back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Stille Nacht* – 25 Dhjetor 1978 Maks Rakipaj

Gazeta

Maksim Rakipaj
Maksim Rakipaj

Stille Nacht* – 25 Dhjetor 1978 Maks Rakipaj

Po jua sjell këtë pjesë me rastin e Krishtlindjeve te nxjerrë nga Kujtimet e mia

Dhjetor 1978… po afronin festat e funvitit.
Në kampin e Ballshit, me gjithë mjerimin e burgut, ndihej një lloj gëzimi e shprese në sytë e të burgosurve. Atje pata njohur artistin Mehdi Prodani, kitarristi më i mirë në Shqipëri, i vëllai i kompozitorit Agim Prodani. Meqë i kisha rënë kitarrës dikur, rast më të mirë nuk kisha për të mësuar sadopak nga mjeshtri i madh i kitarrës në kohën e lirë. Mediu u tregua i gatshëm menjëherë. E njihja pak solfezhin, kështu që ai e kishte më të lehtë të më ndihmonte. Më shkruante pjesë të ndryshme, në fillim më të lehtat që unë i ushtroja në një kthinë ku një prift i heshtur punonte për riparimin e librave të vjetër të bibliotekës së kampit. Kur i kërkova leje për t’u ushtruar aty ku ai punonte, prifti e ngriti pak kokën, më pa dhe më bëri shenjë me kokë se mund të vazhdoja, pa folur asnjë fjalë. Shkoja atje pothuaj çdo ditë. Profesor Nikollë Daka më tha se prifti quhej padër Zef Pllumi. Në kamp kishtim edhe një artist tjetër me përmasa botërore. Basin Llukë Kaçaj. Më pëlqente ta dëgjoja edhe kur fliste Llukën, sidomos kur i fliste ortakut të lojës së dominosë me atë zë të thellë basi “Jahooo…” dhe dridheshin xhamat nga zëri i Llukës…
Një ditë Lluka këndonte nënzë “Stille nacht”… Unë dhe Mehdi Prodani e dëgjonim si të hipnotizuar…
-Medi, të lutem ma shkruaj këtë, dua ta mësoj…
-Patjetër – më premtoi ai.

At Zef Pllumi (1924-2007)
At Zef Pllumi (1924-2007)

Me fletën e muzikës në dorë shkova te kthina e padër Zef Pllumit. Punova disa orë. Më në fund më doli mirë. Realizova edhe “campanella-t” që më kish shënuar Mediu…
I paharrueshmi Zef Pllumi, që më dëgjonte pa lëvizur, për të parën herë më foli: “Bravo mor djalë… kët kangë, ma të bukrën në botë kushtue Krishlindjeve e ka ba nji prift fshati muzikën dhe fjalët ja ka pas shkrue msuesi i atij fshati të vogël diku në Austri…
-Gëzuar Krishtlindjet, i thashë me zë të ulët…
-Falemners… Gëzuar edhe ty, e t’falemners edhe nji herë për muzikën.

Shënimi im-*stille nacht gjermanisht – Natë e Qetë (titulli i një kënge Krishtlindjesh e njohur në të gjithë botën, në anglisht me titullin “Holy night”)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.