back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Tahir Kolgjini: Jetëshkrimi i em shkurtimisht

Gazeta

Tahir Kolgjini (1903-1988)
Tahir Kolgjini (1903-1988)

Tahir Ali Kolgjini

Jetëshkrimi i em shkurtimisht…

Jam i biri i Ali, Osman, Hasan, Sulë, Idris, Sulë, Bajram, Shahin Kolgjinit.
Nana e eme, asht Qamile Kolgjini, e bija e Sadik Totës nga katundi Vilë po i Lumës.
-Kam lemë në Lamshejtë të Lusnës me 24 Prill 1903. (Kur kam lemë, në Lumë e në disa vende të Shqipnisë, popullsija, nuk paska pasë qenë e regjistrueme). Ma vonë, në vjetin 1910, me ardhjen e ushtrisë së Turgut Pashës në Shqipni, u krye regjistrimi i popullsisë. Pata pyetun babën. Më pat thanun se unë, kishem lemë në vjetën e Shemsi Pashës, qi paska pasë ardhun në Lumë e në Shqipni për me pajtue gjaqet në 1910, qi kjo datë allaturka, i gjegjet vjetit 1903. E pata pyetun nanën mbi stinën, qi kam lemë. Më pat thanun se, unë, paskem lemë rrumbullak 12 ditë para Shëngjergjit. Pra, me 24 Prill 1903.
-Kam pasë vazhdue dy vjet mësimet në shkollën fillore të katundit Lusën, tue pasun si mësues nji farë mulla Ademin nga katundet e Shkupit. N’ato vjet, me ndërmjetësimin e të ndiemit Sulejman Laçit nga katundi Bardhoc i Lumës, Stambolli, kishte hapun shkolla fillore turkisht në katundet Lusën, Imisht, Vilë, Kalisë, Kolesjan, Bicaj, Shtiqën, Topojan e tjera të Lumës. Ende janë gjallë disa njerëz, që kanë pasë ndjekun këto shkolla, si Muharrem Bajraktari në Belgjikë e Aziz Isak Azizi në Ferizaj.
-Në fillim të vjetit 1913, dy javë ma para se ushtrija serbe, të pushkatonte shtatëdhet’e pesë vetë nga katundi Lusën (Turgut PashëHysejn Ram Peposhi me të birin, Mahmutin dhe nuna, dmth, e shoqja e nunit Xhepë, janë pushkatue diku në Gjurrë të Helmit në Mal t’Ahtë e prandej, nuk llogariten me këta 75 vetë. I ndiemi Ali Rama,  atëherë kur asht ritirue (tërheqë) ushtrija serbe me 1915, tue kalue nëpër Lumë për t’u  bashkue me ushtrinë italiane e për të kalue mandej në Greki, ka pasë vramë mjaft ushtarë serbë dhe në ket mënyrë i ka pasë pague tre dëshmorët e shtëpisë së vet. Mbi këte, ka shpjegime në “Luma dhe Luftat e saja” botue në Shejzat Nr. 4-5-1969 vjeti 13). Familjarisht nji natë jemi nisun dhe tue kalue Mirditën kemi hipun në një ani austriake dhe kemi dalun në Stamboll. Mbas gjashtë muejsh, kur Luma, me  përjashtimin e disa katundeve, i ngeli Shqipnisë, em atë, me përjashtimin tem, pjestarët e familjes krejtsisht i këthej për Shqipni. Mue më mbajti për me vazhdue mësimet në Stamboll.
Mbrenda dy vjetve, mbarova shkollën fillore të quejtun Sultan Mahmut.
Mandej, baba, më regjistroi në Medresen Darulhilafetulaliyye.
Në ket institut, vazhdova mësimet deri në vjeshtën 1924, atëherë kur nga Republika e Ataturkut, u suprimue për unifikimin e arsimit.  Dhe unë, i dëshpruem u ktheva në katund.
-Me 1925-1926, u transferova si kryemësues në Bicaj.
-Në vjetin 1927-1928, kërkova dhe u transferova për Lusën. (Këtu pat fillue mësimet dhe Kadri Ali Peposhi, qi me ’44, u vra prej komunistave.)
-Në fund të 1928-ës më transferojnë për Kukës dhe unë, mbasi nuk pata hesapë, dhashë dorëhekjen dhe shkova në Tiranë.
-Në fund të 1928-es, u emnova si sekretar i gjyqit të paqit në Himarë.
-Në Prill 1929, me rasën e organizimit të ri të drejtësisë, u transferova si sekretar i Gjyqit të Shkallës së I-rë në Kukës.
-Me 1932 (Nanduer) pata vumë kandidaturën për deputet dhe pata fitue votat; por, administrata e vendit, e shtërngueme nga Tirana, vetë shkruej e vetë vulos, nuk e zbatoi ligjën dhe në ket mënyrë duelën deputet pa e fitue kanditatët e Tiranës.

