Edhe për ata që janë mërzitur
Për ata që nuk dijnë të jetojnë.
Është e shtunë edhe për ata
Që nuk janë më.
Sot është e shtunë
Për kuajt që tërheqin karrocat në errësirë
Për lodrat që u luajtën
Dhe për vendet bosh në sallat e lavdisë.
Sot është e shtunë
Edhe për ata që nuk e dijnë këtë gjë
Që vuajnë e s’ janë të lumtur.
Vetëm sot është e shtunë,
E dëgjova në rrugë
Në derën e spitalit.
Sot është e shtunë
Edhe sikur askush të mos e kujtojë…
Jo vetëm sepse unë sot jam mërzitur,
Por për madhështinë e një dite
Që veshi mbi vete pelerinën e vjetër të botës.
Është e shtunë
Sepse nuk ekziston asnjë ditë tjetër
Si kjo e sotmja
Dhe dikush mund të thotë
Se asnjëherë nuk ka qenë e shtunë,
Se asnjëherë, asnjë ditë
Nuk ka shpënë buzë greminës kuptimin e madh
Jetën e madhe përpara një bluze
Të thjeshtë dite
Siç është dita e shtunë.
Ditë e shtunë sot
Që u përsërit aq shumë
Mbi atë çka bënë ata që nuk jetojnë sot
Me lehtësinë e atyre që jetojnë
Të mbështjellë nga e shtuna
Që si letër karamelesh
Bie mbi butësinë e vjetër.
.
Poeti Jamarber Marko (1951 - 2010)
Poeti Jamarber Marko (1951 – 2010)
Sot e shtuna bie mbi kërcënimin e vjetër
Dhe thuhet nga të gjitha buzët kudo
Edhe atje ku dita është ngatërruar me një tjetër
Edhe atje ku dashuria është është zëvendësuar me një tjetër.
Kudo sot e shtuna përkëdheli plagët dhe buzëqeshi
Për t’ ua bërë më njerëzore,
Për t’ ua larguar sadopak nga pesha e kohës,
Që e veshur me hijen dhe dritën e një të shtune
Ndaloi lozonjare dhe tha:
Sot është e shtunë
Kur filluam të kuptojmë
Se vetëm në botën tonë është diçka
Të rrish pak më shumë në të ftohtë
Për të larguar diku drejt pafundësisë
Nyjen e vërtetë,
Që lëkundet me përkdheli
Brenda thellë së shtunës
Që duket se nuk do të ndërrohet me asnjë ditë tjetër.
Sot është e shtunë
Për të vetmen thjeshtësi dhe mendim
Për të vetmen kënaqësi dhe trishtim
Për të bërë një hap
Në botën e vogël të njerëzve.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.