Takim me Lazër Radin… përmes veprës së tij
nga Emi Krosi
Atë ditë shtatori, tek Teatri Kombëtar, (ku bëhet beteja për teatrin) u njoha pak edhe me Apologjitë e pafundme të Sokratit, ndërsa shfletoja librat e Lazër Radit, si t’ishte fjala për një bibël apokrife, që në kundrimin dhe përfytyrimit tim, daton prej kur e ndesha për herë të parë, në Bibliotekën Kombëtare.
Gjatë studimeve, kërkimeve në bibliotekë, ai ishte edhe pjesë e përditshmërisë sime.
Një ditë hasa një libër me poezi të Jozef Radit (kisha lexuar aty -këtu, për letërsi pasburgjesh, “të ndaluar” etj), por njohuritë e mia ishin minore. Kur fati më takoj me të birin, kisha lexuar, ashtu e hallakatur shumë shkrime të Dr. Lazrit, por prap isha në minorancë të asaj çka ai kishte krijuar.
Atë pasdite shtatori, aty në teatër mu duk sikur pashë një Gandi të letërsisë postume të Radit.
.
Kolana e tij ende e paplotë prej 18 librash, (12 të botuar me kujtime, poezi, prozë, studime, publicistike, kulturologji, përkthime, ku gjen edhe tradita e zakone, dhe pamje të njëmendta nga Shqipëria e Viteve ’30- ’40), të mbledhura, qëmtuara, redaktuara dhe përgatitur me kujdes për botim nga i biri, Jozef Radi, përbëjnë një korpus madhështor të munguar të letërsisë shqipe, me kode e mesazhe, sa historike, aq edhe njerëzore e atdhetare.
Në ndërkalljen time kohore dhe hapsinore, diakronia dhe sinkronia m’u ndërprenë aty, teksa rrekesha të formuloja një përqasje timen, përmes leximeve dhe dijeve të reja dhe të vjetra, (një pikë uji në oqean), në pritje të stacionit të fundëm për një studim kritik, që meriton vëmendje jo vetëm të lexuesit të sotëm me letërsinë “barbare”, që ka “pushtuar” gazetat online, shtëpitë botuese, libraritë, pse jo dhe studiuesit e “zellshëm” të ish-sociorealizmit!
Ndjehem e fatlume që kam një “mik”, një mësues, të shkrimit të lartë, të pasqyrës së harrueme shqiptare prej komunizmit dhe vijimit të tij të maskuar!
Ju faleminderit Lazër e Jozef Radi!
.
Tiranë, tetor 2019
.