back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Synopssis elektoral: 24 qershor 2013, nga Jozef Radi

Gazeta

Zgjedhjet politike - 23 qershor 2013
Zgjedhjet politike – 23 qershor 2013

Synopssis elektoral: 24 qershor 2013, nga Jozef Radi

Shumica e shqiptarëve tashma u ka vënë kryq opinioneve, bindjeve, interesave dhe zemërimeve të veta dhe pret qetësisht (ç’eufemizëm) të shfaqet n’ekranet llomotitëse e vërteta e verdiktit të madh: “Election 2013!!”… Pra, pret të shfaqen ekraneve “divat e politikës” dhe shprehja “The Winner is!!!” të jetë triumf i palës fituese, grafullim i gjokseve që do shqyejnë grykat, do mbushin sheshet, rrugët, ekranet, gazetat, qiejt (me krisma e fishekzjarre) dhe gjithçka do të bëhet brohorimë, ulërimë, çlirim…!!! kurse dyshimi, frika dhe trishtimi i palës humbëse do të vonojë rezultatin, do të shpallë vjedhjen votës, do të shfrytëzojë intrigën e deklarimeve paraprake dhe të brohorasë edhe të pavërtetën…!! por, (ah ky i shkretë… por) ajo çka e shqetëson shumicën e votuesve, (po edhe ata që e kanë shpërfillur politikën e derisotme), dhe që përbëjnë thelbin e pakënaqsisë kolektive shtrojnë pyetjen e thjeshtë: A duhej që këto zgjedhje të ndryshonin paksa frymën dhe personazhet e politikës 23 vjeçare…?? Të gjithë do të ngriheshim në këmbë e do të bërtisnim si nji kor i pafundmë: Po… Po… Po…!!! ndërsa pyetja pasuese që vjen si vazhdim ose si logjikë e së parës: A mundet këto zgjedhje të ndryshojnë diçka në frymën dhe figurat tashma të konsumuara prej politikës?? Përgjigja përsëri do të ishte korale, po e mekur, dëshpëruese e ndoshta sfilitëse: Jo… Jo… Joooooo!
Pra jemi asgjëkund më larg se shprehja: “Hip se të vrava, zbrit se të vrava!” Pra këto zgjedhje, edhe pse do të nxjerrin nji fitues, ka mundësi të mos ofrojnë asnji zgjidhje frymëzuese, aq më pak entuziazmuese, përkundrazi mund ta shtojnë akumulimin e pakënaqsisë, dëshpërimin kolektiv, roitjen e shpresës dhe veleritjen deri në përçmim ndaj kësaj çorbpolitike, ku shumica, (populli) s’mund të përzejë askënd nga tribunat tashmë të ngurtësuara të partive… (veç vetes)!!
Klasa politike shqiptare ka dëshmuar haptas se s’ka asnji dëshirë për ndryshime thelbësore, thjesht bën retushe të kujdesshme!!! Slloganet, sigurisht ndryshojnë, bile me qejf të madh… po fryma, ah fryma: Jo!!! Kjo armiqësi me ndryshimin, tregon se dy dinozaurët e politikës s’kanë asnji dëshirë të lejojnë, e më pas edhe të përballen me alternativat e reja, të besueshme, luftarake, edhe pse në gojët e e dy Kryekryetarëve fjalët “Ndryshimi dhe Rilindja” u shërbyen si Kryefjalë të slloganeve të kësaj fushate të stërgjatë!

ps-pd (dy anët... e nji medalje)
ps-pd (dy anët… e nji medalje)