Tahir Kolgjini - Blloku Kombtar Indipendent
Tahir Kolgjini – Blloku Kombtar Indipendent

-I dëshpruem nga sjellja jo e drejtë e qendrës, domethanë, e regjimit t’asaj kohe, mora pjesë në nji parti politike ilegale dhe pata fillue me regjistrue njerz. Midis tyne, nji natë, vuna në bé nji njeri nga Novoseji i Gorës. Ky, të nesërmen shkon dhe çashtjen ia shpjegon Prefektit të Kuksit, tue shtue se, si dëshmitar përpara ndonji gjyqi nuk mund të delte.
-Mbi këtë, këshilli ministruer, vendos internimin t’em për nji vjetë në Porto Palermo, si propogandist i rrezikshëm në dam të regjimit dhe unë, arrestohem, tue u futun në burgun e Kuksit. Mandej, nisem dhe shkoj në Porto Palermo, ku plotsoj kohën e internimit dhe këthej në Kukës.
-Kësaj here, nuk kërkova ma nëpunësi; por hapa, nji shkrojtore në Kukës si shkrues publik.
-Me 7 Prill 1939, shkarkuen italianët. Me 13 Prill 1939 erdh Konti Çiano në Tiranë dhe disi deklaroi se, Shqipnija, do t’ishte e pavarun, vetëm se kunorën mbretnore, ushtrinë dhe xhandarmërinë do t’i kishte të përbashkëta me Italinë. “Kur s’asht pula, hahet sorra.”
-Në Maj 1939, bashkë me parësinë e vendit e ftueme nga Tirana, nisem dhe unë. Nji ditë, kam shkue në spital për t’i thanun qoftë e kalueme Maliq Bushatit, që ishte ministër i mbrendshëm. Erdhi dhe Kol Biba e më thonë qi të pranoj detyrën o si federal, o si kryetar bashkije në Kukës.
-Pranova kryesinë e Bashkisë dhe shkova si i tillë në Kukës.
-Mbas shkatrrimit të Jugosllavisë, me 15  Prill 1941, shkova në Prizren dhe mora në dorzim Bashkinë e qytetit, për të kthyem formalitetet në shqip, ku vazhdova si kryetar deri në fund të Tetorit t’atij vjeti dhe mandej ktheva në bashkinë e Kuksit.
-Kësaj here në Kukës, mora, prej Ministrisë së Mbrendshme nji urdhën qi të shkoj në Krumë si përfaqësues i popullit, për me marrun pjesë n’inaugurimin e vorrit të Bajram Currit, për ndërtimin e të cillit Mbëkambësija, kishte dërgue të hollat e nevojshme.

Tahir Kolgjini - Gjithnji në qendër të problemeve
Tahir Kolgjini – Gjithnji në qendër të problemeve

-Ishte Nandori 1941. Shkova në Prizren-Gjakovë-Krumë dhe në ket rasë mora kontakte me klerin e Prizrenit dhe të Gjakovës. Dakord me ‘ta…
-Si dihet, popullsija e Bosnës dhe e Hersegovinës, me shumicë mban fenë Islame. Kur ka hymë perandorija Austro-Ungareze në këto vende në kohën e Lidhjes së Prizrenit (të Kongresit të Berlinit), mbi kërkimin e myslimanëve, Viena, këtij populli i paska pasë njoftun nji statut me privilegje fetare. Mbas Luftës së Parë Botnore, kur Bosna me Hersegovinën, i janë dorëzue Jugosllavisë, këto privilegje, qenkan njoftun dhe qenkan shtrimë edhe për elementin Mysliman të Jugosllavisë, dmth., për ato vende, qi sod quhen Kosovë, Maqedoni dhe Mal i Zi.
-Tirana, me aneksimin e vendeve të lirueme, vuni në zbatim në këto vende legjislaturën e vet laike. Mirëpo, në përfundim të luftës, qi ishte tue vazhdue, vendet e lirueme ç’fat i priste? Unë, kam qenë i bindun se Gjermanija, do t’a hupte luftën.
-Prandej, në marrëveshje me Hafëz Abdullah Telakun dhe me disa të tjerë, provokova mbledhjen e klerit mysliman të vendeve të lirueme dhe si erdhën të gjithë, me cillësinë t’eme si sekretar i këtij kongresi, mbajta nji bisedë mbi randësinë e çashtjes dhe u lshue nji vendim, i cilli, iu njoftue Tiranës se, elementi mysliman i vendeve të lirueme, do të vazhdojë në zbatimin e dispozitave të autonomisë fetare, pa marrun parasysh pjesën e legjislaturës shqiptare, qi vjen ndesh me to. Ky njoftim, iu ba Mbëkambësisë, Ministrisë së Drejtësisë, Kryeministrisë dhe Ministrisë së Mbrendshme.
Kur këthej në Kukës, gjej nji telegram të Ministrit të Mbrendshëm, qi thotë: -Kryetar’ i asaj Bashkije, të mos largohet nga qendra pa lejen e kësaj ministrije.
-Si duket, Komisari i Naltë për vendet e lirueme, Fejzi Alizoti, më kishte raportue randë. Zemrohem dhe kërkoj leje. N’ato ditë, kishte ardhun në fuqi Mustafa Kruja, i cilli, përveç  kryeministrinë, kishte marrun përsipër dhe  dikasterin e mbrendshëm.

