back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Spaçianët … nga Maks Rakipaj

Gazeta

Maksim Rakipaj
Maksim Rakipaj

Spaçianët ….

nga Maks Rakipaj

Në muajin korrik 1979, më dërguan “me ngritje”
nga kampi i vdekjes së ngadaltë në Ballsh,
në kampin e çfarosjes në Spaç.
Në përvjetorin e arrestimit sjell një fragment
nga libri im me kujtime nga vitet e burgut…
.
Burgjet shqiptare - Burgu i Spaçit
Burgjet shqiptare – Burgu i Spaçit
Pata dëgjuar shumë për Spaçin qysh në kampin e Ballshit. Flitet me nderim për Spaçin dhe spaçianët këtu mbas revoltës së majit ’73. Shumë shpejt do të kisha rastin të bëhesha edhe unë spaçian. Më pat premtuar me ulurima dhe i skuqur nga inati qysh në maj ’79 vetë Kapllan Shehu (që tani ishte transferuar në Lushnjë, si kryetar dege) shumë më tepër se kaq. Dhe ja, befas, javën e dytë të korrikut ’79, kur mezi prisja të më vinin njerëzit e mi në takim (më datë 15 mbushja 28 vjeç), buçiti altoparlanti: Të gjithë ata që do të dëgjojnë emrin, duhet të mbledhin gjërat e tyre dhe për 5 minuta të gjenden të rreshtuar te porta…!
…Emri im është i treti në listë. Nuk kam kohë të takoj njeri, dhjetra policë në kamp u bënë gardh mes nesh dhe atyre që mbetën aty. Vetëm Aladini, që më ndihmoi të merrja plaçkat e mia, mezi arriti të më përqafojë: “Mos u mërzit, vëllaçko.”
Hapet porta, dalim, mbyllet porta. Janë tre kamionë. I pari është me ushtarë të armatosur rëndë. Në mes është kamioni ynë. Pas nesh një kamion tjetër me ushtarë. Mbi kabinën e shoferit një mitroloz dykëmbësh dhe një ushtar, i bërë njësh me të, me gishtin në këmbëz. Dy policë janë në fund të kamionit tonë të zbuluar. Një prej tyre i bërtet ushtarit me mitroloz: “O koqe, hiqe gishtin nga këmbëza e mitrolozit se do na vrasësh të gjithëve!”
Na lidhin me pranga gjermane të Luftës së II, dy vetë një palë pranga. Unë jam tek. Polici më lidh vetëm, me që jam tek dhe i fundit: “Ti, Maks, do të ulesh pranë meje, në fund të kamionit. Prangat m’i ka lënë fare lirshëm. “Mbaji mirë, mos të bien, se na dhjeve!” më porosit duke buzëqeshur. Ndërkaq nisemi. E shoh me habi. Nuk e njoh sepse nuk ka bërë kurrë shërbim brenda kampit.
-Më quajnë Fatmir. – më prezantohet – Nuk më mban mend mua?
-Jooo, po emrin tim ku e di ti, Fatmir? – i flas me emër, me që po tregohet shumë i përzemërt.
-Nuk ke faj. Atë ditë që takove kryetarin e Lushnjes ishe tym, Makso. Nuk shihje nga sytë. Unë isha pas derës dhe e dëgjova të gjithë bisedën tuaj. Më ke lënë pa mend… hahahaha… Sidomos kur i the: Do vij të të dhjes në varr kur të dal nga burgu… Ahahaha, e bëre të flasë me vete. Hallall. Prandaj t’i lashë prangat e lira, ta dish. Kur ia tregova muhabetin tënd një shokut tim, që është polic në Fier, ore u gajas së qeshuri, bravo i qoftë tha për ty.
Duket djalë i mirë Fatmiri. Më mban me muhabet gjithë rrugës, deri sa arrijmë në Spaç. Gjithsesi, unë jam shumë i vëmendshëm në bisedë me të, por ai nuk bën asnjë pyetje provokuese, madje më shumë flet ai se unë. Me të mbërritur në Spaç, më shtërngon dorën fort dhe më thotë: “Të uroj shëndet Maks. Jemi një moshë dhe më vjen shumë keq që je në burg. Kështu e ka jeta. Mos u mërzit, nesër nuk është çudi, më futin edhe mua këtu. Kështu. Hajt pra qofsh mirë”. Nuk e kam parë më. E përshëndes, kudo që të jetë, nëse vjen dita dhe i lexon këto rreshta. Ka patur njerëz të mirë edhe atje ku nuk duhej të kishte.
…Na kontrollojnë përsëri policët e Spaçit. Me shumë zell, me imtësi. Dikur kontrolli mbaron dhe fillon jeta e Spaçit. Kam merak për familjen, se i prisja pas dy ditësh në Ballsh. Një mik më ndihmon dhe dërgoj telegram në shtëpi me adresën e re. Por telegrami shkon një javë me vonesë. Gjyshja, nëna dhe im vëlla, Dashi, shkuan më kot deri në Ballsh. Atje u thonë shkurt: “I dënuari Maksim Rakipaj nuk ndodhet më në këtë repart. Ne nuk kemi asnjë dijeni ku është. Pyesni në Ministrinë e Brendëshme.” Në Ministri, nuk marrin asnjë përgjigje. U thonë vetëm kaq: “Është transferuar në një repart riedukimi tjetër. Më vonë ejani për të pyetur!” “Më vonë? Kur?” “Më vonë, thashë. Hajt, ditën e mirë!” Kur marrin më në fund telegramin tim me adresën e re qetësohen. Qetësohen, thashë? Ehhh…