Të hënën, me 24 qershor, mbas shkumës së shampanjës dhe fishekzjarreve të fitores të gjithëve na duhet të kthehemi tek e vërteta kolektive e mosndryshimit të asgjëje edhe pse rotacioni mund të jetë nji alternativë çliruese!! Të gjithë jemi të bindur se problemet mbesin po ato, bile kriza mund t’i zgjasë tentakulat edhe ma tej; papunësia mund ta deformojë edhe më tej agresivitetin shoqëror edhe frymën politike; problemet e akumuluara mund t’ua zbehin shpejt forcën fitimtarëve… pse jo, mund edhe t’i detyrojnë të shohin edhe alternativat e pabesueshme, si bashkëpunimin me humbsat, duke lejuar asfiksimin e frymës reale opozitare, dhe kështu si padashtas dhe në heshtje të shtyhet me diabolizma fryma e kompromiseve të paskrupllta korruptive, të cilat mund të shfaqen edhe si struktura bazë të ndonji aleance të ardhshme!
Shtoj gjithashtu faktin se nji parti sqetullore, pa qenë as social-demokrate dhe as demo-kristiane, kalon me lehtësinë e pabesueshme të kruarjes së veshit prej njërit kah të barrikadës tek tjetri, dhe vetshpallet bujshëm se është ajo shigjeta e peshorës së politikës shqiptare… Kjo jo vetëm e bën të pështirë politikën si art alternativash, por dëshmon se nji status i tillë amorf dhe shkapërcyes s’ka për t’i dhënë asnjiherë prespektivë ndonjë ndryshimi… E këtu s’është fjala thjesht për të ndryshuar “kuajt e politikës”, Fryma e Re duhet t’i shtyjë këta “kuaj” në objekte kulti dhe nostalgjie…
Sot ende nuk ndjehet ndonji Frymë e Re, pra ka pak ose aspak shpirt frymëzues, ma e shumta është nji flakë kashte, për mbushjen e ndonji zbraztsie të toleruar prej vetë dinozaurve të politikës së vjetër… asgja tjetër… Pra, nën këndshikimin tim këto zgjedhje ka shumë mundsi ta nxjerrin në pah dhe ta thellojnë krizën, se sa ta luftojnë atë… gjithsesi ata janë të detyruar dhe të destinuar të mos lejojnë ndonji alternativë të besueshme, mbi bazën e atij kompromisi në prillin e largët të vitit 2008, i cili lejon pak për mos të thënë aspak, mundësitë ndonjë frymë të re! Po njiherësh theksoj se s’duhet kurrsesi të sajohet ndonji frymë rebeluese pa i lënë kohë lindjes dhe ngjizjes së alternativave të besueshme dhe frymzuese ndryshimi!
Shqipëria e Jashtme, s’duhet të mbetet e Përjashtuara e Përjetshme… duhet edhe ajo të mendojë dhe të veprojë si alternativë, si frymë ndryshe, pse jo ta nxisë dhe ta detyrojë politikën e derisotme të heqë dorë prej frymës përjashtuese “O me ne, o me heshtjen!”, sepse vetëm kështu mund të nisin e të përvijohen pak nga pak projektet alternative, që duke nisur prej kësaj fillimvere të nxehtë elektorale, shprehja se “diçka duhet ndryshuar”, duhet t’ia lerë vendit shprehjes “…diçka po nis të ndryshojë!”…!
Edhe qarqet ekonomike e të biznesit, që mund t’u jepnin shtysa alternativave ndryshuese, janë përfshi pothuaj të gjitha në tollovinë e këtyre zgjedhjeve, në të dyja kahjet e politikës, duke e bërë edhe ma të ashpër luftën për pushtet, edhe duke zbehë dukshëm përkrahjen ose nxitjen e alternativave të reja…
Edhe faktori ndërkombëtar si duket është pajtuar me kët mënyrë të konceptuari të politikës shqiptare dhe ndoshta ndjehet ma komod dhe e ka ma të lehtë të bëjë soditësin se sa nxitësin, bile edhe n’ato pak raste kur kërkon të shfaqet si nxitës alternativash, zgjedh pikërisht persona që as ata vetë s’i besojnë… pra gjejnë nji mënyrë mjaft të rafinuar asfiksimi, duke u dëshmuar së po luftojnë për mundësitë e ndonji ndryshimi… përkrahin mosndryshimin… Me pak fjalë nënteksti i tyre përkthehet: “edhe për disa kohë Shqipëria duhet të pajtohet me këta “kuaj” që ka … asgjë ma shumë…”
Kështu bie perdja, skena mbyllet… dhe mirupafshim shqiptarë në zgjedhjet e 2017-ës…!
26 maj, 2013

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.