Tahir Kolgjini me shokët e mërgimit...
Tahir Kolgjini me shokët e mërgimit…

-Shkoj në Tiranë. Vizitoj dhe uroj Mustafa Krujën. Pyetja e parë, qi më bani, qe: “Ç’asht Kongresi i Klerit Mysliman në Prizren?” Ia shpjegova dhe shtova: “Po të mos  e kishte fitue Sulltan Murati betejën e Kosovës dhe po të kishin qendrue shqiptarët pa e pranue Islamizmin, me kohë do të ishin bamë serbë, tue u sllavizue.”  U bind  dhe m’u përgjegj: “Keni të drejtë!”
-Mora vesht se, qeverija, ka regjistrue në Pukë dhe në Merditë nji fuqi civile  prej 3000 vetësh, e cilla, do të mësynte Muharrem Bajraktarin, mbasi Aj, ndodhej në Ujmisht dhe paraqitte shum dyshime.
-I paraqes kryeministrit nji promemorje, tue numrue inkonveniencat e dërgimit të kësaj fuqije civile në Lumë. Mustafa, më përgjegjet se, çdo gja, kishte marrun fund; porse, po të dojshem, mund të shkojshem si zav.prefekt në Kukës.
-E pranova detyrën për me shpëtue Lumën. Shkova në Kukës dhe me kontaktet qi pata me popullsinë e vendit, mishin e poqa e hellin nuk e dogja. Muharrem Bajraktarin nuk e gjet gja dhe fuqija civile, qendroi në Lumë miqësisht.  Në kët çashtje, në qeveri dhe n’opinion, pata fitue nji çmim në shkallë të naltë.
-Mbi këte m’erdh urdhni qi të nisem për Gjinokastër prefekt definitiv. U nisa. Vazhdova disa muej dhe kur u vra Qazim Koculi, isha në Tiranë. Ministrija e Mbrendshme, me transferoi si prefekt i klasit të parë në Prishtinë.
-Në Prishtinë, bana shërbim deri në vjeshtën e vjetit 1943. Erdhën gjermanët në Shqipni. Xhafer Deva, qi ishte ministër i mbrendshëm, më ngarkoi me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. E pranova.
-Në Gusht 1944, u largova prej Tirane dhe shkova në Shkodër. Këtu ishte formue nji komitet dhe mue më kishin rezervue nji antarësi dhe prefekturën e Shkodrës. E pranova dhe e vazhdova detyrën deri me 24 Nanduer 1944.
-Me 24 Nanduer 1944 bashkë me kapedanin e Merditës, Gjon Marka Gjonin,  lamë Shkodrën. Hamendsisht për dy muej e gjymës, kemi mbrritë në Vienë, tue  kalue në vende të ndryshme në Jugosllavi.
-Me 3 Prill 1945, jam nisun nga Viena me tetë shokë, tue kalue Brenerin  me 19 Prill 1945.
-Kam shkue në Milano. Këtu janë dorëzue 9 ushtarë gjerman, të cillët me lëvizjet e tyne, epshin me besue se janë 9 bataliona. Mbassi në Milano pashë të vjerrun për kambësh Mussolinin me tetë shokë tjerë, me kamiona amerikanë, u nisëm për Romë.
-Në Romë, si u regjistruem në kampin “Cine Citta”, na nisën për “Santa Maria Di Leuca”  dhe në vjeshtën e vjetit 1945 ne shqiptarëve na çuen në  “Ex Casa Balila” në Reggio Emilia. Këtu kemi qëndrue shum vjet dhe mandej ata, qi ishin  regjistrue me emigrue për Turki, u nisën për Napoli.
-Me 27 Qershuer 1948, me vaporin “Istanbul”  jemi nisun njimijë shqiptarë dhe me 30 Qershuer 1948, kemi mbërrijtun n’Istanbul.
E këndojnë nji kangë në Kosovë:
“Shyqyr Zotit na, prej Llapit pështuem,
Gjysa t’vramë e gjysa t’plaguem”

