back to top
4.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Spaç, 29 maj 2019 – të paharruar – & tre poezi të dala nga Burgu i Spaçit

Gazeta

 

Spaç, 29 maj 2019
Spaç, 29 maj 2019

Spaç, 29 maj 2019 – Të Paharruar

Të nderuar zonja e zotërinj fisnikë ish të persekutuar,
Instutiti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, në bashkëpunim me Ambasadën Austriake, IDMC-në dhe pushtetin lokal të Rrëshenit ju fton të merrni pjesë për të përkujtuar heronjtë, të mbeturit në Kamp-burgun e Spaçit si kalvarin e vuajtjeve të atyre që mbijetuan nga ky kamp i tmerrshëm pune të detyruar. Do jetë një përkujtimore përshpirtëse me muzikë dhe pjesë leximesh nga ish të burgosur politikë të këtij kamp-burgu.
Për pjesëmarrjen tuaj ISKK ofron 2 furgona, që do t’ju presin me 29 maj, ora 12.00 (e mërkurë) te godina e ish të Përndjekurve Politikë.
Programin e keni bashkëngjitur.
Prania juaj na nderon.

Visar Zhiti i burgosur
Visar Zhiti i burgosur

Tri poezi të nxjerra nga Burgu i Spaçit

nga Visar Zhiti

.

Rrjeshti i këpucëve të burgosura

Flenë të burgosurit.
Me një batanije të vjetër vegimesh
mbulojnë trupin e lodhur.
 
Ja dhe këpucët e tyre po dremitin në rresht
me një besnikëri të përbaltur qensh.
 
Opinga-a nuk të kujtojnë plisat e arave?
Çizme të prera
që vazhdojnë të jenë në armiqësi
me çizmet ushtarake.
 
Pantofla- të buta, të buta,
se si ndjehen,
si mirësjellje e tepruar në burg.
 
Këpucë qytetare-
që keni njohur këpucë grash nëpër
takime,
që keni vallzuar,
që keni shkëlqyer nëpër bulevarde,
që keni hyrë nëpër drama,
qani të braktisura nga gjithçka,
jeni vetë epilogu i dramës më të madhe.
 
Ja dhe këpucët e spiunit
me lidhësen që u varet si shpifja nëpër gojë.
Më mirë zbathur,
pa këmbë në fund të fundit,
jo me këto këpucë,
s’i shoh dot,
dot nuk i duroj.
 
Por ka dhe këpucë enigmatike, krenare
(sic ka dhe të shëmtuara)
këpucë që në shpirt,
ndoshta dhe në histori,
do të lënë gjurma.
 
Këpucë të burgosura,
më fatkeqet në botë,
të lodhura
të çara.
Kur jeta fut këmbët te ju
shkon prapa, vetëm prapa.
(Spaç, 12.06.81)
Endërrat - Visar Zhiti, poezi e nxjerrë nga burgu...
Endërrat – Visar Zhiti, poezi e nxjerrë nga burgu…

Ëndërrat

Ti po mbyll sytë, i dërrmuar
nga puna e tmerrshme këtu nën tokë.
Patjetër je duke ëndërruar,
se ëndërrave pranga s’u vënë dot.
 
Dhe le ta bëjnë ferr galerinë,
ti vuan që të mbetesh engjëll.
Mbi supe si flatra ke mirësinë
dhe fluturon nëpër ëndërr.
 
Ku shkon kështu? Ah, unë e di
dhe ëndërrat lodhen mes kaosit
dhe kanë ftohtë ashtu si ti
veç me kapotën e të burgosurit
 
dhe s’po të them që i vrasin ëndërrat
që kam shëtitur ndër varret e tyre.
Ndodh që na vrasin më parë se ëndërrat

dhe qajnë ato mbi ne si vejushe.

 
Befas u zgjove. Buzëqesh i trembur,
sapo u ktheve nga ai vend i lumtur.
Balli i mbushur plot me ëndërr
e di që bëhet më i bukur.
Spaç, dimër 1982
.

Burgu i Spaçit
Burgu i Spaçit

Një triko

Sikur ta dije sa të kam dashur
dhe sa shumë të dua,
Leshrat e gjata do t’i prisje,
t’i bëje triko për mua.
 
– E, si të duket kjo vjershë?
e ka shkruar një i burgosur për të dashurën, që s’e ka? – pyeta një shok të burgosur.
 
– Paska patur ftohtë, i shkreti! – më tha dhe heshti.
 
Flokët e dashurisë plot me ngricë.
 
Dimri – si një triko e shqyer
në brinjët e atdheut…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.