Sa vjen e hëna, filloj punë në minierë. Tre ditët e para janë për “instruksion”, për njohjen e minierës dhe rregullave të sigurimit teknik. Të duket sikur hyn në ferr. Për një si unë, të pamësuar me punë të rëndë fizike, është tmerr i vërtetë. Më thonë që do të punoj në një grup tresh, d.m.th. një minator dhe dy punëtorë me lopatë. Norma e grupit është 8 vagona të mbushur me mineral (rreth 2 ton mineral per vagon) dy palë armatura, betoni ose druri dhe një palë bira.
-Por birat i ban minatori – thotë Zef Nishi, brigadieri i dënuar, – Ty nuk të majn kamët, nuk të ban kush minator, o Maks. Ndoshta të bajnë nivelist.
-E ç’do me thënë nivelist? – pyes me ndrojtje.
-Nivelist? Ja, me shty vagonin, si ai atje… Naj lek në fund të muejit e merr, se varet nga norma e brigadës. Puna nivelistit posht 100% nuk bjen kurrw, i merr të paktën 7-800 lek në muj.
Tre ditët e para punoj nivelist. Duhet mbushur vagoni te tremozhat dhe duhet nxjerrë jashtë për t’u shkarkuar te një depozitë e madhe. Poshtë saj, vijnë kamionë të mëdhenj për t’u mbushur. Edhe me targa të Durrësit. Vagonët duhen shtyrë mbi ca shina te holla.
-E sheh këtë platformën metalike? Kjo është pjatina, shërben për të rrotulluar vagonin nga një galeri në tjetrën.
Bëj disa rrugë duke ndihmuar një nivelist të vjetër, ai nuk e ka hallin të më mësojë mua:
-Ohu, më duhet të bëj normën. Shif ça bëj unë, atë bëj edhe ti. Nesër do jesh vetëm, nuk të ndihmon njeri.
Të nesërmen jam vetëm. Që në rrugën e parë më del nga shinat vagoni i mbushur plot. Me katër rrota në tokë. Po tani? I vij rrotull, i pashpresë. Provoj ta ngre për ta rivënë mbi shina; ku tundet ai. Vjen një nivelist me vagonin e tij:
– Ça mutin, mar zot! I ke sytë në ballë a jo, harrove me e pre kyt mut vagoni?! Ça pret, jepi, ngreje se jam vonë!
-E provova, por nuk lëviz. – i them.
-Kuku, për mu, duhet me të ngrejt vagonin edhe ty tesh.
Duket shkodran nga dialekti.
-M’u hiq knejna se e ngrej vetun. – dhe sa hap e mbyll sytë vagoni u vu mbi shina.
-Nga të kena? Si ta thojn emnin?
-Durrësi. Maks, po ty?
-Shkodra. Emën mutit kam, Enver, por më flasin Ruke. Kur kam le un, nji hoxh mutit i thot plakut: Enver venia emnin. Dhe plaku nuk ia prishi. Me kë e ke, kujt me ia prish? Sikur s’pat emna të tjerë. Mafmut, të ma kishte vu, le të më thirrshin Mut, shkurt. Por jo Enver, pash zotën! Dhe për të zez temen ma shajn nanën, tan ditn e g-jatë, si në kamp, si në galeri. Pak m’u vonue në radhë, për shembëll, veç kur ia fillojn me sha, me libër shpije, niji tesh se po vijn nja dy me vagona…
Dhe vërtet, sapo e dalluan Ruken, filluan:
-O Enver kurva, që të është bëre bytha si pjatinë piriti, pse ke bllokuar rrugën. O Enver muti, nashti e gjete vaktin ta hash në bythë… ahahahahh… O zot i madh, vdeksh, o Enver!
-Amin, ishalla! Mir po e dij vet se nuk e keni me mue. – nuk e prish terezinë Rukja – Ndihmova kte të riun me ngrejt vagonin. E quejn Maks, asht prej Durrsi.
-Qenkeni pjekur tamam, Marksi me Enverin… Hahahah. (lab ky, nga dialekti) Dëgjo vëlla, po je djalë i mirë, do të kesh ndihmën e të gjithëve, po je shkërdhatë, më mirë thuaju të të gjejnë nanjë vend nga zyrat, se këtu do lesh kokën.
.
Maksim Rakipaj - “Gjallë pas mbytjes së anijes...”
Maksim Rakipaj – “Gjallë pas mbytjes së anijes…”
…Ky është prezantimi i parë imi me minierën. Pas ca ditësh, me organikën e re më caktuan minator në zonën IV. Për të mësuar përdorimin e martelit kam Agim Hamitin, nga Vlora. Agimi është pak më i shkurtër dhe më i mbushur se unë. Krijojmë besim shpejt te njëri tjetri.
