back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Sporti femëror në Tiranë… dhe një vërejtje nga Greta Dilo

Gazeta

Kampionati i volejbollit për vajza 1938  (e para në të majtë Ksanthipi Dilo)
Kampionati i volejbollit për vajza 1938
(e para në të majtë Ksanthipi Dilo)

Sporti femëror në Tiranë…

nga Ilir Dojka

Në mars të vitit 1933, filloi në Tironë Kampionati i volejbollit midis skuadrave të qytetit. Morën pjesë 10 skuadra.
Për herë të parë një kampionat volejbolli për femra u zhvillua në Institutin Femror “Nana Mbretneshë” në vitin shkollor 1933-1934. Deri në vitin 1936, u zhvilluan tre kampionate volejbolli midis klasave në këtë shkollë.
Në janar të vitit 1934, u zhvillua në Tironë Kampionati Krahinor i volejbollit. N’gjalli mjaft interes ndeshja midis Shkollës Teknike dhe Sport-Klub “Tironës”. Ndeshjen e fitoi shkolla Teknike.
Në skuadrën e shkollës Teknike bënin pjesë: Malupi, Stavileci, Llustra, Kryeziu, Xhara dhe Hatibi. Bie në sy pjesëmarrja në këtë skuadër e yjeve të ardhshëm të futbollit shqiptar Llustra dhe Kryeziu. Në ekipin e S.K.Tironës bënin pjesë: Peza, Hallulli, Kusi Dake, Zaharia dhe Janku. Fituesi e Kampionatit Krahinor të vitit 1934 u shpall skuadra e Gjimnazit me 8 pikë. Në skuadrën e Gjimnazit bënin pjesë lojtarët: Pali, Begeja, Lleshi, Petrela, Dyrdiu dhe Hobdari. Në mars të vitit 1934, u zhvillua Kampionati Kombëtar i Volejbollit. Në kampionat morën pjesë ekipet e S. K. “Vlorës”, S. K. “Tironës”, S. K. “Kosovës” (Kukësit) S. K. “Kavajës”, “Bashkimi Elbasanas”, “Bashkimi Shkodran”, S. K. “Shqiponja”, S. K. “Muzaka” dhe S. K. “Skënderbeu”.
Në mars të vitit 1935, u zhvillua në Tironë, Kampionati Lokal i Volejbollit me pjesëmarrjen e
Gjimnazit të Tironës, Sport Klub Tironës” dhe Institutit Teknik. Fitues u shpall ekipi i Gjimnazit. Në korrik të vitit 1936, Avni Zajmi organizoi disa ndeshje volejbolli në Kukës midis anëtarëve të shoqërive sportive të qytetit dhe nxënësve të shkollave të Tironës.
Në vitin 1937, evidentohen disa aktivitete në sportin e volejbollit. Në prill u zhvilluan dy ndeshje vajtje-ardhje midis Gjimnazit të Tironës dhe shkollës Normale të Elbasanit.
Në shtator të vitit 1937, u zhvilluan në Tironë ndeshjet e volejbollit për kupën “Gardlund”. Fitues u shpall Gjimanzi i Shtetit në Tironë, vendin e dytë e zuni Instituti Teknik. Më 6 prill 1937, u zhvillua kampionati i volejbollit në shkollën Qytetëse të Durrësit. Nga lojtarët u shquan: Naxhi Stringa, Vlash Goga, Ramazan Ngjala, Fejaz Kalakula, Bahtjar Kokona dhe Petrit Kosova
Shkëputur nga libri: “Sporti Shqiptar 1900-1946” me autor Ilir Dojka
.
Ksanthipi Dilo. Profesoresha e parë e fiskulturës me shkollë të lartë në Shqipëri
Ksanthipi Dilo – Profesoresha e parë e fiskulturës me shkollë të lartë në Shqipëri

…dhe një vërejtje për heshtjen ndaj Ksanthipi Dilos

profesoresha që organizoi Spartakiadën e parë Kombëtare

nga Greta Dilo

Në këtë foto mësuesja nga e majtja është Ksanthipi Dilo, halla ime.
E lexova shkrimin me interes të madh për të parë se çdo të ishte shkruar për të. Por asgjë për të, si ka mundësi?! – mendova. Si mund të shkruhet një histori për sportin dhe mos të shkruhet për profesoreshën Ksanthipi Dilo. Si çdo histori në Shqipëri që është shtrembëruar edhe kjo është një nga ato. Ksanthipi Dilo, u diplomua në Shkollën e Dakos, në Tiranë. Në vitin 1939, Ksanthipi shkoi në Itali për të vazhduar studimet e larta për mësuese fiskulture. Në vitin 1943, si mbaroi studimet u kthye në atdhe dhe punoi me përkushtim në detyrën fisnike të mësueses. Për atë kohë qe mësuesja e parë me shkollë të lartë.
Në tetor të 1959, Ksanthipi organizoi Spartakiadën e parë Kombëtare të Shqipërisë. Për vite me rradhë e vazhdoi këtë traditë të bukur sportive duke treguar fantazi dhe aftësi të veçanta organizuese e drejtuese. Dhe më pas kjo traditë u vazhdua nga nxënësi i saj zoti Petrit Qendro dhe gruaja e tij. Vetëm pas ardhjes së demokracisë, puna e Ksanthipit u vlerësua ashtu sië ajo e meritonte.
Ksanthipi Dilos iu dha titulli më se i merituar prej kohësh: “Mësuese e Popullit” dhe veterane e luftës
Përpara se të fillosh të shkruash një histori duhet studiuar mirë dhe ta njohësh mirë dhe pastaj shkruaje ate tamam. Që brezat e sotëm të informohen ashtu siç është historia.
E kuptoj në komunizëm të detyronin ta shkruash atë siç e donte Partia… por tani jemi në demokraci dhe jemi të lirë zoti Ilir Dokja…
Marrë nga muri i fb i Greta Dilos 22 shkurt 2017
 
.
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.