Tahir Kolgjini (1903-1988)
Tahir Kolgjini (1903-1988)

Veprat e mija, janë:

1/ Shpalime Rreth Lahutës  së Malsisë –, botue n’Istanbul,
2/ “Esad Pashë Toptani dhe Akuzat, q’i bahen”, botue po n’Istanbul,
3/ Fjalët Turkisht të përdoruna në Lahutën e Malsisë, botue në revistën Shejzat në Romë dhe në formën e njij libri prej 30 faqesh,
4/ “Luma dhe Luftat e saja”, botue në Shejzat dhe në formën e njij libri prej 25 faqesh,
5/ “Po vajtojmë Gjon Gjinin”, botue n’Istanbul në formë poeme e përbame prej 32 faqesh, dhe
6/ “Të vërtetat shqiptare-greke”, botue Turkisht n’Istanbul e përbame prej 95 faqesh si polemikë me grekët, qi pretendojnë mbi Epirin.

Artikujt e mij jane:

-Artikuj të ndryshëm të botuem në “Lirija Kombëtare” në Tiranë, në “L’Albanie Libre” e në “Shejzat”, që botoheshin në Romë, në “Mundi i Ynë”, që botohej në Bruksel dhe artikuj të ndryshëm në gazetën “Vardari”, që botohej në Stamboll. -Aty-këtu kam shkrue dhe artikuj, qi janë derdhmas e nuk meritojnë me u përmendun.
-Kam disa artikuj dhe në “Koha e Jonë”, qi botohet në Firenze.
Shënim: Sod kam vetëm “Shpalime rreth Lahutës”, “Esad Pashë Toptani dhe akuzat q’i bahen” dhe “Po vajtojmë Gjon Gjinin”.  Tjerat më mungojnë. Disa artikuj i kam pasë shkrue drejt për së drejti me emnin dhe mbiemnin t’em.
-Gjatë jetës s’eme kam kalue shum rreziqe si prita, mitraljime e bombardime, por, mbassi jam gjallë, nuk po i shënoj…

Tahir Kolgjini – Florya – Istanbul
21 mars 1985

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Tahir Kolgjini thotë se: “…po të mos ishim ba muslimanë, na do të ishim sllavizue. Kjo don të thotë se në mes dy të kqijave – të muslimanizimit dhe të sllavizimit kemi zgjedhë të keqen ma të voglë, do me thanë muslimanizmin…
    Po tash që rrezikun (ma të madh) të sllavizimit nuk e keni, pse nuk e leni muslimanizmin të cilin e zgjodhët si të keqen ma të vogël?!

  2. Çdo njeri vjen në këtë botë, ecën e shkel kudo, sigurisht që lenë edhe gjurmët e tij aty ku shkel, mirëpo ndryshimi mes këtyne gjurmëve është se dikush i len në ronë, e dikush i len në granit, dikujt i mbeten e dikujt i treten. Pra është ndryshimi i dukshëm nga trashëgimia ndër breza kush len gjurmë në granit jeton – njëri është edhe studjuesi i madh, njohësi i disa gjuhëve (njeriu që e shfrytëzoi dijen e nuk heshti kurrë përballë mashtrimit, por kudo e ngriti zanin pa përtuar) studjoi e la nji vepër të vërtetë, reale e duke qenë reale vetvetiu ajo është monumentale.
    I përjetshëm mbetet ky burrë shumë i zoti e me vlera, (anipse provincialët injorantë nuk e vlerësojnë, por gjithkush duhet të ndihet komod se, kur nuk të përmend i pavlerti, gjithnji të rriten vlerat) E pavdekshme është vepra e Shkëlqesës së Tij, Zotni fort i nderuar Tahir Kolgjini
    Falemnderit

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.