Stacionet e Trenit – Katedrale
refleksion nga Gëzim Çelhyka
Nuk e di, e kam lexuar, dëgjuar, apo ma kanë thënë; apo është pjellë e imazhit që futet në subkoshiencë kur shikon stacionet e trenit në Europë…
Stacionet e metropoleve në Europë janë Katedrale, janë katedrale ku njerëzit nuk e fshehin mallin, po në të gjithë ylberin e ndjenjave si në një shfaqje që çdo ditë e moment është premierë me një regji të padukshme, ku të gjithë lëvizin të sinkronizuar në rolin e tyre ku ndjehet dhe lexohet pulsi i jetës.
.
Sapo shkel në çfarëdo stacioni treni; në metropol apo në humbëtirë province, ndjen mall, ndjen mister; ka magji brenda, ka trishtim dhe shumë dashuri. Nuk është nevoja të përmend sekuenca filmash nostalgjikë e malli që kanë të bëjnë me takime dhe ndarje; çdo shqiptar ka imazhet personale të nostalgjisë me stacionet e trenit në Europë. Ka takimet dhe ndarjet, ka pulsin e jetës në ndërtesat magjike ku arkitektet kanë projektuar Katedrale – jo Stacione. Në Shqipëri nuk patëm kurrë një Katedrale të shpirtit e të mallit, ku të sundonte aroma e jetës, ku të shpalosej parfumi i ndjenjave të shenjta njerëzore; po stacione horror, ku në mendje më është kalçifikuar vetëm ai altoparlanti i zi metalik dhe sporteli me shufra hekuri të salduara i biletarisë që, ishin pasqyrë e asaj jete që jetonim – Diktaturë!
.
Stacionet e trenit janë tabllo njerëzore që tregojnë zhvillimin e shoqërisë, që nga puthjet e takimit apo të ndarjes, te arkitektura, nga pulsi i ndjenjave njerëzore, nga kulti i ndërtesës në respekt të njeriut si një katedrale, nga aromat, parfumet, moda, të qeshurat, trishtimet, emocionet, skenat njerëzore, që në diktaturë nuk ka të krahasuar humnera që ndan stacionet tona – të zeza, të errta, të ftohta – Fantazmë Stacione!
Gjykojeni e komentojeni vetë nga artefakti fotografik se në ç’diktaturë shpirti kemi jetuar!
.
Marre nga muri i Fb i Gëzim Çelhyka, 16 shkurt 2021
.