-Mua dhe ty nuk na kanë vënë minatorë për të bërë planin e brigadës – thotë Agimi – por për të na nxjerrë shpirtin pak nga pak. Na japin frontet me shkëmbin më të fortë. Nga 8 atmosferë ajër që duhet normalisht për martelat WUP, nga kompresorët në frontet ku janë si puna jonë, që duan t’i vdesin në pluhur, nuk dërgojnë as 4 atmosferë. Do ta shohësh vetë. Edhe punëtorët na i japin më të dobët. Ndonjëri është edhe spiun i komandës.
Dhe e shoh vërtet. Agimi ka të drejtë. Kam dy punëtorë: Islam Spahiun dhe Ahmet Kolgjinin. Islami është i fuqishëm, por nuk ia thotë lopatës. Njeh shumë mirë frëngjishten dhe poezinë frënge, është edhe piktor. Njeri i shkëlqyer, mik i rrallë. Ahmeti, i rritur nëpër internime qysh fëmijë. I verdhë, i dobët, me 5 diagnoza në zemër, por punon fort, me gjithë shpirt. Njeh disa gjuhë të huaja. Enciklopedinë franceze Larousse, e di thuajse përmendësh. Nuk ka fushë të artit, shkencës apo fesë që të mos njohë Ahmeti. I përjetshëm qoftë kujtimi yt, miku im Ahmet!
Brigadieri është i pakënaqur me punën e grupit tim:
-Më vjen keq, por nuk kam ç’të bëj. Ke dy ditë që nuk ke nbaruar dot një palë bira. Armatimin e ke për faqe të zezë. I kam raportuar policit të brigadës, Markut edhe zyrës teknike. Po nuk i bëre birat edhe sot, të pret biruca, Maks.
-Po qe puna kështu, shkoj qysh tani në birucë. Me 3 atmosferë ajër që më vjen mua, jo unë, por as minatori më i mirë nuk i bën dot birat, rri këtu me mua dhe shikoje vetë.
-Unë nuk kam vetëm frontin tënd, kam një brigadë për të ndjekur. Hajt, vazhdo punën!
Ajri i pakët me zor e rrotullon barominën, po t’i mëshoj me forcë ndalon fare. Kam bërë vetëm dy bira nga 80 cm. Duhet të bëj 8 ose 9 bira nga një metër të thella. Ndjej një dorë në sup. Kthej kokën, shoh policin e brigadës, Mark Marku. Janë 2 a 3 policë me këtë emër. Ky duket tip i qetë, i heshtur. Nuk qesh kurrë. Ma bën me shenjë të fik martelin. Bëj si më thotë. I shkoj pas deri sa largohemi nga balli i galerisë dhe mjegulla e pluhurit. Ulemi mbi dy trungje ahu që i kam për të armatosur galerinë. Më pyet me zë të lodhur, nga jam, si më quajnë.
-Rakipaj, the? Ça e ke Xhaferrin, drejtorin e bonifikimit të Lezhs?
-Babë e kam.
-E kam pi pra, nji kafe në Laç me Xhaferrin. Burrë i naltë. Asht shum shok me dajën tem, që asht drejtor i parkut të Laçit. Jo, more! Shif si të rrokullis jeta. Sot un jam polic me rujt të birin e Xhaferrit! Ma pat than daja, por nuk e dijsha se je ti. Nga nesër do të kesh ajër aq sa lypet me ba bira, do vij vet me të pa në front. Po s’pat ajër, mos e rruj, leni pa ba. Me gishta nuk bahen birat në shkamb. Sa të jem polic shoqnues i ksaj brigade, nuk ke me hy në biruc për punë birash pa ajër. Baba a të vjen? Po, eh. M’i ban shum të fala.
E mban fjalën Marku. Por, sado që e bëj normën çdo ditë, nuk arrij të marr lekë asnjëherë në Spaç, edhe atëhere kur e plotësoj mbi 100% normën mujore.
-As mos prit të marrësh – më thotë Agim Hamiti – Me paratë tona paguajnë spiunët, ata kurvat e komandës.
Ma pat thënë edhe shkrimtari Halil Laze, që ishte në një grup të fortë me inxhinier Xhafer Agarajn dhe ish oficerin topograf, përmetarin Diogjen Nako. Ata bënin çdo muaj mbi 150%. Kur kishte shkuar me polic Markun për t’u ankuar te normisti i dënuar, ky i fundit, i nxehur, kishte nxjerrë një copë letër nga xhepi dhe i kishte bërtitur policit me inat: “Po këta, si do t’i paguej unë, ë? A din me ma thanë? Ik fol me ata të mëdhejt e komandës, s’ke pse ban hiç llafe me mu…”
.
Titulli nga radiandradi.com
Marrë nga libri im “Gjallë pas mbytjes së anijes” botim i ISKPK 2014,nën kujdesin e z. Agron Tufa dhe ribotuar me titullin “I mbijetuar” nga shtëpia botuese 2 lindje 2 perëndime e z. Pëllumb Zekthi
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.